OpEd

Tertium non datur

Se a është loja me fjalët mbi përdorimin e armëve bërthamore vetëm një blof i Putinit dhe aparatçitkëve të tij, kjo mbetet që të analizohet dhe të shihet. Porse nuk duhet harruar faktin se janë pikërisht rusët ata që e zbuluan “ruletin rus”, “lojën” me një plumb të vetëm të karikuar në mullirin e revoles, të cilin lojtari e sjell dhe e afron në pocërrkën e tij, e pastaj e tërheq këmbëzën. Po qe se është me fat, nuk do të hasë në vrimën e mullirit që e mban plumbin. Është ky një shembull shumë ironik, porse kush do të mund të garantonte se, pas të gjitha atyre që po ndodhin në terren, Putini nuk do ta luajë ruletin rus edhe ndaj Rusisë. Por kësaj radhe me raketat bërthamore?!

Ditari im sot shënon disa prej datave e ngjarjeve historike që s’kam se si të mos i përmendi. Po e shënojmë 23-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë për parandalimin e gjenocidit dhe përndjekjes masive të popullatës shqiptare të Kosovës.

Njëra prej aktoreve kryesore që doli në mbështetje të intervenimit të NATO-s ishte sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën nga kanceri, në moshën 84-vjeçare.

Albright ishte një mikeshë e dëshmuar e shqiptarëve dhe e shtetit të ri të Republikës së Kosovës. Ishte pranë nesh në ditët më të errëta të historisë sonë më të re. Duke qenë edhe vetë dikur refugjate e përndjekur nga Çekosllovakia prej nazistëve e më pas edhe prej Stalinit, ajo u mbeti besnike idealeve dhe pikëpamjeve të saj mbi botën dhe jetën se asnjëherë të mos lejonte që i forti të sundonte mbi më të dobëtin dhe që të mos e përkrahte asnjëherë ndonjë lider a shtet autokrat që i shtyp të drejtat e qytetarëve.

Po e shënojmë njashtu njëmujorin e fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, të një lufte të çmendur të shekullit XXI. Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën edhe zyrtarisht ngritën akuza se disa prej pjesëtarëve rusë po kryejnë krime lufte në Ukrainë. Analistët ushtarakë kanë parashikuar se pushtimi rus nuk po shkon ashtu siç ishte parashikuar. Ushtria ukrainase, e trajnuar nga shtetet anëtare të NATO-s qysh nga viti 2014 dhe tani edhe të armatosura prej NATO-s, po demonstrojnë heroizëm dhe mbrojtje të pashoq të vendit dhe tokës së tyre. Po arrijnë që të kryejnë edhe kundërsulme ndaj trupave ruse që po përparonin në drejtim të rrethimit të Kievit. Morali i ushtrisë ruse, ashtu siç edhe ishte përshkruar shumë herë deri më tash, është krejtësisht i dërrmuar. Ushtria ukrainase njëherësh arriti që t’i vrasë 6 gjeneralë të ushtrisë ruse. Ky është një indikator shumë i sigurt se punët për ushtrinë ruse në terren nuk po shkojnë mirë.

NATO-ja po ashtu raportoi për më se 15,000 ushtarë të vrarë rusë gjatë muajit të parë dhe për po aq të plagosur. Kjo shifër e zbeh për 30 për qind numrin e përgjithshëm të forcës ushtarake të dërguar për pushtim në Ukrainë. Shumë prej analistët ushtarakë këtë veçse e quajnë disfatën më të madhe të ushtrisë dhe shtetit rus në histori të saj.

Pikërisht mbi situatën në Ukrainë po mbahet në Bruksel samiti urgjent i anëtarëve të NATO-s dhe kryesuesve të saj. Presidenti amerikan, Joe Biden, përveç takimit në kuadër të samitit të NATO-s, do të takohet edhe me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të G7-s. Me këtë rast do të diskutohen mundësitë dhe sanksionet e tjera ndaj aparatit shtetëror të Vladimir Putinit. Ai do të shkojë më pas për vizitë edhe në Poloni.

Në një intervistë me gazetaren e CNN-it, Christiane Amanpur, të mërkurën, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, nuk e mohoi se Rusia do të mund t’i përdorte edhe armët bërthamore ndaj Ukrainës. Ai tha se doktrina e Rusisë mbi përdorimin e armatimit bërthamor është publike dhe se atë mund ta lexojë kushdo që të dëshirojë.

“Në rast të rrezikimit të Rusisë, ajo e ka të drejtën e shfrytëzimit të armatimit bërthamor”, shtoi Peskovi.

