Thonë se të gjitha gjërave të bukura u vjen një fund. Ashtu edhe ditarit tim në “Koha Ditore”, në të cilën e pata kënaqësinë dhe gjithsesi privilegjin që t’i shkruaj kolumnet e mia të rregullta për katër vjet rresht. Me gjithë insistimin e Flakës dhe të Agronit që t’i shkruaja kolumnet në “Koha Ditore”, unë disi isha skeptik dhe për një kohë i shmangesha përgjigjes. Ata besuan në mua, në kohën kur unë nuk besoja në veten time. Kur ajo gjë edhe filloi të ndodhte, isha skeptik se do të zgjaste më shumë se tre muaj. Por ja, kaluan katër vjet të plotë dhe mua vetëm më mbetet që t’i shpreh falënderimet e mia për bashkëpunimin aq profesional dhe korrekt me Flakën, Agronin, Valbonën, Brikendën, Elmazin, Nitën, Arbanën, dhe natyrisht me të gjithë juve, lexues të ditarit tim në “Koha Ditore”. Për lexuesit besnikë, Ditari i Një Ambasadori do të vazhdojë, por tashmë në një ambasadë të re... Mirë u lexofshim!
Sigurisht se ditëve të fundit të gjithë keni qenë të informuar, në njërën apo tjetrën mënyrë, mbi motin tropikal që e goditi Britaninë e Madhe dhe një pjesë të Evropës. Apo, si në rastin tim, keni mundur që ta përjetoni atë në lëkurën tuaj. Ose edhe më keq, në bazë të parashikimeve për motin gjatë vikendit, temperaturat e tilla do të mund t’i përjetoni edhe në Kosovë.
Në Londër, për herë të parë qysh se mblidhen të dhënat mbi temperaturat ditore, zhiva në termometër shënoi 40.3°C. Gjatë vikendit u shpall gjendje emergjente, për herë të parë në Britaninë e Madhe si pasojë e të nxehtit.
Anglezët janë të njohur se dinë që t’i dramatizojnë gjërat dhe se nga një Shakespeare i vogël gjendet përbrenda secili prej tyre. Mirëpo, një gjë ishte evidente në gjithë atë në të cilën autoritetet dhe ekspertët po e vinin theksin. Infrastruktura në Britaninë e Madhe thjesht nuk është e atij karakteri për t’i përballuar temperaturat e larta tropikale. Shtëpitë janë të ndërtuara në atë mënyrë që ta mbajnë nxehtësinë brenda. Kjo lloj infrastrukture e brishtë për t’i përballuar temperaturat e larta u dëshmua edhe në Aeroportin e Lutonit, ku fluturimet u detyruan që të anuloheshin për shkak të shkrirjes së asfaltit të pistës së aterrimeve. Situatë e mjerë u shënua edhe në transportin publik, sidomos në hekurudhat të cilat ishin bymyer shkaku i nxehtësisë. Orari i trenave ose ishte anuluar krejtësisht ose trenat po lëviznin me shpejtësi shumë më të ngadaltë.
Zjarre të shumta u shkaktuan anembanë Londrës. Shumica ishin shkaktuar nga pakujdesia e njerëzve që në oborret e tyre kishin vendosur BBQ dhe çdo shkëndijë e zjarrit ndizte me shumë lehtësi barin tashmë të shndërruar në kashtë nga thatësira e ditëve të fundit.
Fakt tjetër që e bën nxehtësinë aq të papërballueshme në Britaninë e Madhe është sasia e madhe e lagështisë në ajër. Kjo e pamundëson tharjen më të shpejtë të djersëve dhe organizmi i njeriut përpëlitet për ta mbrojtur veten dhe për ta aklimatizuar veten.
Kjo ishte gjendja gjatë ditës. Për mua, gjendja ishte edhe më e rëndë gjatë natës, sepse banesa ime ndodhet në katin më të lartë dhe nënkulmi e lëshon të gjithë nxehtësinë e akumuluar gjatë ditës. E siç themi ne pellazgët e lashtë, ndjesia është sikur të jesh nën saç apo si të jesh në saunë ama pa avull, vetëm me ajër të nxehtë.
Të rrosh për të treguar. Kështu do ta përmbyllja përshkrimin e asaj infernoje të ferrit mbi tokë. Sa i përket ngrohjes globale, nuk i përkas pjesës së njerëzve që besojnë se ngrohja globale është e shkaktuar nga faktori njeri. Mendoj se faktori njeri mund të ketë kontribuar ndoshta pak në përshpejtimin e procesit, veçse besoj në atë se ky planet kalon nëpër cikle të ndryshimeve klimatike e të cilat në kohëra shumë më të gjata përsëriten. Mirëpo, emetimet e gazeve janë metoda praktike për shtetet dhe qeveritë për të vjelë taksa të ndryshme dhe të shumta nga qytetarët e tyre.
Në vazhdën e promovimeve të energjive të ripërtëritshme, edhe aty ka problematika për të cilat njerëzit nuk janë të vetëdijshëm. Mendojnë se panelet diellore mbrojnë mjedisin, por ato kërkojnë 300+ herë më shumë hapësirë tokësore, sesa burimet konvencionale të energjisë dhe tani “Los Angeles Timesi” ka zbuluar se ato mund t’i “ndotin ujërat nëntokësore me metale të rënda toksike si plumbi, seleni dhe kadmiumi".
***
Pas ditës së zjarrtë të ferrit pasoi drejtimi i fundit, gjithashtu i zjarrtë konform me motin, i Boris Johnsonit si kryeministër i Britanisë së Madhe në Parlamentin britanik. Në fjalimin e tij ai prerazi deklaroi:
“Qëndroni me Amerikën. Ndihmojeni Ukrainën. Luftoni për drejtësinë dhe demokracinë kudo në botë”.
