OpEd

Udhëtimi i çuditshëm në Venecie

Rrëfimi i prindit për të ndjekur ëndrrën e një kampioni që vetë s’ia kishte dalë apo për shkuarjen në Venecie dhe kthimin pa bërë asnjë foto te perlat që ofron qyteti lundrues

Era kishte muaj që bënte plane për udhëtimin e saj në Venecie. Ajo është karateiste dhe Kupa e Botës për të rinj ishte shkas që patjetër duhej shfrytëzuar për të vizituar qytetin lundrues, siç njihet kjo perlë italiane.

Gati çdo ditë, më shpesh përmes rrjeteve sociale, për të mos ia lexuar refuzimin në çehre, kishte veç një kërkesë: “Babi, premtomë që ke me m’çu në Venecia”. Pastaj vazhdonte mesazhi: “Edhe mos m’thuj ‘këqyrim’”.

Herë pas herë nxirrte në telefon fotografitë e qytetit mbi ujë, varkat e gjithë të tjerat që ofron për turistët. Më së paku interesohej, për shembull, të shihte se cila ishte palestra ku do të mbahej gara e madhe me mbi 2.500 sportistë nga e gjithë bota.

Kur fliste për sportin, lutej që të mos takohej me karateiste vendase. Kishte krijuar përshtypjen nga garat e kaluara ndërkombëtare se sportistet vendase çdoherë po favorizoheshin nga gjyqtarët.

Pas disa kohësh mjegull për të marrë përgjigjen “po” ose “jo”, Era e kuptoi se do të jetë në garën e Italisë.

Këtu u mbyll gajlja e saj, e po këtu nisi apo nisën ato të prindit për ta përgatitur e financuar një udhëtim, krejt vetë, në një vend të shtrenjtë.

Pas pagesave që duhej bërë, nga ajo për paraqitje në garë, hoteli, bileta e avionit, sigurimi e para kesh për të qëndruar 5 ditë, vjen procedura e vizës. Ajo nuk është e kushtueshme sa është e mërzitshme.

Çka duhet prej dokumenteve? Shumë.

Së pari kërkohej një leje prej shkollës që po e lëshonte nxënësen të mos jetë në mësim gjatë kohës së garës. Por, duhej të ishte anglisht. Shkolla nuk e bën atë. Duhej përkthyer ata dy-tre rreshta te përkthyesi i autorizuar.

Duhej edhe një certifikatë. Atë e lëshon Komuna, por në disa ambasada nuk e pranojnë pa vulë apostile. Pra, duhej dhënë 10.5 euro për ta vulosur shteti një dokument që vetë shteti e ka lëshuar. OK, çka duhet tjetër. Duhej edhe një autorizim që fëmija po udhëton pa prindërit. Natyrisht edhe ai duhej përkthyer.

Në fund, në rend për vizë dhe ca pyetje kot për secilin sportist. “Ku po shkon?”, Kur kthehesh? Çfarë gare është? e të tjera.

Dhe dikush mund të thotë se kjo është sakrifica që duhet të bëjë prindi për të bijën, jo vetëm në sport. Edhe babi i Erës mendon njëjtë.

Por në Kosovën e pamundësive, të izolimit, sakrifica kthehet në vuajtje.

Sot për të nxjerrë një kampion thuajse gjithçka duhet të jetë investim i prindit, por edhe luftë e tij që t’i heqë pengesat që shfaqen rrugës.

Klubi, nëse nuk ka krahë si ai i Erës, nuk mund të bëjë aq shumë, pos të ofrojë stërvitje profesionale.

Sponsorët, edhe tash që ka Ligj për Sponsorizim, hezitojnë të ndihmojnë sportin e sportistët, edhe pse, sipas tij, nuk u bie të japin asnjë cent nga xhepi. Thjesht, një pjesë të mjeteve, maksimumi deri në 30 për qind të taksës në fitim, që duhet ta paguajnë patjetër, mund ta ndajnë për sportin. Dhe ky 30-përqindësh është i madh te disa biznese e edhe më i madh për klubet.

Federata e Karatesë dhe të tjerat si ajo kryesisht mendojnë për nevojat e veta. Aty-këtu ndonjë seminar pa pagesë për sportistët.

Por, nuk e huqin rastin kur një sportist arrin suksese kulmore të rrahin gjoks me të.

Para disa muajsh një karateist nga Gjilani arriti sukses të madh duke fituar medaljen e bronztë në Evropian. Suksesi bëhet edhe më i madh kur mendohet se është përgatitur vetë, me vëllezërit e tij dhe në fund ka shkëlqyer. Por, pas kthimit nga gara, krerët e Federatës nuk e lëshonin askund vetëm, në çdo pritje që i bëhej, aty ishin edhe ata të buzëqeshur e krenarë për suksesin individual të sportistit.

Ministria e Sportit, si gjithherë, është selektive. Nëse sheh subvencionet për fazën e dytë gjatë vitit 2022, janë dhjetëra klube të karatesë që kanë konkurruar. Qëllimi i të gjithave është i njëjtë: të përkrahet aktiviteti vendor e ndërkombëtar. Por, sheh kollaj se edhe disa janë përkrahur me 2 000, 3 000 e edhe mbi 4 000 euro, e tek disa e sheh zero. Si mund dikush të përkrahet e dikush jo, kur zhvillojnë të njëjtin aktivitet, të njëjtin sport dhe e kanë të njëjtin qëllim. Domosdo vjen konstatimi, se gjithçka bëhet me të njohshëm, me hatër, se Ministria nuk e ka idenë për sportin e aq më pak ka strategji për zhvillimin.

Kur sportistët arrijnë kulmin me forcat e veta, atëherë nuk mungojnë përkrahja e shtetit e as mburrja. Rasti më i mirë janë xhudistët. Derisa nuk kanë arritur nivelin kulmor, shteti bënte thjesht shaka.

Pastaj, stërvitjet e çdoditshme me disa kilometra larg drejt palestrës ku stërvitet dhe garat e përjavshme në Kosovë janë rrëfim më vete.

Era u nis në Venecia e lumtur për atë që po e priste. Në momentet e fundit mori vesh se në aeroplan nuk mund të merrte çantë të madhe. Vetëm një çantë krahu, pasi me çmimin e paguar për biletë nuk lejohet më shumë. Ku t’i futësh gjithë ato pajisje të karatesë në një çante shkolle. Propozimi i babit të Erës ishte që të paktën jelekun mbrojtës të karatesë ta mbante veshur gjatë udhëtimit, pasi zë vend në çantë. Por, reagimi ishte i rrufeshëm, gati si “A je normal?”. U bë disi.

Më herët ishte kujdesur të ndreqte edhe kamerën e telefonit për fotografi më të mira. Për përvojën që po e priste, për vendet që do të vizitonte.

Sapo mbërriti, erdhi mesazhi: “Babi, hoteli s’qenka me pishinë” edhe një ‘emoji’ dëshpërues. Pastaj ditëve të tjera “Babi kështu, babi ashtu”.

Gjithçka e kuptueshme për një 13-vjeçare që i kishte dalë ndryshe Venecie nga ajo që kishte parë e dëgjuar.

Pak për shkak të ngarkesës së garës e pak për shkak të kushteve të secilit sportist, Era u kthye nga Venecie pa shkuar në zemrën e qytetit, te perlat që ofron për të bërë fotot e albumit të jetës.

Gëzuar nga babi i Erës!