OpEd

Vota, kjo ndëshkuese e madhe

Humbësit më të mëdhenj qenë të gjitha partitë që kishin pasur hise në pushtet këta 20 vjetët e fundit. Çallamitje totale përjetoi LDK-ja, e cila momentalisht ka mbetur në 13%. E për shkak se rezultati i LDK-së ishte aq katastrofal, edhe katandisja e PDK-së (17% momentalisht) mbeti paksa në hije. AAK-ja ra në 7% e NISMA kësaj radhe nuk e kaloi pragun dhe nuk ka as shanse teorike për ta kaluar, siç kishte bërë në zgjedhjet e 2019-s

Qe një fitore historike, bindëse dhe me pak mundësi që të prishet me zgjedhje të reja, edhe pse te ne sundon Ligji i Murphyt, pra absolutisht gjithçka është e mundur.

E, megjithatë, lajmi i javës – para se t'i kthehemi politikës – ishte një që erdhi nga sektori i gjyqësisë: një hajn vetëshërbimi kishte vjedhur produkte në vlerë prej 238 eurosh. E kishin zënë dhe dje e dënuan me një vit burgu efektiv dhe me gjobë në lartësi prej 500 eurosh.

Pak orë më vonë doli lajmi se ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim me kusht, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, me rastin e ndarjes së subvencioneve nëpërmjet një firme private në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Vlera e dëmit në rastin Lekaj mund të mbërrijë deri në 250 mijë euro.

Kaq kam me thënë sa i përket drejtësisë në këtë vend.

Dhe në asnjë mënyrë nuk dua ta amnistoj hajnin e vetëshërbimit – porse, si e pashë lajmin dje, m’u kujtuan pallavrat e EULEX-it për peshqit e mëdhenj. Për të konstatuar në fund se rrjetat që ishin përdorur nga policia paskan qenë shumë sui generis, se kishin shërbyer për të zënë gilica, ata peshq që janë edhe më të vegjël sesa sardelet.

Nuk ka asnjë diskutim se një nga dështimet më të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare, e edhe të kosovarëve në 20 vjetët e fundit, ka qenë pikërisht sundimi i ligjit dhe drejtësia. Seria e burgimeve shtëpiake dhe e "burgimeve" me kusht vetëm sa ka treguar shumë qartë se në Kosovë ekziston një kastë që është mbi cilindo ligj dhe se ka njerëz të paprekshëm. Sepse këta janë, në fakt, pronarët e ligjit.

* * *

Se a do të jetë ky sektori i parë ku do të prekë qeveria e re, e cila supozohet se do t'ia dalë të formohet së paku jo para një muaji (nëse duhet mbështetur në formën se si numërohen votat në Kosovë), mbetet të shihet. Porse, përfundimisht dhe pa shumë filozofi, mund të konstatohet se ndryshimet pozitive në këtë sektor me automatizëm do të reflektohen edhe në sektorët e tjerë. Sektorë të cilët qeveria e re do t'i marrë në gjendje të mjerë dhe të rrënuar.

Dita e zgjedhjeve gdhiu me borën e cila na zuri, si përherë, të papërgatitur. Me një (mos)intervenim skandaloz nga Komuna e Prishtinës, shkuarja në vendvotime në mëngjes ishte një vepër e vërtetë arti. Të mbërrije deri te vendvotimi pa e thyer qafen qe suksesi më i madh i ditës.

Kush pati ndërmend të dilte të votonte nuk e bënte dert punën e rrugëve me akull e me borë (e cila pasdite u pastrua nga disa nga rrugët kryesore). Në të gjithë Kosovën dolën thuajse 47% të votuesve, pa i numëruar këtu votuesit nga diaspora, që i nisën votat e tyre me postë.

Rezultati, do të mund të thuhej, kishte qenë i pritur. Se Vetëvendosja në bashkëpunim me listën e Vjosa Osmanit do të fitonte bindshëm. Madje parashikohej se fitorja të prodhonte shumicën e thjeshtë në Kuvend, me 61 deputetë. Shifër e cila nuk është arritur, por e cila edhe mund të ndryshojë varësisht nga rezultatet që do të dalin pas hapjes së zarfeve nga jashtë.

