Po, e dimë se 20 vjet keqqeverisje e kanë instaluar korrupsionin në këtë shoqëri. Porse përsëritja e përhershme e këtij fakti nuk do t’i eliminojë as krimin e as korrupsionin në këtë vend. Veprimet po
Nuk po e di cila është kjo valë e pandemisë që na ka kapluar, porse nuk është se kam dyshime se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e festave të fundvitit dhe lejes që iu dha udhëtarëve nga jashtë, më saktësisht, diasporës që të vinin në Kosovë edhe pa vërtetimin se i kanë marrë dy vaksinat.
Vetë fakti se shtrëngimi i masave u paracaktua të niste vetëm më 3 janar 2022, tregonte se, edhe njëherë, u vendos që njerëzit të vinin në Kosovë pa vërtetime vaksinash të marra për qëllimin e grumbullimit të më shumë mjeteve që diaspora i lë në Kosovë sa herë që vjen.
E lehtësimi i masave, përkatësisht mosinsistimi që të barten maskat, distanca, mosgrumbullimi në lokale dhe ahengje, natyrisht se u shfrytëzua nga të gjithë të tjerët që vendosën se virus më nuk ka, dhe se ai në fakt vazhdon të jetë një iluzion apo edhe një konspiracion që na servohet nga ajri hedhur nga aeroplanët etj.
Rezultati i gjithë kësaj është se më 3 janar 2022, në Kosovë ishin 540 raste aktive dhe vetëm 38 raste te reja me COVID, ndërkohë që Omicroni tashmë ishte duke qarkulluar në Kosovë. Pra, më 21 janar 2022, Kosova i ka 12.369 raste aktive dhe vetëm dje u regjistruan 2.943 raste. Me rastin që vdiq dje, janë regjistruar gjithsej 2.997 vdekje që nga fillimi i pandemisë. E edhe ky numër nuk dihet a është krejt i saktë.
* * *
Kjo situatë tregon për një gjë shumë të rëndësishme. Prej shtetit të fundit që ka nisur me vaksinimin, Kosova ka arritur ta vaksinojë thuajse gjysmën e të gjithë popullatës për më pak se 8 muaj. Dhe pa dyshim se meritat më të mëdha këtu i shkojnë ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e shtyu para lidhjen e kontratës me Pfizerin për të siguruar doza të mjaftueshme për vaksinimin e të gjithëve falas.
E tregon edhe një gjë të rëndësishme: se ne jemi popull që funksionon me hove dhe se nisim ta kërkojmë shpëtimin kur gjërat bëhen tepër të komplikuara dhe kur rreziku kanos me vrull. Kështu e patëm fazën e vaksinimit që u bë super masiv në gusht, pas shpërthimit të valës së Deltas që mbyti shumë njerëz. E njësoj e kemi edhe tash, pas përhapjes së shpejtë të Omicronit: prej rreth 2 mijë dozave që administroheshin mesatarisht në ditë, ky numër tash është mbi 5 mijë në disa ditët e fundit.
E gjitha kishte me qenë më e lehtë po qe se do të merreshin vaksinat me kohë.
Dje Qeveria miratoi masat e reja, që do të zgjasin dy javë dhe sipas të cilave kufizohet liria e lëvizjes nga ora 22:00 dhe lokalet mbyllen në orën 21:00. Natyrisht se ka plot të tillë që ankohen për këtë, porse fakti është se me gjithë lëvizjen e kufizuar deri tash, njerëzit megjithatë janë mbledhur nëpër lokale e ahengje private pa i respektuar masat. Pra edhe këto kanë qenë burime të valës që po e përjetojmë tash.
Ajo që befasoi tej mase qe insistimi i Ministrisë së Arsimit që shkollat të mbeteshin të hapura, edhe pse një numër i madh fëmijësh, të pavaksinuar për shkak të moshës, po preken nga virusi dhe po e përhapin tek të tjerët.
Arsyetimi i zëvendësministrit Pupovci se “Masa shtrënguese të tjera përveç respektimit të masave ekzistuese dhe vaksinimit nuk ka. Një masë radikale mund të jetë mbyllja e shkollave për një periudhë të caktuar, por nuk shohim që në këtë formë zgjidhet ndonjë problem, përveçqë dëmtohen fëmijët, sepse ata përsëri do të kthehen në shkollë pas dy javësh, tri javësh dhe ne për dy ose tri javë të tjera nuk do të mund të fusim masa të reja përveç distancës, maskave dhe ftesës për vaksinim”, është vështirë e qëndrueshme dhe e mbrojtshme, sepse fëmijët deri në moshën 12 vjeç nuk kanë leje vaksinimi ende, e fakti është se në Kosovë COVID-i i ka goditur edhe fëmijët parashkollorë.
Dhe sinqerisht, si pritet që një fëmijë parashkollor a fillorist të dijë si të ruhet, të mbajë distancë e të mbajë maskë? Mund të pritet, porse nuk është punë që bëhet.
Prandaj dyjavëshi i radhës, ku nuk po parashihet mbyllja e së paku çerdheve do ta qarkullojë virusin me të madhe te më të vegjlit.
Jam shumë e sigurt se ekspertët e fushës tashmë ua kanë shpjeguar udhëheqësve të dikasterit të arsimit se Omicroni përhapet shumë më shpejt dhe te shumë më shumë njerëz sesa Alpha e Delta, e në kohën e këtyre dy të varianteve, shkollat megjithatë u mbyllën.
