OpEd

Ta vjedhim Kosovën

Është e mahnitshme se si një shoqëri e dalë krejtësisht e shkatërruar nga lufta të ketë pasur një shtresë njerëzish që kishin ditur t'i identifikonin të gjitha burimet e mundshme të marrjes dhe kontrollit të parasë prej gjithçkaje që e paska pasur ky vend. Nuk e di sa kohë studimi u janë dashur që t'i zbulonin zgavrat nga i kanë mbledhur dhe grumbulluar paratë që më pas i kanë shpërndarë gjithandej, duke deklaruar se paskëshin qenë prona të trashëguara

Mbase ndonjëherë do ta kem treguar këtë anekdotë, porse nuk kam çare pa e treguar sërish, duke i pasur për bazë shkrimet hulumtuese që u bënë javën që po e lëmë pas.

Një mik imi, që punonte në Pakistan, kishte rastisur ta takonte një zyrtar policor që kishte punuar në kuadër të UNMIK-ut menjëherë pas luftës. Me të kuptuar se prej nga vinte miku, i kishte komentuar: "Kosova, very rich country. Taxi drivers drive Mercedes" (Kosova, shumë vend i pasur, të gjithë taksistët vozisin “Mercedesa”).

Nejse, nga kjo anekdotë kanë kaluar shumë vjet dhe është fakt se taksistët më nuk vozisin “Mercedesa”, ama për që Kosova njëmend është rich country, jemi duke e zbuluar dita më ditë. Nuk e paskemi ditur dhe me siguri nuk do ta dimë kurrë se sa para i janë vjedhur këtij shteti në emër të meritave të luftës, mbajtjes së pushtetit për këto merita dhe nga aparatçikët e vegjël që u bënë ministra, me qëllimin e sakatimit të Kosovës dhe pasurisë së saj.

Javën e shkuar u përmend fakti se ishte ngritur një aktakuzë ndaj disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve për shpronësimin e tokave të destinuara për parkun industrial në Malishevë. Dje, hiç më larg, në KOHË doli edhe një skandal, kësaj radhe me parkun industrial në Suharekë, ku për mobilizimin e makinerisë dhe vendosjen e një kontejneri buxheti i kishte kallur 400 mijë euro. Hata kontejneri të ishte i arit, mbase ia kishte vlejtur aq para. Por jo. Ishin punë përgatitore që përherë kanë vlerë simbolike (gjithë ata që kanë pasur ndonjëherë punë me ndërtim e dinë), por jo edhe për ministrinë nën udhëheqjen e Endrit Shalës nga NISMA.

Për më keq, këto para i janë dhënë po asaj firme që para një kohe e kishte zbuluar KOHA, i kishte marrë 5 milionë në vend të 500 mijë eurosh për mirëmbajtjen e urave të Kosovës. Për punën e urave lënda tashmë ka shkuar në prokurori. Mbase edhe ky rast i ri do të përfundojë po atje.

* * *

Gjatë javës ndodhi edhe shkarkimi i Bordit të RTK-së, që çuditërisht u kritikua nga Ambasada amerikane. Po them çuditërisht, për shkak se mbase kjo ka qenë hera e parë në të cilën në formë aq të thjeshtë dhe efikase u arsyetua nevoja për shkarkimin e bordit të një institucioni, i cili financohet nga shteti që nga themelimi i tij.

Pra, në vitin 2020, RTK-ja i ka marrë gjithsej 12 milionë euro nga buxheti i shtetit. Përderisa i mban në punë mbi 1000 njerëz (pse?), paguan 8,6 milionë euro rroga në vit (pra rroga mesatare në RTK është 700 euro), e mbyll vitin me 5.2 milionë euro borxhe.

Kini parasysh se buxheti i RTK-së në fakt është edhe më i madh, sepse në këtë kalkulim nuk janë përfshirë edhe të hyrat që i realizon RTK-ja nga reklamat; nga pagesat që duhet bërë për të marrë materialin arkivor të RTP-së, i cili do të duhej të ishte nën mbikëqyrjen e Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe i qasshëm për të gjithë qytetarët; nga qiratë që i mbledh nga objekti që nuk është pronë e saj dhe të hyra të tjera që mund të ekzistojnë e që nuk më janë të njohura.

Sido që të jetë, Komisioni parlamentar, nëpërmjet Doarsa Kica-Xhelilit e arsyetoi propozimin duke thënë se Ligji i RTK-së, ndër të tjera, e obligon Bordin që të kujdeset që të mos bëhen shpenzime më shumë seç ka buxhet në kompani. Borxhi 5-milionësh flet për mungesë kontrolli nga ana e Bordit. Për pasojë, deficiti buxhetor mund ta bllokojë veprimtarinë e kujtdo, përfshirë edhe të transmetuesit publik.

Dymbëdhjetë milionë euro të buxhetit janë para shumë të mëdha për Kosovën e varfër. Për Kosovën e pasur janë kikirikë, dhe vetëm një pikë në oqeanin e shumë parave të keqpërdorura në këto dy dekada.

* * *

Por kulmimi i zhdukjes së parave nga buxheti për këtë javë na erdhi nga organizata "Ta pastrojmë Kosovën", së cilës gjatë Qeverisë Haradinaj iu dhanë 815 mijë euro për aksionin me emrin e organizatës.

Siç do të sugjeronte autori i hulumtimit, Besnik Krasniqi, ky aksion do të duhej riemëruar në "Ta pastrojmë buxhetin". Apo edhe më përshtatshëm: "Ta vjedhim Kosovën".

Përderisa Kosova ka nevojë për pastrimin e bërllokut, të cilin jemi treguar ekspertë për ta hedhur nga na e ka ënda pa asnjë konsideratë as për tokën, ujin, ajrin, komshinjtë, kushërinjtë, pra për askënd, shtrohej pyetja se përse këtë aksion duhej organizuar Qeveria nëpërmjet një OJQ-je, përderisa ka një ministri Mjedisi, dhe ka edhe organizata të specializuara për mbledhje dhe bartje të mbeturinave.

Tash pas shpalosjes së letrave dhe dokumenteve po do me na dalë arsyeja, e cila fshihet prapa avullimit të 815 mijë eurove.

Sa për t'jua dhënë një ide, po e citoj hyrjen e tekstit që flet për këtë aksion:

"Me mbi 23 mijë sandviçë e pije të një restoranti në Mitrovicë do të duhej të ushqeheshin vullnetarët e aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, në vjeshtën e 2018-s. Shujtat nuk janë gatuar, ani se për to organizata që ka menaxhuar aksionin ka nxjerrë para nga buxheti i shtetit.

Pronari i restorantit, i cili njëkohësisht ka edhe një biznes për organizim evenimentesh, thotë të jenë të rreme dy faturat për këtë ushqim, njëra në vlerë 34,478.00 euro e tjetra 12,450.00 euro, sikur edhe dy fatura që figurojnë në emër të biznesit tjetër të tij – njëra 14,000.00 euro e tjetra 15,000.00 euro.

“Këto vlera as nuk e di kush i ka tërhequr dhe as nuk kanë mbërri në llogaritë e biznesit tim”, tregon F. F., në kushte anonimiteti. “Faturat janë për aktivitete e shërbime që as nuk janë mbajtur, as nuk e kam idenë pse figurojnë te biznesi im”.

Kur i mblidhni këto fatura të falsifikuara dalin rreth 76 mijë euro - besa, një banesë e mirë 50- metërshe në qendër të qytetit, që mandej mund ta lëshosh me qira për nja 500 euro pa problem, për shkak se e ke pastruar Kosovën. Nga paratë e saj.

* * *

Kushedi, në ditët në vijim, edhe sa keqpërdorime kreative të buxhetit do të arrijnë të zbulohen. Duke u nisur nga klauzolat e arbitrazhit që përnjëherë u bënë modë për t'u futur në dokumente juridike karshi palëve që ofronin "shërbime të veçanta" për nevojat e shtetit. Homologimi, kontrolli i karburanteve, sterilizimi i qenve dhe vendosja e tyre në strehimore dhe kushedi sa gjëra të tjera që njeriu i rëndomtë nuk do t'i shihte si shans për të bërë para të shpejta e të lehta në emër të shërbimit për shoqërinë...

Po mendoj, nëse kështu i kanë "ra karate" parave sikurse janë këto të pastrimit të Kosovës, çka pra paskan bërë me tenderë të tjerë e me kontrata të tjera, të cilat as pas dhjetë vjetësh nuk bëhen publike për shkak të konfidencialitetit.

Është e mahnitshme se si një shoqëri e dalë krejtësisht e shkatërruar nga lufta të ketë pasur një shtresë njerëzish që kishin ditur t'i identifikonin të gjitha burimet e mundshme të marrjes dhe kontrollit të parasë prej gjithçkaje që e paska pasur ky vend. Nuk e di sa kohë studimi u janë dashur që t'i zbulojnë zgavrat nga i kanë mbledhur dhe grumbulluar paratë që më pas i kanë shpërndarë gjithandej, duke deklaruar se paskëshin qenë prona të trashëguara.

Shumë të pasur paskemi qenë. Shumë të pasur vazhdojmë të jemi.

Sepse Kosova vazhdon të varfërohet sipas maksimës "Ta vjedhim Kosovën".

Pse jo, kur populli ende vazhdon të shikojë seri dhe të komentojë në rrjete sociale.

Me kaq mjaftohemi.

[email protected]