Humbësit më të mëdhenj qenë të gjitha partitë që kishin pasur hise në pushtet këta 20 vjetët e fundit. Çallamitje totale përjetoi LDK-ja, e cila momentalisht ka mbetur në 13%. E për shkak se rezultati i LDK-së ishte aq katastrofal, edhe katandisja e PDK-së (17% momentalisht) mbeti paksa në hije. AAK-ja ra në 7% e NISMA kësaj radhe nuk e kaloi pragun dhe nuk ka as shanse teorike për ta kaluar, siç kishte bërë në zgjedhjet e 2019-s.

* * *

PDK-ja qe e para që doli për ta pranuar humbjen dhe për të deklaruar se mbeste në opozitë.

Pas një fushate që përherë niste me pamjet e Thaçit dhe të Veselit, e cila megjithatë qe e organizuar mirë dhe me porosi nga programi zgjedhor, dështoi t'i tërhiqte të tjerët që nuk ishin militantë të kësaj partie.

Kjo për shkak se për një pjesë shumë të madhe të popullsisë, arsyeja se pse Kosova gjendet në një situatë kaq të keqe janë pikërisht Thaçi, Veseli dhe PDK-ja.

Sundimi mbi 15-vjeçar i kësaj partie, herë si udhëheqëse e qeverisë e herë si pjesë koalicioni, e ka sjellë mungesën e sundimit të ligjit, arsimin e shkatërruar dhe shëndetësinë në buzë të kolapsit. Krimi dhe korrupsioni u bënë trade mark (të cilin e ndan edhe me LDK-në dhe AAK-në), kurse jostabiliteti politik formë e të vepruarit politik. Sa herë që plotësohej një synim, partnerët e koalicionit hidheshin si lecka, për të nisur rundin e ri, dhe edhe një bashkim i ri politik për t'ia grahë me të vjetrën.

Pas këtij debakli, që megjithatë është më i vogël se ai që e ka pësuar LDK-ja, PDK-në e pret rruga e zgjedhjeve të brendshme dhe të riorganizimit. Krahu i luftës duket ta ketë djegur edhe fishekun e fundit dhe ai më nuk bën punë për të tërhequr përkrahje. Dhe përderisa askush nuk do t'ua mohojë meritat e luftës atyre që njëmend luftuan, shumëkush do të jetë ngirë me pangopësinë e atyre që në emër të luftës e kasapitën këtë vend, ashtu siç ua pati ënda.

* * *

Humbësi më i madh, dhe me meritën më të madhe për këtë fakt, doli LDK-ja.

E quajtur "institucionaliste" nga udhëheqja e vet, me "filozofi rugoviane" (të cilën kurrë nuk na e shpjeguan), doli të ishte partia më oportuniste politike, madje që nga koha kur atë e udhëhiqte Rugova.

Do të kujtojmë se në 2004-n, kur LDK-ja kishte fituar madje 47% të votave, nuk u bë me kryeministri, vetëm pse Rugova donte të zgjidhej kryetar. Një partie të vogël, si AAK-ja, ia dorëzoi pushtetin dhe disa ministri kyç. Nga ajo kohë do të kujtohet privatizimi skandaloz i Ferronikelit dhe humbja e 16 milionëve të telefonisë mobile.

Në 2007-n, LDK-ja e bëri Thaçin kryeministër. Thuhej na vyen uniteti para shpalljes së Pavarësisë. Thaçi e lexoi Deklaratën e Pavarësisë; ia përgatiti Kushtetueses terrenin për ta shpallur Sejdiun antikushtetues dhe ra qeveria. Shkuan në zgjedhjet e reja dhe LDK-ja u nda, sërish, dhe kësaj radhe mbeti në opozitë.

