OpEd

Trushpëlarja moderne: Reflektime orwelliane mbi politikën kosovare

Siç na mëson Orwelli, trushpëlarja nuk shërben për të çliruar mendjen, por për ta kufizuar atë. Mësimet e Orwellit mbeten të vlefshme për të kuptuar se vetëm mendimi kritik dhe rezistenca ndaj manipulimit politik mund të çojnë drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të lirë. Përndryshe, nëse një shoqëri nuk është e aftë të mbrojë lirinë e mendimit dhe të debatojë hapur për të vërtetat e saj, atëherë ajo rrezikon të bjerë në kurthin e narrativave të manipuluara që shërbejnë vetëm për të mbajtur pushtetin e një partie

Trushpëlarja është proces psikologjik dhe politik që, historikisht, ka shërbyer për t’i detyruar njerëzit të pajtohen me një ideologji apo sistem përmes manipulimit të mendimit dhe ndjenjave të tyre. Trushpëlarja, si fenomen socio-politik, ka ekzistuar prejse ekzistojnë sundimtarët. Duke e manipuluar perceptimin e realitetit, sundimtarët autoritarë përfitojnë lojalitet të verbër nga qytetarët e tyre. Edhe pse ky fenomen njihet më shumë në regjime autoritare, ai gjen terren të përshtatshëm edhe në shoqëritë në transicion, siç është Kosova. 

George Orwell, në veprat e tij të njohura “1984” dhe “Ferma e kafshëve”, paraqet mekanizmat përmes të cilëve mendja e njerëzve kontrollohet nga pushteti dhe këto reflektime vazhdojnë të jenë të rëndësishme për të kuptuar manipulimet politike të ditëve tona. Në romanin “1984”, Orwell përshkruan sesi Partia e kontrollon realitetin dhe mendjen e individëve përmes një përzierje të frikës, manipulimit të fakteve dhe propagandës së vazhdueshme. Partia jo vetëm që i manipulon perceptimet e qytetarëve, por përpiqet t’i fshijë mendimet e tyre kritike, duke krijuar një shoqëri ku çdo mendim i pavarur shihet si rrezik për rendin publik. Ky kontroll total mbi mendimet dhe ndjenjat e njerëzve është qendror në trushpëlarjen e tyre, një fenomen që mund të vërehet edhe në politika më bashkëkohore. Kontrolli mbi mendimin e lirë dhe imponimi i një versioni të modifikuar të realitetit është një proces që synon të shkatërrojë çdo formë të mendimit kritik dhe të pavarur. Ky proces nuk është thjesht një koncept abstrakt i regjimeve totalitare të largëta. Në fakt, ai është i pranishëm edhe në shoqëri që përjetojnë faza të transicionit, ku mungesa e mendimit kritik dhe niveli i ulët i edukimit krijojnë kushte ideale për propagandë të sofistikuar.

Në Kosovë, një shtet që ballafaqohet me sfida të thella sociale dhe politike, trushpëlarja nuk është dukuri e panjohur. Gjatë periudhave të ndryshme të historisë së saj politike, shumë qeveri kanë përdorur teknika të ndryshme për të manipuluar perceptimin publik. Por, pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), strategjitë e trushpëlarjes ka marrë një dimension më kompleks dhe të sofistikuar. LVV-ja e ka përdorur këtë teknikë, ashtu si e përshkruan Orwelli, për të formuar mendimin publik dhe për të konsoliduar pushtetin e saj. LVV-ja, përpara ardhjes në pushtet, u paraqit si zëri i qytetarëve të margjinalizuar dhe të pakënaqur nga elitat ekzistuese politike. Me një retorikë populiste që iu drejtohej masave të pakënaqura, ajo ndërtoi imazhin si forca e vetme e vërtetë e ndryshimit dhe drejtësisë. Megjithatë, që nga ardhja në pushtet, retorika e LVV-së ka evoluar në një formë më të sofistikuar të kontrollit të opinionit publik, që ka elemente të qarta të trushpëlarjes, ku çdo kritikë e pavarur perceptohet si një sulm ndaj liderit dhe partisë.

Ajo që e bën trushpëlarjen e LVV-së të efektshme është përdorimi i metodave të ngjashme me ato të përshkruara nga Orwelli në veprat e tij. Në mënyrë të ngjashme me Partinë në “1984”, LVV-ja ka shtrembëruar realitetin për të krijuar një ndarje të qartë midis “të mirëve” dhe “të këqijve”, duke e paraqitur veten si shpëtimtarin e vetëm të vendit. Në “Ferma e kafshëve”, Orwelli përshkruan sesi pushteti konsolidohet përmes manipulimit të popullsisë dhe përdorimit të propagandës. Një situatë e ngjashme mund të shihet në qasjen e LVV-së ndaj qytetarëve të Kosovës, ku përmes retorikës populiste dhe përdorimit të pavërtetave e gjysmë të vërtetave, ka ndikuar në perceptimin e realitetit politik.

