Dështimet në procesin e dialogut mund t’u atribuohen palëve. Pra Kosovës dhe Serbisë. Por, Bashkimi Evropian nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia për këto dështime. Kur në BE thonë se “nuk na intereson çfarë thonë, por çfarë bëjnë palët“, atëherë kjo duhet të vlejë edhe për BE-në. Sepse, pa marrë parasysh se vazhdimisht flet për “zbatimin e marrëveshjes në tërësi“ dhe “pa vonesa“, në BE nuk bëjnë shumë që kjo vërtet edhe të ndodhë
Përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, është kujtuar të japë një deklaratë në njëvjetorin e arritjes së asaj që BE-ja vazhdon ta quaj “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve“ mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit për zbatimin e saj. Mirë bën Borrell që të rikujtojë për këtë ngjarje. Por as kjo deklaratë nuk përmban ndonjë porosi konkrete e si e tillë as ajo nuk duhet të kuptohet sikur paralajmërim se diçka e madhe mund të ndodhë në procesin e dialogut. Sepse përsëritja e thirrjeve me kalimin e kohës bëhet dëshmi e dobësisë e jo e fuqisë së BE-së. Një vështrim në prononcimet e BE-së në 12 vjetët e shkuar nxjerr në pah një fakt jo edhe aq të mirë për kredibilitetin e BE-së. Dëshmon se jo me dhjetëra, por me qindra herë është bërë ftesë që obligimet nga dialogu të zbatohen “sa më shpejt“, “pa vonesa“ apo “urgjentisht“. Secili vit, secili përvjetor, secili takim i nivelit të lartë, në procesin shumëvjeçar të dialogut është konsideruar edhe nga BE-ja si “kyç“.
Shumë herë po ashtu është përdorur termi se “status quoja nuk është e qëndrueshme“.
E kur nuk është bërë asgjë në ndonjë periudhë e cila ishte quajtur si 2koha e fundit“ atëherë BE-ja ka përmendur kohët e reja “të fundit“.
Dhe kështu kemi ardhur në një përvjetor tjetër, të takimit në Ohër i cili thuhet se solli një pajtim për aneksin e implementimit. Aneksin të cilin vetëm disa ditë pasi u arrit e shkeli edhe BE-ja. Sepse Aneksi thotë se secila pikë e marrëveshjes duhet të zbatohet në mënyrë të pavarur nga pikat tjera dhe nuk mund të bëhen kushtëzime të njërës me tjetrën. Dhe vetë BE-ja këtë e shkeli kur vendosi që si hap i parë të kërkojë nisjen e procedurës së themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. E shkeli po ashtu kur heshti pasi Serbia kundërshtoi nisjen e procedurës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe kur Serbia u dërgoi letër disa vendeve anëtare që të kundërshtojnë edhe kërkesën për anëtarësim në BE, Bashkimi Evropian akoma, as pas një viti, nuk e ka quajtur këtë veprim të Serbisë si shkelje të obligimeve nga marrëveshja. E Serbia është shprehur se për të nuk ekzistojnë obligime që të pranojnë shtetësinë e Kosovës, anëtarësim në organizata ndërkombëtare apo respektim të integritetit territorial. Me fjalë të tjera, Serbia ka bërë të qartë se nuk ka pranuar asnjë “Marrëveshje“, por vetëm “një koncept për normalizim nga i cili diçka do të zbatojë e diçka jo“.
Dhe BE-ja ka heshtur ndaj kësaj sjelljeje të Serbisë. Nuk kanë dhënë asnjë deklaratë, Edhe ato që janë quajtur si “reagime të BE-së“ kanë qenë më shumë përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve sesa vërtet reagime.
Kështu edhe pas një viti, mbetet pyetja se a ka apo jo marrëveshja. A ka apo jo Aneks për zbatimin e saj. Nëse ka, atëherë pse nuk është nënshkruar dhe pse heshtet kur njëra palë thotë se nuk e ka pranuar një marrëveshje të tillë. Në përgjigjet e veta BE-ja është kufizuar në sqarimet se “marrëveshja është ligjërisht obliguese, edhe pse nuk është nënshkruar“ dhe për këtë gjen mbështetje në konventën e Vjenës për marrëveshjet ndërkombëtare.
