OpEd

Zgjedhjet pas kthesës

Përderisa palët në dialog trajtohen me kësi asimetrie, pra ku palët nuk trajtohen si të barabarta, do ta kemi vazhdimin e pafund të një procesi me të cilin do të hymë në zgjedhjet e radhës. E keqja është se përderisa Serbia do të vazhdojë të përkëdhelet dhe do të marrë miliarda investime të huaja, ne do të vazhdojmë ta sakatojmë buxhetin me subvencione që askujt nuk do t’ia ndryshojnë jetën substancialisht. Vetëm do të arrijnë ta mbufasin parazitizmin deri në pikën ku më askush nuk do të dojë të punojë. Sepse do t’i mungojë motivimi. Cilido qoftë ai

Në këtë kohë vitin e ardhshëm tashmë do të kemi datë për zgjedhjet e reja parlamentare, me kusht që kjo qeveri e kryen mandatin e plotë të marrë në mars të 2021-s.

Kjo aktualisht nënkupton se partitë politike tashmë i kanë nisur përgatitjet për fushatën zgjedhore të radhës: dikush me program politik dhe zgjedhje të brendshme, dikush me pozicionimin në Kuvend kundër votimit të gjithçkaje që propozohet nga Qeveria, e dikush me intensifikimin e tenderëve tash, ashtu që vitin që vjen të shihen bile disa rezultate nga punët publike qe tash dy vjet e gjysmë nuk janë askund.

I gjithë ky aktivitet partiak, tash e shton presionin te komentuesit në FB dhe analistët nëpër studio televizive duke e nisur nxehjen e atmosferës para se Osmani ta shpallë ditën e zgjedhjeve.

Ky shpërqendrim, apo më mirë thënë përqendrim në interesat e ngushtë partiakë, më së shumti do t’i kushtojë popullatës, të trullosur krejtësisht me gjithë këtë që po ndodh rreth dialogut dhe me gjendjen e palakmueshme ekonomike me të cilën po ballafaqohet Kosova.

* * *

Pra, çfarë dëgjuam javën që shkoi?

LDK-ja nëpërmjet një postimi të Abdixhikut në FB, i paralajmëroi 100 projektet që do t’i realizojë partia bashkë me të, si kryeministër, nën moton “Rruga e re”. Ndër të tjera, u premtua ndërtimi i një centrali me gaz me vlerë 500 milionë euro; linja e gazit Shkup-Prishtinë-Mitrovicë, stadiumi kombëtar, unaza dhe spitali për kryeqytetin, e të ngjashme. Projektet e përshkruara janë milionëshe. Disa syresh të përsëritura nga zgjedhjet paraprake. Por, për dallim nga tjerat, kjo parti nuk u deklarua për zgjedhje të parakohshme, për dorëheqje a mocion mosbesimi.

Nga ana tjetër është një parti, kreu i së cilës ka nja katër muaj që e kërkon mocionin, por nuk mund t’i mbledhë votat për ta rrëzuar Kurtin. Nuk ka javë që Haradinaj nuk del ta japë ndonjë deklaratë kundër tij, që është absolutisht legjitime, ngase kjo është detyra e opozitës. Porse ishte mu Haradinaj ai që e prishi koalicionin që mëtonte ta rrëzonte PDK-në nga pushteti, para ca vjetësh, dhe e bëri veten sërish kryeministër, për të dhënë dorëheqje të papritur, kinse për shkak të ftesës nga Haga. Me kësi qëndrimi “parimor” sa besueshmëri mund të ketë?

Elaborimin e ideve të tij e bën përherë Besnik Tahiri, i cili pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit javën e shkuar, tha: “Kryeministri Kurti nuk kujdeset për njerëzit në parti që kanë mendime të ndryshme, e lëre më për partitë e tjera. Se kush sa e ka fuqinë politike na e jep populli, le të del nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh çka ndodh me të. Ai e di qe e ka humbur fuqinë elektorale politike, për këtë është bërë humorist”.

Pas tij, u dëgjua edhe shefi i GP-së së partisë më të madhe opozitare, PDK, Abelard Tahiri. Edhe ai iu bashkua ftesës për dorëheqjen, i vetëdijshëm se nuk mblidhen numrat për ta rrëzuar Kurtin me mocion: “Favori dhe shërbimi më i madh që do t’ia bëjë sot Kosovës kryeministri Kurti është të japë dorëheqje dhe të shkojë vendi në zgjedhje. Vetë fakti që atij në mendje i shkon opozita, kjo tregon që ai frikën e ka pikërisht nga kjo opozitë dhe një gjë e ka tashmë të sigurt se qeveri, kurdo që të mbahen zgjedhjet, ai nuk do të mund të krijojë. Ky është mandati i tij i fundit si kryeministër, nuk do t’i ketë as numrat, as mundësinë ta krijojë një qeveri tjetër”.

* * *

Deklaratat sikur këto shpërfaqin gjuhën tipike të një fushate zgjedhore ku mund të japësh çfarëdo vlerësimi për çka do, pa u mbështetur as në matje opinioni, e as në fakte, por vetëm në dëshirën që i shtyn të marrin pjesë në zgjedhje. Por fakti e do që këto janë dy parti politike që kanë vendosur të refuzojnë të marrin pjesë në votimin e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, për shkak “se Kurti e ka futur Kosovën nën sanksione”. Ndërkohë që mosvotimi i marrëveshjeve që mund të sjellin ndihma dhe investime nga jashtë e sanksionon Kosovën përbrenda. Pra i shndërron ato në sanksionuese të brendshme, jo të një partie, por të një populli.

