Dita e zisë si shenjë proteste mbase edhe ka ndonjë efekt. Porse dita e zisë nuk e zgjidh problemin strukturor që e ka Kosova, e që lidhet për mendësinë primitive, sistemin arsimor të dobët dhe me një sistem gjyqësor krejtësisht të padrejtë dhe të pandjeshëm ndaj rasteve të dhunës në familje. Mendësia primitive që e sheh gruan objekt dhe e trajton si pronë është gjë e cila nis në familje, vazhdon në shkollë e kulmon në shoqëri
Dje u shënua përvjetori i 11-të i nënshkrimit të marrëveshjes “historike” të Brukselit, ku Hashim Thaçi e futi rrafshin e tretë të pushtetit në Kosovë, pa e pyetur kë, as pa e konsultuar Kuvendin e Kosovës.
Për më tepër, arkiva e ruajtur nga ajo kohë do të na e kujtojë presionin që ua bëri deputetëve që ta ratifikonin marrëveshjen që na i ka lidhur këmbët që sa vjet, pa ndonjë rrugëdalje të qartë përpara.
“Zajednica” e ka burimin në këtë dokument, i cili u zgjerua më tej me marrëveshjen e dytë të 2015-s, nënshkruar nga Isa Mustafa, e cila u shpall kundërkushtetuese në 23 pika të saj, por e cila nuk e shpalli edhe “Zajednicën” kundërkushtetuese. Kjo, ngase marrëveshja e dytë u konsiderua derivat i së parës. Pra, jo marrëveshje më vete që do të jepte bazë për prishjen e një diçkaje që Kosova me deputetët e saj, i dhanë fuqi të një traktati ndërkombëtar.
Reagimet e opozitës së tashme në përpjekje për t’ia veshur krijimin e AKS-së pushtetit të tanishëm nuk janë tjetër pos një përpjekje për shpëlarje të një diçkaje që as oqeani nuk mund ta lajë. Gabimi u bë, madje me nismë të vetë Kosovës, para 11 vjetësh. Dhe krejt çfarë ka ndodhur prej atëherë e tash, është vuajtja e pasojave të një veprimi të gabuar politik, të pamatur, të pakonsultuar dhe skajshmërisht të dëmshëm.
* * *
Dhe detyrimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është bërë “mëlmesa” pa të cilën nuk bën secili hap politik që merret në vend apo në arenën ndërkombëtare. E fundit qe përpjekja për kontrabandimin e “Zajednicës” te votimi i Asamblesë parlamentare të KiE, ku vendosej nëse do të përkrahej raporti i Dora Bakoyannisit në lidhje me anëtarësimin eventual të Kosovës në këtë trup.
Mbresëlënës qe votimi i parlamentarëve: 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.
Për lëvdatë do të jetë angazhimi i zëvendësministrit të Jashtëm, Ahmeti dhe stafit përkrahës diplomatik, si dhe angazhimi i deputetëve kosovarë që disa herë shkuan në Strasbourg për të lobuar për këtë çështje. Natyrisht nuk duhet harruar përkrahjen e shteteve mike dhe ndikimin që mund ta kenë te këshilli ministror që do të vendosë për anëtarësimin e Kosovës nga mesi i majit. Po qe se Kosova anëtarësohet, ky do të jetë hap shumë i madh përpara dhe një arritje diplomatike në mesin e shterpësisë së njohjeve që nuk ndodhin ka më shumë se tre vjet.
Për Kosovën, edhe vota në Asamblenë Parlamentare shënon mbase një nga fitoret më të mëdha karshi Serbisë, e cila përdor gjithë arsenalin e saj shtetëror e diplomatik për ta penguar anëtarësimin e Kosovës kudo. Fushata e Serbisë për çnjohjet nuk u ndal kurrë, ashtu siç nuk u ndal edhe koordinimi dhe bashkëveprimi me Rusinë, e cila nëpërmjet Serbisë, e do hisen e vet të ndikimit në Ballkan. Natyrisht, në shpinë të Kosovës.
Mbase fjala kyç, po qe se anëtarësimi ndodh, është se Kosova do të hyjë në KiE si “shtet” e jo si “vend”.
* * *
E vend i çoroditur ku shteti dështon t’u ofrojë mbrojtje të barabartë qytetarëve të vet është Kosova e shekullit 21.
Vetëm katër ditë pasi ndodhi vrasja e një gruaje në Ferizaj, në Pejë ndodhi vrasja e një gruaje tjetër. Edhe kjo vdiq si pasojë e plumbit në kokë. Edhe kjo qe viktimë e partnerit/bashkëshortit/ish-bashkëshortit - cilido që të jetë epiteti, pra e personit me të cilin kishte ndarë jetën dhe me të cilin kishte pasur madje tre fëmijë.
Te rasti i Ferizajt, burri vrasës kishte pasur të kaluar kriminale. Te rasti i Pejës, burri vrasës, më 2022, ishte shpallur fajtor për veprën penale ‘dhuna në familje’ nga neni 248 par. 1 i KPRK-së. I është shqiptuar dënimi me gjobë prej njëqind (100) eurosh si dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) muajsh. Dënimi me burg, me kërkesën e tij u zëvendësua me dënim me gjobë, në shumë prej treqind (300) eurosh. Meqë ndaj aktgjykimit nuk u ushtrua ankesa, vendimi mori formën e prerë. Brenda tre muajsh nga plotfuqishmëria e vendimit gjyqësor, tash burri vrasës i pagoi 400 euro dhe u la në liri.
