OpEd

Zizek: “Kundër Shantazhit të dyfishtë”

Sot lexova një artikull të publicistit dhe ish-këshilltarit të ish-Kryeminstrit Haradinaj që kishte reaguar ndaj filozofit Slavoj Zizek me ç'rast e kishte titulluar këtë shkrim duke aluduar pozicionin që ky filozof kishte karshi Kosovë. Ndërkohë është saktësisht i kundërt pozicioni që Zizeku ka mbajtur sa i përket kësaj çështje. Ky shkrim i z.Matoshi fillon me një premisë të rreme, e pastaj lëshohet në avaz të njëjtë.

Debati për Kosovën sigurisht është i kahmotshëm edhe ndër intelektualë të botës, të majtë e të djathtë, por ajo çfarë e ka bërë filozofin slloven të ketë një qasje të veçantë mes të majtës botërore është pikërisht refuzimi për të rënë në një shantazh të dyfishtë të vijës statike ndarëse të ideologjive majtas/djathtas. Në këtë klishe ende jeton z.Matoshi, edhe kur kanë kaluar 20 vite të shek. XXI. Vetë Zizek në vitin 1999 artikullin e tij NË MBROJTJE TË NDËRHYRJES SË NATO-s dhe PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS e kishte titulluar ''Kundër Shantazhit të Dyfishtë''. Pse?

Slavoj Zizek ishte ndër të majtët e rrallë që kishte mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë sepse ai tashmë kishte refuzuar të mohojë një të drejtë për vetëvendosje të një populli dhe një gjenocid që po ndodhte në terren. Ai kishte refuzuar të pozicionohej në dy qendrimet kinse të kundërta por që në fakt ishin të padrejta. Pra Zizeku refuzoi shpjegimin e së majtës liberale, sipas të cilës çdokush që mbështeste NATO-n ishte për mirëmbajtje të kapitalizmit të egër. Përtej këtyre dy kurtheve ai nuk mund të bëhej i verbër karshi popullit të Kosovës dhe të drejtës së tij për çlirim.

Artikullin për Kosovën filozofi slloven e hap me një nga teoritë e tij të huazuara nga Lacan dhe të zhvilluar tutje nga vetë ky. ''Letra arrin gjithmonë në destinacion'', është koncepti që artikulon sipas tij Millosheviqin dhe konsekuencat e tija politike. Është një shembull që merret për një sulmues terrorist, i cili kishte nisur një bombë të kurdisur në drejtim të një ambasade amerikane përmes postës, por fakti që ai nuk kishte vendosur mjaftueshëm pulla postare letra i kthehet mbrapshtë pas një kohe. Terroristi, që kishte harruar pas një kohe se kishte nisur letër, e hap letrën e vet që ju kishte kthyer mbrapsht dhe shkon në ajër vetë. Pra, a nuk është rasti i njëjtë, thotë Zizek, edhe me Millosheviqin, ''bombat që dikur ky fashist i kishte nisur në Kroaci, Bosnje e Kosovë, tash po i kthehen atij'', pra letra po arrin më në fund në destinacion.

Tutje për t'i shpjeguar z.Matoshit se është krejtësisht i painformuar sa i përket qëndrimit të Zizekut për Kosovën, është edhe një indikacion tjetër, ai sërish refuzon të bjerë në grackën liberale të protestave e valleve të disa serbëve në urat e Beogradit për të manifestuar një lloj emancipimi përkundër bombave. Madje autori thekson se pak km. më larg nga vendi ku këta qytetarë po vallëzojnë, gjoja për të demonstruar civilizim përkundër luftës, është duke u shfarosur një popull i tërë. E ka fjalën për popullin e Kosovës.

Përtej kësaj Zizek në po atë artikull thekson qartë “një forcë progresive e cila po zhvillon luftë” duke e përmendur me lavdërim e mbështetje luftën e UÇK-së.

më kot filozofi slloven ndoshta ka marrë më shumë kritika nga ''e majta'' se e djathta, sepse ka refuzuar të bjerë në grackën e një shpjegimi të ngurtë ideologjik, që praktikisht as i tillë nuk është, por natyrisht ka qenë kritik për shumë procese të pas luftës, sikur që kanë qenë edhe vetë shumë shqiptarë këtu. Megjithatë, të vendosësh një titull të tillë paraqet vetëm një shpifje në rrafshin deklarativ e një bullshit në rrafshin intelektual.

Por le të kthehemi 20 vite pas kur z.Matoshi ka probleme pse Zizek ia ka përqeshur klasën politike të cilën vetë Matoshi e mbështet, madje e këshillon. Por duket që vetë Halili ka rënë në një grackë, në mungesë të fakteve e kundërargumenteve për atë që Zizek i thekson, pra se kjo elitë është pasuruar e korruptuar rëndë, Matoshi sulmon deklaratat e Zizek të 20 viteve të mëhershme, e që edhe ato nuk qëndrojnë siç theksova më lartë.

Pra, z.Matoshi i ka reaguar deklaratave të paqena të Zizekut, sepse e ka të lehtë të sulmojë nën petkun e antikomunizmit e pastaj të mbrohet si një liberal properendimor, por sipas kësaj logjike do të duhej të reagonte me po këso shkrime edhe ndaj shumë ambasadorëve perëndimorë që theksonin para zgjedhjeve nevojën e ndryshimeve në vend për shkak të nivelit endemik të korrupsionit. Që reagonin ndaj kapjes së shtetit e zhvatjes së buxhetit gjatë qeverisë ku këshilloi z. Matoshi. Që reagonin ndaj e delnin nga komisionet mbikqyrëse kur shihni tendere e konkurse të kurdisura. Si t'i reagojmë këtyre zyrtarëve perëndimorë, si antiperëndimorë e kundër Kosovës, z. Matoshi?

Situata është e qartë, ajo që pamë me 25 mars të këtij viti, është përbashkimi i një klase të vjetër e të korruptuar në kohën kur e panë rrezikun se krimi e korrupsioni njëmend po luftohen. Se gjërat e shkruara në program, se zotimet në fushatë, nuk mbesin vetëm në letër e nuk mbesin vetëm deklarata, ato përkthehen në masa e masat në hapa konkretë. Është lehtë të sulmojë z.Matoshi një filozof perëndimor, me deklarata të paqena, duke deformuar diçka që është thënë para 20 vitesh, por është vështirë të mohohet krimi e korrupsioni përgjatë këtyrë viteve, privatizimi egër, falimentimi i ndërrmarjeve publike. Është më e lehtë të kritikosh Slavoj Zizekun pse kritikoi elitën e këtyre 20 viteve, por sigurisht se e ke më të vështirë të kritikosh, vetkritikosh, pozicionin tënd konformist së paku për këto 20 vite për aq sa të kam përcjellur.

Pra, në një sens edhe Kosova po arrin në destinacion. Qasja korruptive, përkujdesja vetëm interesave të ngushta e private të klasës së politikanëve dhe familjeve të tyre e ka sjellë këtu vendin. Ata që s'i kanë parë këto premisa natyrshëm tash ndihen të befasuar me rezultatet. Edhe për këto rezultate po duan t'ja hedhin fajin dikujt tjetër, herë si proamerikan e herë si properëndimor e në emër të integrimeve euro-atlantike. Kjo periudhë ka përfunduar z.Matoshi. Gërmadhat e vendit të shkatërruar nga krimi e korrupsioni nuk mund t'i fshehin klishetë e vjetra antikomuniste dhe melmesat properëndimore.