OpEd

Të fala nga Sri Lanka

Vala e pakënaqësisë me inflacionin, pasigurinë energjetike e të ushqimit është globale dhe troket në të gjitha dyert. Vladimir Putini mund të jetë njëra arsye, por kjo valë, sikur COVID-i do ta testojë shëndetin e shteteve dhe shoqërive. Ndonëse rast i skajshëm, Sri Lanka është viktima e parë, jo domosdoshmërisht e fundit

1.

Ekziston një shpejtësi marramendëse me të cilën në dy shtetet më të mëdha të shqiptarëve zhvillohet ndërlidhja (konspirative) me ngjarjet në botë. Kështu po ndodh edhe me Sri Lankën, ku me mijëra protestues e përzunë nga pallati presidencial atë që ishte zgjedhur me detyrë të ishte aty. Në një pjesë të diskursit publik në Shqipëri sot, kjo që i ka ndodhur pushtetit të Sri Lankës do t’i ndodhë edhe atij në Shqipëri. E para disa javësh, ndërsa ende zhvilloheshin protestat pa arritur kulmin e përqendrimit të rrëzimit të pushtetit, një mik kosovar që kishte njohuri personale të gjendjes në Sri Lanka, nëpërmjet familjares që punon për organizatë ndërkombëtare, e lidhi pushtetin kleptokratik të Sri Lankës me emrat e një familjeje vëllezërish kosovarë që gjatë sundimit (të gjatë) politik të njërit vëlla kishin fituar në të folurit publik namin e vëllazërisë kleptokratike.

Sri Lanka është në fakt shumë larg gjeografikisht e mbase edhe më larg për nga kapaciteti i tërheqjes së paraleleve. Ndodhi rastësia që para disa muajsh takova një person që iku së bashku me familjen e saj para disa dhjetëvjetësh prej Sri Lankës; babai i saj qe i përndjekur prej regjimit. Para disa vjetësh u kthye, si qytetare e një shteti evropian, jetoi për një kohë duke dokumentuar shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut në luftën qytetare që zhvilloi shteti kundër guerilës tamile (shpikësve të parë të vetëvrasësve me bombë). Një natë u detyrua të ikë për në Evropë, me çantën e dorës, sepse i kërcënohej jeta. Ndërsa kishin filluar protestat e para ngaqë shteti nuk kishte më deviza për të blerë naftë e benzinë (e kështu paralizohej bujqësia dhe peshkataria, dy sektorë të fortë të ekonomisë) ajo më tha:

-Nuk do të vonohet e vëllezërit Rajapaksa do të ndiqen me dhunë nga pushteti.

Për ata që duan të tërheqin paralele, e tërë kjo bisedë zhvillohej në momentin kur nga Qeveria e Sri Lankës u tha se rezervat shtetërore kishin arritur disa dhjetëra milionë dollarë, më pak sesa Qeveria e Shqipërisë socialiste kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës.

Nëse ka analogji, ndoshta kjo do të ishte më e afërta, e pra është disa dhjetëvjetësh e një sistem politik larg.

2.

Por, Sri Lanka mund të lexohet edhe ndryshe dhe për lexim të tij mjafton COVID-19, në dy dimensionet e tij. Në dimensionin e parë, Sri Lanka është viktimë e skajshme e bllokimit të turizmit botëror për shkak të pandemisë. Pandemia mbylli shumë vende turistike, por Sri Lanka u godit në veçanti, sepse turizmi kishte filluar ta ringjallte vendin pas periudhës së gjatë të luftës qytetare e katastrofave natyrore (cunami). Pas luftës qytetare, cunamit, pandemisë erdhi edhe lufta në Ukrainë e me të kriza energjetike dhe inflacioni. Këtu hyjmë te dimensioni i dytë COVID. Ashtu sikur infeksioni me COVID nxori në shesh dobësitë e tjera në organizmin e njeriut, ashtu bën sot kriza post-COVID dhe ajo e luftës në Ukrainë me organizmin shoqëror. Sistemi i sundimit në Sri Lanka – kombinim autokracie e paaftësie – nuk ka kapacitet t’i rezistojë sëmundjes globale post-COVID në kombinim me luftën në Ukrainë.

