OpEd

Tre rrathë viciozë (plot me para iluzore)

Qeveritë e botës mund të futen në huamarrje të reja dhe emergjente e me to edhe Qeveria e Kosovës. Pyetja është se për çka do t’i shpenzojë paratë, nëse ato vijnë?

1.

Një grup veteranësh të UÇK-së protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me kërkesë që pensionet e tyre të rriteshin bashkë me rritjen e pagës minimale. Arsyetimi tashmë si zakonisht u kërkua në rrafshin e moralitetit (“Ne ju çliruam, ju duhet të na shpërbleni”). Po të mbetej në rrafsh moraliteti debati mund të zhvillohej edhe më tej e me ngarkesë plotësuese emocionale dhe për këtë nuk mungon arsenal kundërargumentesh. Njëri prej tyre, që del zakonisht, është se si mund të thirren në moralitet ata që prej 12 mijë veteranësh arritën në 60 mijë e me tendencë që ky numër të rritet në të ardhmen, me rifreskim kujtese për ata që morën pjesë në luftë. Apo tjetri, konstatimi se Kosovën e çliroi NATO-ja. Apo, në vazhdë të kësaj: çka kanë bërë më pak për këtë vend ata që u përballën me regjimin e Millosheviqit, e si Fehmi Agani u vra nga pushteti i Millosheviqit (së bashku me shtatë mijë civilë të tjerë shqiptarë)?

Por, çështja duhet të zbresë nga niveli i moralitetit, ngase tashmë në shoqëri ekziston një vendim kolektiv se duhet shpërblyer, qoftë edhe simbolikisht me pension, kontributin e luftës së armatosur të UÇK-së. Ky vendim tash prek në sferën e racionalitetit, pra, në numra që janë kategori joemocionale. Dhe, kështu mbërrijmë te buxheti i Kosovës, gjegjësisht bruto prodhimi kombëtar nga i cili ndahet 0.7 për qind për nevoja të veteranëve. Në këtë sferë racionaliteti, për veteranë ka para aq sa ka prodhim; po të jenë 12 mijë sa ishin në fund të luftës, kjo shumë do të ndahej te më pak veta sesa sot, kur janë 60 mijë apo 80 mijë pas disa vjetësh.

2.

Megjithatë, shënjestërimi i veteranëve si kategori e veçantë, e cila kërkuaka më shumë privilegje, është i gabuar dhe i dëmshëm. Rritja e numrit të veteranëve përkon me rritjen e numrit të shfrytëzuesve të parasë publike kudo. Në administratë publike, Qeveri e komuna, ka më shumë njerëz të punësuar sesa nevojiten. Dikush ende mban mend autobusët e pasluftës, të cilët sillnin aktivistët e partive në pushtet për t’u punësuar e për të marrë pjesë të tortës së pushtetit. Në PTK e RTK, që morën namin e institucioneve për mjelje fondesh, rritja e numrit të punësuarve dukej të ishte më e shpejtë se kapërcimi i një dite kalendarike në tjetrën. E, pra, nëse familjet (partiake) kanë punësuar njerëzit e vet pa kurrfarë nevoje, duke shumëfishuar shfrytëzuesit e parasë publike, është krejtësisht sintone edhe rritja e numrit të veteranëve. Nga aspekti ekonomik në që të dyja rastet - punësimi i panevojshëm dhe regjistrimi i veteranit të paqenë - nuk prodhon vlerë të shtuar, por është shpërblim për veprim joekonomik (votë, përkatësi partiake, etj.).

Por, nga aspekti ekonomik (tashmë kur kemi konstatuar se nuk ka sens ekonomik në këtë numër shfrytëzuesish të parasë publike) argumenti i veteranëve protestues – se çdo gjë shtrenjtohet, ndaj duhet rritje të pensioneve - ka sens. Pra, nëse të punësuarit e sektorit publik, në mesin e të cilëve ka më shumë se ç’nevojiten, kërkojnë t’u rriten pagat - përfshirë këtu SBASHK-u, i cili është i rregullt në mbajtjen e rezultateve të ulëta të nxënësve të Kosovës në PISA dhe protestave për rritje rrogash si shpërblim - përse këtë të mos e bëjnë veteranët, përfshirë edhe ata që janë të rrejshëm?

