Shumë zor do ta imagjinoja se edhe thuajse një çerekshekulli pas çlirimit, ne ende do të merreshim, siç po merremi me temat e njëjta – arsimi problematik, shëndetësia skandaloze, bujqësia e shpupluar, ekonomia e pavizion, me të vetmen perspektivë të qëndrueshme, 1 janarin e 2024-s
Pa dyshim lajmi më tronditës i javës qe vdekja e një gruaje 35 vjeç. “Faji” i saj i vetëm qe se ishte nisur ta nxirrte një dhëmb. Kishte zgjedhur një ordinancë gjinekologjike, në të cilën punonte një stomatolog dhe e cila i ishte licencuar një gruaje me shkollim të mesëm të kryer, e që me zanat është rrobaqepëse.
Ngjarja ndodhi në Malishevë. Gruaja vdiq në emergjencën e QKMF të Malishevës dhe u soll e pajetë në QKUK. Sipas mjekëve të cilët do të reagonin më ta dëgjuar lajmin, doli se vdekja e saj me gjithë gjasë u shkaktua nga i ashtuquajturi shok anafilaktik, që mund ta shkaktojë anestezioni. Protokolli e kërkon që secila ordinancë stomatologjike, dhe e besoj edhe ndonjë tjetër ku aplikohen anestezionet, duhet ta ketë të ashtuquajturën “antishok terapi”, pra adrenalinën. Gjithashtu, e kërkon që mjeku të dijë ta administrojë sasinë e duhur për t’ia shpëtuar jetën pacientit.
Në ordinancën gjinekologjike në Malishevë nuk kishte antishok terapi. Kishte fletore me udhëzime se si duhej trajtuar fëmijët, si për shembull kur e kanë fytin e skuqur, kanë vjellje apo diarre. Në fletore kishte udhëzime si të veprohet në rast të zjarrmisë dhe anginës së fytit e edhe çka të bëhet nëse shfaqet lija e ujit.
Nga ky episod tragjik, i burgosur mbaroi vëllai, dentisti, kurse motra, rrobaqepësja, shkoi në arrest shtëpiak.
Pra, për një rast ku, pos që vdes një paciente për shkak të neglizhencës profesionale, rrezikohet edhe popullata e re me instruksionet e tahminit, organet e ndjekjes e zgjedhin aplikimin e arrestit shtëpiak. Ky vend është i çudirave.
Rasti i kësaj ambulance në Malishevë do të duhej të ishe alarmi më i zhurmshëm që do të duhej t’i zgjonte institucionet që të veprojnë me shumë vendosmëri për mbylljen e të gjitha institucioneve private shëndetësore që nuk i plotësojnë kushtet elementare të punës.
Funksionimi i tyre nuk është gjë e re, dhe tërheq përvojën që nga paralufta: në kushtet kur mjekët tanë i kishin përjashtuar nga institucionet publike, ata kishin vendosur të vazhdonin me ofrimin e shërbimeve në hapësira që nuk i plotësonin kushtet. Shpesh më shumë u ngjasonin një shpajzi kuzhine sesa një ordinance. Por, para luftës dhe gjatë saj, pos ambulancave të ‘Nënës Terezë”, nuk është se kishim shumë zgjidhje kur të shkonim. Prandaj i mbyllnim sytë edhe ndaj “klinikave” të vendosura nëpër bodrume e lokale plot lagështi.
Por lufta ka shumë vjet që ka përfunduar, ndërkohë që ne vazhdojmë të kemi një mori “klinikash” nëpër të gjitha pjesët e Kosovës, ku shërbime mund të të ofrojnë rrobaqepëse apo edhe teknikë të ndërtimtarisë, se fundja, licencimi i tyre, sikurse edhe i farmacive, bëhet në bazë të diplomave e dokumenteve të njerëzve që “i shesin letrat” në këmbim për para a përqindje.
Ministria e Shëndetësisë nuk e ka shkopin magjik për ta zgjidhur problemin. Nuk e ka se funksionon me 10 a 13 inspektorë shëndetësorë për kushedi sa klinika të licencuara gjithandej. Po edhe krah të kishin këta nuk do të kishin mundur t’i vizitonin krejt ordinancat e klinikat, e lërë më të bëjnë inspektim të mirëfilltë.
E numri i tyre ka qenë i tillë qe 20 e kusur vjet. E nuk është dashur të kishte qenë as atëherë, e nuk duhet të jetë as këtë herë. MSH-ja është shumë vonë me angazhimin e inspektorëve të rinj, ashtu siç është vonë me marrjen e një vendimi të prerë – që mjekët të zgjedhin nëse do të punojnë vetëm në institucione publike apo vetëm në ato private. Do të ishte shumë më e drejtë dhe do ta kufizonte shumë mundësinë e aplikimit për licenca vetëm sa për formë, ashtu që dikujt që nuk e di se çka është Betimi i Hipokratit, t’ia mundësojë ushtrimin e zejes së mjekut.
* * *
Por çudirat nuk ndalen këtu.
Ministria e Arsimit doli me një vendim skandaloz, më shumë për shkak të vonesës, sesa të përmbajtjes. Ministrja Nagavci doli e na tregoi se dikasteri i saj nuk do t’i blinte librat sivjet, dhe se këtë përgjegjësi do ta bartte te prindërit. Këtë obligim do ta mbulonte me subvencione, me kusht që prindërit të regjistroheshin në platformën e-Kosova.
Të rezervuar dolën drejtorët e drejtorive të Arsimit të komunave, që thanë se fillimi i vitit shkollor do të vononte për këtë shkak. Na treguan edhe një shënim shokues: se së paku 7 komuna në Kosovë nuk kanë librari ku do të mund të shiteshin libra dhe material shkollor.
