Nëse ideja është që të rikrijohet një grup uniteti, kjo nuk duhet të jetë forma më e përshtatshme dhe Osmani do të duhej të kishte kujdes e të mos përzihej (që nuk do të thotë se nuk duhet konsultuar) aty ku nuk e ka vendin, gjithnjë sipas aktgjykimit të Kushtetueses. Kosovës nuk i interesojnë protagonizmat e askujt. I interesojnë zgjidhjet për problemet jetike me të cilat ballafaqohet. Përfshirë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial
Mbase lajmi më i mirë i dëgjuar prej kohësh është se Gjykata Kushtetuese, ani pse mori 9 muaj për ta nxjerrë aktgjykimin, në pjesën më të madhe u pajtua me propozimin e amendamenteve kushtetuese që do ta mundësojnë vetingun për pozitat menaxheriale në sistemin gjyqësor dhe në atë prokurorial.
Pra, pas endjes së tekstit ligjor herë në Kushtetuese, herë në Komisionin e Venecias, më në fund doli një dokument që obligon Qeverinë, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë, që ta hartojë një ligj që duhet shpresuar se nuk do të përfundojë sërish në Kushtetuese për ta pritur thuajse vitin që të futet në fuqi.
Sado që ky veting nuk është i plotë, megjithatë është një hap i parë për të futur rend në gjyqësinë e Kosovës, e cila qysh pas çlirimit çalon shumë dhe është një nga shkaktarët kryesorë të demoralizimit të shumëkujt në Kosovë. Për shumëkënd drejtësia është e paarritshme në Kosovë.
Me gabime ose jo, megjithatë Ministria e Drejtësisë bëri një lëvizje të rëndësishme para, që urojmë të sjellë një ndryshim të madh në sistemin e drejtësisë.
* * *
Drejtësi duket se ka nisur të bëhet edhe në veri. Së paku pjesërisht dhe madje karshi shumicës shqiptare të Kosovës.
Që nga java e kaluar duket se më nuk ka targa ilegale në qarkullim në Kosovë. “Konvertimi” i tyre në targa RKS pa dyshim se është fitore politike, por objektivisht nuk do të ishte e mundur po qe se këtë nuk do ta autorizonte Vuçiqi nga Beogradi.
Pa asnjë dyshim, ai do t’i ketë urdhëruar mashat e veta që të mos i pengojnë serbët që t’i regjistrojnë veturat dhe kjo do të jetë përdorur si koncesion në procesin negociator. Atë që nuk e dimë është se çfarë është ajo që lehtësuesit i kanë ofruar Vuçiqit në këmbim të regjistrimit të 4 mijë veturave me targa të Kosovës.
Atë që e dimë është se përderisa në veri do të patrullojnë patrullat policore të Kosovës që do të mund të shqiptojnë dënime, këto targa do të qëndrojnë. Ndryshe, me një urdhër nga Beogradi, e gjitha mund të kthehet tek e vjetra, përderisa presionin mbi popullatën do ta ushtrojë dora e zgjatur e Vuçiqit në Kosovë, Lista Srpska.
Nga ana tjetër, që nga sulmi terrorist në Banjskë para tre muajsh, aktiviteti i Policisë së Kosovës në veri duket të jetë impresiv. Ndërprerja e rrjeteve të kontrabandës, ndalja e “minierave” prodhuese të kriptovalutave, si dhe konfiskimi i pronave nën menaxhimin e AKP-së, që u kanë shërbyer grupeve kriminale të veriut, po vazhdojnë me ritëm konsistent.
I fundit qe konfiskimi i një hoteli të quajtur “Rajska banja” (pra banja e Parasjës) që AKP-ja menjëherë ia dha me qira Policisë së Kosovës. Uroj që ky objekt të shfrytëzohet në mënyrën më korrekte të mundshme, fundja si pushimore e policëve që kanë bërë shumë që ta instalojnë bile një grimë sovraniteti në pjesën veriore të Kosovës, e cila që nga lufta ka qenë oaza e krimit të organizuar.
Kësaj në fund duhet shtuar edhe një gjë, e cila na ka prekur të gjithë qytetarët e Kosovës që kemi paguar rrymën rregullisht: sipas deklaratës së ministres së Ekonomisë, Rizvanolli, që nga dhjetori i 2022-s, Kosova më nuk ka paguar asnjë faturë rryme për qytetarët në veri, të cilët që nga fundi i luftës nuk e kanë paguar asnjë cent për rrymën e shpenzuar.
Do të kujtojmë se për shumë vjet këtë minus e kemi mbuluar ne qytetarët nëpërmjet faturave tona e më pas edhe nëpërmjet mjeteve të parave të buxhetit në të cilin kemi kontribuuar edhe ne.
