OpEd

Të përkohshmit

Të vërtetën më të madhe që ka mundur ta thoshte Liburn Aliu është se ai është ministër i përkohshëm, në një qeveri të përkohshme, nga e cila është dashur të dilte moti. Pra, hala pa ardhur në pikën kur do ta ofendojë një numër të madh njerëzish të këtij vendi, që nuk njohin shtet tjetër pos Kosovës, dhe që për jetëgjatësinë e shtetit të vet nuk do të pajtoheshin kurrë me të

Një grabitje me armë të gjata si në filma; një vrasje makabre, e porositur nga bashkëshorti për t’ia shuar jetën gruas së tij, në prani të fëmijëve dhe një deklaratë, s’di as si ta cilësoj, e një ministri, na okupuan mendtë në javën që shkoi.

Ndërkohë, ta përmendësh këtë javë edhe një seancë të dështuar të Kuvendit, është sikur ta lëshoje një pllakë të grithur 33 rrotullimesh, ku gjilpëra e gramafonit nuk ia del të kapërcejë në vijën e radhës. Një marrje fytyre kolektive dhe një ofendim serioz inteligjence e një populli që ka votuar për njerëz të cilët çojnë inate thuajse janë në çerdhe fëmijësh.

Refuzimi i kabinetit qeveritar të japë përgjigje në pyetjet e deputetëve të PDK-së është gabim dhe më gabim nuk mund të ketë. Deputetët e PDK-së le ta bartin në ndërgjegjen e tyre refuzimin për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Por, Qeveria ka për obligim t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Se ashtu e përcakton Kushtetuta. Pra, injorimi i Kuvendit për shkak të një vizite në Gjilan e barazon Kurtin me të gjithë kryeministrat e tjerë të këtij vendi të cilët janë dehur me pushtetin. Ta injorosh Kuvendin, në fakt, është ta injorosh popullin e Kosovës, në emër të të cilit edhe i merr vendimet politike. Kjo ndryshe quhet edhe arrogancë. E arroganca ka çmim, kurse pushteti di të jetë shumë i përkohshëm.

I burgosuri i përkohshëm

Në pikë të ditës, të veshur në të zeza dhe të armatosur me armë të gjata, katër veta futen në një argjendari në Suharekë dhe vjedhin. Në dalje e sipër, ballafaqohen me policinë, dhe i plagosin dy policë. Ikin. Por, edhe zihen shpejt.

Në një veprim që nuk e kemi parë në Kosovë, ma merr mendja kurrë që nga çlirimi, Policia e Kosovës doli që t’i arrestonte tre hajna, derisa i katërti iku. Dhe se çfarë ndodhi pardje, zor të deshifrohet: në mes të lagjes së banuar dendur, në Arbëri, Policia e vrau një dhe e arrestoi një tjetër të dyshuar për grabitje të dhunshme.

Rezultati i gjithë aksionit: 7 persona të arrestuar, 1 i vdekur, 1 në kërkim. Pra, rrëfimi i krimit të organizuar, sepse ndër të arrestuarit është edhe pronari i një argjendarie në Prishtinë, i cili, supozohet, kishte blerë mall të vjedhur nga hajnat. Se çfarë lidhje në të vërtetë kanë pasur mes vete, uroj ta dëshmojë prokuroria në gjyq.

Por ajo që dihet me siguri është se njëri nga grabitësit është një person, i cili quhet Bujar Basha, dhe që kishte pak më shumë se dy muaj qëkur ishte liruar nga burgu. Është njeri, sipas “Betimi për Drejtësi” që ka së paku 6 dënime të plotfuqishme për grabitje dhe vjedhje që nga viti 2000. Më 2005 është dënuar më 12 vjet burgim. Më 2001, ka kryer veprën penale të “grabitjes” dhe më 2002 është dënuar me 10 vjet burgim. Më 2002 prapë kryen grabitje dhe katër vjet më vonë dënohet me 8 vjet burgim. Më 2013 vjedh, dhe dy vjet më vonë dënohet me dy vjet burgim. Më 2018, prapë grabitje dhe dënim me 5 vjet e dy muaj burgim, si dhe 1 mijë euro gjobë. Më 2019 vjedhje, dhe më 2021 dënohet më 1 mijë e 300 euro gjobë.

Më 2018, Basha i kishte dhënë intervistë kolegut Betim Musliu – duke shpjeguar se si ishte arratisur nga burgu katër herë, përfshirë edhe nga Dubrava. Pa ditur asnjë gjë për të, pos këtyre dënimeve të publikuara, kur e dëgjon, e zbulon një njeri i cili ka inteligjencë të natyrshme – por të cilën, për fat të keq, e vë në funksion për krimin. Por, ka gjëra që tregon aty, e që zbulon për kalbjen, përkatësisht korrupsionin dhe krimin brenda policisë, brenda sistemit të drejtësisë si dhe atij korrektues në Kosovë.

Megjithatë, ajo që mbase lë më së shumti përshtypje nga ky rast është se dy nga kriminelët e dyshuar, njëri nga ta i vrarë pardje, ishin të njohur si ekstremistë islamikë që e kishin përkrahur luftën e ISIS-it si dhe rekrutimin e të rinjve kosovarë për luftën në Siri.

Se cilat kanë qenë motivet që i kanë shtyrë të gjithë këta për të organizuar vjedhjen spektakolare, mbase edhe do t’i marrim vesh ndonjëherë. Por hajnia me fenë nuk do të duhej të kishin asnjë lidhje. Përkundrazi. E kjo tregon për rrezikun e madh që sjell trushpërlarja e shumëkujt që i është ekspozuar dogmës në Kosovë që nga përfundimi i luftës.