Fati i marrëveshjes një vit pas arritjes së saj në fakt është i njëjtë me fatin e normalizimit të raporteve. Këto raporte janë më pak normale sesa që ishin. Dhe optimizmi për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë sot është më i vogël sesa që ishte para një viti kur BE-ja në mënyrë triumfale pohoi se u arrit pajtimi. Dhe tash BE, përderisa rikujton marrëveshjen, shpreh edhe keqardhje pse palët “shumë pak kanë zbatuar obligimet nga ajo“. Por fajin nuk duhet kërkuar vetëm tek palët në dialog sepse edhe BE është palë. Nuk është vetëm një “lehtësues logjistikë“, por më shumë. Dhe BE nuk ka bërë sa duhet për të detyruar palët ta zbatojnë marrëveshjen. Sidomos jo ndaj palës serbe e cila vazhdon të tallet dhe ofendojë edhe BE-në edhe Kosovën. Le të shihen vetëm deklaratat që ka bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pikërisht në ditën kur Borrell dha deklaratën për përvjetorin e marrëveshjes. Vuçiqi nuk ka kursyer fjalë nga fjalori i tij i pasur për bashkësinë ndërkombëtare, nga hipokrit e deri te gënjeshtarë. Edhe ky fjalor dëshmon se sa janë Kosova dhe Serbia larg normalizimit.
Dështimet në procesin e dialogut mund t’u atribuohen palëve. Pra Kosovës dhe Serbisë. Por Bashkimi Evropian nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia për këto dështime. Kur në BE thonë se “nuk na intereson çfarë thonë, por çfarë bëjnë palët“ atëherë kjo duhet të vlejë edhe për BE-në. Sepse, pa marrë parasysh se vazhdimisht flet për “zbatimin e marrëveshjes në tërësi“ dhe “pa vonesa“ në BE nuk bëjnë shumë që kjo vërtetë edhe të ndodhë.
Ja për shembull, BE-ja akoma nuk e ka përfshirë obligimin e zbatimit të marrëveshjes në kornizën negociuese për negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Jo që kjo do të ndryshonte diçka, por së paku dëshmon se as BE nuk e merr seriozisht atë që vetë e thonë zyrtarët e saj të lartë. Në BE në anën tjetër janë mobilizuar që të parandalojnë që Serbia ta ketë si kusht për të përdorur mjetet nga fondi evropian për rritje ekonomike me mbështetjen e politikës së jashtme të BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Parlamenti Evropian ka mbetur i vetëm në kërkesë që edhe kjo të jetë kusht por kështu nuk mendojnë në Komisionin Evropian dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së në Këshill. Ndërsa kushti për “angazhim konstruktiv“ në zbatimin e obligimeve nga dialogu është i hapur për manipulime nga strukturat e BE-së, sepse a është angazhuar apo jo në “mënyrë konstruktive“ ndonjëra palë, vlerëson Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm (EEAS). Dhe ata kanë dëshmuar se janë të prirë të konfirmojnë se Serbia po sillet në mënyrë konstruktive e Kosova jo. E kanë thënë disa herë edhe publikisht, me më shpesh edhe në takime me vendet anëtare, përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak. Por asnjëherë nuk e kanë fajësuar Serbinë, maksimumi ka qenë kur kanë thënë se “të dyja palët kanë dështuar në implementim”. Ndërsa vetëm Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së e Serbia jo.
Edhe thënien se “ky është momenti kyç“ e kemi dëgjuar disa herë gjatë procesit të dialogut duke e lidhur me fundin e mandatit të Komisionit Evropian e me këtë edhe të përfaqësuesit të lartë. Së shpejti do të bëhen edhe katër vite prej kur është ka nisur mandatin e tij Miroslav Lajçak si i dërguar i posaçëm për dialog. Dhe në këto katër vjet pakkush ka parë progres, më shumë është bërë kthim serioz prapa në proces. Dhe tash me raporte aspak normale mes vete Kosova dhe Serbia mund të presin edhe Komisionin dhe Parlamentin e ri Evropian, siç i kanë pritur edhe në tre mandatet e fundit. E sot askush më nuk pyet se ku janë Catherine Ashtoin apo Federika Mogherini dhe kush mund t’i thërrasë në llogaridhënie për atë që kishte ndodhur në kohën e tyre kur ishin në krye të politikës së jashtme të përbashkët të BE-së dhe kur, sikur edhe sot, normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ishte prioritet dhe duhej të ndodhte “menjëherë“, “pa vonesa“ dhe “urgjentisht“.