* * *
Njëkohësisht me vlimin e valës së re të pandemisë, ka saktë tri javë që merremi me rrymën. Edhe neve na kaploi kriza energjetike. Një kohë patëm disa ditë reduktime, u hallakatëm krejt, për shkak se tashmë kishte lagje që mbeteshin pa rrymë shumë më gjatë sesa orët e paracaktuara; për shkak se secili kthim i rrymës, varësisht nga tensioni, prishi jo pak pajisje elektrike nëpër shtëpi dhe për shkak se, natyrisht, kriza na kapi kur nisi të bëhet shumë ftohtë.
U tha se rryma duhet kursyer, u dhanë këshilla se çfarë të bëhej, dhe natyrisht askush nuk e mori parasysh këshillën. Për më tepër, nisi një fushatë talljesh se çfarë pajisjesh nuk duhej përdorur po qe se dëgjohet këshilla e ministres. Më pas u tha nuk ka kursim, do të ketë reduktim, për të ardhur më në fund te “zgjidhja”: rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Qasja e zgjedhur nga Qeveria ishte e gabuar. Në një mbledhje doli për të thënë se përkrahte propozimin e ZRRE-së për kthimin e blloktarifës, si dhe rritjes së çmimit edhe për konsumin bazë e edhe për atë përtej blloktarifës. Të kujtojmë se blloktarifën e rekomanduan edhe OJQ-të, pra njëfarë përkrahje në parim ka ekzistuar edhe nga shoqëria civile.
Porse problemi ishte se askush nga ekzekutivi nuk e pa të udhës të dilte e të shpjegonte se përse ishte e domosdoshme ngritja e çmimit dhe pse duhej të paguhej importi prej buxhetit. Pra, një komunikim elementar me publikun, të cilit duhej shpjeguar situatën, para se çështja të bëhej e madhe dhe që rrëfimit origjinal t’i ngjiteshin edhe 700 bishta, që më nuk dihej se çka në të vërtetë nënkupton vendimi i ZRRE-së që do të hyjë në fuqi në shkurt.
Konferenca për shtyp u mbajt të nesërmen – dhe u dhanë ca shpjegime, që nuk e di nëse qenë bindëse. E shpjegimi ka mundur të ishte i thjeshtë, siç e sqaroi me një status në FB miku im Agron Demi:
“Ekzistojnë dy të vërteta, të cilat duhet t’i balancojë Qeveria e Kosovës:
- E vërteta e parë: Kosova i ka çmimet më të lira të energjisë në Evropë;
- E vërteta e dytë: Kosova e ka shkallën më të lartë të varfërisë energjetike, apo mbi 60% e ekonomive shtëpiake konsiderohet se bëjnë pjesë në 'varfëri energjetike', apo raste ku mbi 10% e të hyrave familjare shkojnë për pagesën e energjisë.
Tash, ligjet, si dhe rregullat e ZRRE-së thonë se çdo investim në sektorin e energjisë, shpenzimet e prodhimit e të importit duhet të reflektohen në fatura. E në anën tjetër, kjo rritje e çmimeve është e vërtetë që e rrit edhe varfërinë e konsumatorëve të energjisë.
Ne një situatë si kjo, nuk ka rrugëdalje tjetër përveç rritjes së çmimeve (ose të vazhdohet subvencionimi i kostos ashtu si ka ndodhur në forma të ndryshme deri tash). Por njëkohësisht, qysh tash Qeveria duhet të punojë intensivisht për ta ulur konsumin e energjisë përmes projekteve te efiçencës së energjisë”.
* * *
Saga e energjisë vazhdoi edhe në Kuvend në një seancë të thirrur nga opozita, me të cilën mëtohej miratimi i një rezolute (edhe një në vargun e rezolutave kot) me të cilën do të ndalohej rritja e çmimit të rrymës. Ndërkohë u zhvillua debati në të cilin u këmbyen akuza dhe kundërakuza, e që na lanë pas ca elemente, që të mos ishin tragjike, do të ishin komike. Kryeministri, për të argumentuar se e gjithë kjo që na ndodh është pasojë e keqqeverisjes 20-vjeçare, i përmendi ca bojlera e ca filtera dhe në fund tha se atë që e kishin bërë pushtetet e mëparshme keq për 20 vjet, ky nuk mund ta zgjidhte për dhjetë muaj.
Te kjo fjali e fundit edhe ka të drejtë, se askush nuk mund të bëjë mrekulli për disa muaj e madje edhe për disa vjet – porse është koha e fundit që ky diskurs të ndalet, sepse jemi lodhur duke e dëgjuar dhe as nuk na ndihmon e as nuk na e përmirëson jetesën.
Pra realiteti është ky që e kemi dhe tash duhet shikuar para, për të parë se si të na përmirësohen gjërat dhe çfarë janë ato të reja që kjo qeveri mund t’i sjellë. E ka edhe fuqinë e miratimit të ligjeve e edhe fuqinë e zbatimit të tyre në jo pak segmente. Porse deri tash, nuk është se ka treguar që po e di njëmend se çka po bën dhe nëse këtë që e ofron si zgjidhje është njëmend ajo që i duhet Kosovës për t’u bërë më e mirë.
Rasti i pandemisë tregon inkonsistencë veprimi dhe ndërmarrje masash që ndonjëherë edhe jo vetëm tingëllojnë, por edhe janë absurde.
Po, e dimë se 20 vjet keqqeverisje kanë instaluar korrupsionin në këtë shoqëri. Porse përsëritja e përhershme e këtij fakti nuk do t’i eliminojë as krimin e as korrupsionin në këtë vend. Veprimet po.