OpEd

Viti i kthesave historike

Rruga deri te paqja, si dhe proceset e rindërtimit të Ukrainës do të jenë të gjata, mirëpo njerëzimi dhe shoqëritë demokratike është mirë që t’i vendosin këto masa ndëshkuese, e nëse ato aplikohen ndaj një superfuqie botërore, atëherë shtetet më të vogla e të brishta kanë diçka për të mësuar nga kjo gjë

Kemi hyrë edhe në javën e dytë të invazionit rus në Ukrainë. Edhe në parashikimet e skeptikëve më të mëdhenj, vështirë që do të mund të parashikohej se pushtimi rus do të ishte në përgjithësi një makth logjistik dhe operativ i Ushtrisë ruse. Pritshmëritë e Vladimir Putinit dhe të makinerisë së tij vrastare kanë qenë se Ukraina do të pushtohej tërësisht brenda 48-orësh.

Llogaritë e tyre shkuan huq, sidomos aty ku ata nuk kanë pritur rezistencë nga ana e popullit ukrainas, por pritje të Ushtrisë ruse si një shpëtimtare e tyre. Dorëzimi i pakusht i Ushtrisë ukrainase gjatë pushtimit të Krimesë nga ana e Ushtrisë ruse në vitin 2014, ka ndikuar që llogaritë e tyre operative për pushtimin total të Ukrainës deri më tani të pësojnë fiasko ushtarake për një ushtri, e cila konsiderohet superfuqi botërore. Ndërkohë, taktika sulmuese e Ushtrisë ruse ka ndryshuar dhe ajo vërehet në qasjen e saj në qytetet në lindje dhe në jug të Ukrainës, si në Mariupol për shembull, ku granatimet nga artileria e rëndë dhe aeroplanët sulmues ushtarakë bëhen 24 orë në ditë. Shkatërrimet e qytetit janë apokaliptike dhe raportohet për mbi një mijë civilë të vrarë. Qyteti ka mbetur pa furnizim me energji elektrike, ujë, si dhe furnizim me ushqime për popullatën civile të ngujuar në atë ferr. Dje u raportua edhe për bombardimin e spitalit të maternitetit, ku kishte ardhur deri te shkatërrimi total i tij dhe me një krater të thellë të dukshëm në oborrin e spitalit. U raportua për 17 persona të lënduar, që u gjetën nën rrënoja.

Mendimi im është se një ditë kur kjo luftë do të përfundojë e ajo do të përfundojë një ditë, ashtu siç ka përfunduar edhe çdo luftë tjetër, bashkësia ndërkombëtare do të duhej që paratë e bllokuara të Bankës Qendrore Ruse, si dhe paratë e oligarkëve t’i sekuestronte dhe pastaj të njëjtat t’i destinojë për rindërtimin e Ukrainës së pasluftës. Sigurisht se ky do të ishte një mësim në të ardhmen për secilin shtet me afinitete agresori ndaj shteteve të tyre fqinje.

Sigurisht se rruga deri te paqja, si dhe proceset e rindërtimit të Ukrainës, do të jenë të gjata dhe procese të cilat do t’i takojnë së ardhmes, mirëpo njerëzimi dhe shoqëritë demokratike është mirë që t’i vendosin këto masa ndëshkuese e nëse ato aplikohen ndaj një superfuqie botërore, atëherë shtetet më të vogla e të brishta kanë diçka për të mësuar nga kjo gjë.

Deri më sot janë mbajtur tri palë bisedimesh ndërmjet ukrainasve dhe rusëve, në nivelin e përfaqësuesve të rangut më të ulët të të dyja palëve. Nuk është arritur asnjë marrëveshje. Disa korridore të akorduara për tërheqje të civilëve dhe armëpushim përgjatë tyre kishin dështuar, për shkak të shkeljes së marrëveshjeve dhe granatimeve ndaj civilëve nga pala ruse.

Sot në Antali të Turqisë pritet takimi i nivelit më të lartë të palëve në konflikt, qysh nga fillimi i pushtimit rus. Takohen ministrat e jashtëm të të dyja vendeve: Sergei Lavrov i Rusisë dhe Dmytri Kuleba i Ukrainës.

Ditëve të fundit, nga pala ruse dëgjohet një lloj zbutjeje qëndrimesh dhe denazifikimi e demilitarizimi i Ukrainës më nuk përmenden aq shumë. Kërkesat kryesore mbeten njohja e Krimesë si pjesë e Rusisë, si dhe njohja e dy rajoneve lindore, Doneskut dhe Luhanskut, të cilat e shpallën pavarësinë e tyre një javë para fillimit të invazionit total rus.