Një nga aspektet më të ndjeshme të trushpëlarjes është mungesa e mendimit kritik. Në një raport të brendshëm të LVV-së, që nuk është mohuar kurrë, përshkruhet se një pjesë e madhe e popullsisë në Kosovë përbëhet nga analfabetë funksionalë, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj manipulimeve të politikës dhe propagandës. Ky raport propozon një strategji të qartë për të përdorur rrjetet sociale dhe kanalet joformale për të përhapur thashetheme dhe dezinformata, duke krijuar kështu një opinion publik që e favorizon LVV-në dhe lidershipin e saj. Një pjesë e mirë e qytetarëve kosovarë, të revoltuar nga dështimet e qeverive të kaluara dhe të zhgënjyer nga mungesa e progresit, iu nënshtruan trushpëlarjes së LVV-së, duke besuar se vetëm kjo lëvizje mund ta sjellë ndryshimin e shumëpritur. Megjithatë, edhe pas marrjes së pushtetit, LVV-ja ka vazhduar të përdorë të njëjtat taktika për të kontrolluar narrativën publike dhe për të ruajtur mbështetjen. Ndërkohë, premtimet për reforma të mëdha janë lënë pas dore, ndërsa qeverisja e vendit përballet me sfida të mëdha, si migrimi masiv, reforma arsimore dhe stagnimi ekonomik.

Në “Ferma e kafshëve”, Orwelli e përshkruan sesi derrat manipulojnë kafshët e tjera për të ruajtur pushtetin e tyre. Përmes gjuhës populiste dhe shtrembërimit të fakteve, ata i bindin kafshët që t’iu besojnë verbërisht udhëheqësve, pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete. Një nga aspektet më të qarta të kësaj taktike të LVV-së është krijimi i një imazhi të liderit të pagabueshëm dhe partisë së vetme që mund ta shpëtojë vendin nga krizat aktuale. Çdo dështim qeveritar përpiqet të fshihet pas akuzave për “regjimet e vjetra”, duke e krijuar idenë se LVV-ja është viktimë e një sistemi të korruptuar. Kjo strategji kujton konceptin e Orwellit mbi armiq imagjinarë që përdoren për të justifikuar dështimet dhe për të mbajtur masat nën kontroll. Retorika e Qeverisë, që shpesh iu referohet “regjimeve të vjetra” për të justifikuar dështimet e veta, është një taktikë e njohur në proceset e trushpëlarjes. Në vend që t’i adresojë problemet strukturore të vendit, LVV-ja vazhdon të përqendrohet në krijimin e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm për të ruajtur pushtetin e saj. Kjo strategji i ngjan asaj që Orwelli e përshkruan në “1984”, ku Partia përdor vazhdimisht armiq imagjinarë për të mbajtur nën kontroll masën e popullit. Një fenomen i ngjashëm ka ndodhur në Kosovë, ku LVV-ja ka shtrembëruar realitetin për të krijuar një ndarje midis atyre që janë me partinë dhe atyre që janë kundër saj. Kjo qasje e polarizuar ka thelluar më tej ndasitë politike dhe shoqërore në vend, duke bërë që mendimi kritik të shtypet përmes diskursit të favorizues për liderin dhe partinë.

