OpEd

Sulmi me raketa që nuk ishte i tillë

Kur polakët morën informacione të reja, ishin nga amerikanët. Në orën 4:00 të mëngjesit, me orën polake, presidenti Joe Biden zbuloi se raketa ishte lëshuar ndoshta nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase që po i kundërpërgjigjeshin breshërisë ruse të raketave. Duda e përmendi këtë vetëm pasditen e 16 nëntorit, kur publiku u sigurua për herë të parë se “Polonia nuk ishte objektivi i një sulmi nga Rusia”.

Sulmi me raketë që la të vdekur dy polakë pranë kufirit të vendit të tyre me Ukrainën më 15 nëntor rezultoi të ishte test jo aq i politikës së mbrojtjes sa i politikës së informacionit të Polonisë, Ukrainës dhe NATO-s. Testin e kaluan vetëm amerikanët. Aleatët evropianë dhe Ukraina dështuan, duke zbuluar mungesën tronditëse të përgatitjes për skenar që mund të ishte parashikuar pothuajse që nga fillimi i luftës.

Polonia është vendi më i madh në krahun lindor të NATO-s dhe shërben si qendra më e rëndësishme logjistike për luftën që shqetëson pothuajse të gjithë botën. Vendosmëria dhe uniteti nga ana e Perëndimit janë thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës dhe humbjen e Rusisë, të cilat mund të vendosin fatin e botës për dekada. Shpërthimi i së martës në Poloni, megjithatë, i befasoi të gjithë, përveç Shteteve të Bashkuara, dhe shkaktoi sekuencë të habitshme ngjarjesh, të nxitura nga rrëmuja e habitshme.

Polakët mësuan për rënien e raketës, e cila ndodhi në orën 15:40, pak para orës 20:00 nga Associated Press. Qeveria polake qëndroi e heshtur deri pas mesnate, kur Ministria e Jashtme publikoi ​deklaratë duke pretenduar se në incident është e përfshirë “raketa e prodhuar nga Rusia” dhe kërkoi shpjegim nga ambasadori rus. Qeveria vendosi disa njësi ushtarake në gatishmëri luftarake.

Më pas, kur kryeministri Mateusz Morawiecki dhe presidenti Andrzej Duda iu drejtuan publikut, ata nuk shpjeguan origjinën e raketës, duke nxitur dyshimin se ky kishte qenë një sulm (i qëllimshëm ose jo) nga Rusia. Shumë prej tre milionë ukrainasve që jetojnë në Poloni, 85% e të cilëve janë gra dhe fëmijë, arritën të besonin se lufta nga e cila ikën po u vinte përsëri.

Kur polakët morën informacione të reja, ishin nga amerikanët. Në orën 4:00 të mëngjesit, me orën polake, presidenti Joe Biden zbuloi se raketa ishte lëshuar ndoshta nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase që po u kundërpërgjigjeshin breshërisë ruse të raketave. Duda e përmendi këtë vetëm pasditen e 16 nëntorit, kur publiku u sigurua për herë të parë se “Polonia nuk ishte objektivi i një sulmi nga Rusia”.

Ndërkohë, konfuzioni midis aleatëve evropianë të NATO-s , Polonisë, po rritej. Disa e kishin akuzuar tashmë Rusinë, dhe disa krerë qeverish thirrën mbledhje të jashtëzakonshme qeveritare, si në Hungari.

Ministri letonez i Mbrojtjes, