OpEd

Ukraina dhe Gaza në kërkim të parimit

Kosova duhet ta zhvendosë Ambasadën e vet prej Jerusalemit në Tel-Aviv. Dhe ashtu siç e përkrah me meritë të plotë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, duhet të përkrahë të drejtën e palestinezëve për jetë, minimalisht, e pastaj edhe për liri nga okupimi

1.

Kosova është në një pozitë të çuditshme karshi dy luftërave që po zhvillohen sot- në Gaza e Ukrainë- e që kanë gjasa të krijojnë balanca të reja gjeopolitike për një periudhë më afatgjatë.

Fillimi i luftës në Ukrainë para mbi dy vjetësh shkaktoi reagimin automatik në Kosovë. Pra, që të gjithë ishim kundër agresionit të Rusisë, për shkak të lehtësisë me të cilën barazohet Rusia me Serbinë, që kishte zhvilluar luftë agresioni kundër Kosovës (këtu përfshihet edhe argumenti zyrtar historik i shteteve agresore për zhvillim të luftës se Rusia lindi në Ukrainë e Serbia në Kosovë). Kosova ishte dhe është për pavarësinë e Ukrainës, ani pse Ukraina nuk e njeh pavarësisë e Kosovës, dhe këtë nuk e bën mu për shkak se Putini e sheh Ukrainën me “precedentin e Kosovës”. 

Kur Kosova shpalli pavarësinë, presidenti rus deklaroi se të njëjtën gjë mund ta bëjnë Krimeja, pjesë të tjera të Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë, e kështu me radhë. Në hapësirën publike kosovare, me një interpretim më të lirshëm, duket sikur ushtarët ukrainas po e mbrojnë Kosovën prej Serbisë, duke e mbrojtur vendin e vet prej Rusisë.

Fillimi i luftës në Gaza, pas pogromit anti-hebre që zhvilloi Hamasi më 7 tetor - duke vrarë, dhunuar seksualisht e rrëmbyer fëmijë, gra e burra vetëm pse ishin hebrenj - e zuri Kosovën duke përcjellë në heshtje ndëshkimin kolektiv të palestinezëve. Fëmijë, gra e burra bombardohen, vriten me pushkë e snajperë, dëbohen nga shtëpitë që pastaj rrafshohen me tokë, vriten nga uria si bebe të porsalindura a si fëmijë parashkollorë, a si fëmijë që nuk mbërrijnë më në shkolla sepse nuk ka as shkolla, as shtëpi, as paralagje, as qytet – vetëm një gërmadhë e madhe e pafund që mban dy milionë banorë. 

Kosova u deklarua menjëherë, dhe me të drejtë, se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Por Kosova nuk u deklarua as edhe një herë se ashtu siç ka Izraeli të drejtë të mbrohet kanë të drejtë edhe palestinezët për jetë, minimalisht, e pastaj edhe të drejtën për jetë të denjë sipas vullnetit të tyre kolektiv.

2.

Përse reagon Kosova instinktivisht rreth Ukrainës, por jo edhe  rreth Gazës? S’do mend se faktori rus (dhe lehtësia e ekuivalencës Rusi=Serbi) e bën reagimin instinktiv në rastin e Ukrainës. Për më tepër, është më lehtë kur bëhet fjalë për një ushtri që pushton dhe përpiqet ta nënshtrojë një popull tjetër: këtu nuk ka ndonjë dallim mes tankeve ruse dhe tankeve serbe.

Por tanket izraelite bëjnë të njëjtën gjë, për më tepër për një periudhë shumë më të gjatë, mbi 70 vjet. Në rastin e Gazës janë duke e vendosur para kamerave televizive dhe në intensitet kohor të komprimuar dhunën deri tani të paprecedent të përndjekjes kolektive të palestinezëve. Brenda muajit të parë të luftës së Izraelit kundër qytetarëve të Gazës (e në emër të luftës kundër Hamasit) janë vrarë po aq civilë (mbi dhjetë mijë) sa janë vrarë në dy vjetët e luftës në Ukrainë dhe gjatë dy vjetëve të luftës në Kosovë. 

Ndoshta njëra prej arsyeve të mungesës së reagimit është qëndrimi tashmë i konsoliduar se identiteti i shqiptarëve është kombëtar dhe çdo identitet tjetër, përfshirë edhe atë fetar, i nënshtrohen. Dhe kështu shqiptarët ndiejnë, ndoshta edhe si nevojë të tejshprehur, se nuk kanë përse të deklarohen rreth palestinezëve të cilët kanë rastisur të jenë në shumicë myslimanë. 

Po ashtu, njëra prej arsyeve për mungesë solidariteti është fakti se përfaqësuesit e OÇP-së, të organizatës që kanë luftuar në mënyrë të përhershme për pavarësinë e shtetit palestinez, ishin dhe janë kundër shtetit të pavarur të Kosovës.

