OpEd

V. Putin, ky forcues i identitetit evropian

Mund të mos ketë qenë dëshira e diktatorit kur e filloi këtë luftë të fundit në Ukrainë, por V. Putin është duke e bërë atë që nuk e kanë zgjidhur në debate akademikë, politikanë e diplomatë - dilemën gati tridhjetëvjeçare (që mbaj mend unë): ku përfundon Evropa?

1.

Ja edhe një shikim nga periferia jonë evropiane, kjo e Kosovës, për luftën në Ukrainë - dhe si çdo shikim nga periferia, me një dozë objektiviteti që sjell distanca e dozë më të theksuar thjeshtësimi (dhe gabueshmërie) nga mungesa e hollësisë së njohurive.

E në atë thjeshtësim ja premisa thelbësore e këtij shkrimi, se përderisa po i shkruaj këta rreshta në Ukrainë po zhvillohet lufta për përcaktimin e kufijve të Evropës. Agresioni rus në Ukrainë ka gjasa të mëdha që ta përfundojë atë të filluar më 2014, pra që kurdo të marrë fund politik kjo luftë, Ukraina të mos jetë me territorin me të cilin e ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga të gjitha shtetet, e në radhë të parë nga Rusia.

Ky rezultat, natyrisht, ka implikime të mëdha në rendin evropian, pra në kuptimin e legalizimit të agresionit dhe përdorimit të forcës mes shteteve evropiane. Por, ndoshta rezultati i cili sot është jo aq i vërejtshim, është se në këtë luftë mund të ndodhë që të vendosen kufijtë e Evropës, mes Evropës në të cilat shtetet nuk luftojnë kundër njëri- tjetrit dhe Rusisë, e cila ka sistem krejtësisht tjetër vlerash. Nga ky këndvështrim, ajo që po ndodh është përshpejtimi i identitetit evropian në pikën e vet më lindore, pra në Ukrainë dhe vetëpërjashtimi i një shteti prej këtij rendi, pra Rusisë.

Rrjedhimisht, vija ndarëse mes Ukrainës dhe Rusisë, cilado që të jetë, mund të jetë vija ndarëse mes Evropës së bashkuar dhe Euroazisë, term ky që ka peshën e totalitarizmit që nga shpikja nga George Orwell.

2.

Mund të mos ketë qenë dëshira e Putinit kur e filloi këtë luftë të fundit në Ukrainë, por V. Putin është duke e bërë atë që nuk e kanë zgjidhur në debate akademikë, politikanë e diplomatë - dilemën gati tridhjetëvjeçare (që i mbaj mend unë): ku përfundon Evropa? Pra, përderisa dihen tri anët e Evropës dhe kulturat e saj atlantike, baltike e mesdhetare, ku është kufiri lindor? V. Putin thotë se është Ukraina, shteti të cilin po mundohet me forcë ta bëjë zonë neutrale mes Evropës (që përfundon në Poloni, Sllovaki, Hungari) dhe Rusisë. Për më pak se një javë V. Putini homogjenizoi një komb evropian, ukrainasit, rreth idesë së përkatësisë dhe identitetit të tyre evropian.

Dhe ky prodhim i padëshiruar (apo i pamenduar) i Putinit nuk është i vetmi. Për më pak se shtatë ditë, agresioni i tij në Ukrainë ka ngjizur një identitet tërësie në politikë të jashtme e të sigurisë, të cilin BE-ja nuk e kishte përjetuar prej luftës së Kosovës, por tashmë shumë herë të tejkaluar. Nëse kalkulimi i Putinit ka qenë (sikur i Milosheviqit gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë) krijimi i ndarjeve të Perëndimit, po ndodh krejtësisht e kundërta. Politika e jashtme e BE-së për një javë ka kapërcyer prej imazhit të përgjumjes së J. Borellit në një aksion të unifikuar të sanksioneve, me një listë përshkallëzuese. Politika e sigurisë arriti një shkallë të pamenduar ndonjëherë: BE-ja është duke paguar për ndihmë në armatim që shtetet anëtare i japin Ukrainës si ndihmë.

Dhe Putini ka arritur që të krijojë kapërcime konceptuale në Gjermaninë e kancelarit Scholz, i cili jo vetëm që autorizoi ndihmë në armatim Ukrainës, por po ashtu ngriti shkallën e buxhetit për mbrojtje, për herë të parë, tej 2 për qind të BPV të dakorduar në NATO. Suedia e Finlanda, dy vende neutrale, jo vetëm se po e ndihmojnë Ukrainën me armatim, por sot janë më afër idesë së anëtarësimit në NATO se ç’kanë qenë ndonjëherë.

