OpEd

Testi i jashtëzakonshmërisë amerikane

Kur filozofi francez, Alexis de Tocqueville, e kishte vizituar Amerikën për herë të parë, ai ishte magjepsur nga çfarë kishte parë atje. Ai konkludoi se “amerikanët janë të jashtëzakonshëm dhe është e besueshme që asnjë popull tjetër demokratik nuk mund të iu afrohet”. Ajo çfarë ishte e vërtetë para 200 vjetësh, është ende e vërtetë sot. Për 200 vjet, Amerika ka qenë fanari ndriçues i botës. Ka qenë kompasi i saj moral. Katër vjetët e ardhshëm të Trumpit nuk mund ta shkatërrojnë këtë trashëgimi amerikane në botë, por ato patjetër se mund ta dëmtojnë atë

Janë shkruar artikuj të pafund dhe libra të shumtë për presidencën e parë të Donald Trumpit. Në të gjitha këto raportime, një temë e cila në vazhdimësi shfaqet është përtesa e Trumpit për të lexuar. Në veçanti, ky tipar i Trumpit i ka nxjerrë telashe komunitetit të inteligjencës dhe sigurisë amerikane, pasi që ata ishin përgjegjës që të përgatisin dokumentin më të rëndësishëm të qeverisë amerikane: briefingun ditor presidencial. Ky dokument sekret, 1 deri në 5 faqe, përmbledh shumë shkurtimisht informatat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme për rreziqet dhe interesat amerikane në botë gjatë një dite të caktuar. Tradicionalisht, ky është dokumenti i parë me të cilin një president amerikan e fillon ditën. Për t’u përshtatur me përtesën e Trumpit për të lexuar, madje edhe në dokumentet e shkurtra, komuniteti i inteligjencës dhe sigurisë filloi të përdorë vizuelizime të ndryshme për ta kapur vëmendjen e Trumpit.

Trumpi nuk ishte kështu vetëm gjatë presidencës së tij të parë. Kështu është edhe sot. Shikoni programin zgjedhor të tij. Është programi më i shkurtër zgjedhor në histori të programeve më të shkurta zgjedhore. Ka vetëm 16 faqe. Krahasoni këto me 82 faqe të programit të Kamalës apo 248 faqet e programit të LDK-së, “Rruga e Re”. I gjithë programi zgjedhor i Trumpit është sa hyrja e programit të LDK-së.

Por duke e lënë anash formën e programit të Trumpit, thelbi i tij është më i rëndësishëm. Nga dhjetë kapituj të programit, nëntë kanë të bëjnë me punët e brendshme të Amerikës dhe vetëm një kapitull ka të bëjë me punët e jashtme. Dhe kapitulli i vetëm që ka të bëjë me punët e jashtme është kapitulli i fundit - gjë që flet mjaft edhe për hierarkinë e prioriteteve të Trumpit.

Mosinteresimi i Trumpit për botën është duke u reflektuar edhe në vendimet e tij për kabinetin e ardhshëm amerikan. Ekipi që e rrethon Trumpin mund të ndahet në mënyrë të vrazhdë në dy grupe kryesore: Republikanët tradicionalë dhe fanatikët e Trumpit. Kjo ndarje është edhe reflektim i votuesve të Trumpit. Ai nuk është votuar vetëm nga fanatikët nën banerin e MAGA-së, por edhe nga amerikanët e rëndomtë të cilët ishin të pakënaqur me drejtimin liberal nën administratën demokrate. Rrjedhimisht, sot kur Trumpi e kompleton administratën e ardhshme amerikane, ai duhet të bëjë balancë në mes të këtyre dy grupeve shpesh kundërshtare. Dhe në të gjithë këtë kontekst, ajo që po shohim është se Trumpi është duke bërë emërime të luajalistëve të tij në pozitat të cilat e kanë vëmendjen e tij politike, ndërsa në pozitat e rangut të dytë të rëndësisë është duke i emëruar përfaqësuesit e republikanëve tradicionalë. Kësisoj, luajalistët e Trumpit kanë marrë kontrollin e prokurorisë, inteligjencës, ushtrisë, punëve të brendshme, të kufirit dhe administratës publike. Kampit republikan i janë lënë vetëm punët e jashtme. 

Por ndonëse Trumpin nuk e intereson bota, botën e intereson Amerika. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja e ka vendosur veten në qendër të rendit global. Kësisoj, sot nuk ka rajon në botë ku Amerika nuk ushtron ndikim dominues. Doktrina kryesore ushtarake amerikane është “standardi i dy fronteve”, i cili kërkon që kapacitetet ushtarake amerikane të jenë në çdo moment të gatshme të luftojnë efektivisht në dy fronte të ndara. Asnjë vend në botë nuk e ka këtë kapacitet ushtarak. Tregtia botërore sot zhvillohet e lirë dhe pa pengesa, sepse çdo metër i detit kontrollohet nga ushtria amerikane. Rrjedhimisht përkundër dëshirave të Trumpit, Amerika asnjëherë nuk mund të tërhiqet nga bota. 

Por ajo çfarë Trumpi patjetër se mund të bëjë është që ta dëmtojë kredibilitetin amerikan në botë. Që nga lindja e saj, Amerika është parë si “qyteti më i ndritshëm në horizont”. Presidenti Lincoln thoshte se Amerika është “shpresa më e mirë e botës”, ndërsa fytyra e njohur në rajonin tonë, sekretarja Madeleine Albright, e quante Amerikën “komb i pazëvendësueshëm i botës”. Në këtë frymë është krijuar besimi se Amerika është ndryshe nga gjithë të tjerët. Se është e jashtëzakonshme. Dhe ky nuk ishte vetëm besim, ishte politikë. Çdo presidencë amerikane – demokrate apo republikane – ka përqafuar idenë se vlerat dhe idealet amerikane janë gur themel i politikës së jashtme amerikane. Me fjalë të tjera, se politika e brendshme dhe politika e jashtme janë të pandashme. Se liria, sundimi i ligjit, demokracia, ndarja e pushtetit, të drejtat e njeriut dhe lëvizja e lirë e njerëzve dhe e ideve është gur themel i asaj që quajmë bota perëndimore. Se promovimi i tyre brenda dhe jashtë vendit është element kyç i sigurisë nacionale amerikane. 

Kur filozofi francez, Alexis de Tocqueville, e kishte vizituar Amerikën për herë të parë, ai ishte magjepsur nga çfarë kishte parë atje. Ai konkludoi se “amerikanët janë të jashtëzakonshëm dhe është e besueshme që asnjë popull tjetër demokratik nuk mund të iu afrohet”. Ajo çfarë ishte e vërtetë para 200 vjetësh, është ende e vërtetë sot. Për 200 vjet, Amerika ka qenë fanari ndriçues i botës. Ka qenë kompasi i saj moral. Katër vjetët e ardhshëm të Trumpit nuk mund ta shkatërrojnë këtë trashëgimi amerikane në botë, por ato patjetër se mund ta dëmtojnë atë.