OpEd

Vuçiqi do një “remi” për Serbinë e jo për serbët e Kosovës

Katër vjet më parë, Aleksandar Vuçiqi paralajmëroi se ka ende “figura” në tabelën e shahut dhe se do të luftojë për të nxjerrë një “remi” në Kosovë. Sot, pakënaqësia për targat është kufizuar në territor. Në veri. Në pjesën që Vuçiqi thotë se duhet t’i përkasë Serbisë. Ai ua ka kthyer shpinën serbëve jashtë këtij territori, meqë një Kosovë pa veriun nuk do ta kishte rendin e sotëm kushtetues dhe nuk do të definohej më as shtet multietnik e i komuniteteve

Kur bota është përgatitur të përjetojë luftërat në Botërorin e futbollit që nis sot në Katar, Cristiano Ronaldo e Lionel Messi publikuan një fotografi të përbashkët, tek luajnë shah.

Për jo pak njerëz, shahu shihet si lojë pensionistësh. E, Ronaldo dhe Messi janë në prag pensionimi, ani se mbajnë shiritin e kapitenit në kombëtaret e tyre, Portugali, respektivisht Argjentinë – të dyja pjesëmarrëse në kryekompeticionin e sportit më të popullarizuar.

Numri i gurëve dhe pozitat e tyre që shihen në tabelën e shahut japin përshtypjen se loja mes mbretërve të futbollit do të përmbyllej me një remi. Pra, barazim. Mbretërit qëndrojnë më këmbë. Njëjtë, sikur qëndruan në fushën e blertë.

***

Edhe në Kosovë bota ka vëmendjen, ani se larg asaj të Botërorit. Politikëbërësit në Evropë e përtej Atlantikut janë alarmuar, pasi këtë muaj në veriun e vendit ka nisur operacioni që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para katër vjetësh e pati shpjeguar me terme shahu.

Ai beson se “loja” në Kosovë nuk ka mbaruar.

Në lojën që legjenda thotë se lindi nga një shpjegim ilustrues i një lufte mes dy ushtrish, fitorja sigurohet kur mbreti i kundërshtarit, i kërcënuar me shah, nuk mund të mbrohet ose nuk ka një vend për të lëvizur. Prandaj, situata “shah-mat” nënkupton se Mbreti armik ka mbaruar.

Serbia kapitulloi nga bombat e NATO-s dhe e braktisi Kosovën, pas mizorive që kreu veçmas në fund të ’90-ave. Kosova e shpalli Pavarësinë në 2008-n. Por, në 2011-n nisi një proces negociatash “teknike” me Serbinë, e të cilat shpejt avancuan në “politike”.

Vuçiqi, ndonëse e pranon se një tjetër realitet është krijuar në Kosovë pas vitit 1999, ai insiston se nuk ka mbaruar “cari”, titull i dikurshëm që vendet sllave, përfshirë Serbinë, ua kishin dhënë perandorëve e mbretërve. Car Llazari qëndron i ngritur në përmendore, në pikën kryesore ku nis veriu i Mitrovicës së banuar kryesisht me serbë, bri lumit Ibër, që Serbia synon ta kthejë në kufi.

Ka diçka më shumë se katër vjet kur Vuçiqi ka shpjeguar nëpërmjet termeve të shahut se çfarë do në Kosovë: “Ka ende figura në tabelë. Është e mundur për të luftuar me to, për të nxjerrë një lloj remi”.

Pra, një “remi” – një fund pa fitues.

E, për t’i dhënë ton simbolik qëllimit që ka në Kosovë, Vuçiqi e tha këtë gjatë një vizite bërë talenteve të shahut në Serbi.

Dhe, më pas saktësoi se çfarë nënkuptonte me situatën “remi”.

“E di se në Kaçanik nuk ka serbë dhe kjo është një e vërtetë e hidhur”, pati thënë Vuçiqi në verën e 2018-s. “Mua më shumë më brengos fakti se Hashim Thaçi beson se Mitrovica Veriore ose Leposaviqi nuk i përkasin Serbisë”.

***

Me Thaçin, të cilin e kritikonte, mu atëkohë, pra në 2018-n, Vuçiqi ishte dakorduar në parim për një zgjidhje që prekte kufijtë. Jozyrtarisht qe thënë se të katër komunat e veriut do t’i bashkoheshin Serbisë, ndërkaq Kosovës do t’i jepej pjesa më e madhe e Preshevës dhe disa fshatra të Bujanocit. Zgjidhja prezantohej si “demarkacion” mes të dyja vendeve, ani se demarkimi nënkupton saktësimin e kufirit dhe jo devijimin radikal të tij apo shkëmbimin e territoreve.