Nuk e di nëse e kanë kalkuluar mirë këtë veprim.

Dëmi më i madh që i shkaktohet me bojkotimin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare e pëson Kosova dhe qytetarët e saj. Nuk e besoj se votuesit e tyre janë ithtarët e asaj të njohurës “Për shkak të nuses...”. Elektorati i para 15 vjetësh nuk është më i njëjti. Veprimet inatçore të asaj kohe, më nuk mund ta kenë efektin e njëjtë. Përkundrazi.

Dhe kjo shtyrje e përsëritje e përçdoditshme e “jep dorëheqje”, “po të rrëzojmë” është brumë ideal për cinizmin e Albin Kurtit: “Kam dëgjuar që opozita herë kërkon dorëheqjen, herë shkarkimin tim e herë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as Qeverisë e as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë se i humb, Qeverisë s’i konvenojnë se zhduket opozita”.

Kjo ndryshe quhet prepotencë e arrogancë.

Kurtit duhet kujtuar debaklin e pësuar në zgjedhjet komunale menjëherë pasi i siguroi 52% të votave në zgjedhjet qendrore. Nëse atëherë nuk arriti të fitonte më shumë se tri komuna, ende pa u sprovuar si duhet në nivelin nacional, tash pas dy vjetësh e gjysmë pushteti ekzekutiv, nuk është se mund të pretendojë se këtë që e thotë e mendon përnjëmend.

Është shumë larg realizimit të premtimeve për ndryshimin. Është larg sjelljes së prosperitetit për popullin, për shkak se krejt fuqinë e përqendron te dhënia e ca subvencioneve të vogla, andej-këndej, përderisa te problemet sistemore që, dorën në zemër, i ka trashëguar, nuk ka bërë shumë për t’i zgjidhur. Te dialogu, vazhdon ta mbajë një qëndrim kokëfortë, ndonjëherë të arsyeshëm por jo gjithherë, që nuk ka të bëjë shumë me diplomacinë, dhe nuk po na ofron një rrugëzgjidhje.

* * *

Javën e shkuar e shkrova dhe qëndroj pas – problemi me dialogun janë lehtësuesit. Përfundimisht. Ngase nuk e kuptojnë kontekstin, apo nuk duan ta kuptojnë. Asnjëherë nuk dolën qartazi të na e thonë, siç kishte bërë Catherine Ashton, pas nënshkrimit të “marrëveshjes historike nga 2013-a”, se i gjithë ky maltretim mbi njëdekadësh, e posaçërisht në këta muajt e fundit, e ka qëllimin e akomodimit me sa më pak pasoja të Serbisë. Viktimë e këtij procesi gjithsesi duhet të jetë Kosova. Kjo është ajo që lexohet nga qasja dhe komunikimi i tyre.

Ajo që është brengosëse është edhe qasja e amerikanëve, e posaçërisht e Escobarit.

“Nëse do të më duhej të thosha diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një qasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për Qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë”, e tha në një intervistë për Zërin e Amerikës. E atë që duhet të bëjë Kosova, meqë Escobar i mbështet Borrellin dhe Lajçakun, është ta themelojë Asociacionin. Dhe këtë qëndrim e përforcon me thënien se “...një vend me një milion e gjysmë banorë nuk mund ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionë banorësh t’i ndryshojë taktikat e veta”.

Pra s’ka dyshim se ne jemi të vegjël dhe si të tillë na kanë shikuar gjithherë. Por të tillë, pak më shumë me numra, kemi qenë edhe më 1999-n, dhe megjithatë e detyruam komunitetin prej 700 milionësh ta ndërronte taktikën e të na shpëtonte. Fakt është se na ndihmoi Bosnja, me masakrën e Srebrenicës, por gjithashtu fakt është se problemi i gjithë kësaj katrahure nëpër të cilën po kalojmë është Serbia. Sikur më 1998/99.

Dhe përderisa ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier në një deklaratë për REL-in, tha se “...Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se ky duhet të jetë ndër hapat e parë. Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano, i pyetur nëse BE-ja e mban qëndrimin që në emër të BE-së e kishte dhënë dikur Mogherini, që kishte thënë se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, u përgjigj: “Çështja se si do të bëhet, në çfarë mënyre, si do të duket dhe çfarë forme operative do të ketë është një gjë që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Për BE-në ky është një obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë mbi vete dhe duhet ta përmbushë”. Pra asnjë referencë Kushtetutës së Kosovës e as vendimit të Kushtetueses. Problem.

* * *

Ka dallim esencial me “një nga hapat e parë” dhe “hapi i parë” kur flitet për Zajednicën. Ka problem shumë të madh kur Serbia thotë se nuk do ta zbatojë marrëveshjen, për shkak se ajo nuk ekziston, e më pas thotë se marrëveshja e obligon Kosovën ta themelojë asociacionin, natyrisht duke ia shtuar edhe nja shtatë vëllime vajtimesh patetike secilën herë që këtë e përmend.

Përderisa palët në dialog trajtohen me kësi asimetrie, pra ku palët nuk trajtohen si të barabarta, do ta kemi vazhdimin e pafund të një procesi me të cilin do të hymë në zgjedhjet e radhës.

E keqja është se përderisa Serbia do të vazhdojë të përkëdhelet dhe do të marrë miliarda investime të huaja, ne do të vazhdojmë ta sakatojmë buxhetin me subvencione që askujt nuk do t’ia ndryshojnë jetën substancialisht. Vetëm do të arrijnë ta mbufasin parazitizmin deri në pikën ku më askush nuk do të dojë të punojë. Sepse do t’i mungojë motivimi. Cilido qoftë ai.

[email protected]