Ai gjithashtu tha se pasardhësi apo pasardhësja e tij si kryeministër britanik do të duhej që të shikonte përpara, mirëpo gjatë gjithë kohës të orientohet me retrovizorë duke shikuar edhe mbrapa.
Fjalimi i tij u përcoll me brohoritje të shumta nga kuvendarët britanikë, të cilët ishin të pakënaqur me skandalet dhe gënjeshtrat e shumta që e përcollën kryeministrin Johnson gjatë qeverisjes së tij.
Beteja për të parin e qeverisë tashmë është reduktuar midis ish-ministrit të Financave, Rishi Sunak, dhe ministres së Jashtme, Liz Truss. Në të gjitha sondazhet del se Sunak avancon në këtë garë, mirëpo kur të vjen puna te votat e anëtarësisë, gjërat aty mund të ndryshojnë dhe Liz Trussi mund t’i përmbytë këto sondazhe.
Mendoj se popullit britanik prapë i është ofruar një zgjedhje partiake e partisë në pushtet midis dy të këqijave, njëra prej të cilave është më e vogël se tjetra. E sipas vlerësimit tim, e keqja më e vogël në këtë rast do të ishte përzgjedhja e Trussit si kryeministre e re. Ajo njihet për afinitetin e saj me Amerikën, si dhe për qëndrimet e forta kundrejt okupimit të Rusisë në Ukrainë. Sa i përket ekonomisë britanike, aty gjërat nuk janë shumë të qarta dhe se si do t’i qaset kësaj problematike zonja Truss. Portofoli i saj nuk ka ndonjë background ekonomik dhe hiç më larg se dje, Britania e Madhe e shënoi shkallën e inflacionit prej 9.4 për qind, që është më e larta në 40 vjetët e fundit.
Kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe e presin një mori sfidash dhe bartja e përgjegjësive për t’i zgjedhur ato nuk do të jetë aspak e lehtë. Mbetet të shihet se kush do ta fitojë këtë garë dhe se si do t’i qaset kryeministri/kryeministrja e re një mori problemeve të grumbulluara.
***
Këtë javë u hap një kaptinë e re për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat fillojnë me hapjen e bisedimeve për pranimin në Bashkësinë Evropiane.
E ndaj mendimin se Shqipëria tashmë është në nevojë të një plejade të re politikanësh, të cilët do të udhëheqin shtetin në sfidat dhe rrugëtimin e ri për bashkim me komunitetin e familjes evropiane.
Mendoj se Edi Rama dhe Sali Berisha kanë disa merita të tyre për disa arritje të sukseseve të shtetit shqiptar qysh nga viti 1997, mirëpo bartin edhe hipoteka të rënda dështimesh të shoqërisë dhe shtetit si tërësi. Dhe nuk mendoj se do të ishin të duhurit për ta udhëhequr shtetin shqiptar në këtë pjesë të rrugëtimit më të rëndësishëm. Ju faleminderit për deri këtu, por tani duhen njerëz dhe fytyra të freskëta politike, pa hipoteka nga e kaluara.
***
Do ta ndaj edhe një ndjenjë të bukur si prind këtu me ju në ditarin tim. Para dy javësh, djali im tashmë 19-vjeçar, Joni, me të cilin dolëm një ditë që të hanim bashkë drekë, më tregoi se kishte planifikuar që javën tjetër të shkonte në Prishtinë, bashkë me dy shokë të tij, për të qëndruar 10 ditë. U ndjeva shumë mirë që të rinjtë që e kanë opsionin për të shkuar kudo në rruzullin tokësor për pushime, e përzgjedhin Kosovën. Sigurisht se djali im dhe shokët e tij nuk janë të vetmit dhe ka shumë të tillë nga mbarë bota, por ja që e kam mundësinë që ta shpreh në mënyrë mediale këtë dukuri. Përderisa e kemi një rini të tillë dhe përderisa ekziston lidhja e tyre me vendin e origjinës së prindërve të tyre, ngase janë gjeneratë e fëmijëve të lindur jashtë Kosovës, nëpër shtetet e ndryshme, mendoj se nuk do të duhej të ekzistonte brenga e asimilimit dhe e tretjes së tyre në vendet dhe shoqëritë ku jetojnë dhe veprojnë. Jam i mendimit se Kosovën e presin ditë të ndritshme me rininë e saj vitale, qoftë asaj vendore apo asaj të diasporës.
***
Thonë se të gjitha gjërave të bukura u vjen një fund.
Ashtu edhe ditarit tim në “Koha Ditore”, në të cilën e pata kënaqësinë dhe gjithsesi privilegjin që t’i shkruaj kolumnet e mia të rregullta për katër vjet rresht.
Me gjithë insistimin e Flakës dhe të Agronit që t’i shkruaja kolumnet në “Koha Ditore”, unë disi isha skeptik dhe për një kohë i shmangesha përgjigjes. Ata besuan në mua, në kohën kur unë nuk besoja në veten time.
Kur ajo gjë edhe filloi të ndodhte, isha skeptik se do të zgjaste më shumë se tre muaj. Por ja, kaluan katër vjet të plotë dhe mua vetëm më mbetet që t’i shpreh falënderimet e mia për bashkëpunimin aq profesional dhe korrekt me Flakën, Agronin, Valbonën, Brikendën, Elmazin, Nitën, Arbanën, dhe natyrisht me të gjithë juve, lexues të ditarit tim në “Koha Ditore”.
Për lexuesit besnikë, Ditari i Një Ambasadori do të vazhdojë, por tashmë në një ambasadë të re.
Mirë u lexofshim!