OpEd

Zëdhënësi është vetëm zëdhënës

Është e panevojshme, dhe naive, që politikanët e Kosovës të merren direkt me zëdhënësin e BE-së. Ai është vetëm zëdhënës që flet në emër të tjerëve, lexon atë që ia përgatisin, dhe flet në emër të BE-së derisa të jetë aty ku është. Zëdhënësi përcjell, por nuk i formulon qëndrimet e BE-së. Në rastin e Kosovës është fakt se kohëve të fundit ka një unitet nga vendet kryesore anëtare, pastaj të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Kosova ka arsye të mos jetë e kënaqur me qëndrimet e BE-së. Masat ndaj Kosovës janë të padrejta, thirrjet që të mbahet e mbyllur ura janë joparimore, por për këtë më së paku faj ka zëdhënësi

Strukturat që merren me Kosovën në Bashkimin Evropian në pesë vjetët e fundit nuk kanë pasur një qasje aq miqësore. Ky është fakt. Po ashtu, është fakt se kanë pasur shumë më tepër mirëkuptim për Serbinë sesa për Kosovën. Asnjëherë nuk e kanë përdorur fjalorin për qortimin e Serbisë siç e përdorin për qortimin e Kosovës. Dhe Kosovën e mbajnë dhe do ta mbajnë edhe për një kohë nën masa ndëshkuese të padrejta. Është koincidencë se me Kosovën në këtë përbërje të institucioneve të BE-së janë marrë kryesisht personat që vijnë nga vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Dhe me ta është përforcuar në BE qëndrimi se është në rregull që Serbia të mos e njohë Kosovën. Dhe, po ashtu, se dialogu nuk e ka për qëllim njohjen e Kosovës. Por për këtë duhet fajësuar vendet të cilat e kanë njohur Kosovën po aq sa ato të cilat nuk e kanë njohur. Sepse është krijuar përshtypja sikur shumica e madhe e vendeve të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, e vetëm disa e kanë njohur. Edhe pse realiteti është i kundërt, pra se Kosovën si shtet e kanë njohur 22 vende anëtare, ndërsa nuk e kanë njohur 5 prej. Kur nisi mandati i Komisionit Evropian dhe i përfaqësuesit të lartë u shfaq një rezervë se si do të merren me Kosovën zyrtarët e BE-së kur rolin kryesor e kanë ata të cilët edhe personalisht, edhe zyrtarisht, ishin shprehur se pavarësia e Kosovës ka qenë gabim. Kështu mendonin dhe vepronin edhe Josep Borrell si ministër i Jashtëm i Spanjës, edhe Miroslav Lajçak si ministër i Jashtëm i Sllovakisë. Të dy ministritë që ata udhëhiqnin dërguan edhe argumentet e tyre ligjore kundër pavarësisë së Kosovës në GJND. Argumente të cilat në fund dështuan. U tha se ata në cilësinë e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, “do të zbatojnë politikën e BE-së e jo të vendeve të tyre“. Pro fakti ishte se ata patën rolin kryesor, dhe e kanë akoma, në ndërtimin e politikës së BE-së ndaj Kosovës e jo vetëm në zbatimin e saj. Pasi ata patën rolin kryesor, qëndrimeve të tyre iu përshtaten edhe nëpunësit që janë nën autoritetin e tyre.

Borrell dhe Lajçak asnjëherë nuk janë  shprehur në favor të njohjes së pavarësisë së Kosovës as de facto e as de jure. Për këtë janë shprehur disa shtete anëtare. Janë shprehur edhe liderët e tri shteteve më të mëdha (Gjermanisë, Francës dhe Italisë). Është shprehur edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursuloa von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë. Por asnjëherë Borrell dhe Lajçak. Për më tepër disa bashkëpunëtorë të tyre shpesh për problemet në dialog janë shprehur se “nuk duhet harruar se burimi i problemeve është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës“. Logjika se pavarësia e Kosovës ka qenë gabim ka dominuar në strukturat e BE-së që kanë pasur rolin kryesor në procesin e dialogut në 5 vjetët e fundit. Dhe e kanë konsideruar veten si persona që tash duhet „të gjejnë zgjidhje për problemet që janë krijuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës pa lejen e Serbisë“. Dhe  kështu është ndërtuar logjika se tash e tutje asgjë në Kosovë dhe rreth Kosovës nuk bëhet, dhe nuk duhet të bëhet, pa lejen e Serbisë. Kjo logjikë vazhdon edhe sot.

