Kosova e pasluftës ka pasur trupa me vetëqeverisje të kufizuar deri më 2008-n, e prej atëherë, sado nën mbikëqyrje, ka pasur pavarësi thuajse të plotë në vendimmarrje. Për fat të keq, mbi dy dekadat e pushtetit në duart tona kanë dëshmuar se nuk dimë të qeverisim dhe se e kemi zor të kuptojmë se çfarë nënkupton interesi i përgjithshëm
Është një trup, që sipas Kushtetutës, është ai që e përfaqëson popullin. Quhet Kuvendi i Kosovës dhe për thuajse 25 vjet, ka qenë dëshmia më e prekshme e talljes që vetë kosovarët ia bëjnë shtetit të vet.
Do të ishte e logjikshme të mendohet se me kalimin e kohës, do të fitohej edhe përvoja dhe do të nxirreshin edhe mësime që gabimet nga e kaluara të mos përsëriteshin. E vetmja gjë, që pa asnjë dyshim u bart prej legjislature në legjislaturë, qe luksi i një grumbulli badihavxhinjsh (me ca përjashtime) që e shfrytëzojnë deri në maksimum pozitën e tyre të privilegjuar, kryesisht për të mos bërë asgjë, e që për këtë punë të paguhen.
Nuk e kam besuar se pas gjithë këtyre viteve, dhe pas sa e sa zgjedhjesh, vlerësimi për punën e parlamentit do të ishte thuajse identik – jashtëzakonisht dëshpërues. E të mendosh se këta njerëz i marrin rrogat e shtesat pa asnjë ditë vonesë, si punuan, si nuk punuan, derisa sektori privat i sheh të zinjtë e ullirit për shkak të mungesës së parasë në treg, të bën të plasësh. Për më keq, të bën të plasësh që njerëz sikur këta, janë ata që votojnë ligje të cilat në të shumtën nuk i lexojnë, e madje as nuk i kuptojnë – dhe vendosin në emër të votuesve që ua kanë dhënë e nuk ua kanë dhënë votën.
* * *
Fare për të mos u befasuar vendimi që Ligji shumë i përfolur i frytnimit të asistuar, të shtyhej për një seancë të radhës, për shkak se deputetët e opozitës, e në veçanti disa të pushtetit, largoheshin nga salla vetëm sa për të mos formuar kuorumin e nevojshëm për ta votuar ligjin.
Madje, shumë absurde është sjellja, në veçanti i “mbrojtësve të familjes”, që dalin me amendamente, e mandej vetë nuk i votojnë tekstet që i propozojnë. Thirren në faktin se vota e tyre është individuale, dhe se ata bartin përgjegjësinë për mandatin e tyre (që sipas Kushtetutës qëndron), por nga ana tjetër, e dinë se me këso veprime vetëm e zgjasin procedurën për të shkuar edhe në një seancë nga e cila do të ikin për të mos e bërë kuorumin.
Sido që të jetë, seanca që u mbajt e nuk u mbajt në enjten e shkuar, niste me 30 pika të rendit të ditës, kryesisht të bartura nga seancat paraprake, prej të cilave një pjesë shumë e madhe kishin të bënin me marrëveshjet ndërkombëtare që opozita refuzon t’i votojë. Dhe fare nuk është me rëndësi që ky bojkot i opozitës karshi marrëveshjeve ndërkombëtare e dëmton më së shumti Kosovën. Me rëndësi është që t’i tregohen muskujt pushtetit, e që asnjë gjë të mos lëvizë nga pat-pozicioni qe thuajse një vit.
Dhe sërish, situata më absurde dhe aspak e arsyeshme e ekzekutivit që refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës, për shkak se kjo e fundit refuzon që t’i votojë të lartpërmendurat marrëveshje.
Do të thotë, elementi bazik i kontrollit parlamentar mbi veprimet ose mosveprimet e qeverisë nuk mund të realizohet, për shkak se Qeveria e ka gjetur mënyrën më të lehtë për t’iu shmangur dhënies së përgjegjësisë publike, duke thënë se “nuk përgjigjemi, veç pse ju nuk votoni”.
Dhe çka kemi në fund? Një Kuvend të papërgjegjshëm dhe një Qeveri edhe më të papërgjegjshme, për më tepër, plotësisht të hermetizuar që nuk flet për punën a mospunën e vet. Por mjaftohet me fjalime të gjata për sa shumë ka avancuar Kosova në këta tre vjet, duke të lënë të mendohesh seriozisht në mos ekzekutivi jeton në një dimension tjetër, larg realitetit të cilin e jeton populli.
* * *
Përderisa vështirë mund të kontestohen ndryshimet që kanë ndodhur në veri, ku thuajse asgjë nuk kishte lëvizur për dy dekada, në sektorët e tjerë nuk është se kjo Qeveri mund të lavdërohet se ka mbërritur larg.
Tashmë e përsëritur shumë herë deri tash, kjo Qeveri është më e dobëta sa u përket punëve publike, infrastrukturore, përherë duke e fshehur pas shpronësimeve të pakryera nga e kaluara, për ndërtimin e rrugëve magjistrale për në Mitrovicë e Podujevë a Gjakovë, apo edhe të autoudhës për në Gjilan.
Të dalësh tash, në vitin e fundit të mandatit e të premtosh se rruga e famshme për në Mitrovicë do të kryhet deri në fund të vitit, apo të “inspektosh” dy bagerat në rrugën e Podujevës, tregon një mungesë të plotë koncepti zhvillimor. Po e dimë se autostradat për në Prizren e për në Shkup kanë kushtuar shumë më tepër sesa do të duhej, se madje në këtë të fundit janë paguar shumë milionë më tepër sesa ishte paraparë, por kjo nuk do të thotë se secila rrugë që ndërtohet, duhet të ndërtohet me hajní. E fakti që nuk e hedh projektin në tender, nuk ka asnjë domethënie tjetër pos që ose je i paaftë për ta kryer këtë detyrë ose u frikohesh njerëzve me të cilët punon se mund “të ta luajnë lojën”.
