Para tridhjetë vjetësh sistemet komuniste në Evropë ranë shpejt, pa tronditje të mëdha, gati solemnisht, me turma të njerëzve të etur për liri e demokraci nëpër rrugët e Varshavës, Pragës, Budapestit, Berlinit… Rënia e Murit të Berlinit u bë simbol i fundit të një epoke dhe fillimit të një të reje, simbol i kësaj shembjeje historike, sikur që ishte simbol i ndarjes së dy botëve: asaj perëndimore demokratike dhe asaj lindore totalitare. Përjashtim ishte Rumania, ku diktatori komunist Çaushesku pagoi me kokë.
Krejt ky ndryshim epokal disi u përqendrua kah fundi i vitit 1989. Por, në kronikat e këtyre ngjarjeve anashkalohet fakti se rënien e sistemit komunist në formë të braktisjes masovike të anëtarësisë partiake e filluan shqiptarët e Kosovës në fillim të këtij viti historik 1989, derisa në pjesët e tjera të Jugosllavisë struktura organizative e LK-së ishte e paprekur.
Ndonëse me një sistem socialist më liberal se shtetet e tjera komuniste, shtet njëpartiak i udhëhequr prej komunistëve, procesi i shembjes së komunizmit në Jugosllavi shkoi ndryshe. Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë ishte një, por organizativisht e “federalizuar”. Përbëhej prej tetë organizatave me një autonomi të konsiderueshme. (Lidhja e Komunistëve të gjashtë republikave dhe dy krahinave). LKJ-ja u shpërbë në Kongresin e 14-të në janar të vitit 1990.
LK e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë u transformuan në parti social-demokrate. Ndonëse me emër paksa ndryshe, kështu ndodhi edhe në Mal të Zi. Serbia dallonte prej të tjerave. Sundimtari i ri i saj Slobodan Milosheviqi po ashtu. Diku nga viti 1987, edhe pse si kryetar i LK të Serbisë e kishte braktisur programin partiak dhe faktikisht vepronte si lider i nacionalizmit serbomadh mbi platformën politike të “Memorandumit të Akademisë së Shkencave të Serbisë”, që ishte një projekt për shkatërrimin e Jugosllavisë, çfarë ishte me Kushtetutën e vitit 1974 dhe ndërtimin e një “Serbosllavie”. Milosheviqi ishte mbrojtës i fundit në LKJ, ama si instrument për realizimin e dominimit serb dhe projektit të “Serbosllavisë”. Kinse si mbrojtje të unitetit jugosllav.
Me shkeljen e dhunshme të autonomive kushtetuese të Vojvodinës (1988) dhe të Kosovës (1989), Lidhja e Komunistëve e Serbisë organizatat partiake të të dy krahinave i shkriu në vete. Me Vojvodinën nuk ishte problem, ndërsa me Kosovën dhe shqiptarët ishte krejt ndryshe dhe kjo shkrirje nuk funksiononte.
Historia e shqiptarëve në raport me ideologjinë dhe regjimet komuniste ishte specifike. Edhe në Shqipëri, edhe në Jugosllavi komunizmi u instalua me përfundimin e luftës antifashiste ngase grupet komuniste të ndikuara prej bolshevizmit sovjetik dhe Stalinit u rreshtuan si fitimtare. Mirëpo, ideologjia komuniste kurrë nuk gjeti terren të përshtatshëm tek shqiptarët.
Me kalimin e kohës shiheshin dallimet në mes komunistëve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri. Këta në Kosovë regjimin dhe idenë komuniste më shumë i përjetonin si imponim sesa si bindje, ngase pushteti real ishte në Beograd. Sistemi komunist dhe inkuadrimi në të shiheshin si shpresë për të arritur një përparim, për ndryshime për së miri dhe jo për bindje ideologjike apo për hatër të të tjerëve. Sigurisht që kishte edhe motive personale ngase anëtarësimi në LK të bënte paksa më të privilegjuar dhe më të besueshëm.
