OpEd

Tundimi populist i Gjermanisë

Fakti se Seehoferi po e përqafon populistin e tij të brendshëm jo domosdo e ndjell atë që Dobrindti e ka përshkruar si një “revolucion konservator” evropian. Por kjo gjë po që sugjeron se “kundërrevolucioni joliberal” i Orbanit dhe i liderit të PiS-së, Jarosław Kaczyński, po fitojnë vrull

Berlin – Për shkak se populizmi nuk është në vetvete një ideologji, ai lehtësisht mund t’u duket joshës partive politike që synojnë të gjenerojnë mbështetje më të madhe elektorale. Gjithnjë ka politikanë të gatshëm t’i imitojnë sloganet dhe metodat populiste për të përfituar votues, edhe pse kësisoj shkaktojnë ndasi përbrenda vetë partive të tyre.

Këtë gjë e kanë dëshmuar republikanët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konservatorët dhe laburistët në Britaninë e Madhe dhe “Les Républicains” nën udhëheqjen e re të Laurent Wauquiezit në Francë. Mirëpo, manifestimi më ogurzi i kësaj tendence mund të shihet në Unionin Demokristian/Socialdemokrat në Gjermani. Paraqitja e dobët e CDU/CSU-së në zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar, kombinuar me avancimin e madh që e siguroi populistja “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), ka krijuar përçarje të reja përbrenda grupimit partiak.

Përveç në ish-shtetet komuniste të Gjermanisë Lindore, performanca më e fuqishme e AfD-së është shënuar në epiqendrën e CSU-së, në Bavari, ku në tetor do të mbahen zgjedhjet lokale. Mbrojtja e pozitës kundër AfD-së kësisoj është shndërruar në shqetësimin kryesor të CSU-së.

Për këtë qëllim, lideri i kamotshëm i CSU-së, Horst Seehofer, tanimë ka adoptuar tone populiste në parti.

Pak kohë më parë, ai ia dorëzoi postin e ministrit-president të Bavarisë një rivali ambicioz e më të ri populist, Markus Söder. Dhe derisa së fundmi u caktua ministër i Brendshëm në Qeverinë e koalicionit të ri të madh të kancelares, Angela Merkel, ai u zotua t’i lustrojë kredencialet e tij populiste, me anë të ringjalljes së fjalës “Heimat” (atdheu) në emërtimin e ministrisë. Mirëpo, Seehofer gjithnjë është shpërfaqur si diçka ndryshe prej konserativizmit gjerman. Në fakt, ka shërbyer si një lloj kumbari politik i kryeministrit autoritar të Hungarisë, Viktor Orban. Dhe tani po e sheh këtë si një mundësi për veten.

Që nga dita e betimit të Qeverisë së re gjermane ka qenë e qartë se taktika dalluese e Merkelit për neutralizimin e kritikëve potencialë, me anë të përfshirjes së tyre në kabinetin e saj, më nuk do të funksiononte. Seehofer menjëherë e instaloi një luftë të ftohtë përbrenda koalicionit qeverisës.

Në një intervistë të marsit për tabloidin “Bild”, Seehofer deklaroi, në mënyrë të përkryer populiste, se “islami nuk i përket Gjermanisë”. Qëllimi i kësaj deklarate ishte që të tërhiqen linjat përbrenda Qeverisë dhe që ai vetë të pozicionohet përkrah votuesve antiimigrantë, të cilët iu kthyen AfD-së vitin e shkuar. Merkeli, bashkë me pothuajse gjithë shtresën politike të Gjermanisë, nuk kishte zgjidhje tjetër përpos të zmbrapset. Në të njëjtën kohë, AfD-ja e ka humbur bazën politike me të cilën do ta kritikonte Seehoferin dhe CSU-në.

Dhe Seehoferi e ka vazhduar ofensivën.

Ai duket se bën komente publike për pothuajse çdo gjë dhe gjithnjë në mënyrën që e lë AfD-në pa pasur se çka të shtojë, ndërsa e rrezikon Merkelin edhe pa e sulmuar drejtpërsëdrejti. Por, prapëseprapë, sjellja “evropianolindore” e Seehoferit nuk përbën ndonjë befasi.