Në romanet e Orwellit kontrolli mbi masat nuk është vetëm përgjegjësi e liderëve, por edhe e militantëve të zellshëm, që veprojnë si përhapës të propagandës dhe mbrojtës të regjimit. Militantët e LVV-së, përmes rrjeteve sociale, sulmojnë çdo kritik të Qeverisë dhe liderit të tyre, duke përdorur një gjuhë që shpesh shkon përtej argumentit politik në sulme personale dhe denigrime. Për ta, çdo kritikë ndaj LVV-së ose Albin Kurtit është e barabartë me tradhti, dhe ata veprojnë si mbrojtës të zjarrtë të këtij diskursi të imponuar. Ky lloj militantizmi është veçanërisht i rrezikshëm, sepse e përforcon idenë e një partie dhe lideri të pagabueshëm, duke e shtypur mendimin e pavarur kritik dhe debatin publik. 
Kush janë këta militantë? Janë individë trushpëlarë që manifestojnë lojalitet të pakusht ndaj partisë dhe liderit përmes militantizmit që zakonisht shprehet në rrjete sociale si një mjet efikas për përhapjen e ideologjisë dhe pikëpamjeve që iu shkojnë për shtat partisë dhe liderit. Këta trushpëlarë nuk e tolerojnë mendimin e pavarur dhe të lirë. Karakteristikë e tyre është se, përveçqë nuk kanë aftësi për mendim kritik, përmes të cilit do të analizonin argumentet e palës tjetër, dhe do të kundërargumentonin nëse nuk pajtohen, ata e luajnë rolin e gardianëve të pushtetit. Dashuria e tyre e pakusht për liderin dhe partinë shprehet përmes sulmeve ad hominem ndaj njerëzve që kanë mendim të pavarur dhe kritik ndaj Qeverisë dhe liderit të tyre, duke i etiketuar ata si tradhtarë, shërbyes të krimit e të regjimit të vjetër, e madje edhe si vegël e Beogradit. Këta trushpëlarë veprojnë me mision për t’ia zgjatur jetën pushtetit. Dikush e bën këtë nga ndjenja e servilizmit dhe shpresës se do të përfitojë ndonjë vend pune apo diçka tjetër, dikush e bën thjesht sepse është i/e bindur se lideri dhe partia janë të pagabueshëm. Ky lloj militantizmi është karakteristik për regjimet totalitare, në të cilat njerëzit madje kanë etiketuar e denoncuar edhe anëtarë të familjes për tradhti ndaj liderit e ndaj vendit. Mendimi kritik dhe i pavarur shihet si rrezik për pushtetin e liderit, prandaj ai duhet të shtypet dhe të heshtet përmes sulmeve personale, etiketimeve, denoncimeve dhe kërcënimeve. Ky lloj trushpëlarësh janë ushtria propaganduese e partisë. Ata janë të zellshëm, të pacipë dhe të pakompromis. Kryesisht janë njerëz naivë (që mashtrohen lehtë), të paarritur në jetën personale e profesionale dhe të vetmin ngushëllim për dështimet e tyre e gjejnë tek satisfaksioni i të qenit militant. Rolin e këtyre militantëve më së miri e ka shprehur Mao Ce Duni, i cili e theksoi rolin e tyre për mobilizimin dhe armatosjen ideologjike të masave përmes propagandës sistematike: “Propaganda nuk është vetëm detyra e partisë; është e rëndësishme që të mobilizohet dhe të ideologjizohet një lëvizje masive e njerëzve. Militantët e partisë luajnë një rol vital në këtë mes”.

Përveç militantëve, trushpëlarja prek edhe një segment tjetër të shoqërisë, ata që nuk janë të angazhuar politikisht por që bien pre e narrativave të imponuara nga pushteti përmes propagandës së vazhdueshme dhe deformimit të së vërtetës. Këta individë shpeshherë nuk janë mbështetës të zjarrtë të partisë apo liderit, por janë të ndikuar nga mjedisi i tyre, nga lajmet dhe diskurset që dominojnë në mediat sociale dhe tradicionale. Ata janë të prirë të pranojnë një version të realitetit pa e sfiduar atë, duke mos u përfshirë aktivisht në debatet politike, por duke u tërhequr nga përfshirja qytetare dhe vendimmarrja. Për këtë grup, trushpëlarja funksionon në mënyrë më subtile: përmes përsëritjes së mesazheve të qeverisë dhe përforcimit të ideve që legjitimojnë pushtetin aktual, duke e ndalur kështu angazhimin e tyre kritik dhe duke i kthyer ata në spektatorë pasivë të zhvillimeve politike. Kjo është një formë tjetër e kontrollit politik, që e zbeh ndjenjën e përgjegjësisë qytetare dhe e bën më të lehtë mbajtjen e status quosë nga elita në pushtet.

Mësimet nga Orwelli dhe analiza e politikës kosovare tregojnë qartë se trushpëlarja nuk është një fenomen i kufizuar në regjime totalitare, por një rrezik i vazhdueshëm edhe në shoqëritë demokratike në zhvillim. Kosova, me sfidat e saj të mëdha socioekonomike dhe me nivelin e ulët të mendimit kritik, është një terren ideal për forma të sofistikuara të manipulimit politik. Prandaj qytetarët kosovarë kanë nevojë të mendojnë në mënyrë kritike dhe të sfidojnë narrativat e imponuara nga propaganda politike. Siç na mëson Orwelli, trushpëlarja nuk shërben për të çliruar mendjen, por për ta kufizuar atë. Mësimet e Orwellit mbeten të vlefshme për të kuptuar se vetëm mendimi kritik dhe rezistenca ndaj manipulimit politik mund të çojnë drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të lirë. Përndryshe, nëse një shoqëri nuk është e aftë të mbrojë lirinë e mendimit dhe të debatojë hapur për të vërtetat e saj, atëherë ajo rrezikon të bjerë në kurthin e narrativave të manipuluara që shërbejnë vetëm për të mbajtur pushtetin e një partie.