Dhe, kështu interesat që bëhen transaksionale hyjnë edhe në një lëmsh më të madh: Kosova e përkrah Ukrainën, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por jo edhe palestinezët, të cilët me aq përfaqësim e forcën që kanë, po ashtu nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Por, mbase arsyeja më e fortë e mungesës së reagimit në Kosovë lidhet me pozicionimin që Kosova e bën me ligjërimin politik zyrtar perëndimor, në radhë të parë me SHBA-në. Në lehtësinë e ekuivalencave, posaçërisht kur kemi të bëjnë me shtetin që i priu çlirimit të Kosovës, Ukraina dhe Izraeli do përkrahur sepse këtë e bën SHBA-ja.

3. 

Një rreshtim i këtillë  mund ta çlirojë mendjen politike nga obligimi që të vlerësojë nuancat dhe dallimet përse duhet përkrahur Ukrainën, dhe ndoshta pse jo vetëm nuk duhet përkrahur Izraelin në këtë që bën në Gaza, por si popull viktimë që ishte i kërcënuar me perspektivën e gjenocidit (e nga ai u shpëtua falë ndërhyrjes vendimtare të SHBA-së dhe vendeve aleate të NATO-s) duhet përkrahur sot të drejtën e palestinezëve për jetën.

Është më lehtë të jepet shpjegimi se është marrë ky apo ai vendim, sepse “jemi rreshtuar me miqtë”, se sa të jepet një shpjegim parimor. 

Në fakt, Kosova duhet të ndërtojë shpjegimet e veta parimore dhe ato jo domosdoshmërisht shkojnë ndesh me qëndrimet e SHBA-së dhe të botës transatlantike së cilës Kosova i përket edhe kulturalisht, edhe politikisht. Shembull invert mund të jetë Ukraina. Kosova e përkrah atë përkundër mungesës transaksionale (Ukraina nuk e ka njohur Kosovën dhe gjendet në situatë të shantazhit të përhershëm rus për këmbimin e madh gjeopolitik Krime-Kosovë). Pra, në një kuptim të thjeshtë transaksional (dhe të zhveshur tërësisht prej parimësisë) Kosova do të duhej të ishte në anën e Putinit dhe këmbimit të njohjes së tij të Kosovës për njohjen e aneksimit të Krimesë nga Rusia. Por atëbotë Kosova do ta anulonte veten, duke e bërë të barasvlefshme përpjekjen e vet për liri me lëvizje paqësore dhe luftë guerile me agresionin e hapur të Rusisë për revidimin e Evropës së krijuar pas fitores së demokracisë në pjesën më të madhe të kontinentit.

Dhe, ashtu sikur, përtej interesit transaksional, Kosova  mbron Ukrainën e të drejtën e vet të mbrohet dhe Izraelin e të drejtën e këtij shteti të veçantë për identitetin hebre në botë, duhet të vihet në mbrojtje të së drejtës për jetë të popullit palestinez në Gaza dhe të drejtës për liri nga okupimi të popullit palestinez në tërësi. Liria dhe mirëqenia e Izraelit dhe liria e mirëqenia e palestinezëve mund të shkojnë vetëm duke e ushqyer njëra- tjetrën e jo duke e mohuar atë.

4.

Në shtetin e Izraelit prej 97 ambasadave të akredituara në këtë vend, 92 janë në Tel-Aviv e 5 janë në Jerusalem. Prej atyre  të pestave, Kosova është i vetmi shtet evropian dhe e vendosi këtu në kushte të ndërlikuara nga presioni i administratës Trump.

Kosova bën mirë që ta ketë ambasadën e vet në Tel-Aviv së bashku me shtetet e tjera evropiane dhe shumicën e shteteve të tjera të botës. Ky është habitati i natyrshëm politik për përfaqësinë diplomatike të Kosovës.

Tash ekziston edhe një arsye tjetër shtytëse morale. Sipas raportueses së OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, dr.Francesca Albanese , veprimet e Izraelit tashmë e kanë arritur pragun e gjenocidit në Gaza. Dhe, ndonëse çështja e përcaktimit të gjenocidit a jo do të vazhdojë në rrugën e vet juridike, përfshirë edhe rastin që Afrika Jugore e hapi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, realiteti tejkalon fjalët. Prej 8 tetorit të vitit të kaluar, nga veprimet e autoriteteve izraelite janë vrarë 13 mijë fëmijë palestinezë. 

Sot, kur ta lexoni këtë shkrim do të mund të jenë edhe 72 fëmijë të tjerë të vrarë, aq sa janë vrarë mesatarisht çdo ditë.