Në mungesë të drejtësisë së mirëfilltë, cilat janë pra opsionet që i ofrohen qytetarit? Ta marrë drejtësinë në duart e veta; ta korruptojë dikë në gjyqësi; ta gjejë dikë që për para me dhunë qëron hesape; të durojë derisa të plasë ose të çojë duar nga ky vend e të ikë prej këtu...
Herën e parë që më kishte rënë ta dëgjoja fjalën “vetting” kishte të bënte me zgjedhjen e atyre që do të bëheshin shërbyes civilë të administratës së re të Kosovës. Fjalën ma përmendte një britanik, dikur ushtarak, që kishte kaluar të punonte konsulent.
T’jua them të drejtën, nuk e kisha dëgjuar më parë, ani që mendja ma thoshte se kishte të bënte diçka me “veton”.
Shumë gabim e kisha pasur. “Vetting”, në fakt, ishte fjalë zhargoni që nisi të përdorej në Britani nga shekulli XIX dhe kishte të bënte me garat e kuajve. Pra, kali mund të bënte garë vetëm nëse veterinari e autorizonte një gjë të tillë. Pra autorizimi, leja, kalimi i testit apo çfarëdo që do të ishte kusht për të marrë pjesë në garë, apo në punë, në këtë rast, quhet vetting.
Për t’iu kthyer ish-ushtarakut konsulent – ai thoshte se kushdo që donte të bëhej pjesë e shërbimit civil të Kosovës, duhej patjetër të kalonte nëpër një proces verifikimi, po qe se i plotësonte kushtet bazike për ta ushtruar detyrën e marrë. Në teori, do të ishte punë e mirë po të verifikoheshin edhe kapaciteti profesional e edhe rrethanat personale para se të vendosej nëse dikush do të duhej marrë detyrë, ose jo. Porse në Kosovën e 2001-tës nuk ka pasur strukturë që do ta kryente këtë punë. E besa nuk ka pasur as vullnet.
* * *
Vettingu ka qenë mbase një prej atuve më të forta të Vetëvendosjes gjatë fushatës zgjedhore që ia solli fitoren me më shumë se 50% të votave. Ishin të parët që kishin insistuar shumë për çështjen e vettingut dhe shumëkush u besoi, për shkak se kjo parti kurrë nuk kishte qenë në pushtet, pra edhe nuk ka mundur, mbase, të impononte njerëz nëpër struktura gjyqësie e sundime ligji, pra dy nga segmentet e ndërthurura, që më së shumti çalojnë në Kosovën e pavarur.
Rolin udhëheqës në këtë proces e mori ministrja e Drejtësisë. Me gabime apo edhe pa to, inicioi një sërë aktesh ligjore që do të duhej ta sillnin nisjen e reformës në sferën e Drejtësisë. U kritikua shumë për Byronë për konfiskimin e pasurisë; u kritikua për Ligjin e KPK-së dhe vazhdon të kritikohet për komunikimin që bën dikasteri i saj me publikun në lidhje me këto akte ligjore. Porse ajo bëri një gjë të mençur para se të ecte para me idenë: dokumentet i çoi në Komisionin e Venecias për mendim. Komisioni, nga ana tjetër, ktheu përgjigje duke thënë se vettingu është në rregull, por jo edhe Byroja, e cila megjithatë nuk do të duhej të kishte fuqi ekzekutive – sepse ajo në fakt i takon gjykatës. Vetëm gjykata mund të vendosë për konfiskim pasurie.
Porse konfiskimi i pasurisë nuk mund të kryhet nga ata që do të mund të ishin të përfshirë në këto skema pasurimi të paligjshëm, qoftë për shkak të mosveprimit (prokuroria), qoftë për shkak të zbatimit selektiv të ligjit (gjykata). Dhe prandaj ka nevojë që gjyqësia të pastrohet nga njerëzit të cilët nuk e kanë vendin në këto institucione dhe të cilët në vend se të sjellin drejtësi, në fakt e instalojnë padrejtësinë si normë.
* * *
Teksa e shkruaja këtë fjalinë e fundit, assesi të më hiqej mendsh rasti i Marigona Osmanit, 18-vjeçares së torturuar, dhunuar dhe vrarë nga dy burra të njohur për drejtësinë qëmoti, por që e gëzonin lirinë në çastin e kobshëm për Marigonën.
Dhe nuk do të hyj fare ta shqyrtoj arsyen që e shtyn një 18-vjeçare të lidhet me një njeri, më së buti thënë, problematik, e as kushtet e edukimit dhe arsimimit të saj, për shkak se më janë krejt të panjohura. Ajo që iu bë e njohur publikut pas publikimit të aktakuzës është se Marigona vdiq nga ngufatja, pasi që trupi i saj praktikisht u masakrua paraprakisht.
