OpEd

Vuçiqi, i ngrirë në kohë

Njeriu që ishte ministër i Informimit në Qeverinë e Slobodan Milosheviqit gjatë kohës së luftës në Kosovë, sot është president i Serbisë që i fryn luftës. Ndër vite ka pësuar njëfarë metamorfoze, vetëm në retorikë e paraqitje publike. Por në esencë ka mbetur po ai i njëjti. Sikur të jetë ngrirë në kokë e në kohë

Aleksandar Vuçiqi i ka ndërruar postin e kostumin, por jo mendësinë. Ai që ishte ministër i Informimit në Qeverinë e Slobodan Milosheviqit gjatë kohës së luftës në Kosovë, sot është president i Serbisë që i fryn luftës.

Mes vitesh ka pësuar njëfarë metamorfoze vetëm në retorikë e paraqitje publike.

Nga njeriu që del prej frigoriferi të çdo serbi në spote fushate, te “shpëtimtari” i popullit të vet që pozon me fotografi të rezervave të ushqimit. Që shfaqet në ekrane tek e kafshon buzën që i dridhet për të demonstruar se sa në presion ndodhet Serbia. Diku derdh edhe ndonjë pikë loti. Veç për një “po” a “jo” për sanksione shtetit mik – Rusisë – shkaku i luftës në Ukrainë. Në konferencë të jashtëzakonshme shtypi këtë fundshkurt e kumton vendimin: dënim po, sanksione jo. E quan veprimin e Rusisë shkelje të integritetit territorial të një shteti, ama jo edhe okupim. Në arsyetim i garanton popullit se Serbia “udhëhiqet nga interesat e veta vitale ekonomike e politike”.

Në emër të këtyre interesave, mesnatën e këtij 1 gushti ai ua kthen terrin serbëve në veriun e Kosovës. Ua fik dritat gjithandej. I informon, pa dëshmi, se “autoritetet e Prishtinës” – siç e quan Qeverinë e Kosovës – planifikojnë t’i sulmojnë. Ua ndez alarmet e paralajmërimit të rrezikut. U ngjall ndjesinë e luftës e u ndjell panik... në kundërshtim, ani se ende pa nisur së zbatuari, ndaj reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për dokumentet e identifikimit të serbëve që synojnë hyrjen në Kosovë. Mandej, ua paketon si triumf të tijin vendimin pasues të Kosovës – marrë pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier – për shtyrjen e hyrjes në fuqi të masës deri më 1 shtator.

* * *

Aleksandar Vuçiqi është njeri që nuk i pëlqen të jetë humbësi. Në dialogun me Kosovën, si kartë “për fitore” përdor dogmën “paqe e stabilitet në rajon”. Ani se i vetëdijshëm që Kosovën në fakt s’e merr dot, Vuçiqi e di po ashtu se vënia e firmës në një marrëveshje finale e ligjërisht obligative, do t’i kushtonte me karrierë politike.

“Nuk jam mësuar të humbas”, u garanton ai serbëve nëpërmjet ekraneve të kanalit shtetëror televiziv RTS, një ditë pas trazimeve në veri. Më parë sesa të humbasë, pa marrë parasysh se në çfarë rrafshi, gjen përherë disa forca të errëta, diku matanë kufirit, që i manipulojnë gjërat për e në Serbi.

E fajëson Qeverinë e Kosovës për nxitje sulmesh e kaos edhe atëherë kur Policia e Kosovës sulmohet nga strukturat kriminele serbe në veri. Këto sulme ndaj forcave të rendit të Kosovës janë shpeshtuar sivjet. Vetëm në prill ndodhën gjashtë. E të shtunën sulm pati edhe në Ujman. I dyti brenda javës.

Për secilin prej tyre, Vuçiqi pretendoi se është provokuar nga “autoritetet në Prishtinë”. Tha se operacionet e Policisë së Kosovës kundër korrupsionit e krimit në veri ishin keqtrajtim i serbëve të asaj pjese. Vetë ata i lut ta ruajnë qetësinë e të mos “bien pre e provokimeve” dhe kur e dëgjojnë, i falënderon për “trimërinë e treguar në Kosovë e Metohi”.

S’u kursye t’i quajë “agjentë të huaj” as vetë qytetarët e tij që mëton t’i shpëtojë, kur ata iu ngritën në protesta vetëm pak kohë para zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi. Atyre që i fitoi me formulën: “Paqe. Stabilitet. Vuçiq”.

Me paqen e stabilitetin në teh të shpatës, Serbia e Vuçiqit sot nuk është as afër demokracisë. Si e tillë, prej jo pakkujt është kualifikuar si e padenjë për t’u konsideruar anëtare potenciale e Bashkimit Evropian. Anëtarësimin në këtë bllok pandeh se e synon kaherë porse, së fundi, ngado që ka kthyer sytë nga Perëndimi, ka parë “kurthe”. Aso që mishërohen në një kërkesë që veçse i ka ardhur në majë të hundës.

“Epo mosni që përditë, në vend të asaj se çfarë keni bërë për ne dhe çfarë po bëjmë bashkërisht, të dëgjojmë porosi si: ‘Njiheni Kosovën e pavarur dhe vendosini sanksione Rusisë’. Epo, ngadalë njerëz. Ngadalë, e kemi ne shtetin tonë. Ngadalë, i kemi edhe interesat tona”, ishte shprehur ai në margjinat e Forumit të Davosit më 25 të majit të sivjetmë.

* * *

Interesat e Serbisë së Vuçiqit, në vend të shtegut evropian, më shumë hapën rrugë për shtrirjen e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, shpërfaqur së fundi edhe me anë të aktivizimit të makinerisë propagandistike ruse gjatë zhvillimeve në veri, zbërthyer më së mirë nga mediumi serb, N1, degë e CNN-it. Në një shkrim të gjatë, shpalosi se qysh dhe kur u aktivizuan këta mekanizma gjatë ngjarjeve të 1 gushtit në veri.

Por Vuçiqit edhe nuk i duhet propaganda e Rusisë. Serbinë veçse e mban në grusht të dorës, me paraqitjet plot dramë para popullit të saj.

Në disa prej tyre, ngjasimi i tij me Milosheviqin bëhet i frikshëm. U jep jehonë sloganeve të dikurshme të ish-shefit të tij, që kishin shërbyer për të mbjellë urrejtje e konflikt në vitet ’90 e që kulmuan me masakra. E famshmja “Askush nuk guxon t’ju rrahë” e Milosheviqit, në retorikën e Vuçiqit është e njëjtë, ani se me formulim ndryshe.

Lavdi i Vuçiqit dedikuar Milosheviqit në një paraqitje të 2018-s qe bërë sebep të ndizeshin kambanat e alarmit përreth rajonit, meqë disa e interpretuan si një përqafim të mbuluar të idesë së “Serbisë së Madhe”. Ide të cilën Milosheviqi ishte munduar ta jetësonte me procesin më se dhjetëvjeçar të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe që Vuçiqi, të paktën në retorikën e tij, po mundohet ta mbajë ende gjallë.

S’e përmend “Serbinë e Madhe”, por punon për të. Vuçiqi është përpjekur ta lustrojë imazhin e tij prej kryeproganduesit të Milosheviqit me atë të “shpëtimtarit” të sotëm të Serbisë. Ani se kalimthi ka hequr dorë, sa për sy e faqe, prej qëndrimeve të mëhershme radikale, Vuçiqi i të sotmes nuk ka ndryshuar në esencë prej atij të dikurshmit. Ka mbetur po ai i njëjti. Sikur të jetë ngrirë në kokë e në kohë.