Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është shndërruar në një “status quo” që vështirë se mund të tejkalohet, sepse kështu e do shumica në BE. Ai ka devijuar në 12 vjet aq shumë nga qëllimi fillestar, sa që do të jetë vështirë që strukturat e reja të BE-së të sjellin ndonjë rezultat final të tij me epilogun e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj nuk duhet krijuar pritje të mëdha nga strukturat e reja të BE-së, sepse ato duhet të vazhdojnë aty ku kanë mbetur të tjerët, pra në një qorrsokak
Nuk do të gabojmë nëse paralajmërojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të jetë ndonjë prioritet i lartë në agjendën e BE-së në 5 vjetët e ardhshëm. Dhe kjo mund të jetë e kuptueshme. Sepse BE-ja ka shumë prioritete të tjera. E kur ke shumë prioritete, ato në një moment e humbin epitetin e prioriteteve. Zakonisht prioritetet janë çështje urgjente. E dialogu tash e disa vjet realisht nuk ka qenë çështje urgjente për BE-në, ndonëse fjala “urgjentisht” mund të jetë ndër fjalët më të përdorura në atë pak komunikim që kanë bërë me mediat zyrtarët e BE-së, të cilët luajnë rolin kryesor në procesin e dialogut. Si në postimet e tyre në rrjetet sociale, që duket se kanë qenë mënyrë e preferuar për të informuar për procesin e dialogut, që vetvetiu tregon sa seriozisht e kanë marrë, si në deklaratat zyrtare është kërkuar për shumë gjëra nga palët që ta bëjnë “urgjentisht”. Dhe pas 12 vjetësh përsëritet kjo thirrje për shumë gjëra ndërkohë që vetë BE-ja, siç do të shihet në raportet e Progresit për Kosovën dhe për Serbinë që do të miratohen dhe publikohen të mërkurën (30 tetor), konstaton se shumica e marrëveshjeve ose janë përmbushur pjesërisht ose nuk janë përmbushur.
Natyrisht se në BE do të thonë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është dhe do të mbetet prioritet i lartë. Por në realitet ai do të jetë prioritet vetëm për ato struktura të cilat në BE do ta kenë përshkrim të vendit të punës këtë dialog. Pra do të jetë prioritet në nivelet e mesme apo të ulëta të strukturave të BE-së edhe pse, nga rasti në rast, për të si prioritet do të flasin edhe zyrtarët më të lartë, sa për të mos lënë këtë në harresë.
Ja një shembull se sa është ky dialog prioritet për strukturat e ardhshme të BE-së. Në një korrespondencë mes deputetëve të Parlamentit Evropian në prag të seancave dëgjimore për konfirmimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Evropian, në pyetjet dhe përgjigjet me shkrim për kandidaten për përfaqësuese të lartë Kaja Kallas, dhe për atë për komisionere për zgjerim, Marta Kos, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është përmendur asnjëherë. Nëse nuk e kemi bërë ndonjë lëshim gjatë leximit të pyetjeve dhe përgjigjeve, në diku bashkërisht 40 faqe, ky “prioritet” është përmendur pra ZERO herë. As nuk kanë pyetur deputetët e Parlamentit Evropian për këtë e as nuk e kanë përmendur në ndonjë mënyrë në përgjigjet e tyre kandidatet për anëtare të Komisionit Evropian. Po të ishte vërtet prioritet do ta kishin përmendur, sepse kanë përmendur shumë gjëra të tjera që vërtet do t’i konsiderojnë si prioritete.
