SHBA-ja dhe gjithë aleatët mund të diskutojnë, të propozojnë dhe të iniciojnë çfarëdo marrëveshje për Ukrainën, por në fund vetëm Ukraina mund të vendosë kur do të pushojë rezistencën e saj. Është ajo e cila ka udhëhequr dhe fituar këtë luftë deri më sot. Ajo do t’i japë edhe fund
Është tipike për Trumpin që fjalimet dhe sjellja e tij të tërheqin më shumë vëmendje se politikat apo programi i tij. Për shembull përderisa ka plot amerikanë që pajtohen se shpenzimet qeveritare janë problem që do rregulluar, shumica e amerikanëve janë befasuar nga mënyra se si Trump është duke trajtuar USAID-in apo mënyra se si janë duke u shkarkuar në masë punonjësit publikë të shtetit amerikan.
Kësisoj bota u befasua këtë javë edhe nga mënyra se si Trumpi njoftoi për fillimin e bisedimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë. Dhe ndonëse forma e zgjedhur e Trumpit ishte jokorrekte pasi ai injoroi në masë të madhe Ukrainën dhe aleatët evropianë, thelbi i vendimit të tij është i drejtë. Në historinë e njerëzimit shumica e luftërave të armatosura kanë përfunduar në tavolinën e negociatave dhe jo në fushëbetejë. Se negociatat janë të paevitueshme ishte dakord edhe ish-presidenti Biden. Madje edhe vetë Ukraina dhe Rusia janë dakord, prandaj ata edhe tentuan në pranverën e vitit 2022 t’i japin fund luftimeve përmes negociatave sekrete diplomatike në Stamboll.
Dhe sot në veçanti situata në terren dikton një kurs të tillë politik. Luftimet kanë arritur një pikë të ngërçit ushtarak ku asnjë palë nuk është e aftë të mundë ushtarakisht palën tjetër dhe konflikti çdo ditë e më shumë duket sikur pamjet nga Linja e Hindeneburgut. Një studim i Qendrës për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare i cili ka hulumtuar të gjitha konfliktet e armatosura nga viti 1946 deri në vitin 2021 ka konkluduar se konfliktet të cilat nuk përfundojnë brenda vitit të parë të luftimeve kanë tendencë të zgjasin mbi një dekadë. Ky nuk është interesi i asnjë pale të përfshirë në konflikt.
Zgjatja e mëtejme e konfliktit ushtarak i cili nuk mund të prodhojë një epilog vendimtar ushtarak do të dëmtojë interesat e Ukrainës dhe aleatëve të saj. Forcat ukrainase kanë humbur mbi 100 mijë ushtarë, ndërsa zgjerimi i rekrutimit ushtarak kërcënon kohezionin social dhe politik të Ukrainës. Ekonomia e Ukrainës është pothuaj përgjysmuar, ndërsa Rusia vazhdon të bombardojë infrastrukturën kritike. Tanimë afër dhjetë milionë qytetarë ukrainas janë larguar nga vendi, ndërsa Ukraina ngelet pothuaj tërësisht e varur nga mbështetja ekonomike e Perëndimit. Vazhdimi i luftës po ashtu dëmton edhe interesat e aleatëve të Ukrainës. Vendet e NATO-s nuk mund të injorojnë rrezikun e eskalimit të një konfliktit të lokalizuar në një ballafaqim të armatosur ndërmjet NATO-s dhe Rusisë. Mbështetja e tyre e pakufishme nuk mund të merret për mirëqenë pasi zhvillimet e paparashikueshme në Lindjen e Mesme apo në Tajvan rrezikojnë vëmendjen dhe mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën – gjë që pamë edhe pas sulmit të 7 tetorit në Izrael. Po ashtu konflikti ka shkaktuar tanimë kosto të madhe edhe ekonomisë globale – ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe ka rritur çmimin e energjisë dhe ushqimit pothuaj në gjithë botën. OECD ka vlerësuar se konflikti ka shkaktuar humbje vjetore ekonomisë globale prej afro 3 trilionë dollarë. E gjithë kjo ka shkaktuar pakënaqësi sociale dhe polarizim politik në gjithë perëndimin, si dhe ka ushtruar presion shtesë mbi strukturat tanimë fragjile të rendit perëndimor ndërkombëtar.
