OpEd

Tre nëntori historik për Amerikën. Dhe për ne

Epilogu pritet ethshëm kudo – prej Azisë në Evropë e deri në Ballkan e Kosovë. Teksa katër vjetët e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë e shpërfaqën një SHBA të dobësuar në taborin e politikës së jashtme dhe të ndarë e të polarizuar përbrenda, s’do mend se në diskursin publik shumëkush pret fitore të Bidenit

Për hiç më shumë se 20 minuta, vetëm njëzet, Donald Trumpi tha se e ndali një luftë të tërë. Të ashpër, me vrasje të shumta e shumëvjeçare. “40… Jo, jo them se 400. Po, katërqindvjeçare”.

“Me puthje e përqafime në Zyrë Ovale”, dy burrat përfaqësues të këtyre palëve ndërluftuese – ulur njëri në njërën e tjetri në anën tjetër të tij – ky “mjeshtër i ujdibërjes” u kapardis se në fund i bindi që t’i ndalnin vrasjet mes vete. “Fare lehtë!”

Ua vuri në tavolina gjithsecilit veç e veç nga një grumbull letrash jo krejtësisht identike e që përmbanin marrëveshjen “historike” që as njëri dhe as tjetri nuk e njihnin sipas versionit të saktë e përfundimtar para atyre minutave. Dhe kështu tha se shpëtoi shumë jetë. Se kjo është gjë e mirë... madje për “Nobel” të paqes.

Burrat që i mblodhi në zyrë këtë fillimshtator ishin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Dhe kur firmat në ato letra i vunë, akëcili i ndodhur atë ditë në atë zyrë e interpretoi ngjarjen sipas qejfit. Kosovari si një fitore që ia solli njohjen, ani pse ende të pajetësuar, nga Izraeli. Serbi si takim me Washingtonin për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me anë të hapjes së Ambasadës në Jerusalem. E amerikani si një triumf “historik” diplomatik. I ardhur bash në kohën e duhur. Fare pak muaj para zgjedhjeve presidenciale të tre nëntorit. Ditës kur ky republikan, që po ngec prapa në sondazhe, do të përballet me rivalin demokrat Joe Biden për zgjedhjet peshëmëdha jo vetëm për Amerikën, por gjithë botën.

Krejt muhabeti i luftës 400-vjeçare Kosovë-Serbi dhe marrëveshjes “historike” në Washington e shpërfaq vetëm një gjë. Se Trumpi s’çan fort kokën për faktet dhe të pamohueshmet historike. Luftimet e vrasjet që pretendoi se i ndali veçse kishin përfunduar nja njëzet vjet më parë.

Ujdinë e paketoi me një parafrazim në Twitter si “ditë të madhe të paqes për Lindjen e Mesme”. Ngase “Kosova me shumicë myslimane dhe Izraeli ishin dakorduar për normalizim të marrëdhënieve dhe krijim të relacioneve diplomatike”, në shembullin që edhe “më shumë vende islamike e arabe do ta pasonin”. Kjo, siç do të thoshte artisti Gani Jakupi, në një intervistë për emisionin “Desku” të KTV-së, i bie se “Trumpi as nuk e di se ku është Kosova”.

E pavarësisht se ku është, Kosova as s’ka qenë dhe as s’është ndonjëfarë teme e rëndësisë politike për të, veç një mjet për përdorim në fushata.

*****

Me të gjitha që ka thënë dhe ka bërë qysh nga fundjanari i 2017-s, kur zyrtarisht ka marrë detyrën e presidentit, Trumpi ka shpërfaqur përpara syve të botës një Amerikë si asnjë tjetër më herët.

I vendosur në jetësimin e sloganit të tij elektoral për ta bërë “Amerikën të madhe përsëri”, ai ka ndryshuar thelbësisht imazhin e saj.

Marrëdhëniet transatlantike i ka çuar drejt rënies së re të lirë. Duke ua kthyer kurrizin shumë aleatëve e shfaqur tendenca përafrimi me liderë namkëqij e autoritarë. Buzë ndezjes e çoi edhe luftën tregtare me Bashkimin Evropian. Dhe e urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, vendi që qortoi se nuk po paguante sa duhet për mbrojtjen në kuadër të NATO-s. Ndërsa NATO-n e quajti “të dalë mode”.

