OpEd

Të mirat politike të CEFTA-s

Rasti i CEFTA-s tashmë dëshmon beneficionet e një politike të bazuar në stimuj dhe ndëshkime konkrete në Ballkanin Perëndimor. Prandaj vëzhguesit kanë të drejtë të jenë kritikë kur një politikë e tillë nuk zbatohet në mënyrë uniforme ndaj të gjitha shteteve të rajonit. Në kundërshtim me këtë politikë është ajo e akomodimit, e cila përdoret sidomos në raport me Serbinë. Një politikë më e mençur do të ishte ajo e “shkopinjve” dhe “karotave”, e cila do të sillte rezultate konkrete nëse zbatohet edhe ndaj Serbisë

Vendimi për zhbllokimin e CEFTA-s ishte një hap drejt rivendosjes së tregtisë së lirë në rajon dhe uljes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky vendim ishte gjithashtu një kërkesë e rëndësishme e Bashkimit Evropian për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin ekonomik. 

Për t’i kuptuar më mirë zhvillimet në lidhje me CEFTA-n, është mirë ta krahasojmë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës me vendimin për dhëniet e pronave Manastirit të Deçanit, ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre. Ndryshe nga vendimi për Manastirin e Deçanit, zhbllokimi i CEFTA-s kishte të bënte me një marrëveshje ndërkombëtare tregtare që përfshin disa vende të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje synon të lehtësojë tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, dhe zbatimi i saj është i rëndësishëm për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal. 

Vendimi për pronat e Manastirit ishte një çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës dhe jo një marrëveshje ndërkombëtare mes dy palëve. Zbatimi i vendimit mbi pronën e Manastirit të Deçanit ishte i lidhur me një hap konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE). 

Në të dyja rastet, zbatimi i vendimeve ishte i lidhur ngushtë me përmbushjen e kushtëzimeve për avancim në arenën ndërkombëtare dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse konteksti dhe natyra e vendimeve ishin të ndryshme.

Politika e shkopinjve dhe karotave

Në të dyja rastet "shkopinjtë" dhe "karotat" për Kosovën përfaqësojnë presionet dhe stimujt që përdoren për të nxitur zbatimin e vendimeve dhe marrëveshjeve.

Në rastin e Manastirit të Deçanit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës (KiE) ishte një stimul i madh për Kosovën. Ky anëtarësim do të përmirësonte pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe do të siguronte mbrojtje më të madhe për të drejtat e njeriut dhe të drejtat fetare.

Moszbatimi i vendimit të gjykatës do të rezultonte në një opinion negativ të APKE-së mbi anëtarësimin. Kjo do të kishte pasoja negative për procesin e anëtarësimit, por edhe mund të dëmtonte reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në rastin e CEFTA-s stimuli ishte avancimi i përfaqësimit të Kosovës, e cila më herët ishte përfaqësuar nga UNMIK-u në CEFTA. Përfitimi kryesor ishte politik, sepse duke mos pasur industri të fortë eksportuese, përfitimet tregtare janë më të vogla për Kosovën, sado që është i rëndësishëm integrimi i saj në tregun rajonal. 

Sa i përket “shkopit”, ai ishte presioni nga Bashkimi Evropian. Moszhbllokimi mund të çonte në izolim nga Procesi i Berlinit e që për Kosovën përbën izolim politik dhe dobësim të pozicionit ndërkombëtar.
Në të dyja rastet, kombinimi i "shkopinjve" dhe "karotave" synonte ta nxiste Kosovën të ndërmarrë hapa që do të përmirësonin marrëdhëniet ndërkombëtare të saj sado që vinin me një kosto.

Rasti i CEFTA-s tashmë dëshmon beneficionet e një politike të bazuar në stimuj dhe ndëshkime konkrete në Ballkanin Perëndimor. Prandaj vëzhguesit kanë të drejtë të jenë kritikë kur një politikë e tillë nuk zbatohet në mënyrë uniforme ndaj të gjitha shteteve të rajonit. Në kundërshtim me këtë politikë është ajo e akomodimit, e cila përdoret sidomos në raport me Serbinë. Një politikë më e mençur do të ishte ajo e shkopinjve dhe karotave e cila do të sillte rezultate konkrete nëse zbatohet edhe ndaj Serbisë.  

CEFTA dhe tregtia

Anëtarët aktual të CEFTA-s janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia. Kosova gjendet në një situatë shumë të vështirë tregtare. Përqindja e mbulimit të importit nga eksporti në vitin 2023 ka qenë 14.6%. 

Bilanci tregtar i Kosovës me CEFTA-n në vitin 2023 ka qenë negativ me minus mbi 582 milionë euro. Për krahasim, Serbia ka pasur një bilanc pozitiv me mbi 2.7 miliardë euro. Pra, kemi të bëjmë me një dallim të madh, dhe Serbia është shteti që e dominon tregun e CEFTA-s.

Nëse e shohim eksportin e mallrave dhe shërbimeve si përqindje e GDP-së, në vitin 2023 shohim, po ashtu, një dallim të madh. Sipas Bankës Botërore, në Kosovë eksporti përbën 39.7% të Bruto Produktit Nacional (BPN, GDP), kurse në Serbi eksporti përbën 59.9% të GDP-së. 

Shihet qartë që Kosova ka shumë punë për të bërë për ta përmirësuar bilancin tregtar me CEFTA-n, por edhe në përgjithësi. Po ashtu, është e qartë që industria eksportuese e Serbisë dominon tregun rajonal. Bllokimi i importeve të Serbisë fatkeqësisht nuk ka rezultuar në një industri prodhuese më të fortë në Kosovë. Zëvendësimi i këtyre importeve është bërë vetëm pjesërisht nga produkte të ngjashme vendore, si dhe nga me importe nga Shqipëria. Kjo tregon për mangësi të mëdha strukturore në industrinë kosovare dhe mungesën e nxitjeve fiskale e ekonomike për të forcuar eksportin. 

Përfitimet e pjesëmarrjes në CEFTA janë më shumë politike sesa ekonomike. Avancimi i përfaqësimit të Kosovës dhe përfundimi i përfaqësimit nga UNMIK-u ishin stimuli kryesor për Kosovën për të marrë vendim për zhbllokimin e importeve nga Serbia. Edhe pse ky zhbllokim do të rrisë ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe në rajon.