OpEd

Ukraina në sfondin e krizës në Lindjen e Mesme dhe politika perëndimore: fitorja si opsion i vetëm

Situata globale nuk ka qenë asnjëherë më e ndërlikuar dhe më e rrezikshme që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Sot, sikurse atëherë, demokracitë duhet të tregojnë vendosmëri, unitet dhe guxim për t’u përballur me rreziqet e sigurisë globale që janë duke u krijuar nga liderët autoritarë, siç është Putini. Mësimin për këtë na e jep Lufta e Dytë Botërore, e cila nuk do të fitohej pa guximin, këmbëngulësinë dhe vendosmërinë e kryeministrit britanik, Winston Churchill, i cili sa ishte në opozitë, e kundërshtoi Marrëveshjen e Munihut të vitit 1938, me të cilin kryeministri i atëhershëm britanik, Neville Chamberlain, shpresoi se, duke e kënaqur ambicien e Hitlerit për të aneksuar një pjesë të Çekisë, do të mund ta parandalonte një luftë të re në Evropë. Kjo na mëson se me liderë të tillë, nuk ka opsion tjetër përveç fitores

Lufta në Ukrainë po vazhdon në sfondin e një konflikti në rritje në Lindjen e Mesme dhe të rrezikut për një luftë gjithëpërfshirëse në mes të Izraelit e Iranit, e mbase edhe të ndonjë vendi arab. Përderisa tensionet në Lindjen e Mesme vetëm sa po rriten, me situatën e pandryshuar humanitare në Rripin e Gazës, sulmeve të Hezbollahut në Izrael dhe kundërsulmeve izraelite ndaj Hezbollahut në Liban, si dhe raketimet e fundit të Iranit kundër Izraelit dhe pritjes së një kundërpërgjigjeje izraelite, në Ukrainë lufta po vazhdon me të njëjtin ritëm. Agresioni rus nuk ka të ndalur, ndërkaq paqja nuk është në horizont. Duke qenë se jemi në prag të dimrit të ashpër ukrainas, situata humanitare vetëm sa do të përkeqësohet, kurse Putini nuk duket se e ka ndërmend të ndalojë.

Ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme është një profeci vetëpërmbushëse – sulmet terroriste të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023 e kishin mu këtë synim të thënë publikisht – fillimin e një lufte gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme dhe nuk është që Izraeli pa dashje nuk i ka ndihmuar përmbushjes së kësaj profecie me sulmet shpeshherë jodiskriminuese ndaj civilëve në Gazë (me gjithë të drejtën legjitime që të mbrohet). Në anën tjetër, Ukraina duket se ka hyrë në një normalitet lufte dhe në prag të zgjedhjeve në SHBA ekziston një paqartësi lidhur me politikën e ardhshme amerikane si mbështetëse më e madhe e Ukrainës, duke qenë se rezultatet e zgjedhjeve, qofshin në favor të Kamala Harrisit apo të Donald Trumpit, do të jenë përcaktuese për politikën e SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë. Kjo paqartësi, andej, si këtej Atlantikut, i jep krah Putinit, duke e dëmtuar stabilitetin në kontinentin evropian. 

Çarjet në Bashkimin Evropian janë shtuar, me Hungarinë e cila kërcënon me bllokimin e ndihmës financiare të BE-së për Ukrainën, duke e përdorur si argument paqartësinë e politikës së ardhshme të SHBA-së. Në dritën e këtyre zhvillimeve, vendet ballkanike, të cilat kryesisht e kanë mbështetur Izraelin apo kanë heshtur lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, e mbajtën takimin e dytë, të quajtur Ukraina-Evropa Juglindore, në të cilën edhe njëherë e dënuan agresionin rus në Ukrainë, shprehën mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës dhe ofruan ndihmën e tyre simbolike për Ukrainën. Në këtë takim, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ua përkujtoi liderëve ballkanikë se rreziku rus kërcënon paqen dhe stabilitetin edhe në Evropën Juglindore. Do të shtoja, dhe jo vetëm. 
Rreziku rus sot kërcënon të gjithë Evropën, e cila po qe se nuk është e bashkuar politikisht, mundet lehtësisht të jetë viktima e radhës e Rusisë Putiniane. Përveç Viktor Orbanit të Hungarisë, i cili në kundërshtim me qëndrimet e BE-së e vizitoi Putinin dhe ka shprehur haptazi kundërshtimin e tij për mbështetjen e pa rezervë të Bashkimit Evropian për luftën e drejtë vetëmbrojtëse të Ukrainës, edhe kryeministri sllovak, Robert Fico, u shpreh kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe në BE. Këto çarje brenda Bashkimit Evropian, edhe pse janë manifestuar përmes devijimeve nga shtete të vogla dhe që nuk çojnë shumë peshë në Bashkimin Evropian, megjithatë janë tregues së lëkundshmërisë që mund të rritet nëse trendi i fitores zgjedhore të ekstremit të djathtë në Austri e Holandë vazhdon të kaplojë edhe vendet e tjera të BE-së. 