Akuzat e fundit të Qeverisë ruse ndaj Ukrainës dhe Amerikës kanë të bëjnë në bashkëpunimin e tyre në laboratorë të ndryshëm nëpër Ukrainë për krijimin e armëve biologjike. Amerika dhe Ukraina i kanë hedhur poshtë këto akuza ruse, e për më tepër Amerika është gjithnjë e më e zëshme në akuzat ndaj Rusisë se ajo po e përgatit terrenin që vetë t’i përdorë armët jokonvencionale biologjike apo kimike kundër popullatës civile ukrainase, në të njëjtën mënyrë siç kishte vepruar edhe në Siri. Mirëpo, deri më tani, as përdorimi eventual i armëve kimike apo biologjike nuk është cilësuar nga NATO-ja si tejkalim i vijës së kuqe, me ç’rast kjo aleancë më nuk do të qëndronte vetëm si vrojtuese e kësaj lufte, por palë. E sikur të vinte deri te ndërhyrja e NATO-s në këtë luftë, atëherë hapen të gjitha opsionet që ajo të kthehet në konflikt gjithëpërfshirës dhe Luftë e Tretë Botërore.

Shtetet perëndimore më shumë llogarisin në gjunjëzimin ekonomik, të cilin do t’ia shkaktojnë Rusisë me sanksionet ekonomike dhe financiare, të papara deri më tani ndaj ndonjë shteti. Rubla veçse e ka humbur 40 për qind të vlerës së saj, teksa vazhdon devalvimi ditor i kësaj valute. Bankat për investime e kanë hequr Rusinë nga listat e tyre të kategorizimit të sigurisë së shteteve për investime dhe ato parashohin që Rusia nuk do të jetë në gjendje që t’i paguajë borxhet e saj të përgjithshme deri më 15 qershor, kështu që ajo do të falimentojë si shtet.

Amerika shtoi edhe një sanksion ndaj Rusisë dhe embargo në furnizimin e saj me naftën dhe gazin rus.

Të njëjtin vendim e mori edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila do të largohet nga furnizimi me gazin dhe naftën ruse deri në fund të vitit 2022. Vendet e tjera evropiane hezitojnë nga ky vendim, pasi që kryekëput janë të varura nga importi i naftës dhe gazit rus dhe ato vazhdojnë që ta blejnë atë në baza ditore nga ana e Rusisë.

Refugjatët, si në çdo luftë, mbesin pjesa më e dhimbshme e secilit konflikt. Deri më sot shënohet numri prej mbi milion refugjatësh, të cilët e kanë lëshuar Ukrainën e që është numri më i madh i refugjatëve qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Pjesa më e madhe e tyre kanë dalë në pjesën e cila kufizohet me Poloninë, e të tjerët në kufi me Hungarinë, Moldavinë, Sllovakinë dhe Rumaninë.

Mbretëria e Bashkuar, me ligjet e saj të ngathëta të imigracionit qysh nga BREXIT-i, deri më sot ka arritur që të lëshojë vetëm 500 viza për bashkimet familjare të refugjatëve ukrainas. Qeveria i nënshtrohet një presioni të hatashëm në Parlament, si dhe nga publiku për qasjen e saj kaq të ngathtë dhe për procedura të gabueshme administrative në kohë dhe hapësirë.

Lufta në Ukrainë dhe të gjitha sanksionet ekonomike e financiare të ndërmarra ndaj Rusisë nga bashkësia ndërkombëtare e shteteve demokratike perëndimore kanë pasur edhe efektet e tyre në çmimet e gjithmbarshme të ngritjes së çmimeve të naftës, gazit, si dhe grurit në bursë. Më pas, rritjet e çmimeve të tjera shkojnë në mënyrë zinxhirore.

As Kosova nuk është imune ndaj ngritjes së këtyre çmimeve në tregjet botërore. Mirëpo, ajo në të cilën Qeveria do të duhej të ishte shumë vigjilente, është që spekulantëve t’u mbyllej mundësia për ngritje të çmimeve pa kurrfarë kontrolli dhe kriteri, vetëm sa për një përfitim të çastit nga situata e krijuar. Qeveria do të duhej që të dilte me masat mbrojtëse për qytetarët e saj, e sidomos për ata të cilët do të kenë vështirësi që t’i përthekojnë shpenzimet mujore me çmimet e reja, të cilat shënojnë rritje ditore. Duhet pasur kujdes, sidomos me shtresat më të brishta, siç janë pensionistët, përfituesit e skemave sociale, si dhe njerëzit të cilët punojnë për pagat minimale mujore.

Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme që t’i pranojë 5.000 refugjatë nga Ukraina dhe unë jam i mendimit që ajo ka vepruar drejt. Mirëpo, ajo duhet gjithsesi që të tregojë edhe përgjegjësi e kujdes edhe ndaj qytetarit të saj në këto kohëra krizash.

Ditët dhe javët në vijim mund të jenë vendimtare në atë se në cilin drejtim do të shkojë kjo botë. Përkundër dëshirës dhe vullnetit të NATO-s që të mos përzihet në mënyrë direkte në konfrontimin me Rusinë, unë e kam frikën se deshi apo nuk deshi ajo, situata në terren do t'ia imponojë një gjë të tillë. E pas një imponimi të një konflikti të atyre përmasave, gjithçka mbetet e hapur në përcaktimin e një rendi të ri botëror, rend i cili mund të jetë edhe pa pjesëmarrjen e njerëzimit në të.

Për fund, do ta rikujtoja vetëm thënien e Albert Einstenit: “Unë nuk jam në dijeni se si do të zhvillohet Lufta e Tretë Botërore, mirëpo ajo e katërta do të zhvillohej me shkopinj dhe me gurë”.