OpEd

Vendi që lëngon për rend e zbatim ligji

Ajo që nuk është e qartë se përse një shqiptar i Kosovës, me vetëdije, zgjedh ta mohojë shtetësinë e Kosovës që na kushtoi aq shumë mund e viktima për ta realizuar. Të marrësh pasaportë të Serbisë, në të cilën vendbanimi të paraqitet Beograd, Nish, Valevë, Kralevë e shteti Serbi, nuk e besoj se do t’ia vriste kujt veshin fort. Por ta marrësh një letërnjoftim a pasaportë, në të cilën shkruan “Pec”, “Djakovica”, “Prizren”, “Gnjilane”, etj. dhe në fund shteti “Srbija”, është pranim, me dokument e me vulë, të preambulës së Kushtetutës së Serbisë – se Kosova është pjesë e saj dhe se qytetet tona janë në fakt qytete të Serbisë

“Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe së brendshme, nga thyerjet e ashtit të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël. Këputje parciale të palcës së trurit në qafë. Të akuzuarit Dardan Krivaqa, për veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i shqipton dënim me burgim të përjetshëm.”

Pa asnjë dyshim të vetëm, ky ishte lajmi i javës.

Vrasja brutale e mizore e një 18-vjeçareje mori epilogun në shkallën e parë, në Gjykatën Themelore të Ferizajt, me dënimin maksimal për kryerësin dhe me 15 vjet burgim për shokun e tij. Gjykata nuk ia doli të dëshmonte se Marigona Osmani kishte qenë edhe viktimë e dhunimit.

Por përshkrimi i shkaqeve që ia sollën vdekjen, është më se rrëqethës. Flet për një mentalitet të rrënjosur thellë që përkufizon jetën e një gruaje si me më pak vlerë. E përkufizon gruan si një objekt, ndaj të cilit mund të shfryhen krejt epshet, komplekset e obsesionet, e ndaj së cilës shfryrje i del përballë heshtja.

Nuk e kam as dilemën më të vogël se po të mos ishte i gjithë presioni qytetar, që rasti i Marigonës të trajtohej si duhet në të gjitha fazat, që nga arrestimi e deri tek aktgjykimi, mbase edhe ky rast do të kalonte sikur të mos ishte. Sepse mentaliteti primitiv që dominon këtu nuk e pranon ekzistencën e dhunës gjinore. Sepse, sipas tij, gratë nuk kanë as zë, as mendje, as asnjë gjë dhe se të gjithë jetën duhen nënshtruar ndaj atyre që flasin e veprojnë në emër të tyre.

Të shohim se çfarë do të vendosë shkalla e dytë, e më pas edhe Supremja e besa edhe Kushtetuesja. Është një copë rrugë drejt marrjes së një vendimi përfundimtar: dhe nëse drejtësia ashtu vendos, të një dënimi ekzemplar – se krimi bishor nuk kalon pa ndëshkuar.

* * *

I dyti vendim i një gjykate doli para disa ditësh nga Gjykata Komerciale në lidhje me certifikatën e biznesit të “Klan Kosovës”, që fillimisht u pezullua, e ndaj të cilit pezullim u ushtrua ankesë, e cila u refuzua.

Ndërmarrja e Ministrisë së Tregtisë... e nisur para një muaji e ca, u nis mbrapsht. Pa hyrë fare në arsyetimin juridik të vendimit në lidhje me Klanin, fakti se të parës firmë që iu pezullua regjistrimi ishte pikërisht i një mediumi, ishte ftesë e drejtpërdrejtë për ta akuzuar pushtetin se e lufton fjalën e lirë.

Pra gabimin në hapa qartazi do ta dëshmojë edhe rrjedha e ngjarjeve brenda në Ministri. Do të kalonin edhe disa javë dhe deri atëherë nuk do të kuptonim se raste të regjistrimit sikur ky i Klanit, kishte edhe së paku 48, nga kontrollimi i 600 firmave të ndryshme. Situata do të ishte me siguri krejt më ndryshe nëse në çastin kur janë ngritur dyshimet për regjistrimin e firmave me dokumente që e mohojnë shtetësinë e Kosovës, iu ishte hyrë të gjitha dokumenteve të të gjitha firmave (që më duket janë 150 mijë), e që do ta jepnin një pasqyrë shumë të qartë se sa të tillë i kanë shfrytëzuar dokumentet personale që e mohojnë shtetësinë e Kosovës për të regjistruar firma afariste.

Lista e konsoliduar do t’i jepte Ministrisë mundësinë që pa asnjë hamendje a motivim ta merrte një vendim të përgjithshëm për pezullimin e regjistrimeve të të gjithëve, duke ua dhënë afatin prej 30 ditësh për përmirësimin e, qysh i quajtën, “gabimeve teknike”.

Kështu, nuk do të kishte selektivitet në veprime dhe do të dëshmohej se veprimi i Ministrisë është parimor dhe se të gjithë të implikuarit i trajton njësoj.

Me një muaj e gjysmë vonesë, selektiviteti u zhbë në çastin kur MTS-së (Telefonia mobile e Serbisë) iu hoq licenca e biznesit, ngase njëri nga udhëheqësit e ka përdorur dokumentin personal, në të cilin shkruan Kosovska Mitrovica, Srbija.

* * *

Nuk është asnjë befasi që serbi i Mitrovicës të bartë një dokument ku qyteti i tij i lindjes identifikohet si pjesë e Serbisë. Për shkak se deri në vitin e shkuar, të gjithë serbët në veri kanë pasur targa regjistrimi KM me stemën e Serbisë në të. Do të kujtojmë se për serbët e veriut, apo së paku për ata që flasin në emër të tyre nëpër protesta e institucione, shteti i tyre i vetëm është Serbia dhe kryetari i tyre është Aleksandar Vuçiq.