Kombet në BE janë më të forta në identitetin e tyre evropian e Ukraina u përcaktua për vetëm një rrugë të mundshme, pavarësinë si një komb i barabartë me të tjerët në BE, ashtu siç u përcaktua Kosova nën thundrën e Milosheviqit.

Evropa nuk është ajo që ishte para natës, kur Putini vendosi të hynte sërish në luftë në Ukrainë.

3.

Nëse është kështu, atëherë kemi të bëjmë me një proces i cili po e ndërton një identitet të ri të tërësisë evropiane, prej Portugalisë te kufiri ukrainas-rus, kudo që të përfundojë ai kufi. Ky proces identiteti po bëhet me shpejtësinë që po e dikton lufta dhe me thellësinë (në politikë të jashtme e të sigurisë) që po e dikton pala antagoniste, fuqia euroaziatike.

Dhe ky ndryshim duhet të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor, me konfliktet e papërfunduara në trekëndëshin Bosnjë-Hercegovinë-Serbi-Kosovë, ndeshet në të tri pikat me ndryshimin. Duke qenë në konflikt të papërfunduar ka mbetur jashtë tërësisë identitare. Duke mbetur peng i proceseve gjysmake (procesi i pas-Daytonit, dialogu i Brukselit Kosovë-Serbi) regjioni po ashtu mbetet jashtë rrjedhës së re dinamike evropiane dhe të thellësisë së saj. Një BE që brenda një jave arrin të vendosë sanksione të paprecedencë Rusisë dhe të marrë vendim që të paguajë për armatimin e Ukrainës është larg BE-së, e cila për dhjetë vjet është marrë edhe me formën e rrethrrotullimit të Mitrovicës së veriut, edhe me targat, edhe me çdo gjë që i është dukur relevante në atë moment. Dhe është BE-ja që në këtë përshkallëzim të egër të luftës në Ukrainë gjen se i vetmi vend në Evropë që i qëndron krah Rusisë në politikën e sanksioneve është Serbia.

Kjo do të thotë se regjionit i nevojitet BE-ja e dinamikës së re. E ndeshur me krizën më të madhe të sigurisë evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, për BE-në që tregoi qartësi në Ukrainë nuk mund të ketë dykuptimësi (qoftë edhe “konstruktive”) në Kosovë e BeH. Krahasuar me luftën në Ukrainë, Ballkani Perëndimor është ushtrim relativisht i lehtë, i bëshëm dhe i mundur brenda një afati të shpejtë.

Në dinamikën e re nuk mund të ketë neutralitet në zbatimin e politikës së jashtme evropiane. Serbia nuk mund të thotë se në emër të neutralitetit nuk zbaton sanksione ndaj Rusisë, sepse moszbatimi i sanksioneve është anim. Te sanksionet nuk ekziston “dykuptimësia konstruktive”, siç nuk do të duhej pastaj të ekzistonte as në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë - këto janë negociata mbi statusin e marrëdhënieve mes dy shteteve të pavarura. Nëse jo, do të ishin negociata mes Kosovës si aspiruese identitare evropiane dhe Serbisë, një enklave euro-aziatike, e kjo përbën rrezik më vete në arkitekturën evropiane të sigurisë.

4.

Lufta në Ukrainë do të marrë në masë të madhe energjinë diplomatike, politike dhe të sigurisë së BE, e hiç më pak të NATO-s, bile aq sa ekziston tashmë një druajtje a besim tek diplomatët perëndimorë se është e vështirë të tërhiqet vëmendja nga Ballkani Perëndimor, përjashto këtu ndonjë provokim rus.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor kjo tani përcakton një sfidë të re. Sfida është se si të ngrihet i tërë regjioni prej letargjisë së konflikteve të papërfunduara e të shfrytëzojë valën e forcuar identitare evropiane duke u bërë pjesë e saj.

Një fillim i mirë do të ishte përqendrimi tek një ide tashmë e dakorduar - tregu i përbashkët regjional i gjashtë vendeve të B. Perëndimor. Të flitet për treg kur andej po plas lufta, do të shtrohet pyetja? Po, të flitet për gjëra të prekshme si tregu i përbashkët është hap i parë për ta racionalizuar debatin, përfshirë edhe atë për nevojën që regjioni të jetë i mbrojtur prej ombrellës kolektive të sigurisë, që me përjashtim të Serbisë për të gjithë e ka vetëm një emër, NATO.