OpEd

Zhvillimet në Kosovë në kontekstin e brishtësisë ndërkombëtare

Bekimi dhe mallkimi i Kosovës është se ajo gjendet në vëmendjen ndërkombëtare. Bekimi është se robëria shekullore nga Serbia nuk do të mund të ndërpritej pa vëmendjen dhe intervenimin ndërkombëtar, kurse mallkimi është se në veprimet e tyre, politikanët në Kosovë duhet të kenë parasysh zhvillimet ndërkombëtare

Ky shkrim shumë lehtë mund të jetë kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila që 25 vjet e ka miratuar në mënyrë të heshtur ndarjen de fakto të Kosovës dhe paralelizmin e dirigjuar nga Beogradi. Në vazhdën e këtij miratimi mund të cilësohen edhe reagimet e vendeve të QUINT-it ndaj mbylljes së zyrave të Postës së Serbisë në veri të vendit si dhe kundërshtimi i hapjes graduale për automjete të urës kryesore në lumin Ibër. Sidoqoftë, në vend të kritikës, ky shkrim do të përpiqet të diskutojë synimet e Qeverisë së Kosovës në kontekstin e pozicionit të brishtë ndërkombëtar në të cilin gjendet Kosova dhe mundësitë e saj reale për të zbatuar politika në mënyrë të mvetësishme.

Kosova ka të drejtë të plotë të vendosë sovranitetin në të gjithë territorin e saj dhe në këtë aspekt, reliktet e së shkuarës, siç është barrikadimi i urës mbi lumin Ibër, e simbolizojnë ndarjen dhe kjo, përveç që është tregues i një situate jonormale në Kosovë, është edhe tregues i një politike të dobët ndërkombëtare në raport me krijimin e stabilitetit duke ndryshuar status quon e cila ekziston në Kosovë prej kohës kur ajo ka qenë nën administrimin e UNMIK-ut. Pra, në këtë aspekt, QUINT-i po tregon se politika ndërkombëtare ndaj paralelizmin të Beogradit dhe ndarjes de fakto të Kosovës nuk ka dallim nga politika e UNMIK-ut, edhe pse situata në Kosovë ka evoluar dukshëm prej se është shpallur pavarësia e saj në vitin 2008. Vazhdimësia e kësaj politike tregon se, edhe pse është shpallur pavarësia me mbështetjen e këtyre shteteve të mëdha, ato e konsiderojnë Kosovën një storie të papërfunduar dhe preferojnë një status quo stabile, në vend të një stabiliteti normal, siç i takon çdo shteti evropian. 

Megjithatë, reagimet ndërkombëtare ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës në raport me mbylljen e institucioneve paralele, e sidomos reagimi ndaj synimit për hapjen e Urës së Ibrit duhet shikuar në kontekstin e zhvillimeve më të gjëra ndërkombëtare. Pohimi i shteteve të QUINT-it se e kundërshtojnë hapjen e “njëanshme” të Urës së Ibrit pas konsultimeve me NATO-n tregojnë se bashkësia ndërkombëtare e sheh këtë problem të sigurisë rajonale dhe të sigurisë në kontekst më të gjerë global. Komunikata e KFOR-it se do të reagojë ndaj veprimeve që e cenojnë sigurinë (lexo: status quonë) po ashtu duhet marrë seriozisht, sepse Kosova, në realitet është nën protektoratin e NATO-s dhe ajo nuk mund të ndërmarrë veprime të cilat, sipas NATO-s, mund të kenë implikime më të gjëra në aspektin e sigurisë. Në këtë kontekst, përpjekjet për të shtrirë sovranitetin në veri dhe në pjesët e tjera ku funksionon paralelizmi i Beogradit duhet të bëhen në konsultim me fuqitë e mëdha, të cilat Kosovën nuk e shohin si një vend të izoluar, por si pjesë e një mozaiku më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, çdo lëvizje që mund të krijojë tensione dhe konflikte, cenon statusin e NATO-s si protektore e Kosovës dhe krijon një problem më tepër ndërkombëtar. 

