OpEd

Tabela gjeopolitike e Aeroportit të Stambollit

Në kontekstin e ri gjeopolitik Kosova në narracionin e saj karshi Serbisë po bën pavetëdijshëm dy veprime që mund të jenë të gabueshme: mbështetje në indikatorë të demokracisë dhe opinion publik karshi integrimeve euroatlantike

1.

Kush do leksion të shpejtë në gjeopolitikë duhet të ndalet pas mesnatës para semaforit të nisje-ardhjeve të Aeroportit të Stambollit-këtij të riut që u ndërtua pasi që ai tjetri që u quajt i ri në fillim të këtij shekulli u bë i vogël për trafikun që kalon nëpër këtë qytet. Tabela elektronike e lajmërimeve tregon për vende në të katër anët e botës për ku nisen dhe prej nga vijnë avionët. Miami dhe Kuala Lumpur janë ngjitur me njëri-tjetrin, siç janë Johanesburgu me Karakasin dhe Tokion; një listë e gjatë qytetesh evropiane janë ngjitur me ato arabe, emrat e të cilave shënohen herë në alfabet latin e herë në atë arabisht.

Në zhvendosjen e historisë kah Lindja (si pjesë e rivalitetit të ri të shekullit, atij mes SHBA-së dhe Kinës), të cilën e paralajmëroi në fund të shekullit të kaluar e në fillim të këtij shekulli politikologu dhe diplomati amerikan Zbigniew Brzezinski, Aeroporti i Stambollit i bie të jetë kështu një lloj qendre e bartjes së peshës së asaj historie në drejtim të Lindjes.

Prej amerikanëve, gjatë këtij shekulli, këtë nuk e kishte të qartë presidenti Trump, i cili ndonjëherë mund të ketë lozur me idenë se ndoshta bën edhe pa Turqinë në NATO (madje edhe pa NATO-n në tërësi), por realiteti i luftës në Ukrainë e vërtetoi atë që diplomatët e akademikët turq kanë shprehur jopublikisht e publikisht prej kohësh, se për ta kuptuar Turqinë duhet shikuar gjeografinë e saj. Në çerekshekullin e kaluar ka pasur luftëra në Ballkan, luftëra në Kaukaz, luftë në Siri e Irak, luftë në Afganistan, fërkime të Perëndimit me Iranin lidhur me programin bërthamor, luftë të përhershme mes Izraelit dhe palestinezëve, dhe tash së fundmi lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Në këtë komshillëk, është në interes të arkitekturës së sigurisë evropiane (e cila tashmë është e sfiduar në Ukrainë) të ketë një Turqi, e simbolizuar me tabelën e nisje-ardhjeve të Aeroportit të Stambollit, dhe të tashmë sloganit që po ndërtohet nga aeroporti e kompania e fluturimeve turke se janë “mesi i botës”.

2.

Jeta me gjeopolitikën e Aeroportit të Stambollit ka natyrisht edhe indikatorë të tjerë. Njëri, ai në vetë tabelë, tregon edhe fluturimin për në Soçi (Rusi). Përkundër të gjitha sanksioneve të vendosura kundër Rusisë, komunikacioni ajror mes Turqisë dhe Rusisë nuk ka të ndalur, njëkohësisht siç nuk ka të ndalur dërgimi i dronëve efikas “Bayraktar” Ukrainës për luftë kundër Rusisë. Vlera gjeopolitike e Turqisë është aq e madhe, sa as që i bie kujt ndër mend të flasë publikisht (apo privatisht) për nevojën që edhe Turqia të ndërmarrë sanksione kundër Rusisë. Dhe, njëkohësisht, vlera gjeopolitike e Turqisë është aq e madhe, sa dënimi me burgim të përjetshëm i Orhan Kavallës, një filantropi intelektuali dhe anëtari të spikatur të shoqërisë civile turke, kaloi me një a dy ditë artikujsh gazetash në Evropë dhe përfundoi me kaq.