Kësisoj, Amerikën nismëtare të integrimeve mes shteteve e organizatave dhe aleancave botërore e shkëputi prej shumë syresh. E tërhoqi prej marrëveshjes ndërkombëtare për frenimin e programit bërthamor të Iranit, por dhe prej asaj të klimës, arritur më 2015 në Paris. Dhe në mes të krizës me pandeminë e koronavirusit, e paralajmëroi tërheqjen dhe ndaljen e fondeve amerikane për Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kësaj agjencie të OKB-së ia dha edhe namin e “kukullës së Kinës”, pse nuk reagoi me kohë kur funddhjetorin e 2019-s nga Wuhani po mbërrinin raporte për rastet e para të infektimit me virusin deri atëherë të panjohur për shkencëtarët.

Ama, jo edhe për Trumpin. Se ai veçse e dinte që ky ishte “virusi kinez”. Pa ofruar as edhe një mbështetje të vetme faktike, pretendoi se ishte i projektuar dhe i dalë nga laboratorë të Kinës. Dikur më vonë, kur virusi i theu kufijtë e Kinës për të mbërritur në vendin e tij, i refuzoi mbylljen e ekonomisë dhe masat esenciale për ndaljen e hovit të përhapjes, ani pse përherë e më shumë amerikanë po infektoheshin e po vdisnin. E edhe kur u sëmur vetë, me gjithë bashkëshorten dhe shumë pjesëtarë të stafit në Shtëpinë e Bardhë, prapë shpërfillës u tregua.

Si për të demonstruar se një virus kaq i vogël nuk mund t’i bënte gjë, e hoqi maskën mbrojtëse dhe mbajti fjalim para turmës së mbështetësve të mbledhur poshtë ballkonit të Shtëpisë së Bardhë, edhe pse ende nuk qe shpallur i shëruar. I vuri në rrezik jetët e qytetarëve që supozohej t’i mbronte, duke organizuar tubime të njëpasnjëshme elektorale pa maska e pa distancë. E në gjithë këtë mes arriti edhe t’u frynte flakëve të racizmit. Në kundërpërgjigje të amerikanëve që u ngritën në protesta kundër dhunës së tepruar policore që çoi në vdekje disa qytetarë me ngjyrë, ai e vuri në gjendje gatishmërie ushtrinë. Që të jenë gati, sinjal u dha edhe disa grupeve të së djathtës ekstreme, kësaj radhe po qe se natën e së martës së ardhshme nuk del ta ketë fitoren e sigurt.

Këtë gjë, si një rrezik serioz e ka cilësuar edhe analisti dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, në një intervistë për “Kohën Ditore”.

****

Krejt këto i bëjnë zgjedhjet e sivjetme presidenciale ndër më të veçantat ndonjëherë. Ngase epilogu pritet ethshëm kudo – prej Azisë në Evropë e deri në Ballkan e Kosovë.

Teksa katër vjetët e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë e shpërfaqën një SHBA të dobësuar në taborin e politikës së jashtme dhe të ndarë e të polarizuar përbrenda, s’do mend se në diskursin publik shumëkush pret fitore të Bidenit. Për të, ngadhënjimi më 3 nëntor do të nënkuptonte fillimin e një procesi të mbledhjes së copëzave të shkapërderdhura të Trumpit. Mbase së pari me përthekimin e dështimeve me pandeminë dhe kolapsin e brendshëm ekonomik, për të kaluar në riparimin e marrëdhënieve gjetkë.

Për dallim prej Trumpit që i hyri politikës prej karrierës në biznes dhe botën e shoubizit, Bideni është burrë me përvojë në politikë. Qyshkur u zgjodh senator më 1973-n, e pastaj edhe zëvendëspresident në administratën e Barack Obamas, Bideni ka pasur Ballkanin, bashkë me Kosovën, në agjendë të tijën. Ishte në mesin e atyre liderëve politikë amerikanë që më 1999-n i hapi rrugën intervenimit ushtarak të NATO-s. Dhe atyre që më 2008-n e mbështetën shtetësinë e saj.

Gjatë fushatës për këto zgjedhje, Bideni e ka theksuar qartë mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe njohjen e saj nga Serbia. Mbështetje të këtillë i ka dhënë edhe Bosnjë-Hercegovinës. Që nënkupton se Ballkani në përgjithësi do t’i zërë një vend në agjendë. Ndonëse për analistin Serwer rajoni nuk do të jetë i pozicionuar lart në listën e prioriteteve të tij, Bideni të paktën “e dallon të mirën dhe të keqen aty”. Ajo që mund të konsiderohet si e sigurt është se nën administratën Biden, Kosova nuk do t’i nënshtrohet një trajtimi të njëanshëm amerikan. Dhe marrëveshjet “historike” e luftërat e saja të paqena 400-vjeçare të mos bëhen mjet për fushata elektorale.