Marigona dhe plot Marigona të tjera janë viktima të shtetit, për shkak se nuk ka pasur prokurori e as gjykata që do t'i mbronin nga raste të këtilla të dhunës. Janë viktima të shtetit, për shkak se ky vend e ka pasur rastin, porse nuk e ka shfrytëzuar, që ta luftojë mendësinë patriarkale, kur na u dha rasti ta krijonim një shtet të ri. Për shkak se nuk ka arritur as nëpërmjet arsimit, kulturës e as politikës t'ia sigurojë gruas statusin e barabartë në këtë shoqëri
Vala, nuk e di cila me radhë, e infektimeve po tregohet më e rënda dhe më vdekjeprurësja qëkur ka shpërthyer pandemia. Ky është tagri që po e paguajmë si shoqëri për dy veprime seriozisht të rrezikshme, pasojat e të cilave nuk deshëm t'i kuptonim në çastin kur i ndërmorëm.
Tashmë e shumëpërmendura hapje e qershorit na dogji.
Aq sa për dy javë u regjistruan madje 25.610 raste dhe 124 vdekje nga COVID-i. Shifra të tmerrshme që natyrisht se kishim dashur që kurrë të mos na shfaqeshin, porse që janë rezultat i drejtpërdrejtë i verimit me përshtypjen se ne jemi të futur brenda një balloni të madh ku askush asgjë nuk mund të na bëjë.
E na e bëri virusi. Një, për shkak se ka pasur njerëz që në numra të konsiderueshëm kanë refuzuar të vaksinohen. Dy, për shkak se shumë njerëz që kanë ardhur nga jashtë, gjithashtu kanë refuzuar të vaksinohen në shtetet ku jetojnë. Ashtu siç kanë mundur ata të infektoheshin në Kosovë, edhe Kosova ka mundur të infektohet nga ta.
Jemi sjellë, që të gjithë, pushtet, opozitë, qytetarë rezidentë e diasporë në formë shumë fëmijërore dhe e kemi lënduar veten rëndë.
Pa asnjë dyshim, kjo situatë u menaxhua shumë keq nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHKP-ja, për shkak se qysh në korrik është dashur të shtrëngoheshin masat dhe të ndaloheshin apo të kufizoheshin tubimet e mëdha dhe dasmat pa asnjë limit në numër mysafirësh.
Nga ana tjetër, edhe partitë opozitare që i udhëheqin komunat, mezi kanë pritur që t'u vijnë mërgimtarët, dhe për ta kanë organizuar si pritje ashtu edhe parkingje speciale, për shkak se, dhe ky është rrëfim i vjetër, shumë po varemi nga paratë që i sjellin çdo verë. E edhe dimër besa.
E tash, kur e dëgjon opozitën tek e kritikon pushtetin, e sheh se përse i kemi punët si i kemi. Për shkak se dështuesit e menaxhimit të pandemisë në të kaluarën dhe ata që e shfrytëzuan atë për ndërrim pushtetesh janë ata që i akuzojnë këta të pushtetit aktual se po dështojnë dhe se po e politizojnë pandeminë.
E a dini çka? Bash hiç nuk po më intereson se sa do ta shani njëri-tjetrin. Po më intereson si do të ndalet kjo valë dhe si të sigurohemi se do të vaksinohemi të gjithë që duhet, ashtu që të jemi më të mbrojtur.
Unë fuqimisht besoj se vaksinimi duhet bërë i obliguar me ligj. Porse, e di që unë nuk kam fuqi për ta shtyrë një ide të këtillë, me të cilën nuk do të pajtohen ata që ende besojnë se vaksina do t'i lërë sterilë apo edhe se dikush po na i vendos çipat për të na e kontrolluar jetën. Për këta të dytët, mjafton të jesh në FB që dikush të t'i dijë krejt lëvizjet, qejfet, preferencat e të ngjashme. Kjo u kushton më lirë sesa çipi.
* * *
E sikur të mos na mjaftonte pandemia, kjo javë përjetoi mbase njërin nga krimet më të shëmtuara në disa, të them, muaj të fundit.
Të dielën në mbrëmje u bë e ditur se një vajzë nën të 20-at ishte braktisur në QKMF-në e Ferizajt pa shenja jete. Kaq ishte e thatë komunikata që përfundoi me informatën se me rastin po merreshin organet e rendit.
Policia veproi shpejt, dhe fillimisht e arrestoi dikë që konsiderohet bashkëkryerës, e të nesërmen edhe të dyshuarin kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.