Vuçiqi tani ka ndërruar strategji. Para katër vjetësh hapur i tregonte synimet për territore. Tani e mohon atë për të cilën punon në terren.

Në shtator, tek raportoi në Kuvendin e Serbisë për dialogun për Kosovën, tha se kishte menduar që “demarkacioni” ishte zgjidhja, porse ajo tashmë është e pamundur, meqë të gjithë i ishin vënë kundër dhe i ishin gjuajtur mbi kokë.

Por, ajo çfarë tash shihet është se deklaratat i ka zëvendësuar me veprime.

Presidenti serb i ka vënë në lëvizje këtë muaj “figurat”, për të cilat pati thënë se i kanë mbetur në tabelën e shahut, e me të cilat synon ta nxjerrë “remin”. “Figurat” janë serbët e veriut.

Krahas grupeve të armatosura që kanë shpeshtuar paraqitjet në veri, këtë muaj serbët e Mitrovicës së Veriut, të Leposaviqit, të Zubin Potokut e të Zveçanit braktisën institucionet e Kosovës, qendrore e lokale, të sigurisë e të drejtësisë. Veprimi u justifikua. Thanë se me këtë braktisje po kundërshtojnë përcaktimin e Qeverisë për ta zbatuar vendimin që kërkon zëvendësimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia, me ato të Kosovës, që përmbajnë denominimin shtetëror RKS e edhe stemën e Republikës që s’e njohin.

Pra, pakënaqësia për targat u kufizua në territor. U kufizua në veri. Në pjesën e Kosovës që Vuçiqi thotë se duhet t’i përkasë Serbisë, sepse vetëm kështu Serbia del nga Kosova me një lojë “remi”.

Duke u territorializuar pakënaqësia, bien poshtë justifikimet e Vuçiqit, e edhe të “figurave” që ai i ka në lojë. Pra, nëse vendimi i targave është problem për serbët në katër komunat në veri, pse nuk qenka problem për ata të gjashtë komunave të tjera këtej Ibrit? Pse nuk përbën problem për serbë të komunave të tjera ku nuk janë shumicë? Ata janë në institucione.

Rezultati “remi” nuk nënkupton nxjerrjen e sa më shumë të drejtave për serbët. Në fakt, e nënkupton të kundërtën.

Një Kosovë pa veriun nuk do ta kishte rendin e sotëm kushtetues dhe nuk do të definohej më shtet multietnik e i komuniteteve.

Një Kosovë pa veriun nuk do ta kishte serbishten gjuhë zyrtare, krahas shqipes. As nuk do të kishte komuna me shumicë serbe, me kompetenca më të mëdha krahasuar me komunat e tjera. Nuk do të kishte as veto kushtetuese në Kuvend, që serbët sot e përdorin në jo pak raste.

Dhe, një Kosovë pa veriun, nuk do ta kishte këtë Kushtetutë që ka, e as nenin që ndalon bashkimin me një shtet tjetër, po e zëmë me Shqipërinë.

Vuçiqi pra do një “remi” për Serbinë e jo për serbët e Kosovës.

***

Në shah janë dy palë në betejë, gjithherë. Dhe, arbitri që u rri mbi kokë.

Në fotografinë që bëri xhiron e botës, mbretërit e futbollit, Ronaldo e Messi, shihen të koncentruar në tabelën e shahut, por jo edhe arbitri. Ata pozuan për të promovuar një linjë veshjesh të brendit të njohur “Louis Vuitton”. Pra, nuk kishte arbitër në këtë rast, por kishte një brend që ua preu veshjet.

E, arbitra ka me bollëk në rastin e dialogut Kosovë-Serbi. Arbitra që, së fundmi, krahas mirëkuptimit që kanë shprehur për Serbinë dhe trysnisë që e kanë rritur për Kosovën, kanë “prerë” një zgjidhje që nuk e nënkupton njohjen e ndërsjellë mes të dyja vendeve.

Sot, një marrëveshje pa njohje reciproke e me më shumë autonomi për veriun nënkupton një potez fatal të Kosovës, për të cilin fërkon duart Vuçiqi. Sepse, një forcim autonomie tani përbën “figurën” përforcuese të Serbisë për ta ndihmuar nesër që ta sigurojë rezultatin “remi”, kur njohja e ndërsjellë të vihet në rend dite. Njohja, me “carin” që nuk mbaron, por që qëndron më këmbë matanë Ibrit, lumit që Serbia synon ta kthejë në kufi.