OpEd

Tri dimensionet e një lëmshi

Arsimi në Kosovë sot ka marrë trajtën e një lëmshi. Atij që sistemi e katandisi në derexhenë në të cilën është sot. Kah fundi i listës së vendeve të testuara në njohuritë për lexim, matematikë e shkencë. Dhe për të tretën herë me radhë. E këtij lëmshi më s’po i gjendet as ajo fija më e vogël e perit që do të lidhej për gjilpërën që do ta shthurte

Është pedant e flokëkrehur sa herë që rastis ta takosh. I ka nja 30 e kusur vjet. Afër të 40-ave me tahmin. Mësimdhënës në një shkollë me nam të mirë në kryeqytet. I rreptë, sa më s’bëhet. Njihet si burri që di t’i disiplinojë edhe më të padisiplinuarit. Meqë i tillë është, përzgjidhet sa herë që duhen vënë në binarë problematikët.

Këtë vit mision e ka klasën “më të keqe”, siç e quan. Atë që përherë veç për telashe njihet. Që identifikohet me zhurmë e mungesa. Që s’e “tërheq” asnjërin nga kolegët e tij mësimdhënës për të zhvilluar me qejf një orë mësimore aty. Fjala është për nja 30 e kusur nxënës, secili natyrë e hall më vete. E barra për t’i vënë në njëfarë rregulli bie fill mbi supet e tij. Punën ky mësimdhënës, që në këtë shkrim është mësimdhënësi A, e nis me metoda të veta e veçse të provuara. Thotë se deri më tani i kanë hyrë në punë.

“E mira për të mirin. Për të keqin, edhe më e keqja”, është mantra që mendon se ia solli sukseset e gjertanishme. E në rrugën drejt suksesit, përherë kërkon aleatë. Te mësimdhënësit e tjerë, punëtorët teknikë, prindërit.... e ç’është më e rëndësishmja, te vetë nxënësit. Lyp që secili, me aq sa di e mundet, t’ia raportojë qoftë edhe të keqen më të vogël të klasës. Po qe se informata që ia shërbejnë konfirmohet e saktë, pason shpërblimi për “informatorin besnik”. Një plus në lëndën e tij.

Në kushtet e sotme, plusi është goxha njëfarë luksi. Ditarin mësimdhënësi A ankohet se e ka mbushur me emra nxënësish që kanë nga dy e më shumë njësha. Suksesit të dobët s’di se si t’i bëjë zgjidhje. Tekefundit, thotë pa një të keqe, edhe ashtu në fund asnjëri s’do të ngelë. Krejt do të dalin një klasë tutje. Se “dikush” i madh, të cilit s’ia vë emrin, kështu jep urdhër.

*****

I shtyrë në moshë, por modern e i ri në shpirt është mësimdhënësi B. Goxha një pjesë të jetës, që prej mesit të 70-ave e deri në shpërthimin e luftës, ia kushtoi këtij profesioni. I rreptë s’ka qenë kurrë. Me telashexhinj e nxënës problematikë s’do mend që i ka rastisur të ketë pasur punë në vazhdimësi. Se gjatë karrierës së gjatë prej profesori i ka rënë t’i marrë nën kujdestari pa numër klasash. Aso të mira, me nxënës të shkëlqyeshëm në shumicë, por edhe të tillë me sukses më të dobët, me mungesa, vërejtje, parapërjashtime e çka mos tjetër.

Mësimdhënësi, asokohe i ri, vetes ia pati vënë dy synime. Të gjithë nxënësve do t’ua nxiste mendimin kritik për zgjidhjen më të lehtë të problemeve. I sfidonte fillimisht me vizatime. Zgjidhte njërin, krejt rastësisht, e nxirrte në tabelë dhe e shtynte të bënte vija e shkarravina çfarë veç mendja mund t’ia prodhojë. Lëmshit që ia krijonin me shkumës në tabelë gjithherë një zgjidhje ia gjente. Herë në formën e një gjilpëre që rri aty diku në fund lidhur për fijen e perit të asaj katrahure të sajuar vizash të paformë, herë si ndonjë kafshë, bimë a sirenë. Punë imagjinate më.

Zgjidhja gjithmonë i vlerësohej me të qeshura nga nxënësit. E ora mësimore kurrë s’i bëhej bajate.

Të dytin synim e pati më sfidues. T’i bënte që ta donin leximin. Në një ditë mësimi, dikur nga të 80-at, ai hyn në njërën prej klasave që i nxirrte vazhdimisht probleme kolegut të tij, me po aq libra në duar sa edhe kishte nxënës. Tridhjetë e dy.

Disa i bleu enkas për këtë shkak, e disa i mori nga biblioteka e shtëpisë së tij. Secilit nga nxënësit ia dha nga një. Caktoi një afat s’di se sa ditësh për t’i lexuar. Kur afati kaloi, kërkoi që librat e lexuar t’i këmbenin mes vete. Në fund të gjysmëvjetorit, secilit do t’i binte të lexonte nga 32 libra.