Lufta në Ukrainë është afatgjatë dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s duhet të kenë vendosmëri afatgjatë dhe guxim për t’u konfrontuar me Rusinë sepse braktisja e Ukrainës paraqet rrezik për vetë Evropën. Kjo sepse përderisa Rusinë e udhëheq Vladimir Putini, konfrontimi me të është i pashmangshëm. Ai nuk do të ndalet në Ukrainë nëse e fiton luftën atje. Radha do t’iu vjen vendeve të tjera. Prandaj, konsiderimi serioz për pranimin e Ukrainës në NATO dhe në BE është politikë e cila do ta kufizonte Rusinë dhe në afat të gjatë do t’ia çonte asaj mesazhin se agresioni nuk shpaguhet. 

Nëse politika amerikane dhe ajo evropiane lëkunden, mesazhi që do t’i jepet Putinit është se agresioni shpaguhet dhe se ai mund të vazhdojë të sulmojë edhe vendet e tjera, duke përfshirë këtu edhe vendet e Bashkimit Evropian. Lufta në Ukrainë kërkon vendosmëri afatgjatë nga SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja për t'u përballur me Rusinë, pasi braktisja e Ukrainës do të rrezikonte paqen dhe stabilitetin e kontinentit.

Në këtë kontekst, nuk kam se si të mos i kujtoj tendencat për çarje brenda NATO-s gjatë sulmeve ajrore kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999. Atëbotë kishte vende që kërkonin pauzim të sulmeve për t’i dhënë shans Millosheviqit që t’i ndërpresë sulmet kundër civilëve shqiptarë në Kosovë. Falë lidershipit të para së gjithash, presidentit amerikan Bill Clinton dhe kryeministrit britanik Tony Blair, NATO-ja nuk ka rënë në grackën e shpresave të rrejshme të liderëve të lëkundshëm dhe arriti që në një periudhë më të gjatë se që ishte parashikuar, të mposhtte makinerinë ushtarake dhe politike të Serbisë Millosheviqiane. Kjo lëkundshmëri vërehet edhe në rastin e Ukrainës dhe pasojat e nënshtrimit do të ishin katastrofike për Evropën dhe për NATO-n. Prandaj, përvoja e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999 tregon se lidershipi i fortë është kyç në mbrojtjen e parimeve dhe stabilitetit ndërkombëtar. Në rastin e Ukrainës, një qëndrim i fortë do të ishte vendimtar për mbrojtjen e sigurisë së Evropës.

Mirëpo, frika nga arsenali bërthamor rus mbetet e kuptueshme, pasi Putini ka kërcënuar disa herë se mund ta përdorë atë kundër Perëndimit, veçanërisht nëse vendet perëndimore i mbështesin sulmet ukrainase ndaj territorit rus. 

Lufta në Ukrainë ka zbuluar dobësinë e forcave konvencionale ruse, por në sfondin e kërcënimeve bërthamore, një përballje e drejtpërdrejtë mbetet një risk që Perëndimi duhet ta konsiderojë. Në anën tjetër, një konfrontim real me NATO-n mund ta detyrojë Putinin ta rimendojë strategjinë e tij dhe të tërhiqet nga Ukraina, duke i shmangur aventurat e mëtejshme në Evropë. Kjo gjithashtu mund të ndikojë në rënien e tij nga pushteti dhe stabilizimin e kontinentit evropian.

Situata globale nuk ka qenë asnjëherë më e ndërlikuar dhe më e rrezikshme që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Sot, sikurse atëherë, demokracitë duhet të tregojnë vendosmëri, unitet dhe guxim për t’u përballur me rreziqet e sigurisë globale që janë duke u krijuar nga liderët autoritarë, siç është Putini. Mësimin për këtë na e jep Lufta e Dytë Botërore, e cila nuk do të fitohej pa guximin, këmbëngulësinë dhe vendosmërinë e kryeministrit britanik, Winston Churchill, i cili sa ishte në opozitë, e kundërshtoi Marrëveshjen e Munihut të vitit 1938, me të cilin kryeministri i atëhershëm britanik, Neville Chamberlain, shpresoi se, duke e kënaqur ambicien e Hitlerit për të aneksuar një pjesë të Çekisë, do të mund ta parandalonte një luftë të re në Evropë. Kjo na mëson se me liderë të tillë, nuk ka opsion tjetër përveç fitores.