Siç dëshmohet me rastin Kavalla, jeta e re gjeopolitike ndryshon në mënyrë dramatike perceptimet dhe prioritetet. Por kjo nuk vlen vetëm për Turqinë. Polonia, e cila deri në shkurt të këtij viti vlerësohej si ilustrim i degradimit të demokracisë liberale dhe bëhej shënjestra e izolimit moral e financiar nga ana e BE-së, tashmë është vend i cili duke qenë në vijën e prijatarëve të ndihmës për Ukrainën, qoftë në pranim refugjatësh apo në ndihmë armatimi, është vënë në listën prijëse të vendeve për të cilat flitet pozitivisht. Polonia, që deri dje shahej për kontroll të gjyqësorit dhe për politika regresive në fushën e të drejtave të njeriut, është sot kampione në mbrojtje të vlerave perëndimore në Ukrainë.

3.

Nga “gjeopolitika e Aeroportit të Stambollit” janë dy leksione imediate që mund të mësohen në Kosovë dhe që të dyja lidhen me narracionin publik kosovar ndaj Serbisë.

I pari është se demokracia është e vlefshme, por për konsum të brendshëm. Me vite, e posaçërisht viteve të fundit, Kosova është duke shpjeguar (me të drejtë) se si po avancon në demokraci e në reformë të shoqërisë e Serbia po shënon regres drejt një gjysmautoritarizmi. Dhe këtë dallim mes dy vendeve Kosova po përpiqet ta tregojë si fërkim që pengon arritjen e marrëveshjes për normalizim mes dy vendeve. Me këtë Kosova nga njëra anë po e bën një gabim të pavetëdijshëm taktik-meqë rrjedhimisht del se nuk do të ketë marrëveshje derisa Serbia të mos demokratizohet-e nga ana tjetër po e shpërfill realitetin e ri. Në të, a është Serbia demokratike apo jo ka shumë pak vlerë siç e ilustron Polonia: nuk është më me rëndësi parësore demokracia, me rëndësi parësore është gjeopolitika.

E në të, në gjeopolitikë, aksionet e Serbisë kanë hipur në vlerë dhe këtu Kosova bën gabimin e dytë. Në narracionin kosovar, Serbia është Rusia e Vuçiqi është Putini i vogël. Presidenti i Serbisë këtë përshkrim e shndërron në avantazh të vetin me pozicionim ndaj Perëndimit që pak a shumë formulohet me kërkesën që me veprimet e Perëndimit, Serbia të mos shkojë drejt Rusisë, por drejt BE-së. Dhe, kjo do të thotë më shumë kujdes ndaj pozicionit të Serbisë në këtë realitet gjeopolitik sesa ndaj nevojave të fqinjëve të saj nga lufta e ish-Jugosllavisë.

4.

Kosovës do t’i vinte mirë një rishikim i prioriteteve të veta gjeopolitike në këtë kohë dhe njëri prej rezultateve të rishikimit do të mund të ishte ndërprerja e narracionit me të cilin Kosovës i përkasin të drejtat për normalitet, sepse është më demokratike se Serbia dhe i do Amerikën e Evropën më shumë. Po të ishte për ndjenjat e dashurinë, gjërat do të ishin zgjidhur kaherë-por gjeopolitika nuk i konsideron këto kategori si relevante. Dhe në garën e sondazheve mund të duket se është fituese: javën e kaluar Twitteri ishte plot, me faktin se gati 90 për qind të qytetarëve të Kosovës duan në BE e më pak se dyzet të atyre të Serbisë e duan këtë gjë. Por në dioptrinë gjeopolitike presidenti i Serbisë mund ta kthejë ndryshe: ja përse Serbia ka më shumë nevojë për përkrahje të BE-së.

Ndoshta hapi i parë i rishikimit do të mund të ishte një pyetje e thjeshtë: si mund të bëhet Kosova, tej dashurisë së vet për integrime euroatlantike, një vlerë në jetën e re gjeopolitike?