OpEd

Tradhtia e konservatorëve

Admiruesit ndërkombëtarë të Orbanit ngjajnë shumë me ata që dikur quheshin idiotë të dobishëm. Në shekullin njëzet, libra të panumërt u prodhuan për t’i turpëruar intelektualët që lanë veten të mashtroheshin për ta shpallur Bashkimin Sovjetik një parajsë socialiste

E djathta ekstreme globale është në ngazëllim. Pas frenimeve të kohëve të fundit, njëri prej përcaktuesve të standardeve të saj, kryeministri hungarez, Viktor Orbán, e siguroi një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të këtij muaji. Derisa figurat si politikani nacionalist italian, Matteo Salvini, duket se e kanë paguar çmimin për adhurimin e shkuar të tyre për presidentin rus, Vladimir Putin, as Marine Le Peni që doli e dyta në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze dhe e as Orbáni (aleati më i ngushtë i Putinit në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu shërbëtor i Kinës) sipas të gjitha gjasave nuk e paguan.

Intelektualë të kualifikuar post-liberalë, joliberalë dhe antiliberalë prej kohësh e kanë festuar Hungarinë e Orbanit si një Disneyland nacionalist-konservator (ku burrat janë ende burra dhe gratë janë ende gra). Tani, ata po e përshëndesin atë si liderin e vërtetë të Perëndimit, fitorja elektorale e të cilit duhet parë si një refuzim vendimtar popullor i liberalizmit. Mirëpo, gatishmëria e tyre për t’i justifikuar edhe aspektet më të pakëndshme të sundimit të Orbanit tregon diçka që veçse ishte evidente gjatë presidencës së Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara: ata do të paguajnë çdo çmim që preferencat e tyre të politikës joliberale të realizohen, madje duke pranuar edhe autoritarizmin dhe kleptokracinë.

Zgjedhjet hungareze ishin të lira, por jo të drejta, sepse u mbajtën sipas sistemit që vëzhguesit ndërkombëtarë me të drejtë e kanë përshkruar si autokraci zgjedhore. Ata që bien pas vetëreklamimit të Orbanit si “demokrat joliberal” e kanë kuptuar idenë se demokracia është e përnjëmendtë për aq kohë sa partia në pushtet nuk i mbush hapur kutitë e votimit. Por demokracia kërkon më shumë se zgjedhje pa mashtrime; kërkon njashtu përdorimin efektiv të së drejtave thelbësore, jo vetëm të një mjedisi të lirë mediatik në të cilin partitë mund t'i parashtrojnë qytetarët.

Kjo vështirë se është e mundur kur kandidati kryesor i opozitës merr vetëm pesë minuta në televizionin shtetëror gjatë gjithë fushatës, siç ndodhi në Hungari. Ata që vënë në dukje të meta të tilla themelore nuk po e mohojnë faktin se partia e Orbanit, Fidesz, ka mbështetje të vërtetë popullore. Por çdo rezultat në një fushëlojë kaq groteske e të pabarabartë, argumentojnë ata, nuk mund të merret me vlerë.

Admiruesit ndërkombëtarë të Orbanit ngjajnë shumë me ata që dikur quheshin idiotë të dobishëm. Në shekullin njëzet, libra të panumërt u prodhuan për t’i turpëruar intelektualët që lanë veten të mashtroheshin për ta shpallur Bashkimin Sovjetik një parajsë socialiste. Sot, disa duan të besojnë se Hungaria është model për një konservatorizëm social që ka thyer devotshmërinë e tregut të lirë.

Por teksa Orbáni e ushtron pushtetin shtetëror në mënyrë të pamëshirshme dhe grabitqare (siç ëndërronte gjithmonë të bënte Trumpi), ai e përdor atë fuqi kryesisht për të pasuruar oligarkët e Hungarisë. Ndërkohë, sistemi i shëndetit publik i vendit është përballur me financim të pamjaftueshëm në mënyrë kronike dhe jetët e njerëzve tashmë të cenueshëm (si të pastrehët) janë kthyer në ferr të gjallë. (Edhe pse Hungaria dhe Polonia shpesh grumbullohen së bashku si dy prishësit pothuajse autoritarë brenda BE-së, Qeveria populiste e krahut të djathtë të Polonisë ka të paktën një agjendë sociale).