Por për këtë sjellje të BE-së nuk ka faj zëdhënësi i Bashkimit Evropian të cilin në disa raste e kanë kritikuar publikisht zyrtarë të lartë politikë të Kosovës.

Është e panevojshme, dhe naive, që politikanët e Kosovës të merren direkt me zëdhënësin e BE-së. Ai është vetëm zëdhënës që flet në emër të tjerëve, lexon atë që ia përgatisin dhe flet në emër të BE-së derisa të jetë aty ku është. Zëdhënësi përcjell, por nuk i formulon qëndrimet e BE-së. Në rastin e Kosovës është fakt se kohëve të fundit ka një unitet nga vendet kryesore anëtare, pastaj të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Kosova ka arsye të mos jetë e kënaqur me qëndrimet e BE-së. Masat ndaj Kosovës janë të padrejta, thirrjet që të mbahet e mbyllur ura janë joparimore, por për këtë më së paku faj ka zëdhënësi.

Kosova shumë më tepër duhet të shqetësohet për prononcimet e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe Francës sesa ato të zëdhënësit të BE-së. Sepse porositë se Kosova do të mbetet e vetme, dhe do të mbetet prapa, janë edhe porosi që vijnë nga vendet mike. Edhe sanksionet ndaj Kosovës janë iniciuar nga vendet mike, përfshirë edhe SHBA-në dhe Shqipërinë.

Dhe nuk po hiqen, sepse nuk po angazhohen vendet mike. As Gjermania, e cila kinse është shprehur në favor të heqjes së masave, nuk është angazhuar që kjo të ndodhë. Prandaj kur miqtë e Kosovës janë aq pasivë në mbështetje të Kosovës, e në disa raste edhe mbështetës të masave, ata që janë kundër inkurajohen edhe më shumë që të veprojnë kundër Kosovës. Kosova edhe ashtu është e lënë vetëm dhe ka ngecur prapa në BE. Është e vetmja që ka masa nga BE-ja, të cilat nuk do të hiqen. Dhe është e vetmja në Evropë që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe kërkesa e saj nuk është shqyrtuar fare, e nuk do të shqyrtohet së shpejti. BE-ja dhe shtetet mike për më tepër janë angazhuar që ta parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sjellja e autoriteteve të Kosovës gjithsesi është shkaktar i një politike të tillë të BE-së. Por kjo nuk e heq përgjegjësinë as nga BE-ja, e cila ka dëshmuar se nuk e trajton Kosovën në mënyrë të drejtë. Zëdhënësi i BE-së vetëm  i shpreh qëndrimet, por ai nuk ka faj për to. Prandaj Kosova duhet të merret me BE-në dhe me vendet anëtare dhe jo me zëdhënësin. Në atë moment kur shtetet kryesore anëtare të mos pajtohen me ato që thotë zëdhënësi i BE-së, atëherë ato qëndrime nuk do të jenë të BE-së. Por asnjë shtet anëtar deri tash nuk është shprehur se nuk pajtohet me atë që thotë në emër të BE-së zëdhënësi i saj për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Pasi kjo politikë e përbashkët e BE-së vazhdon të jetë fushë ku vendoset me konsensus të vendeve anëtare, atëherë mund të konstatohet se Stano flet në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së. Dhe t’i quash deklaratat e tij, siç i quajti presidentja, si “raciste“, do të thotë që t’i konsiderosh si të tilla qëndrimet e BE-së. Dhe nuk është e domosdoshme që presidentja të mos ketë të drejtë në këtë drejtim. Por prapë nuk duhet adresuar vetëm zëdhënësin.