Askush në asnjë moment nuk doli të tregonte se cili është interesi i përgjithshëm i qytetarëve që toka ku nuk lejohen ndërtimet të këmbehet për një truall ku do të qarkullojnë milionat, për shkak se aty do të lejohet ndërtimi i lartë dhe do të jetë pozicionuar afër ndërtesave të institucioneve. Çka fiton qytetari i Prishtinës që prona komunale me vlerë milionëshe t’u dorëzohet dy personave, të cilëve u ka dështuar një projekt? Nga ana tjetër, çfarë fiton Vetëvendosja me faktin se ia krijon kuorumin Ramës për marrjen e një vendimi të këtillë?
Prishtina mori primatin e lajmeve këtë javë - me një tashmë të ditur, me një që shkaktoi fatkeqësi dhe me një që i vjen era skandal me përmasa milionëshe.
Qentë endacakë
Prej shumë vjetësh, por në veçanti në dy vjetët e fundit, Prishtina lirshëm mund ta bartë epitetin e kryeqytetit të qenve endacakë.
Premtimet e kamotshme për ndërtimin e strehimores së qenve, apo qendrës për trajtimin tyre, kanë mbetur në një objekt të paaktivizuar dhe të vendosur në Ajvali.
Se përse është kaq vështirë të kryhet një objekt dhe aty të mblidhen qentë që na sillen vërdallë nga të munden, dhe të cilët jo rrallë edhe i sulmojnë kalimtarët, ende nuk e kam të qartë. Përgjegjësit e Komunës kishin premtuar se strehimorja do të aftësohej më 2022, e ajo ende nuk është hapur.
Gjithnjë sipas përgjegjësve të Komunës, janë 55 pika ushqimore për qentë në qytet – vende jashtëzakonisht të shëmtuara që duken si kotece të braktisura pulash në mes të qytetit, por janë edhe rreth 4 mijë qenë endacakë që na sillen nëpër qytet. Janë imazh shumë i shëmtuar, dhe do të më falin aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, por përfundimisht vendin nuk e kanë nëpër rrugët e qytetit.
Me mijëra herë e kemi përmendur se sa i rrezikshëm është shtegtimi nëpër rrugët e Prishtinës, sepse kurrë nuk e di se në çfarë momenti mund të të sulmojë ndonjë qen i paprovokuar apo i pasulmuar paraprakisht. Sa e pakëndshme, madje edhe e frikshme, është kur të të vihet pas një llavë qensh që të nuhasin e të ngjiten për trupi - këtë nuk mund ta dinë ata që qarkullojnë me vetura zyrtare.
Problemi, i trashëguar apo jo, “i importuar” apo jo, është përgjegjësi që i bie në barrë kryeqytetit, si Komunës me buxhetin më të madhin nga të gjitha të tjerat. Të thuash s’kemi para për këtë aktivitet, përderisa ka suficit të përvitshëm, nuk është përgjigje që pi më ujë, pas të gjitha këtyre viteve.
Kulmi i korrupsionit
Një 23-vjeçare i është nënshtruar operacionit urgjent për shkak të gjakderdhjes në kokë, ngase e përjetoi fatin tragjik që çatia e ndërtesës së re të Komunës së Prishtinës t’i binte në kokë.
Është e vërtetë që të enjten kishte erëra që frynin në Prishtinë, porse është gjithashtu e vërtetë se e vetmja çati që fluturoi qe ajo e ndërtesës së Komunës. Dhe ajo që pamë të shkapërderdhur nëpër rrugët te Komuna ishte një material tepër i dyshimtë për nga cilësia: trarë të hollë, llamarinë e valëzuar dhe lesh guri që shërben për izolim.
Çatia e ndërtesës ishte rregulluar në gusht të 2023-tës dhe kishte kushtuar hiç më pak se 386 mijë euro. Dhe kjo kishte qenë oferta më e ulët prej të gjithave. Përderisa nuk e di se çfarë ka paraparë paramasa e dokumentit të tenderit, dallimi kaq i madh në çmime mes ofertuesit fitues dhe atij më të shtrenjtit, të bën të dyshosh që diçka nuk është në rregull me këtë ofertë.
Për më tepër, për firmën fituese thuhet se ka ndërruar pronar, meqë pronari origjinal i saj ishte dënuar për falsifikimin e dokumenteve të tenderit me një projekt tjetër dhe dënimi i plotfuqishëm do t’ia ndalonte pjesëmarrjen në tenderë të tjerë për shumë vjet. Se a është e vërtetë edhe kjo, do të duhej të verifikohej në hetime, pa asnjë dyshim.
Por diçka që mbetet e paqartë dhe do të duhej të ishte objekt hetimi nga prokuroria është nëse ky objekt ka pasur organ mbikëqyrës të caktuar nga Komuna dhe nëse projekti në fund ka kaluar nëpër pranimin teknik. Prej mënyrës se si ka fluturuar çatia, duket se asnjëra nuk ka ndodhur. E nëse është kështu, përgjegjësia bëhet e shumëfishtë: e para, te prokurimi, se nëse procedura ka qenë në rregull; te mbikëqyrja nëse ka ekzistuar; te pranimi teknik nëse është bërë dhe në fund te materiali i përdorur dhe puna e zbatuar në këtë objekt.