Së fundmi është lidhur një marrëveshje ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, dhe tash më në fund pritet që rrymën ta paguajnë ata që e konsumojnë në veri.
Se a janë zgjidhur kështu problemet në veri, natyrisht se jo. Dhe situata atje vazhdon të jetë e brishtë dhe pa dyshim se varet shumë nga KFOR-i dhe vendosmëria e tij për t’i ndalur rrugët e kontrabandës dhe për ta kthyer në vend, krahas Policisë së Kosovës, sundimin e ligjit në veri.
* * *
E se veriu duket se do të vazhdojë të jetë tema e përhershme e diskutimeve edhe në vitin e ardhshëm që ka gjasa të jetë zgjedhor, e vërteton edhe nisma e Vjosa Osmanit që i ftoi në takime të ndara konsultative partitë politike parlamentare të opozitës.
Sinqerisht nuk e kuptova veprimin e Osmanit: tashmë ekziston një aktgjykim i Kushtetueses që detyrimin e marrjes me negociata e lë në duar të Qeverisë e jo të kryetares së shtetit. E projektstatuti i Asociacionit është pjesë e procesit negociator në të cilin ajo nuk ka qenë e përfshirë.
Nuk e kuptova as arsyen e takimeve të ndara me liderët e opozitës. Po qe se njëmend ka dashur ta unifikojë spektrin politik, atëherë është dashur t’i ftonte që të gjithë në një takim të mbyllur e ta shpjegonte qëndrimin dhe vizionin e saj se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën në këtë drejtim.
Kështu e ftoi PDK-në, e cila e refuzoi ftesën, duke e akuzuar atë si figurë përçarëse, pra jo unifikuese. Osmani dikur kishte qenë më e zëshmja për ta akuzuar Thaçin si përçarës, pra jo unifikues. Dihet mirëfilli se Thaçi u bë kryetar pasi u tërhoq nga kryesimi i PDK-së. E tash duket se kësaj partie iu dha rasti t’ia kthente “favorin” Osmanit me të njëjtat akuza. Kështu, Memli Krasniqi nuk i shkoi në takim.
Vjosa Osmani më pas e ftoi Lumir Abdixhikun, ish-kolegun partiak, para se ajo të përjashtohej nga LDK-ja dhe para se ta formonte grupin e saj politik, Guxo. Do të kujtojmë se Abdixhiku shërbeu si një lloj lehtësuesi për zgjedhjen e Osmanit kryetare të shtetit, pra një raport korrekt komunikimi ka mbetur i hapur mes tyre. Takimi u mbajt, prej aty doli një foto dhe një deklaratë e përgjithësuar.
I fundit u ftua Ramush Haradinaj, dhe ky takim nuk u mbajt, për shkak se Osmani nuk iu përmbajt orarit të takimit. Haradinaj në mënyrë demonstrative u largua dhe nuk kishte faj. Asnjë arsyetim protokollar nuk e arsyeton vonesën e atij që e cakton takimin. Nëse ekipi i Osmanit nuk e ka kalkuluar mirë kohën e takimeve, Haradinaj nuk ka asnjë arsye ta presë as kryetaren e shtetit. Sepse duhet kuptuar se të gjithë e kanë kohën e vlefshme, pavarësisht se çfarë posti mbajnë.
Pra, do të mund të thuhej se ky qe një rund i dështuar takimesh që nuk e di se nga do të duhej të shpinin. Dhe këto vijat paralele të komunikimit të cilat po krijohen nuk është se kanë ndonjë kuptim, për shkak se këtu absolutisht nuk mund të ketë kurrfarë bashkërendimi.
Nëse ideja është që të rikrijohet një grup uniteti, kjo nuk duhet të jetë forma më e përshtatshme, dhe Osmani do të duhej të kishte kujdes e të mos përzihej (që nuk do të thotë se nuk duhet konsultuar) aty ku nuk e ka vendin, gjithnjë sipas aktgjykimit të Kushtetueses.
Kosovës nuk i interesojnë protagonizmat e askujt. I interesojnë zgjidhjet për problemet jetike me të cilat ballafaqohet. Përfshirë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
* * *
Po futemi në javën e gjatë të pushimeve të fundvitit – dhe ani pse ditë pushimi është zyrtarisht e hëna, e gjithë java do të na shkojë nëpër kremte të festave të fundvitit në të cilat do të tregojmë se “sa të suksesshëm ishim më 2023”.
Ata që njëmend u treguan të suksesshëm më 2023 qenë policët e Kosovës. Për ta nuk do të duhej të kishte kremte të festave të fundvitit. Kurrë nuk i dihet veriut.