Ukraina ka arritur mjaft. Ajo ka gjunjëzuar forcën e dytë më të madhe ushtarake në botë dhe ia ka dëshmuar botës se është vend kyç në peizazhin e sigurisë evropiane. Tani është koha për të rikuperuar veten. Deri sot Ukraina ka luftuar të fitojë nga Rusia 20% të territorit të saj që nuk e kontrollon dot, tani është koha të kujdeset për 80% të territorit që kontrollon. Dhe në këtë sfond, administrata e presidentit Trump ka për obligim që të prezantojë një vizion për fundin e konfliktit dhe ta ndihmojë Ukrainën drejt rindërtimit të saj.
Këtij vizioni të prezantuar këtë javë nga presidenti Trump dhe administrata e tij patjetër se i mungoi stili dhe eleganca, por në thelb elementet kyçe të tij ishin në harmoni me interesat afatgjate të Ukrainës dhe aleatëve perëndimorë: (1) Mbështetje për Ukrainën e pavarur dhe sovrane, por pa pjesën e territoreve të cilat janë nën kontroll të Rusisë, (2) Garancitë e sigurisë për Ukrainën, por Ukraina nuk do të jetë pjesë e NATO-s, dhe (3) Ushtarët amerikanë apo të NATO-s nuk mund të zbarkojnë në Ukrainë.
Ky vizion i administratës Trump hasi në kritikë të menjëhershme të një pjese të diskursit publik ndërkombëtar. Disa shkuan aq larg saqë e konsideruan edhe tradhti ndaj Ukrainës. Kjo u duk e ekzagjeruar. Në thelb vizioni i administratës Trump nuk përbën ndryshim kursi nga administrata Biden. Më shumë se ndryshim kursi atë duhet parë si ndryshim shpejtësie. Dhe në këtë drejtim tre elementet e propozuara të administratës Trump nuk janë risi, por thjesht njohje e realitetit në terren. Së pari, pajtimi i përkohshëm i Ukrainës me armëpushimin përgjatë vijës së luftimeve nuk do të thotë që Ukraina njeh sovranitetin e Rusisë mbi territoret e veta. Historia është e mbushur me shembuj ku shtetet me kalimin e kohës kanë rifituar sovranitetin mbi territoret e tyre. Së dyti, askush deri më sot nuk i garantuar Ukrainës anëtarësimin në NATO. Rrjedhimisht administrata Trump thjesht ka rikonfirmuar diçka që është praktikë e formësuar. Nga ana tjetër, Trump është zotuar për garancitë e sigurisë për Ukrainën të cilat në thelb do ta armatosin Ukrainën “deri në dhëmbë” në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo sulmi të ardhshëm të Rusisë. Dhe e fundit, Ukraina ka dëshmuar se nuk ka nevojë për ushtarë amerikanë apo evropianë. Ajo ka nevojë të këtë mbështetje politike, ekonomike dhe ushtarake, e cila do t’i lejojë që me forcat e veta të zmbrapsë çfarëdo agresioni të mundshëm rus në të ardhmen. Dhe kjo na sjell të konkluzioni kryesor.
SHBA-ja dhe gjithë aleatët mund të diskutojnë, të propozojnë dhe të iniciojnë çfarëdo marrëveshje për Ukrainën, por në fund vetëm Ukraina mund të vendosë kur do ta pushojë rezistencën e saj. Është ajo e cila ka udhëhequr dhe fituar këtë luftë deri më sot. Ajo do t’i japë edhe fund.