OpEd

Trafiku në kushtet dimërore

Shumë vende në botë na e kanë lakmi se kemi katër stinët e vitit. Sa i përket sigurisë në trafik, secila stinë ka karakteristikat e veta. Ngasja në sezonin e dimrit paraqet shumë vështirësi dhe rreziqe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Për ngasjen e automjetit në sezonin dimëror ekzistojnë rregulla të parapara me ligje dhe akte nënligjore.

Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në nenin 227, sezoni dimëror fillon nga 15 nëntori deri më 15 mars. Automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor duhet t’i kenë pajisjet dimërore.

Gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve, të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore.

Kushte dimërore janë kur rruga është e mbuluar me borë ose kur në rrugë ka akull.

Në këto dispozita nuk ceket se cilat janë pajisjet dimërore, por është nxjerrë Udhëzimi Administrativ nr. 2/2017 për Pajisjet Dimërore. Sipas këtyre dispozitave, pajisjet dimërore për automjetet e udhëtarëve dhe mjeteve të transportit deri në 3.5 t janë:

Pneumatikët (gomat) e dimrit në të gjitha rrotat ose:

Pneumatikët verorë me thellësi minimale të sipërfaqes shkelëse prej 4mm ose me zinxhirët e borës që vendosen në rrotat tërheqëse.

Pneumatikët (gomat) dimërorë janë të shënuar me shenjen M=S, MS, M&S (nga anglishtja M=mud, S=snow do të thotë baltë e borë), ose ndonjë shenjë tjetër identifikuese nga prodhuesi i pneumatikëve (gomave).

Përveç pneumatikëve, shoferi duhet t’i mbajë në gjendje të rregullt lëngun për pastrimin e xhamave, ta ketë në rregull aklimatizimin e mjetit.

Duhet pasur parasysh se me akte ligjore nuk mund të paraqiten të gjitha rrethanat e ngasjes dimërore, por ngasësi si faktori kryesor duhet ta përgatisë automjetin, përveç gomave, p.sh. antifrizin por edhe të jetë posaçërisht i kujdesshëm.

Por, ne këtë ligj nuk ceken kushtet e tjera, të cilat janë:

  • Mjegulla, ku duhet përdorur dritat e mjegullës, kujdes në ndeshjet vargore, paraqitjen e befasishme të mjegullës.
  • Rruga me baltë, sidomos kur shkrihet balta dhe nën të mbetet akulli.
  • Aqua planing është një fenomen kur mjeti ngitet në rrugë të lagët. Nga shpejtësia uji ngre gomat nga sipërfaqja e rrugës dhe uji largohet anash përmes protektorëve në goma (sharat).
  • Erërat e forta mund ta befasojnë ngasësin në kthesa e sidomos mjetet me ngarkesë të lartë, ku mund ta rrokullisin mjetin.
  • Elementi i befasisë, si p.sh. kalon pastruesi i borës dhe pas tij prapë mbulohet rruga me borë.

Fenomeni “akulli i zi”

“Akulli i zi” është një nga shkaktarët që rrezikon të gjithë pjesëmarrësit në trafik duke filluar nga këmbësorët, automjetet, por edhe në transportin ajror ku ngrihen pistat dhe pengohet ngritja dhe aterrimi i aeroplanëve.

Akulli i zi paraqitet kur sipërfaqja e lagët ngrihet pas shiut, pas shkrirjes së borës ose kur bie shi i ngrirë. Më së shumti paraqitet në vendet nën hije, mbi ura, në vende ku ka derdhje, por edhe kur njerëzit e papërgjegjshëm lajnë automjete afër rrugës dhe kështu gomat bartin lagështinë me qindra metra. Preferohet që shoferi ta provojë sipërfaqen e rrugës duke frenuar në distancë të vogël.

Ekspertet e trafikut gjithmonë bazohen në tre faktorët kryesorë të sigurisë: shofer, rrugë, automjet.

Faktori shofer

Faktori shofer apo faktori njeri është i vetmi subjekt sigurie. Njeriu mund të gabojë e rruga e automjeti nuk gabojnë, por prapë gabon njeriu që i mbikëqyr.

Faktori shofer (njeri) është shkaktar i aksidenteve në 80% të rasteve. Shoferet e rinj dhe shoferët fillestarë duhet të kenë kujdes të posaçëm në ngasjen dimërore. Ata janë stërvitur në të tjera kushte dhe kontakti i parë me akullin apo borën mund t’i befasojë, andaj duhet të kenë parasysh:

  • Përgatiteni mirë automjetin.
  • Kur dilni në rrugë provoni frekuencën e frenimit para se të niseni.
  • Përshtatjani shpejtësinë kushteve të trafikut. Kjo vlen edhe për shoferet me përvojë. Secili shofer dikur ka qenë fillestar.

Faktori rrugë

Gjatë dimrit dhe kushteve tjera, rrugët mund të jenë të mbuluara me borë, akull, baltë, akull të zi, pluhur, gjethe, por mund të ketë edhe mjegull, shi, erë të fortë, tym etj. që zvogëlojnë frekuencën e puthitjes së gomave në rrugë. Gjatë sezonit të dimrit dëmtohet profili i rrugëve duke u formuar gropa. Njashtu gjatë këtij sezoni vjen deri tek dëmtimi i sinjalistikës, si asaj horizontale ashtu edhe të asaj vertikale.

Për ketë arsye rrugët duhet të mirëmbahen rregullisht, të largohet bora, të hidhen kripa apo rëra, si dhe masa të tjera preventive.

Image

Faktori automjet

Automjeti, si faktor sigurie në rrugë, duhet gjithmonë të jetë në gjendje të rregullt e posaçërisht në sezonin dimëror, ku duhet te ketë pajisje dimërore.

Përveç pajisjeve dimërore, shoferi duhet të kujdeset për pajisjet e pastrimit të xhamave, antifrizit dhe funksionimit të motorit në kushtet dimërore.

Në bazë të dispozitave të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 251, paragrafi 1, pika 1.12, automjeti largohet nga rruga dhe dënohet shoferi nëse i ka fshesat e dëmtuara dhe jofunksionale të xhamit të përparmë në kohën e drejtimit nëpër shi dhe reshje bore.

Nga përvoja e shoferëve

Mbani në bagazh një minilopatë që mund ta blini në dyqan, një qese apo kovë të vogël me pak zall. Duke vendosur pak zall para rrotave mjafton të niseni pak centimetra dhe të vazhdoni rrugën.

Në relacione të gjata, sidomos në vendet me lartësi të madhe mbidetare ku befasisht paraqiten bora dhe ortekët, duhet pasur mjaft derivate në rezervar, si dhe veshmbathje adekuate, litarë për tërheqje, kabllo për huazimin e rrymës e pajisje të tjera që mund të ndihmojnë në raste të veçanta.

Autori është njohës i rregullave dhe sigurisë në trafik