Kosova është rrethuar nga të katër anët prej viruseve të panumërt që i kanë hyrë kaherë fort thellë në palcë. Jo biologjikë, që vijnë e shkojnë me kurat e duhura. Por që shpërfaqen në akëcilin aspekt të përditshmërisë. E që e kanë lënë me një simptomë të stërzgjatur të humbjes së çdo kuptimi
Viruset gjithmonë e kanë aftësinë të ndryshojnë trajtë. Prej një varianti kalojnë në tjetrin. Në atë të pandemisë COVID-19, trajtat e ndryshimit u mishëruan me emrat Delta, Delta Plus dhe së fundi Omicron. Secili i ri u ndërthur me paraprakun e ngriti pikëpyetje për të ardhmin.
Në gjithë dy e më shumë vjetët e pandemisë mbretëroi një pritje e ethshme se çfarë varianti tjetër do të shfaqet dhe ku. Megjithëkëtë, bota disi ia doli të mësojë sesi të bashkëjetojë me një virus plot të papritura. Iu përshtat ndryshimeve të tij. Herë duke zbatuar e liruar masa, herë duke i detyruar e hequr maskat. E herë-herë duke i mbyllur e hapur kufijtë.
Kohë çudirash, s’do mend.
Përjashtim në këtë mes nuk përbën as Kosova. Si çdo vend tjetër, e ndoqi avazin e shtrëngim-lirimit të masave... I zbatoi-hoqi ato varësisht prej nevojës. Por jo gjithherë të shëndetit. Më shpesh të biznesit, pra, parasë.
Pavarësisht kësaj, ani se fillimisht shënoi shifra të frikshme pandemike, së fundmi u rendit në mesin e vendeve me më së paku të infektuar e të vdekur. Krejt falë vaksinave. Edhe pse ishte prej vendeve të fundit në glob që i siguroi, tash numëron bilanc të kënaqshëm të të vaksinuarish, madje edhe me të tretën dozë që rishtas filloi ta administrojë. Kësisoj, edhe ia doli që ta menaxhojë disi situatën e krijuar nga pandemia.
Porse krejt këto e përbëjnë veç anën e ndritur të medaljes. Gjithmonë ka edhe një anë të errët. Në rastin e Kosovës, të ngërthyer me viruset e numërt që i kanë hyrë kaherë fort thellë në palcë. Jo biologjikë, që vijnë e shkojnë me kurat e duhura. Por që shpërfaqen në akëcilin aspekt të përditshmërisë.
* * *
Funddhjetori e gjeti vendin me një “pandemi” tjetërfare. Të virusit të territ. Që i riktheu reduktimet e rrymës në shekullin 21, 20 e sa vjet pas luftës. Arsyeja u tha të ishte mbingarkesa e sistemit energjetik. Për ta shmangur atë, të mëdhenjtë e shtetit dolën me këshilla për qytetarët që ta kursenin rrymë. Të mos e përdornin për ngrohje... Del se “vaksinat” e propozuara të Qeverisë kundër virusit të territ nuk ishin kura e duhur.
Ama këshillat “gjeniale” të Qeverisë ndihmuan paksa në aspektin e ngrohjes. Duke gjeneruar shamatë e të qeshura falë kreativitetit të shprehur nëpër rrjete sociale për solucionet e propozuara të saj. Komentet e fotografitë e kryeministrit të mbuluar me batanije nëpër ngjarje në ambiente të hapura e në intervista televizive e shpërqendruan të paktën për pak minuta vëmendjen e njerëzve prej të ftohtit nëpër banesat e ndriçuara me qirinj.
Mjerisht, qirinjtë sivjet nuk u ndezën vetëm brenda katër mureve shtëpish për ndriçim. U ndezën në shumë vende për kujtim të jo pak grave që vdekjen gjetën prej më të dashurve të tyre.
Rasti i mesgushtit i vrasjes së një të reje nga Ferizaj u kishte rënë kambanave të alarmit për dhunën në familje. Kishte nxitur protesta e thirrje për drejtësi. Por mungesa e saj, sikurse në panumër raste të ngjashme, po i vret viktimat sërish në secilën ditë që gdhin pa dënim të vrasësit. Duke e përhapur një variant virusi që e gërryen dalëngadalë ndërgjegjen.
E kur sëmuret ndërgjegjja, shkon edhe fytyra. Atëherë, gjuha - siç e thotë populli - prej tuli, nxjerr gjithçfarë fjale.
“Ma hangsh”, “rrugaç”... bëhet një lloj standardi i të shprehurit bash aty ku s’do të duhej.
Në secilin prej këtyre rasteve ishin deputetët e politikanët, pra njerëzit e zgjedhur nga populli për popullin, ata që përdorën zhargon të këtillë sa herë që diçka a dikush nuk u shkoi për shtati. E kur dikush ua prish bash fort, përdorin edhe mjete të tjera. Gjuajnë këpucë e hedhin ujë fytyrës. Në Kuvend e komisione parlamentare. Krejt para syve të zgjedhësve. Atyre që përditë e më shumë çarën për hallet e shumta të tyre po e kërkojnë te rruga.
Rrugët e shesheve të Prishtinës edhe sivjet u bënë arenë e shpeshtë e shprehjes së pakënaqësive e kërkesave që po hasin në veshë të shurdhër. Në shpërfaqjen e variantit të ri të virusit që për simptomë ka humbjen e shqisës së të dëgjuarit. Edhe kundruall gumëzhimës së sukseseve që sivjet jehuan nga Tokio e Los Angelesi. Të artat olimpike të “çikave dukat” dhe suksesi i filmit “Zgjoi” që arriti të hyjë në listë të ngushtë për “Oscars” ishin “vaksinat” më se të nevojshme që e bënë zërin e Kosovës të dëgjohet në botë. Por, që s’i gjetën kurë shurdhësisë së vazhdueshme të vendit për nevojat e dergjet e saja.
* * *
Këtë fundvit, shumica e vendeve më të avancuara të botës prapë iu përshtatën bashkëjetesës me virusin. Nisën t’i kthejnë masat e mbrojtjes. Varianti Omicron, shumë më i përhapshëm se të tjerët para tij, po i kapërcen hovshëm kufijtë, shtet pas shteti. Në Kosovë s’ka se si të dihet sigurt a, si e kur ka mbërritur. Sikurse me variantet e tjera, përgjigja për këto pyetje kërkohet përherë jashtë vendit, në Gjermani.
Pritja e gjatë për kthimin e rezultateve nga mostrat e dyshuara të dërguara për analizë e krijon rrjedhshëm një lloj komoditeti të rremë. Se jemi të sigurt. Se Omicroni s’na ka prekur e se mund t’ia grahim me tonën. Me dasma, gjymysh e kush e di se çka tjetër. Tekefundit këtu sillet paraja.
Por që variantet e njëpasnjëshme, veç të tjerash po e infektojnë rëndë edhe arsimin, duket se s’ka fort rëndësi. Krijohet bindja se mosdijes së prodhuar mes brezave covidianë (pa fajin e tyre) dikur u gjendet vaksina.
Dikur është një koncept kohor, luksin e pritjes së të cilit vendi nuk e ka. Veçmas në kohë virusi. E aq më pak kur variantet e shumtë e kanë mbërthyer nga të katër anët. Për të dalë nga kthetrat e tyre i nevojitet një vaksinë e zhvilluar enkas për Kosovën. E takat as për këtë nuk ka. I është shfaqur simptoma e humbjes së çdo kuptimi.