Besimtarët besojnë se me vepra të mira në këtë botë, ku janë të përkohshëm, do ta mbërrijnë parajsën e përjetshme në atë botën tjetër. Këta me pushka të gjata, me tesha të zeza e me maska, nuk e di çfarë besimtarësh janë. Edhe këta me gjasë të përkohshëm, a të kohëpaskohshëm.

Me jetë të përkohshme

Vonë natën, të mërkurën, raportohet për vrasjen e një gruaje në Sinidoll të Prishtinës. Në rrethana tejet të çuditshme, një rrëfim të pabesueshëm ku burri arrin t’i nxjerrë fëmijët nga vetura, ndërkohë që bashkëshortja, “e cila u reziston hajnave” mbetet në veturë dhe vritet, u përcoll nga disa portale.

Bëhej fjalë për bashkëshorten 30 vjeçe të një ish-këshilltari të Behgjet Pacollit, një njeriu 32 vjeç.

Gruaja u varros dje. Dhe disa orë më vonë, në Gjakovë, ngase këshilltari sikurse edhe vrasësi i dyshuar janë nga Cërmjani, Policia i arrestoi që të dy. Foli dorasi. Dhe tha se këshilltari Naim Murseli, ia kishte dhënë 30 mijë euro që t’ia vriste gruan. Murseli mbrëmë vonë e pranoi se e kishte paguar dorasin që t’ia vriste bashkëshorten – 15 mijë para vrasjes dhe 15 mijë të tjera pas ekzekutimit.

Pas këtij pohimi, Liridona, bashkëshortja e vrarë, është viktima më e re e femicidit në Kosovë, por është e para që vdes në atentat të porositur.

Porosia tashmë e pranuar nga bashkëshorti, e përjashton çfarëdo arsyetimi se porositësi i vrasjes ka qenë në gjendje të rënduar psikike dhe se ka mundur të vepronte në afekt. Sepse në këtë rast ka kalkulim gjakftohtë që ka përfshirë një shumë të madhe të hollash me një qëllim shumë të poshtër: që të shuhet jeta e një gruaje të re, një nëne, në praninë e fëmijëve të tyre të përbashkët.

Nuk do të ishte hera e parë që të luhej me kartën e jostabilitetit emocional te burrat dhunues e vrasës, e në këtë rast potencialisht porositës të vrasjes, për të kaluar më lehtë në gjyq. Dhe nëse të gjitha dëshmohen në gjyq si krim me paramendim, ky njeri do të duhej ta kalonte jetën e tij të përkohshme në burgim të përjetshëm.

Pra atentati po del të jetë i vërtetë dhe kjo e bën Liridonën edhe një në vargun e viktimave të mentalitetit patriarkal që mbisundon në këtë vend. Do të më thonë se nuk jemi të vetmit në botë ku ndodhin këto gjëra. Por neve nuk duhet të na interesojë se si e kanë të tjerët. Duhet të na interesojë se përse një popull, i cili mori një shekull për t’u emancipuar për shumë gjëra, ende nuk e kupton se gratë nuk janë pronë e askujt, por janë qenie njerëzore me identitet dhe unin e vet. Pse është kaq vështirë të pranohet se edhe dashuria mund të jetë e përkohshme dhe se gjërat mund të zgjidhen me marrëveshje. Por jo me marrëveshje me vrasësin, por mes atyre që ashtu siç kanë vendosur të lidhin martesë, mund ta vendosin zgjidhjen e saj me sa më pak dhimbje.

Shteti i përkohshëm

Personazhi i fundit i kësaj zgafelle, u bë ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu. Në një intervistë televizive, deklaroi: “Unë jam një ministër i një qeverie të një shteti të përkohshëm”.

Pra, edhe pas kësaj deklarate, Aliu vazhdon të jetë ministër i Qeverisë Kurti.

Natyrisht, për shkak se për të, një deklaratë e tillë nuk nënkupton se duhet dhënë dorëheqje, por përkundrazi, nënkupton patriotizëm panshqiptar, që madje e duron edhe shkeljen indirekte të Kushtetutës nga dikush që do të duhej të punonte mbi bazën e saj.

E se përse nuk e shkarkon Kurti, atë nuk e di. Por Aliu, përfundimisht, është dëshmuar si njëri nga ministrat më të dobët të kësaj qeverie, dhe nëse për asgjë tjetër, do të duhej të largohej për shkak të mospunës dhe mungesës së rezultateve.

Absolutisht nuk ka dëm më të madh politik në raport me negociatat me Serbinë, kur një ministër, që aty ka ardhur si, e besoj, njeri i besueshëm i Kurtit, del dhe e thotë një gjë të këtillë. Thuajse ua vërteton thëniet serbëve për të “ashtuquajturën republikë të Kosovës”. Për Aliun nuk është e ashtuquajtura republikë, por është e përkohshmja republikë e Kosovës.

Kur njerëzit e pushtetit e shohin republikën tonë që mori shumë viktima e sakrifica për t’u bërë si një “shtet të përkohshëm”, po kush nga ndërkombëtarët, madje edhe të atyre që po përpiqen të në ndihmojnë, do të na marrë seriozisht?

Të vërtetën më të madhe që ka mundur ta thoshte Liburn Aliu është se ai është ministër i përkohshëm, në një qeveri të përkohshme, nga e cila është dashur të dilte moti. Pra, hala pa ardhur në pikën kur do ta ofendojë një numër të madh njerëzish të këtij vendi, që nuk njohin shtet tjetër pos Kosovës, dhe që për jetëgjatësinë e shtetit të vet nuk do të pajtoheshin kurrë me të.

Rroftë e qoftë përjetë Kosova Republikë!

[email protected]