Ajo që u dëgjua në ditët në vijim në lidhje me rastin qe trishtuese. Fillimisht martesa, me kurorë ose pa krejt njësoj për shkak se ligji e njeh, e një vajze të re me dikë një dekadë e fiu më të moshuar, me një deng kallëzimesh penale në shpinë. E dyta, lehtësia e arsyetimit se "ndonjë shuplakë tek-tuk" është e lejuar në raport martesor dhe e treta, absolutisht me tronditësja në rastin e të dyshuarit kryesor: neglizhenca brutale e prokurorisë dhe e gjykatave ndaj madje 136 rasteve të regjistruara në polici. Rrahje, tentim vrasjeje, përdhunime, hajni, konsum narkotikësh..., një varg krimesh, prej të cilave janë proceduar dhjetë, dhe ato jo si duhet. Në kohën kur ai do të duhej të ishte në burg, po e vriste "bashkëshorten" e vet brutalisht dhe me ndihmën e një dosti.
Për ta bërë këtë tragjedi edhe më të madhe, u përkujdes gjykata në Ferizaj, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit të bashkëdorasit të dyshuar. Komunikata, e cila do të duhej t'u shërbente studentëve të juridikut si shembull se si NUK duhet vepruar dhe komunikuar me publikun apo këdo, thoshte edhe këtë:
...gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta - xhelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D.,
për këtë arsye
i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike...
Pra për gjykatën, xhelozia, e pretenduar ose jo, është ARSYE për ushtrimin e dhunës psikike e më pas edhe fizike ndaj kujtdo. Me këso komunikate, thuajse arsyetohet dhuna ndaj kujtdo, vetëm për shkak se dikush dyshon se dikush po e mashtron me dikë. Me këso komunikate pra, në mënyrë të tërthortë na bëhet me dije se përse dikush që arrestohet madje 135 herë endet e lirë për të vazhduar të kryejë vepër penale.
* * *
Mbas rastit të Marigonës u aktivizua i gjithë shteti, u organizuan protesta, të zhurmshme të përcjella me ngjyrë të kuqe nëpër objekte, dhe Policia nisi të dërgonte raporte më të detajuara për dhunën në familje. Në tre-katër ditët e fundit, thuajse në dhjetëra rastet e raportuara, viktimat ishin gra.
Është fakt se dhunë familjare ka në të gjithë botën, porse puna është se t'ia bëjmë që në Kosovë të mos marrë përmasa tragjike sikurse qe rasti i Marigonës dhe e shumë grave të tjera për të cilat është dashur të raportojmë në vitet e fundit.
Është koha e fundit që të organizohen njësi të veçanta edhe policore edhe gjyqësore që do të merren shumë më seriozisht me mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe mbajtjen e abuzuesve sa më larg viktimave.
E organizimi nuk do të mjaftojë - për shkak se njerëzit që duhen të jenë të angazhuar në zgjidhjen dhe kontrollimin e rasteve të këtilla, duhen të jenë të trajnuar të dinë ta kuptojnë hallin e dikujt që kërkon mbrojtje të policisë në rast dhune, e jo t'i tregojnë se "duhet duruar", "se dy-tri shuplaka nuk janë asgjë", "që ndoshta ka arsye për dajakun"... Nuk kanë qenë të pakta rastet e grave të vrara nga burrat dhe partnerët e tyre, për shkak se thirrjet e tyre alarmuese nuk janë marrë seriozisht.
Porse policia vetëm nuk mund të bëjë asgjë nëse prokuroria nuk vepron. E në rastin e Marigonës, është evidente se nuk ka vepruar dhe se në bashkërendim me gjykatën i kanë tjerrë rastet deri në pafund. Po të ishin gjykuar dhe burgosur dy vrasësit e Ferizajt, Marigona sot do të ishte gjallë. Apo së paku jo e mbytur nga këta dy.
* * *
Marigona është viktimë e shtetit. Dhe kur them shtetit, mendoj për strukturën të cilën në vend se ta ndërtonim mbarë nga fundi i luftës, e ndërtuam me tulla qerpiçësh që po rrënohen sa herë ka ndonjë vrull më të madh uji.
Marigona është viktimë e një sistemi të keq arsimor, që ka prodhuar njerëz të dhunshëm dhe të papërgjegjshëm sikur të dyshuarit për vrasjen e saj. Është viktimë e një sistemi arsimor që mbase nuk i ka dhënë mundësi asaj që të zgjedhë ta gjejë perspektivën e vet me arsimim, e jo me martesë të hershme.
Marigona dhe plot Marigona të tjera janë viktima të shtetit për shkak se nuk ka pasur prokurori e as gjykata që do t'i mbronin nga raste të këtilla të dhunës.
Janë viktima të shtetit për shkak se ky vend ka pasur rastin, porse nuk e ka shfrytëzuar, që ta luftojë mendësinë patriarkale, kur na u dha rasti ta krijonim një shtet të ri. Për shkak se nuk ka arritur as nëpërmjet arsimit, kulturës e as politikës t'ia sigurojë gruas statusin e barabartë në këtë shoqëri.
Është tejet për keqardhje që pas gjithë këtyre viteve, duhet t'i qasemi së kaluarës dhe sërish të flasim për nevojën e emancipimit të gruas në shoqëri. Është mëkat, që në këtë epokë të bumit teknologjik, Kosova të funksionojë si një odë e madhe e burrave.