OpEd

Të mirat dhe të këqijat në zgjedhjet e Gjermanisë

Pas paraqitjes më të keqe të CDU-së në histori të saj, thirrjet për hapje kundruall së djathtës ekstreme mund të bëhen më të fuqishme, ani pse partia ka humbur shumë votues ndaj SPD-së dhe të Gjelbërve. Vetë e djathta ekstreme tani është e ngulitur vendosmërisht në pjesët e Gjermanisë Lindore dhe është më e forta në Sanksoni dhe Turingia, ku, për dallim prej pjesëve të tjera të Gjermanisë, e ka mbështetjen e të rinjve dhe ku krahu i saj ekstremist e ka përcaktuar tonin. Ky krah tani do të trimërohet edhe më shumë. Dhe për viktimat lokale të nxitjes së urrejtjes nga e djathta ekstreme, është ngushëllim i madh që rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve nuk doli të ishte aq i keq sa disa mund të jenë frikësuar

Së pari, lajmi i keq. Në zgjedhjet federale të Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e së djathtës ekstreme ka pësuar humbje, por megjithëkëtë ka kaluar 10-përqindëshin. Me gjithë betejat e brendshme të vazhdueshme dhe skandaleve të shumta, partia duket të jetë një tipar i qëndrueshëm i peizazhit politik gjerman. Por lajmi i mirë është se zgjedhjet nuk i kanë mbështetur mençuritë e shumta lidhur me të djathtën ekstreme: Demokracitë perëndimore nuk janë të destinuara për të zhvilluar luftëra kulturore vazhdimisht; koalicionet e mëdha midis së majtës së qendrës dhe së djathtës së qendrës jodomosdoshmërisht i fuqizojnë ekstremet politike; dhe partitë socialdemokrate mund të kalojnë mirë edhe pa u ndihmuar nga nativizmi dhe islamofobia.

Shumë vëzhgues të sofistikuar kanë thënë se beteja midis liberalëve kozmopolitanë dhe komunitarëve më të “rrënjosur” (për ta përdorur në mënyrë sa më neutrale që është e mundur këtë frazë) këtyre ditëve e definon politikën në ekonomitë e avancuara. Derisa disa konflikte mund të kuptohen në kontekstin e pak a shumë ndasisë thjeshtësuese midis “kudosë” dhe “dikundit”, ekzistojnë edhe goxha sfida të tjera që nuk mund të reduktohen në këtë relacion binar.

Në Gjermani, emigracioni ka pushuar së qeni një shqetësim madhor gjatë viteve të fundit. Në garën për këto zgjedhje, qytetarët më shumë kanë përmendur pensionet, të ardhmen e shtetit, mirëqenien dhe klimën, si çështjet që i shqetësojnë më së tepërmi. Partitë kryesore kanë vënë në lojë qëndrime të ndryshme për këto çështje derisa gara klasike midis së djathtës së qendrës dhe së majtës së qendrës doli të ishte një lajm i keq për të djathtën ekstreme.

Vetë fakti se qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjidhnin midis dy alternativave të qarta politike nënkuptoi që ankesa tipike populiste se të gjitha partitë “e qendrës” janë të njëjta dhe se elitat gjoja të korruptuara i ndjekin politikat e njëjta për ta dëmtuar “popullin” zor se pinë ujë. Dhe as koalicioni i madh midis Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe Unionit Kristiandemokrat (CDU) të kancelares në largim Angela Merkel nuk e konfirmoi supozimin se marrëveshjet e tilla nxisin mbështetje për partitë ekstremiste. Përkundrazi, Socialdemokratët e sinjalizuan një kthesë të qartë majtas dhe shkëputje prej epokës së Merkelit.

Është spekuluar gjithashtu se pakënaqësia me mënyrën se si qeveria e menaxhoi situatën me pandeminë do të nxiste qytetarët që të votojnë për AfD-në, thjesht ngase kjo duket sikurse e vetmja mënyrë konsistente për ta regjistruar protestën.

