OpEd

Surrogatët e demokracisë për veriun

Përkufizimi i Republikës si e pavarur nga ndërhyrjet në punët tona të brendshme, si sovrane në administrim të territorit dhe në mbarë kufijtë territorialë dhe si ushtrim i pushtetit politik, ndër vite nuk qe i vërtetë praktikisht, e veçanërisht që nga shpallja e mëvetësisë (Shkurt, 2008) dhe hyrja në zbatim e Kushtetutës (Qershor, 2008). Përkushtimi për një shtet të të gjithë qytetarëve dhe të barabartëve para ligjit, ka dështuar për shkak të ndërhyrjeve të surrogatëve "demokratikë", deklarimi për përkushtim se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës është i pandashëm dhe se mbrohet me të gjitha mjetet e me Kushtetutë, nuk ka ndodhur, për shkak të ndërhyrjeve të surrogatëve "demokratikë", por edhe për shkak të ndjesisë sonë të madhe për çlirim, por vetëdijes së ulët për shtetndërtim. Rendi kushtetues nuk ndodhi në mbarë Republikën, sepse veriu mbeti 'i aneksuar politikisht e institucionalisht', vlerat dhe parimet e përbashkëta të pushtetit shtetëror nuk gjetën shtrirje për shkak të ndërhyrjeve shumëdimensionale të surrogatëve "demokratikë".

Përfaqësimi zëvendësues - surrogat - ndërlidhej me zhvillimet e veriut në vendin tonë, ky koncept u theksua ndaj qytetarëve të veriut që mund të përfaqësoheshin nga përfaqësues ndërkombëtarë e edhe nga Serbia, me të cilët nuk kishin marrëdhënie zgjedhore - domethënë një surrogat të fliste në emër të tyre, e për vendin e tyre, në Bruksel. Ngjarjet e viteve të fundit me pakicën serbe, kryesisht në pjesën veriore të vendit, si përfaqësim direkt u zëvendësua me konceptin e përfaqësimit surrogat, i konceptuar brenda kontekstit politik si përfaqësim që fokusohet në përfaqësim me bazë territori nga një apo më tepër surrogatë individualë, siç ishin kryeministra e presidentë të shtetit serb, për pakicën serbe, në Kosovë.

Surrogatët e "demokracisë" jo rrallë politikat e tyre i kishin me mision përçarës ndaj pushtetit politik vendor dhe shtetësisë sonë ndërkombëtarisht, surrogatët e tillë kishin misione të caktuara, madje të dyshimtë në vrasjen e të ardhmes së pakicës serbe brenda shtetit tonë, sepse edhe origjina e tyre etnike e biologjike ishte e dyshimtë për shtetndërtimin tonë!. Ndërkohë që nga 2014-a, kur u formalizua formacioni politik 'srpska lista', nga këta u krijua efekt për votuesin serb pa përfaqësim elektoral si dhe përfaqësues elektoral dhe atë surrogat, por, jo për qytetarin, po për territorin gjeografik.

Surrogatët ishin dhe ndërkombëtarët, emisarët e ambasadorët po ashtu, të cilët pa reshtur na thoshin ta pranonim fqinjësinë me Serbinë, çuditërisht, me çdo kusht ...edhe me "zajednicën", madje, me kushtëzime për anëtarësime në organizma ndërkombëtarë të Republikës. Surrogatët na bënin edhe kërcënime herë pas here ndaj nesh!. Surrogatët na ngritën kushtëzime për anëtarësim, siç qe rasti me Këshillin e Evropës (Maj, 2024), të tillët na terrorizonin politikisht! Unioni Evropian (UE-ja) është ngritur mbi parime universale demokratike e vlera të pranuara si të përbashkëta, por surrogatët e saj na flasin të pabalancuar mbi parimet universale!

Rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës (KiE), Aleancë Veriatlantike dhe Union Evropian (UE) është përcaktim yni politik, por assesi nuk duhet të deformohet identiteti ynë historik apo territorial nga surrogatët e "demokracisë". Fundja, Kosova e sotme, është vullnet i fuqive të mëdha, që kur u la jashtë Shqipërisë Londineze, si dhuratë gjeografike, për sllavët e Evropës së Jugut përgjatë një shekulli, prandaj, surrogatët, në emër "të demokracisë" dhe narrativës sovjetike, 'normalizim marrëdhëniesh' nuk mund ta imponojnë të pavërtetën, por as ta mohojnë të vërtetën për Kosovën dhe qytetarët shumicë shqiptare, kështu që, nuk mund të ketë kushtëzime, kërcënime e terror politik për veriun mbi Republikën.

Kur surrogatët prej vitesh paraqisnin të menduarit politik të varfëruar, situata në veri ishte problem; kur Prishtina politike i ndërmori përpjekjet institucionale shtetërore, për sa i takon vendosjes së rendit publik e zbatueshmërisë ligjore në pjesën veriore të vendit, të menduarit politik filloi të balancohej, situata u konsiderua të ishte sfidë; e kur të menduarit politik mori udhën shtetërore, edhe përkundër sabotimeve nga elemente të dyshimta ndërkombëtare, situata u bë një mundësi për ndryshim e përmirësim.