Mungesa e ministrit Liburn Aliu në raportim para komisionit parlamentar, nuk flet vetëm për shpërfillje, por flet për nevojën për të mos folur haptazi për ministrinë që e udhëheq dhe punët që duhen kryer. E kur nuk flet haptazi, atëherë gjasat janë se ke diçka për të fshehur.
* * *
Puna me dikasteret e tjera nuk duket të jetë më mirë. Është një Ministri e Kulturës që përditë e përuron nga një shtëpi të shpëtuar nga lista e trashëgimisë kulturore, por po e njëjta ministri shpall tender për rehabilitimin e Muzeut të muzikës në Gjakovë në vlerë prej 400 mijë eurosh. Do të kujtojmë se ajo shtëpi nuk mund t’i ketë më shumë se 200 metra katrorë – e t’i fusësh 400 mijë euro në atë hapësirë të bën të pyesësh nëse diçka në atë ndërtesë do të shtrohet me ar. Nga ana tjetër, duhet shikuar se sa herë janë ndryshuar listat e përfituesve të mundshëm të projekteve kulturore, e sa paraja është futur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë, vetëm për ta kthyer në garazh, apo edhe sa paraja paguhet në emër të qirasë për amfiteatrin e po këtij pallati, për shkak se me vendim të MKRS-së u mbyll Teatri Kombëtar ka më shumë se dy vjet, e që të mos jetë bërë as projekti për rinovimin e tij.
Te Ministria e Jashtme nuk është se është shënuar çfarëdo suksesi pos skandaleve të njëpasnjëshme me emërime e shkarkime diplomatësh e stafi tjetër. Fakti mbetet se me këtë Qeveri, Kosovës nuk i ka ardhur asnjë njohje e re. Nga ana tjetër, fjalimet që ministrja jonë i mban para korit diplomatik të akredituar në Kosovë u ngjajnë më parë qortimeve dhe orëve të dobëta të historisë, sesa një bashkëpunimi të afërt mes partnerësh.
Te shëndetësia, kemi para e nuk kemi barna, ose kemi barna, por jo ato që na duhen. Brenda tre vjetësh, tre ministra kanë kaluar nëpër atë zyrë, duke humbur kohë shumë të vlefshme për punë që duheshin kryer me kohë. Tash, në këta muajt e fundit, ka nisur riparimi dhe zgjerimi i disa nga klinikat në SHSKUK, porse nuk është bërë asnjë hap i vetëm drejt funksionalizimit të Sistemit Informatik Shëndetësor, që supozohet se do të fuste në rend kaosin dhe keqpërdorimet në shëndetësi.
Kemi hyrë në dekadën e tretë të shekullit XXI, dhe ne ende mbajmë evidencën shëndetësore me shkrim, madje edhe recetat na shkruhen me dorë.
E arsimi? Arsimi ka mbetur aty ku ishte katandisur nga secila qeveri që ka ardhur me premtime se do të bëjë reforma rrënjësore që do ta ngrenë cilësinë e arsimit, të nxënies dhe mësimdhënies.
Në shtator ndodhi hallakama me librat – nuk e di nëse tekstet që i kanë blerë prindërit janë më të mirë sesa ata që janë përdorur më parë dhe sinqerisht nuk e di po qe se buxheti kurseu para me këtë sistem blerjesh. Por fakti mbetet se me gjithë numrin e zvogëluar nxënësish, në Prishtinë, për shembull, ende ka shkolla që punojnë në tri ndërrime, me të vjetrën, si dikur.
* * *
Kosova e pasluftës ka pasur trupa me vetëqeverisje të kufizuar deri më 2008-n, e prej atëherë, sado nën mbikëqyrje ka pasur pavarësi thuajse të plotë në vendimmarrje. Për fat të keq, mbi dy dekadat e pushtetit në duart tona kanë dëshmuar se nuk dimë të qeverisim dhe se e kemi zor të kuptojmë se çfarë nënkupton interesi i përgjithshëm.
Me vite patëm qeveri të korruptuara që dinin vetëm për interesin vetjak dhe të rretheve të tyre me sy nga gllabërimi i gjithçkaje. Kjo qeveri erdhi me premtime të mëdha se do ta ndalte korrupsionin dhe se do ta sillte prosperitetin dhe ndryshimin pozitiv.
Në dukje, te korrupsioni duket se Qeveria e ka ndalur kalërimin e hajnisë, edhe pse ka indice keqpërdorimesh në disa dikastere, e të cilat nuk mund të hetohen, për shkak se pushteti i bojkoton komisionet hetimore parlamentare.
Por te prosperiteti e të ndryshimi pozitiv – zor se mund ta pohoje se kjo është arritur, posaçërisht kur nis të numërosh se sa para kanë shkuar për subvencione të vogla e të copëtuara, pa sjellë asnjë ndryshim përmbajtjesor ekonomik në terren.
Edhe sa breza do të na duhen për të kuptuar se stabilitetin politik ta sjell stabiliteti apo më mirë thënë zhvillimi ekonomik, që mbyt ideologji e dogmë, e sjell mirëqenie. Uroj, për të mirën e brezave të pasluftës, që jo edhe shumë.
Ne të brezit tim tashmë jemi pajtuar se kaq kaçik paskemi pasur.