Pra, një legat me të cilin shoqëria e Kosovës përballet që nga fundi i luftës dhe e cila situatë nuk ka arritur të ndryshojë as pas 12 vjetësh negociata të kota në Bruksel – për shkak se hapat e “integrimit” të serbëve janë më shumë formë sesa përmbajtje. E edhe për shkak të asaj që Augustini e përmendi në kolumnen e tij të fundit: të ambiguitetit destruktiv – sepse krejt çka arrihet në letër a me fjalë, merr interpretim krejtësisht të kundërt nga palët.

Pra kjo e para është e qartë.

Ajo që nuk është e qartë se përse një shqiptar i Kosovës, me vetëdije, zgjedh ta mohojë shtetësinë e Kosovës që na kushtoi aq shumë mund e viktima për ta realizuar.

Të marrësh pasaportë të Serbisë, në të cilën vendbanimi të paraqitet Beograd, Nish, Valevë, Kralevë e shteti Serbi, nuk e besoj se do t’ia vriste kujt veshin fort. Por ta marrësh një letërnjoftim a pasaportë, në të cilën shkruan “Pec”, “Djakovica”, “Prizren”, “Gnjilane”, etj. dhe në fund shteti “Srbija”, është pranim, me dokument e me vulë, të preambulës së Kushtetutës së Serbisë – se Kosova është pjesë e saj dhe se qytetet tona janë në fakt qytete të Serbisë.

Nuk e di nëse nxjerrja dhe përdorimi i një dokumenti të tillë paraqet vepër penale. Nuk e besoj. Porse përfundimisht është veprim me peshë shumë të madhe morale. E në këtë rast, moral nuk pati. E as turp nuk pati, meqë “gabimi teknik” u rishfaq së paku shtatë herë.

Se përse një kompani, që aktivitetin e parë e ka marketingun, regjistrohet në Maqedoni, e më pas regjistrohet si medium në Kosovë me po ato dokumente – është çështje të cilën do të duhej ta përcillte prej së afërmi edhe Administrata Tatimore e Kosovës. Po qe se dokumentet ku shkruan Pec, Srbija i japin status të investimit të huaj kësaj firme, edhe këtë do të duhej rishikuar mirë, për shkak të implikimeve të tjera fiskale që mund të shfaqeshin. E nëse ky status, në çfarëdo forme, ofron përparësi në tregun medial, kjo gjë e komplikon punën edhe më.

Por mbi të gjitha do të duhej sqaruar se kush, me lejen e kujt dhe pse i ka regjistruar këto firma me këto dokumente në ARBK. Shkelja e parë ka ndodhur këtu. Dhe nuk ka mundur të ndodhte vetvetiu. Gjasat janë se ka ndodhur në bazë të ndonjë akti nënligjor nga shumë vjet më parë. E nëse ky akt ekziston, përgjegjësia është e qartë. E edhe masat që duhen ndërmarrë.

* * *

Te rasti i “Klanit”, Gjykata e pezulloi ekzekutimin e vendimit dhe bëri mirë, duke i dhënë kohë Komisionit të Pavarur të Mediave të merret me veten. Ashtu siç do ta detyrojë të merret me veten edhe një vendim tjetër i Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e Blerim Devollit kundër BIRN-it.

KPM duhet të merret me veten e të kuptojë përbrenda se si është e mundur që i njëjti subjekt i licencuar, pra “Klani”, të ndërrojë pronësi katër herë, e që kjo të ndodhë pa pëlqimin e KPM-së. Ndërrimi i pronësisë pa leje është shkelje e kushteve të licencës dhe kjo ngre sanksione – përfshirë edhe pezullimin e saj. Dhe kjo nuk është çështje teknike, por çështje përmbajtjesore me shumë ndikim në tregun medial. Mbase ky do të jetë rasti në të cilin personi, i cili paraqitet pronar i mediumit në dokumentet e kontestuara, më në fund të dalë e të japë deklaratë në lidhje me të gjithë rastin.

Identifikimi i pronarëve të vërtetë të mediumeve në Kosovë, dhe jo vetëm i “Klanit”, do të jepte më shumë qartësi dhe do ta prishte monopolizimin e tregut, i cili ka shumë gjasa që të ketë ndodhur tashmë.

Te rasti i BIRN-it, KPM-ja kishte vendosur dy herë për të njëjtën çështje. Herën e parë nuk gjeti shkelje, kurse gjashtë ditë më vonë e kishte shpallur BIRN-in fajtor “për paraqitjen e pasaktësive dhe për përdorimin e gjuhës denigruese”. Kjo nuk shpjegohet ndryshe pos si dorëzim i KPM-së ndaj presionit.

Hulumtimi i BIRN-it kishte zbardhur skemën, mbi të cilën 6 kompani në pronësi të Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës, me dokumente të Malit të Zi, do të kishin përfituar nga tarifat nxitëse të Kosovës për prodhimin e energjisë nga dielli. Nuk i di implikimet financiare, por me siguri do të jenë të mëdha.

* * *

Ky vend lëngon për rend dhe sundim të ligjit. Për ligje nuk e di a na e kalon kush – plot ligje miratohen, pak zbatohen si duhet.

Ende sundon ligji i më të fortit, sepse të tillë e kemi strukturën shoqërore, të cilën vetë e kemi ushqyer e deformuar me vite.

Nuk e di a ka dietë që mund ta ndreqë.

[email protected]