OpEd

Tre shokët e banakut dhe një utopi

Letra e sekretarit Blinken disa ditë para vdekjes së gjeneralit Divjak hap pyetje se a është normaliteti i një shteti qytetar evropian utopi?

1.

Jam në një bar gjysmë të errët të një hoteli në Gjenevë, është viti 1993 apo 1994 dhe në banak me mua janë një këngëtar, një konstitucionalist dhe një gjeneral, që të tre boshnjakë - ashtu siç i kam quajtur prej fëmijërisë njerëzit që vinin nga Bosnja e Hercegovina. Këngëtari është Kemal Monteno, një figurë e dashur gjithandej ish-Jugosllavisë, konstitucionalisti është dr.Zdravko Grebo, një intelektual po ashtu me emër të madh dhe gjenerali është Jovo Divjak, komandanti i mbrojtjes së Sarajevës.

Jemi në një konferencë që synon të tregojë se ka njerëz që duan paqen në ish-Jugosllavi, një ndërmarrje fisnike dhe në masë të madhe jo shumë produktive. Më së shumti që arrin është ndoshta t’u tregojë atyre që edhe ashtu janë të bindur - akademikëve, pjesëtarëve të shoqërisë civile, gazetarëve me simpati për ne - se lufta nuk është pjesë e kulturës së “urrejtjes qindravjeçare”. Po ashtu arrin t’i nxjerrë për disa ditë nga rrethimi i Sarajevës - qoftë edhe për një fundjavë miqtë e mi të banakut të Gjenevës.

Rrugëtimi i tyre kishte filluar në mëngjes, duke u futur në një autotransportues të blinduar të OKB-së deri në një pikë të qytetit ku nuk mund të kalohej më me siguri, madje as me të autoblindë të atillë. Prej aty, duhej futur në një tunel të groposur në lartësinë e njeriut të kërrusur e që me karroca të minatorëve të tërhiqej deri në pikën tjetër, afër aeroportit të Sarajevës. Aeroplani ushtarak i kontraktuar nga OKB-ja i kishte shpënë në Aviano, e prej aty kishin marrë transportin e rregullt për në Gjenevë. Me kontrastin më të madh të mundshëm, jemi në bar gjysmë të errët, me një gotë kurtoazie nga organizatorët e konferencës, dëgjohet një piano e lehtë në prapavijë. Dhe pyes:

- A ju gjuanin serbët me snajper e artileri edhe sot?

Që të tre sinjalizojnë me dorë e buzëqeshje, si të thonë “mos pyet, qe një ditë rutine”.

E Jovo Divjak shton:

- Edhe unë jam serb.

2.

Ndoshta nuk ka këmbim më të thjeshtë, mes pyetjes sime dhe përgjigjes së gjeneralit për të treguar dallimin drastik mes lehtësisë së përgjithësimit dhe ndërlikimit të një realiteti. Gjuha përgjithësuese gjeti lehtë formulimin me të cilin forcat e armatosura të gjeneralit Mlladiq, që gjuanin me snajper e artileri qytetin e Sarajevës dhe banorët e saj ishin “serbët”. Realiteti i ndërlikuar qe më heroik: gjenerali Jovan Divjak i cili u vu në mbrojtje të Sarajevës që nga momenti kur APJ u vu në shërbim të politikës së S.Milosheviqit (dhe Karaxhiqit e Mlladiqit) ishte serb. Siç ishte serb Bogiç Bogiçeviqi, ish-anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë, i cili përkundër presionit të jashtëzakonshëm të APJ-së dhe Milosheviqit ishte konsistent në votën kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Jugosllavi. Në të filluar lufta, Bogiç Bogiçeviqi me familjen vendosi që të mbeten në Sarajevë me bashkëqytetarët e vet deri në fund të saj.

