Përderisa fëmijët tanë nuk kuptojnë çfarë lexojnë, e kemi një problem shumë serioz. Sepse, kjo injorancë e përcjellë me nota që mundësojnë vazhdimin e shkollimit do t’i bëjë këta fëmijë edhe më injorantë – për shkak se do të besojnë se ky është kapaciteti maksimal i nxënies që mund ta arrijnë: që të mos kuptojnë atë që e lexojnë. Nëse e lexojnë
Gjatë javës së shkuar arrita t’i veçoja dy lajme, jashtë atyre të përhershmeve brukseliane, që më lanë përshtypje. Lajmi i parë kishte të bënte me nismën e Shoqatës për Krimet e Luftës në Gjakovë për të dorëzuar me qindra dëshmi të krimeve të luftës të kryera nga Brigada 549 e motorizuar e UJ-së, të cilën e komandonte nënkryetari aktual i Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq.
Ka vite që Fondi për të Drejtën Humanitare kishte ngritur kallëzim penal kundër Deliqit për masakrën në Tërrnjë të Suharekës, porse ky i kishte shpëtuar dënimit meqë kishte thënë, e gjykatësit i kishin besuar, se nuk kishte dhënë urdhër për të vrarë, por vetëm për ta rrethuar fshatin.
Dhe pos Fondit të udhëhequr nga Natasha Kandiq, kjo shoqatë nga Gjakova është mbase e vetmja e cila seriozisht e ka marrë ndjekjen e kriminelëve të luftës. Deri më tani aktivistët e saj kanë dorëzuar me dhjetëra kallëzime penale. Për fat të keq, pa ndonjë sukses edhe me kapje dhe dënime të fajtorëve. Por bile për një gjë që duhet hequr kapuçin është se me vite janë duke bërë dokumentimin e krimeve, punë të cilën është dashur ta kenë bërë institucionet shtetërore shumë moti, por edhe tash.
Por nuk kanë kohë me u marrë me këtë punë. Kurrë nuk patën.
* * *
Lajmi tjetër qe kthimi i reduktimeve të energjisë elektrike pas shumë e shumë vjetësh (nëse e përjashtojmë dimrin e shkuar).
Prishtina dje vlonte me temperaturë 38 shkallë të Celsiusit dhe me gjeneratorë që u janë kthyer rutinës së para dy dekadash. Kur e dëgjoja zhurmën përreth, seç i rashë pishman që para tre vjetësh e pata shitur një agregat 60 kilovatësh. Tash e kisha pasur edhe një këtu afër zyrës dhe do t’i bashkoheshim valles së tymit, erës së dizelit dhe zhurmës së motorëve, që, megjithatë, nuk ia kalojnë zhurmës së kafeneve. Por, për këto të fundit ndonjëherë tjetër.
Çrregullimi me furnizim është pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm të rrymës dhe çmimit tepër të lartë të rrymës në treg. Nuk duhet shumë filozofi për të kuptuar se këtë çrregullim e ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Duhet shumë filozofi për të kuptuar se si është organizuar sistemi i shpërndarjes dhe furnizimit të rrymës në Kosovë.
As pas një dekade shumëkush në Kosovë nuk e ka të qartë se çfarë bën KESCO, çfarë KEDS-i, e çfarë KEK-u. I pari akronim furnizon, i dyti shpërndan e i treti prodhon rrymë.
Dy të parat thuajse iu falën dy kompanive turke. Kjo e treta mbetet ende e jona. Me shumë linjit dhe me shumë probleme.
Dikur këto të tria janë quajtur “Elektroekonomia e Kosovës”. Ajo ka qenë pronë e shtetit, dhe po: është vjedhur thëngjilli nga mihjet; po, është shitur rryma për deviza derisa ne qëndronim ngapak në terr, dhe po, ka pasur punësime masive nepotike – e megjithatë, kryesisht, kemi pasur rrymë.
Popullata me numër është e njëjta si atëherë, si këtë herë, mbase edhe më e vogël tash, porse atëherë rryma ka qenë e jona, ne e kemi shpenzuar dhe ne e kemi paguar. Mbas privatizimit dhe tash reduktimeve, po del se nuk po e dimë se e kujt është rryma dhe kush në të vërtetë është përgjegjës për sigurimin e energjisë elektrike.
Miku im Rroni, i cili në kohën e restrikcioneve në dimër ishte marrë me çështjen e rrymës në emisionin e tij, e pati deshifruar pak a shumë atë që nuk e kemi ditur, por e kemi nuhatur. Para dy ditësh e shkroi një status në FB dhe, besoj, e përmblodhi më së miri situatën, që shumëkujt mund t’i tingëllojë si veprim kundër tregut të lirë. Porse edhe unë jam me Rronin në këtë pikë: rryma është interes strategjik për shtetin dhe duhet të jetë pronë e shtetit.
Pra, statusi i tij thotë: “Për mu është shumë e qartë që KEDS nuk po mundet me i përmbushë obligimet e licencës dhe kontratës së privatizimit; do me thonë nuk po mun’et me na furnizu me rrymë, prandaj nacionalizojeni, le ta merr shteti, i cili mundet.
KEDS-i po thotë s’muj me ble megavatin 500 euro, po i thotë Qeverisë blema ti.
Prandaj le ta nacionalizon Qeveria edhe le ta mbulon pjesën qe s’un p’e prodhojmë, pra le ta blen për neve. E mandej kur vjen koha me pasë fitim, i merr fitimet shteti. E jo në kohë krizash qeveria (na pra, se me pare tonat blehet) me ja mbulu humbjen, ndërsa në kohën e lulëzimit, profitin me e marrë privati.
Nacionalizojeni tash dhe menjëherë, sepse i ka shkelë kushtet e licencës dhe kontratës së privatizimit”.