Përshkrimi i gjendjes së trupit të Marigona Osmanit në aktakuzë është i tmerrshëm. Është sikurse ta shikosh një film horror, në të cilin nuk e di edhe çfarë mizorie tjetër mund t’i bëhet dikujt deri në skenën e radhës. E tmerrin e ka shkaktuar dikush, që, sipas aktakuzës, është i dyshuar që nga 2006-a për kryerjen e 133 (njëqind e tridhjetë e tre) veprave penale të ndryshme. Është dikush që një muaj para se të vritej Marigona, kishte qenë në burg, për shkak se kishte tentuar ta vriste një polic me thikë në fyt. Porse duke iu falënderuar nënës së vet, “që ka shumë të njohshëm dhe është me ndikim te personat e nivelit të lartë”, u lirua pasi që e kishte bindur policin që ta tërhiqte padinë. Për kiametin e taksiratin e Marigonës, bashkëshortes së tij të pakurorëzuar.
Një sistem gjyqësor që lejon që dikush që ka kryer 133 vepra penale të endet i lirë, edhe për shkak se nëna e tij ka të njohshëm dhe është me ndikim, jo që ka nevojë urgjente për vetting, por ka nevojë edhe për përgjegjësi penale të të gjithë atyre që kanë mundësuar që vrasja të ndodhë.
Prandaj, prapë po e përmend atë që e kisha shkruar javën e shkuar: tepër absurd reagimi i KPK-së që del e thotë, pak a shumë, se nuk do ta zbatojë ligjin, e edhe më absurd reagimi i LDK-së dhe i PDK-së për ta çuar ligjin e porsamiratuar në Kushtetuese.
Për ta shpjeguar këtë që e thashë më lart, sërish do t’i qasem mikut tim Ehat Miftaraj: “Është për keqardhje iniciativa të dërgohet Ligji për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese. Secila parti që i lexon opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun dhe Ligjin për KPK-në do të duhej të kuptonte se sa e rëndësishme është reforma në drejtësi dhe në KPK në veçanti.
Një parti që e pengon reformën në KPK ka probleme serioze me integritet, ka probleme serioze me e pa sistemin prokurorial të pavarur, ka probleme serioze me konceptin e sundimit të ligjit, me nevojat e qytetarëve të Kosovës për drejtësi”.
* * *
E qytetarët kanë nevojë për drejtësi, si garancinë se të drejtat e garantuara me Kushtetutë do të munden edhe t’i gëzojnë. E si do t’i gëzojnë kur vendi i vetëm ku mund t’i shtrojnë ankesat për një të drejtë të shkelur apo të parealizuar është gjykata, e kur në atë gjykatë duhen pritur muaj e vite.
Ka disa herë që e kam përmendur se aktgjykimin e plotfuqishëm në bazë të padisë për vjedhjen e së drejtës intelektuale e kisha marrë pas pesë vjetësh endjeje nëpër gjyqe. Gjithashtu e pata përmendur se një padi për shpifje dhe fyerje u shndërrua në aktgjykim të plotfuqishëm pas nëntë vjetësh, por i cili ende nuk ka marrë epilog: pala e shpallur fajtore detyrohet të paguajë dëmshpërblim, porse përmbarimi nuk realizohet sepse në xhirollogarinë e palës dëmtuese nuk ka para, me gjithë faktin se ajo kompani punon dhe paguan rroga. Si? Unë nuk e di. Porse dikush nga sektori i drejtësisë do të duhej të merrej edhe me këtë.
E kur jemi te përmbarimi, ja edhe një shembull eklatant i manipulimit të drejtësisë. Përmbarimi si kategori është krijuar për ta lehtësuar kontestin mes palëve, ku njëra nga to ka borxh. Ideja ka qenë që të shmanget kontesti gjyqësor, porse është lënë mundësia e kundërshtimit të propozimit për përmbarim.
Dhe çka ndodh? Ndodh që thuajse rregullisht propozimet të kundërshtohen, pati apo nuk pati bazë dhe që lëndët të kalojnë në procedurë kontestimore. Njëri nga rastet me të cilin po ballafaqohem është se propozimi për përmbarim është bërë në mars të 2021-tës. Besojeni ose jo, Gjykata Themelore e Prishtinës as që e ka caktuar gjykatësin që do të merret me këtë lëndë. Pra qe 16 muaj lënda mbushet pluhur në gjykatë dhe nuk e ka as më të voglin paralajmërim për kohën se kur do të mund të merrej në shqyrtim.
* * *
Në mungesë të drejtësisë së mirëfilltë, cilat janë pra opsionet që i ofrohen qytetarit? Ta marrë drejtësinë në duart e veta; ta korruptojë dikë në gjyqësi; ta gjejë dikë që për para me dhunë qëron hesape; të durojë derisa të plasë ose të çojë duar nga ky vend e të ikë prej këtu.
Ja pse vettingu në drejtësi është kaq i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Është i nevojshëm për t’ia kthyer dinjitetin Drejtësisë dhe për t’i dhënë siguri juridike qytetarit. Dhe ky vetting do të ishte i pari në vargun e vettingave të tjerë, që do të duhej të ndërmerreshin në Kosovë.
Pa to do të vazhdojmë të jemi një shtet hajgare.