Se a është loja me fjalët mbi përdorimin e armëve bërthamore vetëm një blof i Putinit dhe aparatçitkëve të tij, kjo mbetet që të analizohet dhe të shihet. Porse nuk duhet harruar faktin se janë pikërisht rusët ata që e zbuluan “ruletin rus”, “lojën” me një plumb të vetëm të karikuar në mullirin e revoles, të cilin lojtari e sjell dhe e afron në pocërkën e tij, e pastaj e tërheq këmbëzën. Po qe se është me fat, nuk do të hasë në vrimën e mullirit që e mban plumbin. Është ky një shembull shumë ironik, porse kush do të mund të garantonte se, pas të gjitha atyre që po ndodhin në terren, Putini nuk do ta luajë ruletin rus edhe ndaj Rusisë. Por kësaj radhe me raketat bërthamore?!

Kur jemi te raketat, po vazhdojnë sulmet me raketa në qytetet lindore dhe jugore të Ukrainës. Nga një xhirim me dron vërehet se qyteti bregdetar i Mariupolit është shkatërruar plotësisht dhe se aty nuk ka pasur përzgjedhje të caqeve. Sulmet janë kryer me raketat luftarake të nisura edhe nga Deti i Azovit dhe kjo gjë ishte dokumentuar edhe nga videot e ndryshme të xhiruara nga qytetarët ose ushtarët ukrainas.

Në logjikë, ligji i mesit të përjashtuar thotë se për çdo propozim, ose propozimi, ose mohimi i tij është i vërtetë. Është kjo njëra prej të ashtuquajturave tri ligjet e mendimit, së bashku me ligjin e moskontradiktës dhe ligjin e identitetit (Tertium non datur).

Duke u nisur nga ky parim themelor i logjikës ligjore, sot nuk mund të jesh i rreshtuar si i paanshëm ndaj agresionit rus në Ukrainë. Ose je me popullin liridashës ukrainas ose je me agresorin rus. Këtu nuk ka një mes të tretë.

I pamë lojërat e satelitit rus në Ballkan, Serbisë lidhur me këtë çështje. Serbia, për t’i mbrojtur interesat e saj politike, e njohu integritetin territorial të Ukrainës, por njëkohësisht nuk u bë pjesëmarrëse e botës perëndimore, ku dhe “mëton që të rreshtohet”, për t’i vendosur sanksione shtetit rus. Në fakt, pati edhe protesta masive të popullatës serbe në përkrahje të Rusisë.

Kosova u rreshtua në anën e drejtë të historisë, duke u bërë mbase edhe e para nga shtetet evropiane që ka përkrahur Ukrainën pavarësisht faktit se ajo nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Kosova edhe i ka vendosur sanksione shtetit rus, qofshin ato edhe modeste.

Nga ana tjetër, letra qortuese e vendeve të Quintit dërguar Qeverisë së Kosovës shkaku i moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, për mendimin tim – me anë të leximit midis rreshtave diplomatikë – më shumë ka të bëjë me implikimin e lojës së madhe ruse për të mos dhënë shkas për të thënë se përkrahja perëndimore ishte shkaktare e përhapjes së krizave të reja me satelitin rus në Ballkan. Kjo ngase asnjë logjikë e shëndoshë dhe as vetë ato anëtare të Quintit nuk lejojnë organizim të zgjedhjeve të vendeve të treta në vendet e tyre. Mirëpo koha e zhvillimit të të gjitha këtyre ngjarjeve ndoshta e kërkon një pragmatizëm të tillë diplomatik. Neve si shqiptarë dhe banorë të popullatës shumicë në Republikën e Kosovës gjithashtu na mbetet që në mënyrë legjitime të ngremë pyetje, si dhe të mbajmë qëndrimin tonë të palëkundur, kur kemi të bëjmë me zbatimin e ligjit dhe me kushtetueshmërinë tonë.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të mërkurën se Ukraina nuk do të anëtarësohej në NATO dhe se ai do të mund të ulej e të diskutonte me Putinin mbi pikat e tjera. Por cilëndo ujdi që do të mund ta arrinte, ajo do të duhej që t’u shtrohej referendumit të popullit dhe proceseve në Parlamentin ukrainas, duke marrë kësisoj kohë për t’u zbatuar. Këtë e tha kryetari i shtetit, ndaj të cilit po kryhet një agresion i paparë në Evropë, qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Pse do të duhej të kishte një qëndrim ndryshe ndaj armikut të tij një shtet që sot është i lirë e i cili njashtu doli nga një luftë e tmerrshme para pak më shumë se dy dekadash?

Parimi, shtetësia, integriteti nuk maten nga madhësia gjeografike e as nga forca ushtarake e atij vendi. Në lidhje me këtë, historia sot është duke u shkruar dhe ne gjithashtu jemi dëshmitarë të saj.