Te të dy të arrestuarit u gjendën armë pa leje. Armët mbase edhe janë huazuar, por nëse i kanë blerë, më thonë se një armë “më e thjeshtë” (nuk e di çfarë domethënie ka kjo ‘thjeshtësi’) mund të merret me 500 euro. Janë para shumë të mëdha për njerëz që nuk punojnë. Kah paratë? Kah armët? Dhe, pse armët?
Vrasja e dytë brenda pak ditësh shtyu kryetaren Osmani që ta shpallte të mërkurën ditë zie në Kosovë. Si shenjë proteste mbase edhe ka ndonjë efekt. Porse dita e zisë nuk e zgjidh problemin strukturor që e ka Kosova, e që lidhet për mendësinë primitive, sistemin arsimor të dobët dhe me një sistem gjyqësor krejtësisht të padrejtë dhe të pandjeshëm ndaj rasteve të dhunës në familje.
Mendësia primitive që e sheh gruan objekt dhe e trajton si pronë është gjë e cila nis në familje, vazhdon në shkollë e kulmon në shoqëri. Mjafton vetëm të lexohen disa prej mijëra komenteve nëpër rrjete sociale, për ta kuptuar thelbin e kësaj mendësie (pa ndërhyrje gjuhësore dhe me shmangie te porosive vulgare që janë super të gërditshme):
“Grat jane lazdrua teper, nji demokraci e tepert pa nji arsye te madhe nuk e vret burri gruan”;
“Nje grua e sinqert e dashur kurr nuk vritet, por dashurit e interesit vijne deri tek tragjedit – vrasjet, e rëndë, tek femra ka dashuri për aqë sa ka interes, ne momentin qe nuk pret nga ju me shume fillojne trathtit, dhe lind konflikti dhe vije deri te ndarja, vrasja... ‘femra i ka mete e lehta’ thonin hert pleqet!;
“Kerkush pa kurgjo nuk e veret kërkon me hup veten aty kume dit qa esht puna kerkush sedim faji esht jetim niher per niher”;
“Tybe diqka ka se svret kush pej qefi po jon qu pesh teper grat e sotit”;
“Veç Sheriati e mbrone femren siq e meriton!”
* * *
Të nesërmen Peja protestoi. Një nga pankartat që mbanin protestueset më la shumë përshtypje: “Vdeksha pa m’vra”.
Porosi më të fuqishme nuk kisha lexuar moti.
Pa dyshim se vrasja mund të jetë aksidentale apo mund të ndodhë edhe në luftë, porse kjo porosi u dedikohej të gjithë atyre që janë në gjendje të ngrenë dorën ndaj atyre me të cilat kanë vendosur të jetojnë së bashku.
Do të më thonë se nuk është praktikë vetëm te ne, porse kjo praktikë që ndodh të ne dhemb më shumë: fejesa të lidhura në lindje të vajzës; martesa të kurdisura; “dhënia” e vajzave te “shtëpitë e mira”, “grabitjet” e të miturave, etj.
Natyrisht, nuk ka dyshim se shumë lidhje martesore lindin nga dashuria. Por, ashtu siç lind dashuria, edhe mund të shuhet. Dhe kur shuhet, është e pakuptimtë që ajo të mbahet me zor. Prandaj edhe ekziston institucioni i shkurorëzimit apo edhe i ndarjes aty ku nuk ka kurorë.
E përpjekja e “ruajtjes” së një diçkaje që po shuhet me zor, shpesh shpie nga dhuna, verbale apo edhe fizike. Që të dyja të dënueshme, ku në të shumtën, viktimat janë gratë. Të cilat, kryesisht, nuk hasin në përkrahje institucionale kur marrin guximin t’i paraqesin rastet. Nuk gëzojnë mbrojtje institucionale, ngase dhunuesit marrin dënime simbolike, kryesisht gjoba, nga gjykatat.
* * *
Si të sigurohet mbrojtja e grave në rrezik?
Një mënyrë do të ishte krijimi i njësiteve speciale brenda policisë, i formuar kryesisht me oficere të trajnuara edhe për të ndërhyrë por edhe për të dëshmuar empati ndaj viktimave. Këto do të përkraheshin nga oficerë profesionistë që nuk veprojnë si burra, por si policë që e luftojnë të keqen.
Prokuroria gjithashtu do të duhej të kishte prokurore a prokurorë të trajnuar dhe të ndejshme/ndjeshëm ndaj rasteve të dhunës gjinore në veçanti. Do të duheshin proceduar rastet shpejt.
E për gjykatësit – duket se do të duhej aplikuar magji për t’ua ndërruar mendjen që t’i marrin rastet e dhunës në familje, dhunës mbi baza gjinore e të dhunimeve, me seriozitet shumë më të madh sesa ndodhë tash.
Ky brez i gjykatësve ka rënë në provim sa u përket këtyre rasteve. Dhe nuk e kanë kuptuar ende se sa dëm janë duke i shkaktuar kësaj shoqërie, e në veçanti grave.
Amnistimi i dhunuesve sjell vetëm më shumë dhunë dhe mosndëshkim.