Tekefundit, AfD-ja është e vetmja parti që nuk është në pushtet ndokund në sistemin federal të Gjermanisë, në të cilin nëntë koalicione të ndryshme qeverisin mbi 16 shtetet e vendit.

Janë dy arsyet se kjo gjë nuk ndodhi. E para, për shumë gjermanë AfD-ja është një parti që anon kah revizionizmi historik, që i bie sikur të thuhet relativizimi i së shkuarës naziste. Duket sikur edhe disa prej konservatorëve më të vendosur, të cilët ishin thellësisht të zhgënjyer me mënyrën se si CDU-ja e menaxhoi COVID-19, nuk duan që të ndërlidhen me asgjë mbanë erë neonazizmi. Paaftësia e AfD-së për ta kapur pakënaqësinë e votuesve tregon se strategjia e saj e përpjekjes për të qenë sa e respektueshme po aq edhe radikale mund të funksionojë vetëm kaq gjatë.

Arsyeja tjetër pse AfD-ja dështoi që të gjenerojë më shumë mbështetje është e qartë. Sikurse republikanët në Shtetet e Bashkuara, AfD-ja është munduar që ta monopolizojë “lirinë” gjatë pandemisë, por kjo përpjekje është demaskuar nga liberalët gjermanë, të cilët janë liberalë në kuptimin klasik evropian.

Në një sërë debatesh të profilit të lartë në këtë sistem binar, Partia e Demokratëve të Lirë ka ofruar një alternativë të qartë për AfD-në. FDP-ja ka artikuluar një kundërshtim të besueshëm ndaj kufizimeve të ndërlidhura me pandeminë në emër të lirisë, pa iu afruar fare teorive të konspiracionit apo pa e shlyer vijën midis së kritikuarit të partive dhe të sulmuarit të sistemit politik.

Në fund, është me rëndësi se si SPD-ja ashtu edhe CDU-ja i rezistuan asaj që u bë trend kudo nëpër Evropë: përfshirja e së djathtës ekstreme në rrymën qendrore politike me anë të adoptimit të disa pjesëve të retorikës dhe politikave të saj.

Përpjekjet rastësore për përdorimin e gjuhës së koduar politike gjatë fushatës kanë dështuar.

Vlerësimi i kandidatit kristiandemokrat për ta pasuar Merkelin, Armin Laschet, gjatë marrjes së Afganistanit nga talebanët, se “2015-a (kur Gjermania ka mirëpritur një milion refugjatë) nuk duhej përsëritur”, është parë gjithandej si një lloj gafe. Ndërsa politikani i CDU-së, i cili krejt qartë është përpjekur që ta paraqesë veten “alla-AfD”, Hans-Georg Maaßen, është mposhtur thellësisht.

Megjithëkëtë, do të ishte krejtësisht e gabuar që të frymohet lirshëm tani. Janë aq shumë mësime që mund të nxirren prej një palë zgjedhjeve dhe CDU-ja mund ende ta nxjerrë një mësim.

Pas paraqitjes më të keqe të CDU-së në histori të saj, thirrjet për hapje kundruall së djathtës ekstreme mund të bëhen më të fuqishme, ani pse partia ka humbur shumë votues ndaj SPD-së dhe të Gjelbërve. Vetë e djathta ekstreme tani është e ngulitur vendosmërisht në pjesët e Gjermanisë Lindore dhe është më e forta në Sanksoni dhe Turingia, ku, për dallim prej pjesëve të tjera të Gjermanisë, e ka mbështetjen e të rinjve dhe ku krahu i saj ekstremist e ka përcaktuar tonin. Ky krah tani do të trimërohet edhe më shumë. Dhe për viktimat lokale të nxitjes së urrejtjes nga e djathta ekstreme, është ngushëllim i madh që rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve nuk doli të ishte aq i keq sa disa mund të jenë frikësuar.

(Jan-Werner Mueller, profesor i politikës në Universitetin e Princetonit, është autor i librit më të fundit “Democracy Rules”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)