Pra, Kosova ka 27 komuna me shumicë shqiptare, 1 me shumicë turke dhe 10 me shumicë serbe. E supozoj se komunat me shumicë serbe i kanë libraritë, për shkak se shteti i Serbisë është i interesuar t’i shesë, apo edhe t’i falë tekstet e veta mësimore, si dhe literaturën e bollshme që e prodhon për çdo vit, me përmbajtje super propagandistike, dhe që edhe kështu ta mbajë gjallë mitin për Kosovën serbe.
E ne mund të bëjmë be se nuk kemi librari as në kryeqendrat e të gjitha komunave ku flitet shqipja. Pra, jo vetëm për libra shkollorë, por për libra. Pikë.
Nëse shifra e ofruar nga DKA-të është e vërtetë, edhe pse unë besoj se numri i komunave pa librari është më i madh, kjo tregon se në çfarë hendeku ka rënë niveli i lexueshmërisë në Kosovë.
Nuk kalon ditë, muaj a vit ku nuk flitet për analfabetizmin funksional të popullatës sonë të pasionuar pas rrjeteve sociale. E këto rrjete e forcojnë edhe më tej, nëse ende ka hapësirë, këtë analfabetizëm dhe e kultivojnë pamundësinë që të shkruhet pa telashe dhe mbi të gjitha, të kuptohet ajo çfarë po lexohet.
Por t’i kthehemi vendimit të MASHTI-t, që vjen 2 javë para nisjes së vitit shkollor. Gjatë gjithë verës, dilnin deklaratat se librat do të ishin gati me kohë. A të spastruara nga gabimet trashanike në to apo jo, nuk e di. Por, deklarata e përsëritur ka qenë se librat do të ishin gati më 31 korrik.
Erdhi thuajse fundi i muajit gusht, dhe aty morëm vesh se librat janë gati, porse Ministria nuk do t’i blinte e as t’i shpërndante. Në vend të kësaj, do t’ia subvenciononte nga 80 euro secilit fëmijë të klasave 1-5 dhe nga 30 euro të atyre të klasave 6-9.
Një nga argumentet që përsëritej nga zyrtarët qe se ofertat e shtëpive botuese ishin tejet të larta dhe se librat që do të duhej t’i blinte Ministria kishin çmim disafish më të lartë sesa po të bliheshin me pakicë nëpër librari. Dhe, sinqerisht, nëse është kështu, kjo shkon absolutisht kundër logjikës normale, por edhe logjikës së ekonomisë së tregut. Aty supozohet se çmimi me shumicë është përherë më i ulët sa ai me pakicë.
Sidoqoftë, po del se sivjet do të shpenzohen rreth 13 milionë euro për libra dhe fletore e të ngjashme, po qe se llogarisim se secili brez numëron rreth 25 mijë fëmijë. Nuk e di se cili do të dalë kursimi në fund, nëse do të ketë kursim. Por esenca është që në këtë situatë, ky ka qenë çasti ideal që të kalohet në versionet elektronike të librave dhe që një pjesë e këtyre parave të orientohej në ndërtimin e platformës së arsimit interaktiv dhe për blerjen e tabletëve.
Kosova ka shtrirje shumë të gjerë të internetit dhe intervenimi i shtetit do të duhej të shihej në sigurimin e internetit në secilën shkollë të Kosovës. Dhe përderisa Qeveria është aksionari i vetëm i Telekomit të Kosovës, do të duhej ta forconte këtë institucion që ta shpërndante rrjetin në të gjithë Kosovën dhe kështu të shmangte çmime të fryra nga ofruesit privatë të internetit që operojnë në Kosovë. Edhe po të duhej investuar disa vjet mjetet e dedikuara për blerjen e librave, investimi do të shpaguhej shpejt. Për më tepër, do të përfundonte me kursimin e letrës, dhe, çka është më e rëndësishmja, me mos-hedhjen e librave të bërllok pas secilit vit shkollor. E letra te ne nuk riciklohet, sepse askujt nuk i ka shkuar në mendje kjo punë që nga fundi i luftës.
Digjitalizimi e ka mbytur letrën, dhe KOHA e vuan këtë më së shumti me ndërprerjen e botimit të gazetës së shtypur. Porse njëkohësisht ka ofruar mundësinë që të bëjë korrigjime të menjëhershme dhe jo fort të kushtueshme në rastet kur mund të ikin gabimet përmbajtjesore, sikur na ndodhin tash në librat shkollorë që shtypen. Dhe mbi të gjitha, do të kursente shumë kohë – shtypi dhe formimi i librit është proces jo i lehtë dhe merr kohë.
* * *
Shumë zor do ta imagjinoja se edhe thuajse një çerekshekulli pas çlirimit, ne ende do të merreshim, siç po merremi, me temat e njëjta – arsimi problematik, shëndetësia skandaloze, bujqësia e shpupluar, ekonomia e pavizion, me të vetmen perspektivë të qëndrueshme, 1 janari i 2024-s.
Nuk do ta besoja se do të detyrohesha t’i dëgjoja deklaratat pa lidhje të politikanëve tanë që derisa janë në pushtet nuk pranojnë faj, e kur janë në opozitë hedhin faj të pushteti për gabimet e keqpërdorimet që i kanë bërë derisa kanë qenë në pushtet. Më janë bërë si ringishpill.
Thuajse kurrgjë nuk ka ndryshuar. Pos formës së paraqitjes së mendimeve politike: s’ka më konferenca “bajate” për shtyp. Tash ka video dhe podkaste “taze” në rrjete sociale.
Qysh kanë nisur, do t’i lënë kameramanët dhe tonistët pa punë.