Në Shqipëri ishte dukshëm më ndryshe. Atje lidershipi partiak impononte marksizëm-leninizmin dhe luftën e klasave si ide dhe ideologji kulmore të sistemit socialist-komunist. “Nëna-Parti” dhe hierarkia: Partia-Komiteti Qendror-shoku Enver ngriheshin si kult, si diçka e pagabueshme dhe e padiskutueshme. Ideja për “Luftën e klasave” nënkuptonte syçeltësi dhe luftë kundër atyre që nuk e duan apo edhe e kundërshtojnë këtë kult. E krejt kjo ndërlidhej me sistemin e qeverisjes që nuk guxon askush ta kontestojë. Prandaj, kulti i Stalinit ishte mbi Marksin, Engelsin dhe Leninin. Por, me rënien e regjimit komunist edhe në Shqipëri u pa se ndër shqiptarët ideja komuniste kurrë nuk është rrënjosur si bindje politike as ideologjike.
Në Kosovë regjimi komunist kishte dy faza: atë deri në “Plenumin e Brioneve” 1966, kur pushtet faktik mbi shqiptarët ishte UDB-ja, ndërsa LK-ja fasadë; faza e pastajme shënonte një progres në jetën tonë. Ndodhi progres në barazinë nacionale dhe afirmimin e vlerave nacionale të shqiptarëve, në zhvillimin ekonomik, në arsim, punësim dhe politika sociale. Krejt kjo lidhej me politikë të re udhëhequr nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës. LK-ja e Kosovës ishte ajo që u priu proceseve të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës deri në Kushtetutën e vitit 1974.
Pas ngjarjeve të vitit 1981, përmes mekanizmave partiakë, u rikthyen presionet nga Beogradi dhe LK e Kosovës dukshëm e humbi shkallën e autonomisë, që e kishte më gjatë se dhjetë vjet. Sado që udhëheqja e LK-së përpiqej ta ruante atë që ishte arritur, u ringjall goxha averzioni i shqiptarëve ndaj kësaj partie-pushtet.
Kreu partiak i Jugosllavisë u tregua inferior karshi agresionit të nacionalizmit serbomadh të prirë nga Milosheviqi arrogant. Madje, me kompetencat statutare që kishte i ndihmoi Milosheviqit në përmbysjen e kreut partiak të Kosovës dhe kështu u shemb mbrojtja e fundit e pozitës kushtetuese të Kosovës.
Shqiptarët u rebeluan në tërësi nga regjimi i tillë. Mund të thuhet se shembja e regjimit komunist në Kosovë filloi në vjeshtën e vitit 1988. U ngritën në protesta masovike demokratike e të padhunshme që t’i mbrojnë të drejtat e veta nga presionet që vinin nga Beogradi, nga nacionalizmi serbomadh.
Në fillim të vitit 1989, kur në Kosovë mbi shqiptarët kryesia e Jugosllavisë me kërkesën e Serbisë vendosi gjendje të shtetrrethimit, dhe u përdor dhuna shtetërore në përmasa të gjëra kundër tyre, autonomia kushtetuese u suspendua, sistemi dhe pushteti komunist për shqiptarët morën fund. Me protesta gjithëpopullore u zhvillua edhe një proces interesant e unik në boten komuniste: shqiptarët anëtarë të LK-së ku ishin në shumicë dhe sekretar organizate kishin shqiptarët, thirrën mbledhjet partiake, të gjithë i dorëzuan librezat partiake dhe sekretarët e organizatave në qese plastike ato i sollën në komitete komunale me konstatim se organizata e tyre më nuk ekziston. Ky veprim, burgosjet masive dhe vrasjet e njerëzve në protestat paqësore e kthyen vëmendjen e shteteve perëndimore kah Kosova para ngjarjeve që ndodhën më vonë me rënien e Murit të Berlinit dhe zhvillimet e tjera në Evropën Lindore.
Rënia e sistemeve komuniste për pasojë pati dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik dhe ndarjen e Çekosllovakisë në dy shtete (Çeki e Sllovaki) në mënyrë paqësore. Shtetet e tjera, prej Bullgarisë e Shqipërisë deri në Poloni mbeten në kufijtë që kishin. Jugosllavia u shpërbë, sepse Serbia nuk e donte ashtu çfarë ishte, ndërsa të tjerët nuk e donin aso çfarë synonte Serbia ta bënte. Luftën e nisi dhe krimet i shkaktoi Serbia me të marrë territore të njësive të tjera federale.
Shqiptarët, ndonëse të parët u “hallashtisen” me komunizmin dhe sistemin njëpartiak, ndër të parët promovuan pluralizmin partiak në vitin 1989, kaluan 10 vjet nën okupacion derisa Kosova u bë shtet i pavarur demokratik, pluralist.