Kjo që po thuhet lart ka logjikë (nuk e di nëse juridikisht qëndron, ngase nuk e di përmbajtjen e kontratës së privatizimit): sepse nuk ka asnjë logjikë që ne ta blejmë rrymën vetë, e që atë të na e arkëtojë KEDS-i, duke na marrë provizion jo të vogël për këtë shërbim.
Dhe përderisa ne e prodhojmë rrymën tonë, pse duhet shtrenjtuar çmimin dyfish? Për t’ia zvogëluar humbjet një kompanie private që mbi një dekadë ka shënuar vetëm fitime? Kjo do të ishte njëmend e tmerrshme dhe shkelje e parimeve të tregut. Pse ta shpëtosh një firmë private e t’i falimentosh plot të tjera me këtë veprim. Dhe me cilat para? A kemi ne para edhe për humbjet e KESCO/KEDS-it e edhe për rritje rrogash në sektorin publik? Dhe kjo në kohën e krizës më të madhe financiare ku më së shumti pëson sektori privat?
* * *
Para tri ditësh ministri Sveçla paralajmëroi se Projektligji për Pagat në sektorin publik kishte dalë në konsultime dhe se pret të që të miratohet në Qeveri e Kuvend sa më parë. Nuk e di që dikujt t’i ketë rënë në dorë kopja e projektligjit për të parë se çfarë koeficientesh janë vendosur në arsim, shëndetësi e gjyqësi, për shembull. Por e di që nëse Projektligji nuk ia plotëson dëshirat SBASHK-ut do të ketë sërish grevë. Grevë shantazhi do ta quaja, posaçërisht kur po dihen dy gjëra shumë të rëndësishme: që nxënësit tanë dalin andej nga fundi në testin PISA dhe që mësimdhënësit tanë refuzojnë të testohen dhe e kundërshtojnë vetingun, edhe pse ky nuk ekziston (e do të duhej), në arsim.
Vlera e arsimit është e pakontestueshme dhe askush nuk thotë se të jesh arsimtar është punë e lehtë. Por, megjithatë, Kosovës i nevojitet një brez i ri mësimdhënësish cilësorë që do ta ngrenë nivelin e arsimit shumë më lart seç është tash. Pra, pse e kanë fuqinë e grevës në dorë dhe të cilën përherë e shfrytëzojnë për të kërkuar rritje pagash, nuk do të thotë se këtë rritje edhe e meritojnë.
Përderisa fëmijët tanë nuk kuptojnë çfarë lexojnë, e kemi një problem shumë serioz. Sepse, kjo injorancë e përcjellë me nota që mundësojnë vazhdimin e shkollimit do t’i bëjë këta fëmijë edhe më injorantë – për shkak se do të besojnë se ky është kapaciteti maksimal i nxënies që mund ta arrijnë: që të mos kuptojnë atë që e lexojnë. Nëse e lexojnë.
Problemi me arsimin është që ai është baza e krijimit të kuadrove të të gjitha drejtimeve. Përderisa ai do të jetë kështu i dobët, ne do të vazhdojmë të krijojmë kuadro mediokre, me shumë pak përjashtime kokash gjeniale që veçohen nga të tjerët. Do të vazhdojmë të fundosemi edhe më thellë në telashe, sepse nuk do të kemi as zanatlinj e as profesionistë për t’i çuar sendet para. Në fund, do të vazhdojmë të varemi nga të huajt për ndonjë gjë që do të duhej të ishim të aftë ta bënim vetë.
Nuk e di sa do të jetë rritja e pagave të arsimtarëve, porse sinqerisht, me rezultatet e treguara në përgjithësi dhe me faktin se punojnë efektivisht diku rreth 9 muaj derisa kohën tjetër kryesisht e kalojnë në pushim, rritjen e kanë merituar shumë më pak sesa stafi shëndetësor.
Sepse thjesht, në kushtet tona, nuk mund ta barazosh arsimtarin e ciklit të mesëm me një specialist mjekësie në të cilin i ke investuar nja 20 vjet shkollim për të të ofruar mbrojtje shëndetësore që mund të shpëtojë jetë.
Do të mund të debatonim për peshën e përgjegjësisë së arsimtarit dhe të mjekut, por dallimi është se përderisa në shkollë edhe mund të ngelësh e më pas ta përsëritësh vitin, në mjekësi nuk mund ta kthesh prapa jetën e humbur.
* * *
Shtresa më e privilegjuar e sektorit publik janë pjesëtarët e organeve të drejtësisë. I kanë rrogat më të mëdha në nivel shteti dhe vazhdojnë të jenë po aq të paefektshëm si gjithmonë. E sa janë të paefektshëm e tregon rasti i Gjykatës së porsaformuar Komerciale: i janë bartur 8.000 (tetë mijë) lëndë që presin në rend që nga viti 2014. Pra TETË MIJË lëndë, të cilat do t’i trajtojnë 7 gjykatës në shkallën e parë dhe 4 në shkallë të dytë.
Pra, është toleruar grumbullimi i rasteve nëpër gjykata me vite, kurse tash krijohet një instancë e re, me pak gjykatës, me pretendimin se do të bëjnë mrekulli. E pse do të duhej të bënin, kur stazhi u ecën, si zgjodhën, si nuk zgjodhën lëndë, sepse askush nuk i merr në përgjegjësi po qe se nuk e kryejnë punën brenda afateve dhe në bazë të një normativi që do të duhej ta kishin.
Varfëri nuk është vetëm të mos kesh para. Është edhe të mos kesh dije, rend, disiplinë e përgjegjësi. E këtu, ne tregohemi prej shumë vjetësh tepër, tepër të varfër.