Për këtë shkak, Qeveria e Kosovës dhe akterët e tjerë politikë, të cilët e mbështesin shtrirjen e sovranitetit në veri, duhet të gjejnë balancën në mes të synimeve të drejta dhe legjitime dhe shqetësimeve të shteteve mike, të cilat, Kosovën e shohin si njërën prej vatrave potenciale të konfliktit. Në vorbullin e brishtësisë së sigurisë ndërkombëtare, me luftën në Ukrainë dhe kërcënimin e Rusisë për Evropën, duke e përfshirë edhe Ballkanin, si dhe me luftën në Lindjen e Mesme që rrezikon të marrë përmasa të një lufte të përgjithshme rajonale, fuqitë e mëdha perëndimore kanë shqetësimin se ndryshimi i status quosë në mënyrë të mvetësishme mund të shkaktojë reagime nga të cilat mund të lindë një konflikt i ri. Ky konflikt nuk do të kufizohej vetëm në rajon. Një konflikt potencial me Serbinë, në rast të një reagimi të dhunshëm të grupeve të serbëve në veri, do të mund të sillte deri te një konflikt në mes të KFOR-it dhe Serbisë, por do të mund të shërbente si pretekst për ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan. Në rast të një konflikti të tillë, Serbia do të mund ta ftonte Rusinë që të ndërhyjë “për mbrojtjen nga agresioni i NATO-s,” dhe kjo do të mund të sillte deri në një luftë të re botërore dhe siguria e tërë Evropës do të mund të cenohej deri në një luftë të përgjithshme në Evropë.  
Bekimi dhe mallkimi i Kosovës është se ajo gjendet në vëmendjen ndërkombëtare. Bekimi është se robëria shekullore nga Serbia nuk do të mund të ndërpritej pa vëmendjen dhe intervenimin ndërkombëtar, kurse mallkimi është se në veprimet e tyre, politikanët në Kosovë duhet të kenë parasysh zhvillimet ndërkombëtare. Pra, varësia e Kosovës ndaj situatës së përgjithshme ndërkombëtare është e madhe. Kosova nuk është vetëm në vëmendjen e Amerikës, por edhe të Rusisë. Rusia është një shtet predator që e vëzhgon rastin për të grabitur dhe është në kërkim të një preteksti për ta zgjeruar konfliktin me perëndimin, në mënyrë që ta heqë vëmendjen nga lufta e saj agresore në Ukrainë. Rusia e sheh Kosovën si pre potenciale dhe një konflikt, qoftë i brendshëm, apo me Serbinë, do të ishte një rast ideal për të. Një destabilizim eventual i situatës së sigurisë në Kosovë, për të cilën përgjegjësinë kryesore e ka NATO/KFOR-i, do të krijonte një situatë ideale për Rusinë që të heqë vëmendjen nga Ukraina dhe që potencialisht edhe të ndërhynte në anën e Serbisë. Ky skenar është real dhe paraqet brengën kryesore të shteteve mike të Kosovës, siç janë SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia dhe vendet e tjera perëndimore. 

Prandaj, megjithëse ka të drejtë legjitime të funksionojë si shtet normal pa ura ndarëse dhe pa ndërhyrjen malinje të Serbisë, Kosova duhet të ngrihet mbi situatën dhe të tregojë solidaritet me shtetet mike dhe me NATO-n, madje edhe duke sakrifikuar për hir të sigurisë globale, duke e bërë të qartë se kjo sakrificë është e përkohshme dhe duke kërkuar në mënyrë të vendosur mbështetjen ndërkombëtare për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit. Me këtë Kosova do të tregonte pjekuri dhe do të arrinte që ta rikthejë mbështetjen e humbur ndërkombëtare, siç e theksoi presidenti i shteti mik të Kroacisë, Zoran Milanoviq. Pasi të rifitohet kjo mbështetje ndërkombëtare, simbolizmat ndarëse, siç është ura e mbyllur e Ibrit duhet të adresohen, nëse ashtu kërkojnë miqtë ndërkombëtarë, në kuadër të dialogut. Beogradi do ta ketë vështirë të kundërshtojë një hap aq normal sa është hapja e një ure për trafik, në kontekstin kur nuk ka konflikte të brendshme në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Hapja e mvetësishme duhet të jetë një plan rezervë, që do të zbatohej në rast të pamundësisë që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut. Por, dikush mund të pyesë me të drejtë, përse duhet të pyetet Beogradi për hapjen e Urës së Ibrit? Arsyeja është se Beogradi ka kontroll mbi serbët dhe mund t’i shtyjë ata që të reagojnë dhunshëm nën pretekstin se po ndihen të rrezikuar nga shqiptarët. Kjo do të sillte ndërhyrjen e forcave të rendit e mbase edhe të KFOR-it dhe nga kjo, mund të plasë belaja më e madhe, siç u përshkrua në skenarin e mësipërm. 

Interesi primar i Kosovës është riparimi i marrëdhënieve me SHBA-në dhe me fuqitë e tjera të mëdha të Perëndimit. Ndarja de fakto e veriut dhe situata në veri nuk është e përjetshme. Ura do të mund të hapej shumë lehtë, por jo pa pasoja. Prandaj, realiteti është se kjo situatë nuk mund të zgjidhet përmes veprimeve të mvetësishme pa mbështetjen ndërkombëtare. Po të ndërmerren veprime të tilla, situata mund të dalë jashtë kontrollit, që do të kishte implikime më të gjëra ndërkombëtare dhe faji do të bjerë mbi Kosovën. Nuk është në interesin e asnjë vendi mik që Kosova të rikthehet në hartat e konflikteve ndërkombëtare, e aq më pak në interesin e Kosovës. Prandaj, një politikë e balancuar e cila merr parasysh brishtësinë ndërkombëtare dhe implikimet më të gjëra për Kosovën është jetike për arritjen e synimeve strategjike që janë stabilizimi i rrethanave të brendshme, largimi i ndikimit malinj të Beogradit dhe anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.