Presidenti serb e dekoroi një vrasës dhe një këngë për një qytezë dhe një luftë që nuk po përfundon
1.
Në korrik të vitit 1998 kam qenë në Rahovec dhe vinte erë frike, dëgjohej boshllëku i madh i heshtjes së përgjithshme që lë frika dhe parandihej që të nesërmen do të ketë sërish frikë.
Kishin kaluar disa ditë nga dy operacione të njëpasnjëshme ushtarake, që të dyja në emër të çlirimi të Rahovecit. Të parin e ndërmori UÇK-ja, me shpresë se do të ishte qyteti i parë në territorin e çliruar nga forcat serbe. Dy ditë më vonë forcat serbe hynë në Rahovec duke e titulluar operacionin e vet çlirim të Rahovecit nga UÇK-ja.
Dita kur UÇK-ja e mori nën kontroll Rahovecin është e shënuar me një listë emrash të serbëve e malazezve, shumë nga ta civilë, të arrestuar nga persona të uniformuar të UÇK-së. Njerëz si pensionisti Trajko Balosheviq dhe i biri i tij Sasha, punëtor në “Termovent”, të ndalur në hyrje të Rahovecit, apo Dushko Patërnogiq, teknik mjekësor i nxjerrë me rrahje nga ambulanca e qytetit, do të përfundojnë fillimisht në burgun e UÇK-së në Malishevë e pastaj në varr.
Dita kur policia serbe e mori nën kontroll sërish Rahovecin është e shënuar me një listë emrash të shqiptarëve, pothuajse të gjithë civilë, të vrarë nga kjo polici. Me autoblinda, me automatikë e me revole janë ndjekur shqiptarët e mbledhur në Teqenë e Madhe të qytetit, në mesin e tyre Fatime Bugari, me foshnjën e saj shtatëmuajshe në bark; plumbat e goditën në bark dhe nuk jetuan më. Të kësaj dite ishin edhe taksisti Hazër Rexha me të shoqen Drita, rrobaqepëse. Policia i ndali, ua vodhi paratë, i futi në një depo dhe kur shtëpitë e depot përreth morën flakë e Hazëri dhe Drita dolën nga frika se po digjeshin i pritën breshëritë e plumbave.
2.
Era, zhurma e heshtjes dhe parandjenja e frikës atë ditë ishin edhe më të forta, sepse Rahoveci hynte në gushtin e vitit 1998 pa prijësin e vet shpirtëror. Baba sheh i Teqesë së Madhe, Myhedin Shehu, ishte personi më i respektuar i qytetit dhe i rrethinës. Për shqiptarët, pos kredencialeve shpirtërore, ishte edhe njeri i cili për bindjet e tij kombëtare kishte kaluar burgun, si pjesëtar i NDSH-së. Për serbët e të tjerët ishte njeri i paqes, madje, siç shkruante ato ditë “Los Angeles Times”, i mistikës e magjisë. “Sekti i tij islamik sufi, Rufai Halveti, beson në kura mistike, por jobesimtarët, përfshirë edhe serbët, i drejtoheshin për t’i trajtuar për çdo gjë, prej depresionit e deri te kafshimet e gjarprit”.
Kur policia serbe hyri dy ditë pas hyrjes së forcave të UÇK-së, me qindra shqiptarë u strehuan në Teqenë e Madhe, me shpresë e besim se nuk do të prekte kush në atë oazë shpirtërore, aq më parë kur Baba Sheh njihej si njeri i paqes, i cili dha bekimin që figura të rëndësishme të qytetit, mes shqiptarëve dhe serbëve, të merreshin vesh e të zotoheshin që Rahoveci të mos përfshihej në luftë.
Forcat serbe hynë në Teqe, dëbuan nga aty të strehuarit dhe dy ditë më pas vranë Babën sheh. Kishte dy plumba në qafë dhe një në kokë, të gjithë nga prapa.
