Gjëja më e rëndësishme, të cilën duhet ta observojmë në kuadër të konstituimit të institucioneve të reja evropiane, është se kush do të jetë pasardhësi i Olivér Várhelyit. Në emërimin e komisionerit të ri të Zgjerimit do t’i kuptojmë seriozitetin dhe përkushtimin e vendeve anëtare për procesin e zgjerimit
Sot, derisa ne këtu në Kosovë po zgjohemi ngadalë nga gjumi, në Holandë po hapen qendrat e votimit për zgjedhjet evropiane 2024. Nga sot e deri të dielën, 353 milionë qytetarë evropianë do t’u drejtohen kutive të votimit në 27 vendet anëtare të BE-së për të zgjedhur 720 përfaqësues në Parlamentin Evropian. Ndonëse brenda Parlamentit Evropian eurodeputetët janë të organizuar në kuadër të grupeve parlamentare, ditën e zgjedhjeve qytetarët evropianë do të votojnë për partitë e tyre nacionale. Pra, për shembull, në Francë për Partinë Republikane, në Gjermani do të votojnë për Partinë Socialdemokrate, në Slloveni për Lëvizjen e Lirisë, e kështu me radhë. Vetëm pas zgjedhjeve eurodeputetët do të organizojnë veten brenda Parlamentit Evropian në grupet parlamentare evropiane, me ç’rast partitë nacionale me ideologji të njëjtë apo të përafërt politike do të bashkohen brenda një grupi parlamentar. Për të formuar një grup parlamentar duhet bërë bashkë minimalisht 23 eurodeputetë që vijnë nga 7 vende anëtare të BE-së. Në kuadër të legjislaturës momentale të Parlamentit Evropian ekzistojnë shtatë grupe parlamentare: (1) Partia Popullore Evropiane, (2) Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, (3) Grupi “Renew Europe”, (4) Grupi i të Gjelbërve/Aleanca e Evropianëve të Lirë, (5) Grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Reformistëve, (6) Grupi i Identitetit dhe Demokracisë dhe (7) Grupi i së Majtës.
Partia Popullore Evropiane (EPP) është grup politik i qendrës së djathtë i bashkuar rreth vlerave demokratike konservatore. Tradicionalisht ky është grupi më i madh politik brenda PE-së. EPP-ja ka fituar zgjedhjet evropiane dhe ka udhëhequr me Komisionin Evropian për tri dekada të fundit. Historikisht EPP-ja është grupim proevropian dhe mbështetës i procesit të zgjerimit. Anëtarët më të mëdhenj të grupit janë Unioni Demokristian i Gjermanisë, Partia Popullore e Spanjës dhe Platforma Qytetare e Polonisë. Presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, vjen nga ky grupim politik.
Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) është grup i dytë më i madh politik evropian dhe parti e qendrës së majtë. Tradicionalisht, S&D së bashku me EPP-në kanë qenë koalicion që ka udhëhequr institucionet evropiane. Historikisht, S&D është grupim proevropian dhe mbështetës i procesit të zgjerimit. Anëtarët më të mëdhenj të grupit janë Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, Partia Demokratike e Italisë dhe Partia Socialiste e Punëtorëve e Spanjës. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, vjen nga ky grupim politik.
Grupi “Renew Europe” është grupim liberal i qendrës, i cili ka qenë instrumental në mbështetjen dhe funksionimin e koalicionit EPP/S&D. “Renew Europe” është grupim proevropian dhe mbështetës i procesit të zgjerimit. Anëtarët më të mëdhenj të grupit janë Renesanca e Francës dhe Partia e Lirë Demokratike e Gjermanisë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vjen nga ky grupim politik.
Grupi i të Gjelbërve/Aleanca e Evropianëve të Lirë është grupim që i bashkon partitë ekologjike dhe liberale evropiane, të cilat prioritizojnë çështjet mjedisore, si dhe të drejtat e njeriut dhe ato të minoriteteve. Ndonëse në numër grupim i vogël i eurodeputetëve, ata kanë provuar të jenë një zë jashtëzakonisht dinamik në diskursin politik evropian. Grupi i të Gjelbërve/Aleanca e Evropianëve është grupim proevropian dhe mbështetës i fortë i procesit të zgjerimit. Anëtarët më të mëdhenj të grupit janë Partia e Gjelbër Gjermane dhe Partia Ekologjike e Francës. Për neve, këtu në Kosovë, emri i znj. Viola von Cramon është i njohur dhe ajo vjen pikërisht nga ky grupim politik evropian.
Grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Reformistëve (ECR) është grupim që i bashkon partitë konservatore euroskeptike, të cilat i japin përparësi sovraniteti nacional para integrimit më të thellë evropian. Ndonëse euroskeptik, grupi ka qenë shpesh mbështetës i procesit të zgjerimit. Sidoqoftë, ata në vazhdimësi kanë theksuar nevojën e një integrimi gradual, i cili i vë interesat nacionale para zgjerimit të mëtutjeshëm. Anëtarët më të mëdhenj të grupit janë Partia e Drejtësisë dhe Ligjit e Polonisë, Vëllezërit e Italisë dhe Vox e Spanjës. Kryeministrja e Italisë, znj. Giorgia Meloni, vjen nga ky grupim politik.
Grupi i Identitetit dhe Demokracisë (ID) është grupim që i bashkon partitë nacionaliste, të ekstremit të djathtë dhe euroskeptike. ID-ja është kundër thellimit të mëtutjeshëm të integrimit evropian dhe është hapur kundër procesit të zgjerimit. Po të kishte diçka në dorë, ky grupim do të preferonte shpërbërjen e ngadaltë të BE-së. Kjo është edhe arsyeja përse grupime të tjera kanë ngritur një “mur sanitar” në mes tyre dhe të ID-së, duke e refuzuar çdo bashkëpunim të mundshëm me ID-në. Anëtarët më të mëdhenj të grupit janë Liga Italiane dhe Lëvizja Nacionale e Francës. Marine le Pen e Francës, Matteo Salvini i Italisë dhe Geert Wilders i Holandës vijnë nga ky grupim politik.
Grupi i së Majtës është grupimi më i vogël parlamentar evropian që i bashkon partitë socialiste, komuniste dhe parti të tjera evropiane të ekstremit të majtë. Ato janë kundër thellimit të mëtutjeshëm të integrimit evropian dhe janë hapur kundër procesit të zgjerimit. Anëtarët më të mëdhenj të grupit janë Syriza e Greqisë, Die Linke e Gjermanisë dhe PODEMOS e Spanjës.
Tani, pasi që i mbuluam akterët kryesorë politikë në këto zgjedhje evropiane, të themi disa fjalë për parashikimet mbi rezultatin zgjedhor. Parashikimet janë që dy grupimet më të mëdha, EPP-ja dhe S&D, do të ruajnë në mënyrë komode përparësinë ndaj grupimeve të tjera politike. Si të tilla, ato do të jenë fituese të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, po ashtu do të shohim rritje të së djathtës ekstreme. Në së paku Francë, Itali, Hungari, Belgjikë, Holandë dhe Austri gjasat janë të mëdha që partitë e së djathtës ekstreme do të fitojnë zgjedhje. Në vendet sikur Suedia, Finlanda, Estonia, Gjermania, Spanja dhe Portugalia ato pritet të fitojnë vendin e dytë. Sidoqoftë, e gjithë kjo nuk do të jetë e mjaftueshme që të parandalojë që koalicioni tradicional t’i themelojë institucionet e reja evropiane.
Në këtë drejtim të gjitha parashikimet janë që EPP-S&D-liberalët do të ruajnë shumicën e nevojshme prej 361 ulëseve për konstituimin e institucioneve të reja evropiane.
Në gjithë këtë sfond, lind pyetja se çfarë nënkupton e gjithë kjo për zgjerimin?
Kam frikë se, ndonëse Parlamenti i ri Evropian do të ngelet mbështetës i procesit të zgjerimit, rritja e së djathtës do të ushtrojë presion të ndjeshëm publik mbi qendrën politike evropiane. Ndonëse qendra do t’i mbijetojë këtij presioni publik, ajo patjetër se do të dëmtohet nga ai. Presioni publik do të gërryejë në vazhdimësi qendrën evropiane dhe do ta obligojë atë që të bëjë kompromise politike në fushat e ndryshme qeverisëse. Dhe në fund, unë besoj se gjëja më e rëndësishme, të cilën duhet që ta observojmë në kuadër të konstituimit të institucioneve të reja evropiane është se kush do të jetë pasardhësi i Olivér Várhelyit. Në emërimin e komisionerit të ri të Zgjerimit do të kuptojmë seriozitetin dhe përkushtimin e vendeve anëtare për procesin e zgjerimit.