Përgjithësimi ka mundur të jetë një rrëshqitje gjuhësore e pamenduar, si në rastin tim, apo ka mundur të jetë, siç është bërë tashmë, paragjykim, pra se, po, që të gjithë serbët ishin të interesuar që nga kodrat e Sarajevës të vrisnin ata që mbetën në Sarajevë dhe se po, që të gjithë serbët ishin të interesuar që të vriteshin të gjithë ata në Srebrenicës e vende të tjera. Pra, që rrjedhimisht, në mënyrë që të arrihet paqja në BeH në emër të të gjithë serbëve, do të flisnin ata që gjuanin nga kodrat e Sarajevës dhe se vetëm kur të kënaqeshin ata që kryen gjenocidin në Srebrenicë do të ishte e mundur që të gjithë serbët të pajtoheshin me paqen dhe ardhmërinë e BeH.

Ky paragjykim u shndërrua në sistem kushtetues të BeH, me marrëveshjen e Daytonit. Nuk qe Kushtetutë që do ta prodhonin miqtë e mi të banakut të asaj nate në Gjenevë; do të jetë Kushtetutë e prodhuar në masë të madhe nga ata që i gjuanin me snajper e granata në mëngjes, përderisa niseshin për në aeroport.

3.

Tre miqtë e mi të banakut nuk janë më të gjallë. I treti, Jovan Divjak, u varros dje më 13 prill, njëzetenëntë vjet pasi u vu në mbrojtje të Sarajevës. Kur e pyetën se përse ndërroi anë, përse u vu në krye të ushtrisë së BeH dhe braktisi APJ-në ai u përgjigj se nuk ishte ai që ndërroi anë. “Unë në APJ e mora detyrën të mbroja Sarajevën në rast luftë, dhe këtë e bëra”.

Të tjerët ndërruan anë. Dhe duke ndërruar anë, i dhanë fund një a më shumë utopive. Njëra ishte se popujt e BeH do të ishin sikur Kemal Monteno, Zdravko Grebo e Jovan Divjak, njerëz të mirë e paqedashës, madje se ishte e mjaftueshme që njerëzit të jenë të mirë e paqedashës dhe që jeta të vazhdojë siç ka qenë, apo që të bëhet edhe më e mirë. Tjetra është një universale e cila përcjell jo pak njerëz gjithandej në botë: besimi se po të duan njerëzit, po të kenë mjaftueshëm dëshirë për paqe e për dashuri, harmonia dhe paqja do të sundonte në to. Është besimi se marrëdhëniet mes njerëzve nuk varen nga institucionet, shteti, demokracia, por vetëm nga vullneti i mirë.

Në fakt, në BeH, ku ka ekzistuar një kohezion më i madh identitar sesa në shumë pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë (posaçërisht në relacionin mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë), u dëshmua se e tërë dashuria dhe dëshira për paqe shndërrohen në viktima kur ekziston një forcë e përqendruar e dhunës siç ishte politika e Milosheviqit dhe nuk ekzistojnë institucione të shtetit dhe mburojë legjitimiteti demokratik që ta pengojnë atë shkatërrim.

4.

Disa ditë para se të vdiste Jovo Divjaku, sekretari amerikan i shtetit Blinken i shkruante kryesisë treanëtarëshe të BeH një letër ku u thoshte se duhet ta reformojnë shtetin. Në njërin prej sugjerimeve të natyrës së reformës ishte zbatimi i aktgjykimit Sejdiq-Finci të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dervo Sejdiq, rom, dhe Jakob Finci, hebre, iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut duke e vënë në sprovë tërë konceptin kushtetues të ndërtuar nga paragjykimi, nga ata që gjuanin nga kodrat e Sarajevës. D.Sejdiqit dhe J.Fincit Gjykata u dha të drejtë: si rom e hebre edhe ata do të duhej të gëzonin të drejtat e njëjta, përfshirë edhe të drejtën të jenë të propozuar e zgjedhur në të gjitha funksionet politike të vendit.

Gati tridhjetë vjet pas fillimit të luftës në BeH dhe disa ditë para vdekjes së Jovo Divjakut, sekretari Blinken mund të ketë dashur të shpjegojë qëndrimin e administratës së presidentit Biden, të atij që kujdesej për Bosnjën atëherë kur për të fliste pothuajse askush në Washington. Por, njëkohësisht nxori një dilemë të thellë për një konflikt ende të papërfunduar: a është utopi normaliteti i një shteti qytetar evropian?