3.
Komandanti i operacionit të policisë serbe në Rahovec quhej Velko Radenoviq, udhëheqës i njësive speciale të Prizrenit. Ai ishte në krye të operacionit, edhe fizikisht. Pra, ishte në krye të operacionit edhe kur gjuhej me autoblinda, me automatikë e me revole kundër civilëve shqiptarë, edhe kur vidheshin paratë e ari nga ta, edhe kur u dëbuan të strehuarit nga Teqeja e Madhe, edhe kur u ekzekutua Baba Sheh.
Presidenti i Serbisë dekoroi dje, në ditën e shtetësisë serbe, me urdhrin e Sretenjes, eprorin e policisë Velko Radenoviq, i cili vdiq nga sëmundja më 2012.
“Dua ta përmend njërin prej laureatëve që është dekoruar pas vdekjes. Ai që është i njohur në popullin tonë si Gjenerali, nga u lind edhe kënga e njohur ‘Gjeneral, i falënderohemi nënës tënde’. Sot është koha kur mund të themi më në fund se kush jemi, nga vijmë dhe çka është vendi ynë. Më në fund erdhi koha t’u falënderohemi trimave tanë, të mos turpërohemi nga ta dhe të mos i fshehim...”.
Këto janë fjalët e presidentit të Serbisë. Të sendërtuara me rrëfimin e operacionit në Rahovec, fjalimi do të mund të dukej edhe kështu:
“Dua ta përmend njërin prej laureatëve që është dekoruar pas vdekjes. Ai që është i njohur në popullin tonë si Gjenerali, nga u lind edhe kënga e njohur ‘Gjeneral, i falënderohemi nënës tënde’. Dhe duhet të falënderohemi, sepse nuk ka kursyer gjë për kauzën tonë, duke vrarë një grua shtatzënë, të rinj e të reja, pleq e plaka, që të gjithë shqiptarë dhe që të gjithë të paarmatosur, përfshirë edhe një prijës fetar si Baba Sheh, një predikues të paqes. Sepse, sot është koha kur mund të themi më në fund se kush jemi, nga vijmë dhe çka është vendi ynë. Më në fund erdhi koha t’u falënderohemi trimave tanë, të mos turpërohemi nga ta dhe të mos i fshehim...”.
4.
Kënga, të cilën presidenti i Serbisë e përmendi në arsyetimin për dekoratë, pra kënga e cila prej dje mori edhe bekimin presidencial, ka këtë tekst:
Ti ke një emër të madh, nga heroi Hajduk Veljko,
Ai ka rrahur çetat turke e ti bandat arnaute
Gjeneral, gjeneral, faleminderit nënës tënde,
se ajo lindi një hero, për t'ua kthyer lavdinë serbëve
Me urdhrin vëllezër ejani pas meje, trimat e tu serbë,
thyejnë fortesat dhe na kthejnë në vatra
(...)
Arnautët e kanë kthyer prej kohësh me të keqe të mirën tonë,
me ty na zgjon Dielli në gjirin e Kosmetit tonë amtar”
(...)
Presidenti i Serbisë, tri ditë para se ta jepte këtë dekoratë, deklaroi në një televizion kombëtar të Serbisë se është i brengosur me rritjen e shovinizmit, “si në Evropë ashtu edhe mes nesh”. Po ashtu deklaroi se angazhohet për paqe.
Tri ditë më vonë i dha dekoratë një njeriu që vrau njerëz të pafajshëm e mes tyre predikuesin e paqes. Qe vrasja e dytë e Baba sheh Myhedin Shehut.
5.
Emrat e viktimave nga Rahoveci, të përmendura në këtë shkrim janë pjesë e Librit të Kujtesës së Kosovës (1998-2000), fryt i punës serioze dhe vetëmohuese të Fondit për të Drejtën Humanitare, të kryesuar asokohe nga Natasha Kandiq.