Po, e pranon edhe vetë. Jo të gjithë i patën lexuan të tridhjetedytat, porse thotë që të paktën 80 a nja 85 për qind e bënë.

Tek e kujton ngjarjen e kahershme gjatë një muhabeti krejt spontan, nën shoqërinë e një gote vere të zezë, në një mbrëmje këtë fillimdhjetori, i bie ndërmend njëri nga këta nxënës. Tregon se ai sot qenka bërë mjek goxha i njohur diku në New York, ku jeton edhe vetë që prej luftës. Ani se të dy në të njëjtin qytet, nxënësin nuk e ka takuar asnjëherë. Por ajo që ia kujtoi djalin ishte postimi i kohëmëparshëm i tij në Facebook. Në këtë postim djaloshi që tani është burrë e mbante “fajtor” që ende nuk rresht së lexuari libra, si ata që i duhen për profesionin prej mjeku, e si të tjerë, dosido. E profesori tani prej vitesh në pension e quan këtë si dëshmi “të gjallë” që qëllimin e paskësh arritur. Qoftë edhe veç te njëri prej atyre 32 nxënësve.

******

Leximin krenohet se ia zotërojnë, edhe rrjedhshëm bile, krejt nëntëvjeçarët që i mëson në klasë. Kur flet përgjithësisht për suksesin e fëmijëve, mësimdhënësja C thur kryesisht lavde. Aty-këtu numëron ndonjë telash. Mungesën e kushteve, të ndonjë dollapi a varëseje xhupash. Të kësaj natyre.

Por muhabeti del ndryshe kur vjen puna te takimet individuale me prindër.

“Filani më bën kështu në klasë”, “ai tjetri hiç s’rri rehat” e “ky valla duhet të mësojë më shumë”. “I di”, thotë, “i di gjërat ama..... Fisteku kur del në tabelë, ta kënaqë zemrën, si bilbil”, shprehet ajo tek i kërkon prindit që të merret më shumë me fëmijën. Fëmija jo që s’mëson, por “disi s’e kënaq” sikurse Fisteku. Mësimdhënësja do që krejt të dinë, të jenë “bilbila”.

Në periudhën kur unë isha filloriste e edhe në shkollë të mesme, “bilbila” u thoshin atyre nxënësve që mësimin dinin ta recitonin pa asnjë pikë mangët e pa asnjë presje më shumë. Fiks sikurse në libër.

Si atëherë, edhe tash ka prej atyre mësimdhënësve që e pëlqejnë këtë formë të dijes. Kishte dhe ka edhe syresh që më shumë e vlerësojnë të mësuarit e esencës dhe të shkuarjes përtej rreshtave të tekstit mësimor. Ama po del se këta s’janë të shumtë.

Këtë na e tregoi sërish testi PISA. Krahas suksesit të dobët, arsimit në Kosovë sivjet ia ngjiti etiketën “regres”.

Regres na demonstroi se është bërë veçmas në të kuptuarit e asaj që lexohet. Sipas raportit “PISA 2022”, del se 83 për qind e pesëmbëdhjetëvjeçarëve që iu nënshtruan këtij testi nuk arritën ta kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare. Pasoja, bazuar në raport, të mësuarit mekanik. Të mësimit veç për ta kënaqur një mësimdhënës A, B apo C. Por jo edhe për të ditur.

Për të ditur kërkohet lexim. Jo tekstesh Facebooku, Instagrami a përmbajtjesh Tik-Toku. Librash.

Sot, bazuar në një hulumtim të organizatës ETEA, 70 për qind e gjimnazistëve në Kosovë del se nuk arrijnë t’i numërojnë as tre tituj librash që kanë lexuar gjithë jetën. Kurrikula arsimore atyre ua kërkon që për çdo muaj ta lexojnë nga një libër. Këtë s’e kanë fort hall. Të paktën njëri prej të gjithë nxënësve të shkollës gjithsesi duhet ta ketë lexuar dhe shkruar referatin. E të tjerët, kopjojnë çalas atë që u servohet.

Fundja, kush do ta dijë. Vitin edhe ashtu do ta kalojnë.... siç e thotë mësimdhënësi A që i përmend urdhrat e atyre të “mëdhenjve”.

Të mëdhenjtë i bie të jenë sistemi që është krijuar që prej vitesh. Ai sistem që arsimin e katandisi në derexhenë në të cilën ndodhet sot. Në fund të listës së vendeve të testuara në njohuritë për lexim, matematikë e shkencë. Dhe për të tretën herë me radhë. Që e prodhoi një lëmsh të cilit më s’i gjendet as ajo fija e perit që mësimdhënësi B di ta lidhë mjeshtërisht nëpërmjet vizave pjerrake për gjilpërën e vizatuar për ta shthurur.