Në mars të 2017-s, derisa Merkeli po përgatitej për takimin e saj të parë me presidentin amerikan, Donald Trump, Seehofer shkoi në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Që atëherë, ai i ka kundërshtuar me çdo kusht të gjitha sanksionet ndaj Rusisë. Ka pasur madje fjalë të ngrohta edhe për Qeverinë populiste të partisë së “Ligjit dhe Drejtësisë” (PiS) të Polonisë, derisa e ka kritikuar Bashkimin Evropian për fyerjet e supozuara ndaj dinjitetit polak. E uroi Orbanin për fitoren madhore në zgjedhjet e këtij muaji, derisa kolegu i tij në CSU, Alexander Dobrindt, haptazi iu referua Orbanit si “miku ynë”.

Nën udhëheqjen e Seehoferit, CSU-ja ka ndërruar fokus nga grindjet ekonomike në ato kulturore. Gjithë kjo në emër të përshtatjes me trendin madhor populist në Evropë, që është bërë më se i dukshëm jo vetëm në Hungari dhe Poloni, por edhe në Republikën Çeke, Austri, Holandë dhe Itali, ku lëvizja populiste “Pesë Yje” dhe Liga djathtiste po hahen mes vete për drejtimin e Qeverisë së re.

Një prej rezultateve të luftës së ndezur të Seehoferit me Merkelin dhe establishmentin politik gjerman është se partia tjetër e Qeverisë, ajo e socialdemokratëve (SPD), është bërë pothuajse e padukshme. Por pa marrë parasysh nëse ai e kupton këtë gjë apo jo, AfD-ja do të jetë përfituesja e natyrshme e çdo gabimi të mundshëm të Qeverisë, duke e pasur parasysh faktin se tani është partia më e madhe opozitare në Bundestag.

Me gjithë këtë, edhe nëse loja e Seehoferit me populizmin dështon, ai tanimë ia ka dalë ta kthejë Qeverinë kah e djathta. Gjermania qartazi po ndërmerr veprime për ta zbutur presionin e BE-së ndaj Polonisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera lindore të Evropës që po e shkelin sundimin e ligjit dhe po e rrezikojnë solidaritetin evropian për sa u përket imigrantëve dhe refugjatëve.

Për më tepër, Gjermania sipas të gjitha gjasave do ta bllokojë çdo reformë substanciale në eurozonë, duke e humbur mundësinë e ofruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Në këtë aspekt, kolumnisti i “Financial Times”, Wolfgang Münchau, sugjeron se skenari më i mirë i mundshëm mund të jetë ai i një tjetër krize ekonomike në eurozonë, thjesht për shkak se vetëm diçka e tillë mund t’i thërrasë arsyes së Gjermanisë.

Seehoferi është lajm i keq për Gjermaninë, së cilës dinamizmi, hapja dhe guximi i duhen më shumë se cilitdo shtet tjetër evropian. Kapaciteti i kufizuar ushtarak i Gjermanisë, sektori i saj i tejrregulluar i shërbimeve dhe mungesa e investimeve infrastrukturore sugjerojnë se vendi po ngec rreth një dekadë prapa Evropës Lindore për sa u përket disa prej matësve të zhvillimit, përkundër asaj se është fuqia më e madhe ekonomike e Evropës.

Në shtetet e Evropës Lindore, qytetarët mund të paguajnë me kredit kartela në çdo dyqan, përderisa në Gjermani një gjë e tillë është e pamundur qoftë edhe në restorantet më të mira. Gjithashtu, Gjermania renditet në pozitën e 42-të në botë për sa i përket shpejtësisë së Internetit, ndërsa infrastruktura e saj e konektimit në Internet do ta turpëronte edhe një ukrainas.

Për një shtet që ka krijuar pasuri të tërë nga investimet në Evropën Lindore, ngecja relative në këto fusha është shtanguese.

Fakti se Seehoferi po e përqafon populistin e tij të brendshëm jo domosdo e ndjell atë që Dobrindti e ka përshkruar si një “revolucion konservator” evropian. Por kjo gjë po që sugjeron se “kundërrevolucioni joliberal” i Orbanit dhe i liderit të PiS-së, Jarosław Kaczyński, po fitojnë vrull.

(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe partner në Akademinë “Robert Bosch” në Berlin. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).