Hungaria është gjithashtu një dhomë e përshtatshme jehone për kampionët e vetëshpallur të lirisë akademike. Atje ata mund të ankohen për “kulturën e anuluar” përpara kryeministrit që detyroi Universitetin e Evropës Qendrore të largohej nga vendi dhe që ftoi Universitetin Fudan të Kinës të hapte një degë në kryeqytetin hungarez. Ashtu si me betejat ideologjike të shekullit të njëzetë, narcistët politikë mund t'i gjejnë gjithmonë problemet e tyre komunale të reflektuara, dhe në dukje të zgjidhura, në pasqyrën e ndonjë vendi tjetër. Si atëherë ashtu edhe tani, ata janë të verbër karshi dështimeve kolosale të gjykimit politik që rrjedhin nga pikëpamjet e tyre të shtrembëruara.

Megjithëkëtë, kategoria e idiotëve të dobishëm në një farë mënyre nuk duket më e përshtatshme, sepse mbrojtësit e Orbanit duken më se të vetëdijshëm se kritikat e ngritura kundër kampionit të tyre – domethënë, se ai kryeson një regjim hakmarrjeje të shfrenuar – janë të bazuara. Sa herë që kjo del në pah, ata kopjojnë me besnikëri strategjinë e vetë Orbanit duke e devijuar debatin menjëherë te tema e tyre e preferuar: viktimizimi i supozuar i tyre në duart e globalistëve dhe progresistëve të poshtër liberalë, duke shkuar deri aty sa i akuzojnë këta të fundit për “totalitarizëm të butë”.

Mirëpo, zgjedhjet e fundit të Hungarisë kishin pak të bënin me një paranojë të tillë konservatore (e cila tradhton mungesën e plotë të vetëdijes historike mes njerëzve që pretendojnë se kujdesen për të kaluarën). Konkursi nuk kishte të bënte me Davidin joliberal që mundi Goliathin liberal në luftën e madhe kulturore transnacionale. Karakteristika e saj kryesore ishte Qeveria e Orbanit që i trembte qytetarët që të mendonin se opozita kërkonte ta fuste vendin në luftën aktuale të Rusisë në Ukrainë.

Edhe më keq, Qeveria hungareze ka ndihmuar në mënyrë efektive Putinin duke ndaluar dërgimin e armëve në Ukrainë nga kufijtë e saj. Televizioni publik hungarez përhap dezinformata ruse ditë e natë. Një ditë para zgjedhjeve, një asamble e njerëzve të zakonshëm që shprehnin solidaritetin me Ukrainën u inkuadrua në televizionin shtetëror si një “tubim pro luftës”.

Për më tepër, në çështjen ku joliberalizmi kulturor e bëri vërtet një betejë në Hungari, ai humbi. Një referendum për “mbrojtjen e fëmijëve”, i bazuar në pyetje shumë manipuluese, prodhoi shumicën e dëshiruar, por ai u zhvlerësua nga pjesëmarrja e pamjaftueshme e votuesve. Si rezultat, ata që akuzojnë gjithmonë liberalët se nuk respektojnë demokracinë nxituan të pretendojnë se qytetarët që prishën fletët e votimit për të protestuar kundër fushatës së urrejtjes kundër LGBTQ të qeverisë në një farë mënyre “sulmuan demokracinë”. Si gjithmonë, bashkudhëtarët e koliberalizmit shfaqën vetë sjelljen që ata projektuan tek armiqtë e tyre liberalë. Në vend që të gjenin probleme specifike në proces, argumenti i tyre zbriste në: “Nuk mund të ketë demokraci nëse pala jonë nuk fiton”.

Shumë admirues të Orbanit nuk janë idiotë dhe as nuk mbështeten në argumentin se qeveritë socialiste të Hungarisë ishin gjithashtu të korruptuara. Kjo është e vërtetë, por dështimet e tyre zbehen në krahasim me një duzinë vjetësh të grabitjeve në shkallë industriale të Orbanit - përsëri, diçka për të cilën mund të mendohej se u interesuan konservatorët që promovonin “virtytin”.

Vala e fundit e komenteve të vetëdijshme anti-liberale për Hungarinë ka qenë qartësuese. Ajo ka treguar se kur patate të skuqura janë në rënie dhe kur tallja e liberalëve ndalet në Twitter, anti-liberalët e shohin korrupsionin dhe autokracinë si të pranueshme.

(Jan-Werner Mueller, profesor i Politikës në Universitetin Princeton, është bashkëpunëtor në Institutin e Ri të Hamburgut. Është autor i librit të ri “Democracy Rules”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).