E kjo do të thotë që ndonëse rast i skajshëm, Sri Lanka është viktima e parë, jo domosdoshmërisht e fundit. Përgjatë javëve të fundit, janë zhvilluar demonstrata në tërë botën, prej Afrikës së Jugut deri në Spanjë, prej Ekuadorit në Nepal që kanë si pikënisje çmimin e lartë të karburanteve, ngritja e të cilëve ka efekt pastaj në çdo prodhim tjetër.

3.

Kështu, pra prej Afrikës së Jugut deri në Spanjë e prej Ekuadorit në Nepal, kjo mund të jetë një valë, një valë gati globale e pakënaqësisë. Dhe, nëse është valë, qoftë edhe në fillet e saj, është një fenomen që do kuptuar më thellë.

Natyrisht, ekziston një interpretim i lehtë, konspiracionist, për procesin që jemi duke e përjetuar. Interpretimi quhet Vladimir Putin, presidenti rus i cili duke e filluar luftën në Ukrainë, ka qenë i vetëdijshëm për dy efektet imediate, atë të pasigurisë energjetike dhe të ushqimit. Do të thotë, duke qenë i vetëdijshëm për këto dy pasiguri, Putini ka ndërmarrë veprime që prekin në rendin botëror çfarë e njohim deri më sot. Kështu, ai shndërrohet në faktor global ala COVID, pra i teston organizmat shoqëror dhe ata si Sri Lanka në lodhjen e tyre disavjeçare janë të gatshëm të rrëzohen.

Në fakt, jo një herë presidenti rus, e posaçërisht inspiruesit e tij ideologjik (si Dugin, Trubeckoj) kanë folur për kalbjen e sistemeve të tjera (perëndimore). Përgjigjja e tyre, pasi të dëshmojnë rrëzimin e këtyre sistemeve: Euroazia dhe shpirti rus në të.

Por, po të hiqet teoria e konspiracionit – pra se V.Putin është truri global që kontrollon këtë valë të re protestash globale – mbetet konteksti pandemik si test i organizmave. Pra, shoqëritë gjithandej botës, e me këtë edhe rendi global, po testohen me sfidat e kombinuara COVID-Ukrainë, gjegjësisht me sfidat e ngadalësimit ekonomik botëror, të pasigurisë energjetike, ushqimore e financiare.

4.

Paradoksalisht (apo ndoshta jo), kjo valë e filluar e protestës globale mbështetet te mungesa e kundrimit global. Njerëzit që janë në rrugë në Nepal apo Ekuador, Spanjë apo Mozambik fajësojnë qeveritë e tyre për çmimin e benzinës dhe naftës, ndërkohë që ky çmim nuk është prodhuar nga aftësia apo paaftësia e qeverive të tyre, por nga lufta në Ukrainë dhe spekulimi global lidhur me të. Pra, kërkohet përgjegjësi lokale për një problem global. Dhe, kjo mund të jetë hakmarrje e COVID-it. Pak pasi filloi pandemia, e u mbyllën kufijtë nëpër Evropë e botë, reagimi i parë i dukshëm qe se një problem të këtillë global qeveritë do ta luftonin brenda kufijve të vet, duke prodhuar edhe një shprehje të re “nacionalizëm vaksinash”, që përshkruan përpjekjen e çdo vendi të pasur që të sigurojë i pari vaksinat anti-COVID, e duke lënë pas shumë vende e popuj të tjerë po të nevojshëm, por që nuk kishin forcën gjeopolitike të arrinin te to.

Jam i sigurt që në bisedat me ideologët e tij të preferuar, Vladimir Putini do të shtrojë pyetjen: të shohim se çfarë përgjigje – lokale a globale – do të japë Perëndimi nga kjo valë e pakënaqësisë.