OpEd

Trauma që bartet nëpër breza

Përpjekja shumëvjeçare për rehabilitim ka treguar se pasojat e traumës së përjetuar nuk janë kufizuar vetëm te të mbijetuarit, por janë të shpërndara edhe në rrethin e tyre familjar

Për më shumë se 20 vjet, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka qenë vend i sigurt për qindra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në Qendër ata kanë ushqyer shpresën se mund të rimëkëmben nga pasojat e dhunës çnjerëzore të ushtruar mbi trupin dhe shpirtin e tyre. Por rezultatet e hulumtimit të fundit të QKRMT-së tregojnë se plagët e të mbijetuarve depërtojnë shumë më thellë se që shoqëria kosovare ka mundur ta parashikojë ndonjëherë.

Përpjekja shumëvjeçare për rehabilitim ka treguar se pasojat e traumës së përjetuar nuk janë kufizuar vetëm te të mbijetuarit, por janë të shpërndara edhe në rrethin e tyre familjar. Gratë që kanë qenë viktima të dhunës raportuan që vërenin vazhdimisht fëmijët e tyre duke bërë reagime të ngjashme me simptomat që përjetonin vetë ato. Duke parë veten e tyre te fëmijët, ato torturohen me pyetjet: “A jam nënë e mirë?”, “Si t’i mbroj fëmijët e mi nga vrazhdësia e krimit që kam përjetuar?”, “A do të rriten të shëndoshë, apo do të jenë të thyer si unë?”, “A po i shkatërroj fëmijët e mi me vuajtjen time?”

Si rrjedhojë, QKRMT ka iniciuar studimin e traumës ndërbrezore që të identifikojë metoda për zvogëlimin e ndikimit të saj, ndërsa gjetjet kryesore të këtij studimi janë të shpalosura në vazhdim.

Studimi në fjalë ka gjurmuar lidhjen mes stresit post-traumatik, prezent gjatë shtatzënisë te nënat e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe ndryshimeve të mundshme epigjenetike, të bartura te fëmijët e ekspozuar ndaj stresit post-traumatik gjatë zhvillimit prenatal. Studimi ka përfshirë 117 nëna të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe 117 prej fëmijëve të tyre më të vegjël. Nga këto, 84 nëna kanë qenë të diagnostikuara me stres post-traumatik gjatë shtatzënisë.

Kjo gjendje e stresit manifestohet me rikthime të ngjarjes së dhunës, ankth ekstrem, makthe gjatë natës, mendime negative rreth vetes dhe të tjerëve, distancim emocional nga familja dhe shoqëria, dhe humbje totale të shpresës dhe kapacitetit për emocione pozitive.

Në këto rrethana, mendja dhe trupi i personit të traumatizuar nuk janë bashkë.

Por, çfarë ndodh atëherë kur këta persona vendosin të krijojnë familje të tyre? Transmetimi psiko-social i traumës është verifikuar nga shumë kërkime psikologjike, por QKRMT ka synuar ta trajtojë këtë problem në rrënjën e saj. Për ta bërë këtë, është analizuar reaktiviteti i kortizolit në gjak dhe shënjuesit epigjenetikë të trashëguar nga fëmijët e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga lufta në Kosovë.

Për sqarim, ndryshimet epigjenetike prodhojnë ndryshime fizike apo fenotipore të trajtave, pa ndryshuar kodin gjenetik. Ato ndodhin si pasojë e ndikimeve mjedisore dhe përvojave gjatë jetës. Në anën tjetër, kortizoli është një hormon i cili tipikisht trajohet si pasojë e nivelit të lartë të stresit psikologjik.

Nga mostrat e marra, është parë se 30% e fëmijëve kanë nivele anormale të kortizolit në gjak. Fëmijët e lindur nga nënat me stres post-traumatik gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa për të përjetuar nivele të larta të kortizolit (15.5% mbi mesataren) në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa stres post-traumatik gjatë shtatzënisë. Për më tepër, stresi post-traumatik te nënat u raportua të jetë i lidhur edhe me metilizimin diferencial të ADN-së, që vërteton se ndryshimet në ADN-në e fëmijëve janë të bartura.

Këto gjetje argumentojnë se pasojat e dhunës dhe torturës seksuale te gratë janë përcjellë edhe te fëmijët, kryesisht përmes ADN-së. Implikimet e këtij transferimi të traumës janë jashtëzakonisht të mëdha, pasi që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek aftësitë vetërregulluese të fëmijëve të pasluftës, gjë që prek shëndetin mendor dhe cilësinë e jetës së një gjenerate të tërë.

Studimi i QKRMT-së, i botuar këtë maj në Epigenomics Journal, thekson rëndësinë e ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të lindur nga gratë që përjetojnë dhunë apo torturë seksuale gjatë luftës. Falë raportimeve të këtyre grave, QKRMT mund të krijojë intervenime efektive që kontribuojnë në shkëputjen e zinxhirit të traumës nëpër breza. Për vendet e dala nga konflikti, është esenciale që brezi i ri të marrë mbështetje adekuate gjatë zhvillimit të tyre, në mënyrë që rehabilitimi të ketë me të vërtetë sukses.

Në vitin 2019, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë, Institutit Dignity të Danimarkës, Universitetit Monash të Australisë dhe Spitalit Universitar të Kopenhagës, Hulumtimi Epigjenetik mbi Traumën Ndër-brezore fillimisht u hartua për të parë pasojat afatgjate të luftës në Kosovë dhe për të bërë intervenimet adekuate për to. Gjithsesi, rezultatet e këtyre intervenimeve do të shërbejnë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e tjera të sapodala nga konflikti.

Gjithashtu, vlen të potencohet që mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë esenciale dhe e palëkundur për realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, krahas mbështetjes së vazhdueshme që Ambasada jep për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Prandaj, një falënderim i thellë i takon Mbretërisë së Bashkuar, sidomos Konteshës Sophie të Wessex, fjalët e së cilës shpjegojnë në mënyrë perfekte kauzën dhe qëllimin tonë:

“Zotimi im [për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë] është që edhe unë do ta ngrejë zërin tim dhe do të vazhdoj të kërkoj mënyra për t’i dhënë fund stigmës me të cilën jetojnë, do të insistoj në kërkimin e drejtësisë dhe do të inkurajoj njerëzit në pozita me ndikim që të angazhohen në ofrimin e mbështetjes më të mirë”.

Megjithëse këta janë hapat e parë të një trajtimi rrënjësor dhe gjithëpërfshirës të pasojave të luftës në Kosovë, është shpresëdhënës fakti që tashmë po kapërcejmë qasjen e fokusuar në individ dhe po lëvizim drejt rehabilitimit për të gjithë shoqërinë. Qëllimi kryesor për këtë çështje mbetet reflektimi i kulturës kosovare për mobilizim, ashtu që të shkëputet zinxhiri i bartjes së pasojave të krimit të dhunimit te të rinjtë, të cilët, pa dyshim, janë shpresa më e madhe e këtij vendi.

(Autorja është drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës)