Deklarata e Sveçlës se, po qe se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vjen në Kosovë pa lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të arrestohet, mbase i krijon atij poenë brenda partisë së tij, por e bërë nga ai, si ministër i Qeverisë, e vë Kosovën në pozicion të disfavorshëm në procesin nga i cili Kosova mund të fitojë, por edhe mund të humbë shumë. Kjo varet nga urtësia e atyre që janë në pushtet
Shpeshherë autogolat në këtë kampionat evropian të futbollit ishin vendimtarë në rezultatet e ndeshjeve dhe në kualifikimin e skuadrave kombëtare në ciklin e ardhshëm të garave. Shënuesit e autogolave në Kampionatin Evropian e kuptojnë këtë sapo të kenë shënuar. Problemi është se shënuesit e autogolave politikë nuk po e kuptojnë këtë. Shpresoj që autogolat e figurave kyç të Qeverisë së Kosovës të mos jenë vendimtarë për Kosovën, edhe pse këta autogola janë të njëpasnjëshëm. Janë aq të shumtë saqë është vështirë për një kolumnist si unë që të zgjedh se për cilin do të shkruaj. Zakonisht për kolumnet e mia e zgjedh një temë, por kësaj radhe do të shkruaj për dy tema, të cilat, sipas mendimit tim, janë autogola seriozë të cilët i dëmtojnë seriozisht interesat nacionale të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është edhe lider i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka vendosur se është e udhës që t’i mësojë votuesit e vendeve fqinje, ata evropianë dhe francezë, se për kë të votojnë në zgjedhjet e tyre parlamentare. E gjitha filloi kur në vitin 2020 u bëri ftesë shqiptaro-amerikanëve që të votojnë për presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden. Ai, pra, shfaqi haptazi preferencat e tij për presidentin e ardhshëm amerikan, superfuqisë së vetme botërore. Bëri diçka që asnjë udhëheqës botëror nuk do ta bënte, pavarësisht preferencave personale që mund të ketë. Ndërhyri në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, u tregoi shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit se për kë të votojnë e për kë të mos votojnë.
Me një fjalë, i mbështeti publikisht, nga pozita e kryeministrit, ata për të cilët ai kishte preferencë personale, gjë që nuk do të duhej ta bënte. Mirëpo kjo ndërhyrje nuk mbaroi me kaq. Ai u tregoi votuesve evropianë se për cilat parti të votojnë e për cilat të mos votojnë, kurse në zgjedhjet aktuale të Francës, ai haptazi u pozicionua kundër një force politike, e cila i fitoi zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe ka gjasa të mëdha që t’i fitojë edhe zgjedhjet parlamentare të Francës dhe ta formojë qeverinë e ardhshme të saj.
Një vëzhguesi ndërkombëtar mund t’i duket e çuditshme, e mbase edhe qesharake, ndërhyrja e kryeministrit të një vendi të vogël, çfarë është Kosova, në zgjedhjet e shteteve siç janë SHBA-ja dhe Franca. Dikush do t’i ngrejë vetullat në shenjë të mosmiratimit të ndërhyrjeve të tilla. Mbase dikujt Albin Kurti mund t’i duket politikan joserioz, sepse asnjë lider serioz nuk ndërhyn në proceset politike të një vendi tjetër, sidomos nëse ato janë superfuqi, siç janë SHBA-ja dhe Franca.
Preferenca ideologjike mbi të cilën e mbështet Albin Kurti këtë ndërhyrje është e dëmshme për interesat e Kosovës, sepse ai këtë ndërhyrje po e bën nga pozicioni i kryeministrit të Kosovës. Ai duhet të zgjedhë cilës do t’i japë prioritet: të qenit kryeministër i Kosovës apo lider i LVV-së, sepse ai me këto ndërhyrje po i krijon armiq Kosovës e jo domosdoshmërish Vetëvendosjes.
Autogoli i dytë është postimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në rrjete sociale se po qe se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vjen në Kosovë pa lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ai do të arrestohet. Ai këtë deklaratë e bëri në kontekstin e disa posterëve të vendosur në Komunën e Mitrovicës Veriore, me fotografi të Vuçiqit e në të cilat thuhej: “Të presim, komandant suprem”. Pra, ishte çështje e posterëve të vendosur nga dikush, jo se Vuçiqi kishte thënë se do të vinte në Kosovë pa e pyetur askënd. Kjo deklaratë e ministrit Sveçla e dëmton pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ashtu siç e dëmtojnë edhe “instruksionet” e kryeministrit Kurti për votuesit francezë.
E para, nuk bën të kërcënohet presidenti i një shteti të huaj me arrestim. Kjo përbën skandal në vetvete. E dyta, kjo deklaratë sugjeron se Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie abnormale dhe se për këtë është përgjegjëse Kosova.
Si mund të angazhohet Kosova për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, kur ministri i saj i Brendshëm kërcënon me arrestimin e presidentit të saj?
Kjo deklaratë më tej i thellon tensionet edhe ashtu të larta në mes të Kosovës dhe Serbisë. Interesi i Kosovës është që t’i kryejë punët e veta pa nxitur tensione të panevojshme. Për shembull, vendosja e posterëve ka mundur të cilësohet si një provokim dhe thirrje për luftë nga nacionalistët serbë dhe për tensione të bjerë përgjegjësia mbi ta. Kërcënimi ndaj Vuçiqit ka qenë plotësisht i panevojshëm dhe i patakt. Sveçla ka mundur të thotë se Vuçiqi është i mirëseardhur të vijë në Kosovë me ftesë zyrtare nga institucionet shtetërore të Kosovës, në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këto do të ishin përgjigjet më të qëlluara ndaj këtyre pllakateve. Madje edhe moskomentimi i tyre do të ishte më i qëlluar sesa një deklaratë e tillë.
Veprimet në politikë të jashtme në bazë të preferencave ideologjike nuk janë të panjohura për shqiptarët. Ato kanë shkaktuar pasoja të rënda për më shumë se 45 vjet. Ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira me Francën dhe me SHBA-në, edhe nëse në pushtet vijnë Le Peni dhe Trumpi. Se kë e preferon Kurti nuk është fare me rëndësi për interesat e Kosovës. Preferencat personale dhe ideologjike le t’i mbajë për vete, sepse obligimi i tij kushtetues, si kryeministër, është që t’i përfaqësojë dhe t’i mbrojë interesat e Kosovës e jo të grupacionit ideologjik të cilit i takon.
Me gjasë, fascinimi i aktivistëve të LVV-së e ka shtyrë ministrin Sveçla që të bëjë një deklaratë të pamatur, sidomos tash kur po hyjmë në periudhën zgjedhore. Mbase shumë nga ata do t’i kenë duartrokitur deklaratës së tij. Ai shihet si njeri i fortë i cili edhe mund ta arrestojë Vuçiqin. Por realiteti i politikës ndërkombëtare është ndryshe.
Deklarata e Sveçlës mbase i krijon atij poenë brenda partisë së tij, por e bërë nga ai, si ministër i Qeverisë, e vë Kosovën në pozicion të disfavorshëm në procesin, nga i cili Kosova mund të fitojë, por edhe mund të humbasë shumë. Kjo varet nga urtësia e atyre që janë në pushtet.