Këtij kulmi i vjen era korrupsion – dhe korrupsioni këtu nuk ka të bëjë vetëm me para, por edhe me mashtrim, me material të keq, me punë joprofesionale, me mosmbikëqyrje eventuale e mbase edhe ndonjë element tjetër që mund të mos e dimë tash.
Dhe jo, nuk do të qajmë për paratë e taksave tona që ranë në tokë të shkapërderdhura nëpër “Dragodan”, por për fatin e 23-vjeçares që qëlloi në vendin e gabuar pardje, me shpresën se do të kalojë pa pasoja serioze për shëndetin.
Toka djerr dhe toka ar
Hulumtimi i KOHËS që u paraqit në dy vazhdime e zbuloi prapaskenën e një vendimi që kishte miratuar Kuvendi Komunal i Prishtinës me votat e LDK-së dhe me ndihmën e VV-së, e cila ia bëri kuorumin Ramës për ta kaluar atë.
Përmbledhjen më të thuktë të këtij rasti e bëri gazetarja Saranda Ramaj, e cila edhe është autorja e hulumtimit, në formë kronologjike:
Më 21 shkurt 2020: Ministria e Infrastrukturës, me ministër Lumir Abdixhikun, nxjerr vendimin që çdo ndërtim në Zonën e Badovcit është i jashtëligjshëm. Në vendim thuhet se ajo pjesë ku është tentuar të ndërtohen vilat e projektuara nga Rama, me porosi të biznesmenëve, është Zonë e Mbrojtur, kurse ndërtimet janë të paligjshme.
Më 12 mars 2020: Biznesmenët që kishin planifikuar ndërtimet në këtë zonë, projektuar nga arkitekti Përparim Rama, bëjnë ankesë kundër vendimit të kohës së Abdixhikut dhe kërkojnë anulimin e tij. Ndërkohë bie Qeveria Kurti 1 dhe formohet Qeveria Hoti.
Më 22 dhjetor 2020: Ministria e Ambientit merr vendimin për ankesën e bashkëpunëtorëve të atëhershëm të Përparim Ramës. Përgjigjja e saj thotë që vendimi i shkurtit 2020 nuk mund të anulohet, kurse për çështje të pronës e obligon Komunën që t’i trajtojë rastet mbështetur mbi Ligjin për shpronësime.
Dhe, vendimi saktësisht thotë: “Bazuar në shkresat e lëndës dhe vendimet e lartcekura lidhur me rastin konkret, obligohen organet komunale të Prishtinës, në koordinim me palën, që të veprojnë konform Ligjit nr. 03 L-139. Me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin nr. 03 L-205, të datës 28 tetor 2010, për shpronësimin e pronës së paluajtshme”.
Pra vetëm citon ligjin që duhet të merret si referencë. ASGJË më shumë.
Ndërkohë, arkitekti Rama bëhet kryetar i Prishtinës.
Më 21 dhjetor 2023 në seancën e Kuvendit Komunal, kryetari Përparim Rama u thotë asamblistëve se Ministria e Ambientit i kishte dhënë pëlqim Komunës së Prishtinës që pronën publike me vlerë të paktën 20 milionë euro, ta këmbejë me pronën e djerrë ku nuk lejohet ndërtimi, e që është pronë e ish-bashkëpunëtorëve të tij.
Rama saktësisht tha: “Përgjigjja nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nr. 2678-2/20, dt. 22.12.2020, ka dhënë pëlqimin për këmbimin e pjesës së parcelës kadastrale nr. 1998-1, me sipërfaqe 208318 m2, Zona Kadastrale Çagllavicë, Prishtinë, në pronësi të Komunës së Prishtinës, me destinim për ndërtim, sipas planit rregullues “Prishtina e re – Zona qendër”. Por vendimi i cituar nuk e thotë kështu.
Për më keq, askush në asnjë moment nuk doli të tregonte se cili është interesi i përgjithshëm që toka ku nuk lejohen ndërtimet, të këmbehet për në truall ku do të qarkullojnë milionat, për shkak se aty do të lejohet ndërtimi i lartë dhe do të jetë pozicionuar afër ndërtesave të institucioneve.
Çka fiton qytetari i Prishtinës që prona komunale me vlerë milionëshe t’u dorëzohet dy personave, të cilëve u ka dështuar një projekt? Nga ana tjetër, çfarë fiton Vetëvendosja me faktin se ia krijon kuorumin Ramës për marrjen e një vendimi të këtillë?
Arsyetimi i Gëzim Sveçlës, se atë ditë janë shqyrtuar edhe çështje të tjera në të cilat është dashur të ishin prezentë, nuk është arsyetim, sepse në çastin kur është hedhur në votim kjo çështje, thjesht kanë mundur të dilnin disa asamblistë dhe ta prishnin kuorumin. Ashtu siç veprojnë kolegët e tyre në Kuvendin e Kosovës. Pra, cili është interesi i VV-së këtu?
Mbase tash po e kuptoj se përse krejt një qytet merret me mbylljen e një rruge, me tollovinë masive në trafik dhe me idetë e zgjerimit të shesheve deri në Veternik, se përse e gjithë vëmendja shkon pikërisht aty, e jo aty ku janë milionat.
Diçka po kundërmon këtu.