Më 2013-n, Mustafa qe "më i shkathtë" sesa Haradinaj dhe Kurti dhe u lidh me PDK-në sërish. Kësaj radhe e mbajti postin e kryeministrit për vete, ama Thaçin e zgjodhi kryetar. Po të njëjtin njeri që do t'ia përgatiste marrëveshjen e dytë për Zajednicën, të cilën Mustafa do ta nënshkruante për kot - duke e legjitimuar edhe me një vulë dhuratën që ua kishte bërë Thaçi serbëve me autonominë territoriale. Kur u ngop Thaçi, ra qeveria.

Më 2017-n mbeti në opozitë dhe 2019-n, pasi e tjerri dhe e tjerri çështjen e negociatave me VV-në, më në fund lidhi marrëveshje me të.

E rrëzoi qeverinë, në të cilën vetë bëri pjesë, pas 51 ditësh dhe në mes të pandemisë që doli jashtë kontrollit pasi që Hoti u bë kryeministër.

Mustafa dhe ekipi i tij, që zgjoi antipatinë e përgjithshme në përpjekje për ta arsyetuar veprimin e vet për një qëllim më të lartë, e përjashtuan gruan që u kishte sjellë shumë vota në zgjedhjet e shkuara. Atë që nuk mundën ta bënin ishte që ta ndalnin emërimin e saj ushtruese e detyrës së kryetares - për shkak se nuk e kishin fuqinë për ta ndryshuar Kushtetutën.

Osmani garoi me listën e Vetëvendosjes. Kalimi i saj aty e la LDK-në me 100 mijë vota më pak - të cilin fakt Mustafa refuzon ta pranojë. Thotë se votat e LDK-së shkuan në Vetëvendosje si subjekt, e jo për shkak se Osmani ishte aty. Sido që të jetë, 13% e ka rrëzuar LDK-në në nivel të një partie rajonale, çfarë ka qenë dikur AAK-ja dhe me probleme shumë serioze me vetveten.

Nëse do që të mbijetojë në politikën e Kosovës, LDK-ja duhet patjetër të reformohet nga rrënja. Asnjë parti politike, udhëheqësit e së cilës nuk i pranojnë gabimet e veta dhe nuk i kuptojnë si arsyen e humbjes së përkrahjes, nuk mund të mbijetojë. Asnjë parti që shikon t'i gjejë gabimet te të tjerët, ose te "tradhtia" e Osmanit, kur vetë e ka tradhtuar votuesin e vet, nuk e ka qëndrimin e sigurt në skenën politike. Asnjë parti që nuk mund të fitojë madje as në komunat që i udhëheq nuk do t'ia dalë t'i mbijetojë lehtë as zgjedhjet komunale.

Dorëheqja "për arsye morale" e Mustafës tregon më shumë se asgjë tjetër. Udhëheqja e tij nëntëvjeçare e partisë i ka sjellë LDK-së humbje të vazhdueshme parlamentare. Tash ia solli edhe debaklin.

Për shkak se politikën e ka udhëhequr me inate dhe përherë nëpërmjet fesjbukut me gjuhë të rëndë dhe ofenduese. Dhe i ka bërë shumë dëm Kosovës.

Pra, në vend se të ndiente përgjegjësi për humbjen e thellë, i qaset kozmetikës për t'u çuar sinjal përkrahësve të partisë se mbase ndonjë ndryshim do të ndodhë, kurdo që të caktohet koha që të mbahet kuvendi zgjedhor.

* * *

Ndërkohë, Kosovën do ta udhëheqë një qeveri që sipas Kushtetueses nuk ka qenë qeveri, por duhet t'i kryejë këto detyrime. Gjatë javës u mblodh dhe i shpenzoi disa milionë për t'i marrë me të mirë arsimtarët, policët e zjarrfikësit. E harroi sektorin privat fare - bile dikur gjatë fushatës u tha se duhej pritur rishikimin e buxhetit për të pritur ndihmë nga shteti.

E i harroi edhe ata 2.1 milionë që u zhdukën nga Thesari.

U vodhën. Dhe kurrgjë kurrkujt.

Ky është kapaku.

Mbase tash e kuptojnë se pse ndëshkimi i votës qe aq i rëndë.

[email protected]