Ka gjasa që gjatë seancave dëgjimore në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian edhe Kallas edhe Kos të pyeten për dialogun. Apo ta përmendin vet. Dhe pastaj do të krijohet përshtypja se ky do të jetë një prioritet për BE-në. Por realisht a mund të jetë prioritet diçka që zgjat kaq shumë, pa prodhuar rezultate konkrete. Edhe ato marrëveshje që janë arritur, jo që nuk janë përmbushur por as nuk është e sigurt se janë arritur. Sepse vetë përfaqësuesit e BE-së kanë lejuar që palët t’u ikin përgjegjësive të tyre duke lejuar edhe që, Serbia përmes kreut të shtetit të shprehet se ai nuk ka pranuar e as nënshkruar obligime për vendin e tij që në anën tjetër përmenden në marrëveshje.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është shndërruar në një “status quo” që vështirë se mund të tejkalohet, sepse kështu e do shumica në BE. Ai ka devijuar në 12 vjet aq shumë nga qëllimi fillestar, sa që do të jetë vështirë që strukturat e reja të BE-së të sjellin ndonjë rezultat final të tij me epilogun e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj nuk duhet krijuar pritje të mëdha nga strukturat e reja të BE-së, sepse ato duhet të vazhdojnë aty ku kanë mbetur të tjerët, pra në një qorrsokak.
Me apo pa epitetin e “Prioritetit” dialogu do të jetë përgjegjësi e strukturave të reja të Bashkimit Evropian. Sidomos Kaja Kallas, e cila në postin e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri do ta zëvendësojë Josep Borrellin. Ajo, së bashku me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare, do të duhet të vendosin se si t’i qasen këtij obligimi. Do të vlerësojë se nevojitet të ketë pasardhës për Miroslav Lajçakun në rolin e të Dërguarit të posaçëm për dialog, apo që këtë punë, sikur para emërimit të tij, ta kryejnë strukturat e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS).
Por nëse vërtetë dëshiron të ketë sukses në dialog, BE-ja duhet të vendos se çfarë dëshiron vërtetë nga ai dialog. A dëshiron të kalojë nga një status quo në tjetrin, duke e shndërruar de facto në një konflikt të ngrirë raportin mes Kosovës dhe Serbisë, apo dëshiron vërtet një zgjidhje përfundimtare. Nëse për shkak të 5 vendeve të BE-së, apo për shkak të nevojave ditore politike të Serbisë, BE-ja nuk do të jetë në gjendje të thotë se dialogu duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë, atëherë vetëm do të rrisë iluzionet dhe nuk do ta afrojë zgjidhjen. Kushdo që të merret me dialogun nuk do të heqë dore nga obligimet që palëve u janë dhënë gjatë procesit deri më tash. Dhe për përmbushjen e tyre, pos vullnetit të sinqertë politik, do të nevojitet edhe kohë. Në disa raste edhe vite, sepse nevojiten vendime që kalojnë përmes procedurave të gjata nëpër institucione. E ato institucione, si për shembull Kuvendi i Kosovës, kanë një sëmundje kronike të mosfunksionimit të duhur. Pos që do të vazhdojë të insistojë në të gjitha obligimet nga e kaluara, BE-ja do të provojë edhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Dhe sa më shumë të kenë marrëveshje “të reja” që ose nuk do të zbatohen ose do të zbatohen me shumë vonesa, aq më shumë do të largohet nga arritja e rezultatit final të marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse. Prandaj nuk duhet krijuar pritje të mëdha as nga strukturat e reja të BE-së. Do të ishte mirë sikur të na befasojnë. Jo më një status quo të re, por me një zgjidhje. Ah po! Gati harruam të përmendim se fjalia shumë e përdorur ka qenë edhe ajo se “status quoja është e paqëndrueshme dhe paraqet rrezik”!!! Ndërsa vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së kur u tha se u arrit marrëveshje për “rrugën drejt normalizimit të raporteve” me kënaqësi të madhe pohoi se “Kjo shënon hyrjen në një status quo të re”, mund të presim kalim prej një status quoje në tjetrin, por ato nuk do të jenë zgjidhje. Problemi është se pafuqia dhe pamundësia për të sjellë zgjidhjen e bën këto status quo të dëshirueshme për BE-në, ndërsa ata që duan ta thyejnë i kritikojnë, e besa edhe dënojnë për tentime të tilla.