Dhe, këtu vijmë te rrethi i parë vicioz: në dhjetë vjetët e fundit ai që ka në dorë paranë publike i ka rritur rrogat e sektorit publik edhe kur ka pasur kërkesë proteste apo kur ka pasur nevojë për votat e atyre që kanë mundur të protestonin, ndërkohë që dora e sektorit privat, që i ka dhënë paratë për rritjen e rrogave sektorit publik, ka mbetur në të njëjtin nivel.

Nëse një i punësuar i ndërmarrjes publike sot merr dyfish rrogë më të madhe se ai i ndërmarrjes private, pse duhet të ekzistojë sektori privat?

3.

Prej këtij rrethi të parë vicioz - se do mbajtur të lumtur sektorin publik deri në zhdukjen e sektorit privat - lehtë kalohet në rrethin e dytë, se me krizën e madhe me të cilën ballafaqohet Kosova (së bashku me tërë botën) vendi do të lehtësohet nëse qytetarët marrin 30 për qind të parave të tyre të kursyera të trustit. Nga aspekti ekonomik kjo do të thoshte që të rritet masa e parasë në qarkullim pa mbulueshmëri prodhimi, do të krijohej një sens i shkurtër lehtësimi dhe një efekt inflator, pra rritje të mëtejme çmimesh.

Por, nga aspekti politik? Çuditërisht, një ide e këtillë vjen nga opozita, ndoshta për të llogaritur në efektin e njëjtë populist të atij që ka mundësuar derdhjen në xhirollogari të disa eurove të papritura. Por, efekti i vërtetë politik është i kundërt me rolin e opozitës. Një opozitë në Kosovë sot do të duhej t’ia shtronte pyetjen pushtetit: jemi në krizë globale, çka keni ndërmend të bëni?

Gjegjësisht, çka keni ndërmend të bëni pos shpërndarjes së 100 eurove, një gjest tashmë i harruar dhe pa ndonjë efekt të matshëm ekonomik? Gjegjësisht, çka keni ndërmend të bëni pasi të kalojë vala e eurove të diasporës këtë verë e kur ballafaqohemi me njërin prej dimrave më të vështirë prej fundit të luftës më 1999?

Sepse, të shpërndash 100 euro (200 a 300) është rrethi i tretë vicioz i iluzionit të parasë, i idesë se me injeksione të këtilla shtohet konsumi e kërkesa agregate dhe rigjenerohet ekonomia e zbuten efektet sociale të krizës.

4.

Nobelisti amerikan Joseph Stiglitz paralajmëroi gjatë kësaj jave se kalimi prej krizës së COVID-it në këtë të luftës në Ukrainë e ka lënë botën e varfër e në zhvillim në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Ballafaqimi me dy pasiguri të mëdha globale - të ushqimit dhe energjisë - do të çrregullojë një pjesë të madhe të botës jo të pasur. Dhe, shkruan ai si sugjerim, njëra prej masave imediate duhet të jetë huamarrja për këtë pjesë të botës nga fondi special i FMN-së. Në kushtet kur çdo gjë shtrenjtohet, pra edhe kapitali, ky fond special (apo të drejta speciale tërheqjeje) do të siguronte që vendet në zhvillim të kishin kapital të freskët për të nxitur ekonomitë e tyre. Pa të, pa huamarrje emergjente, vendet në zhvillim lëre që nuk mund ta nxisin ekonominë, por nuk do të mund t’i bëjnë rezistencë krizës së ushqimit dhe energjisë.

Një drejtim i këtillë duhet të vlejë për Kosovën apo posaçërisht për Kosovën, që të dalë së paku konceptualisht nga rrathët e vet viciozë të parave iluzore.

Por, para se ta kalojë këtë prag, pyetja do të ishte: ku do të futej kapitali i freskët që i vihet në dispozicion shtetit të Kosovës?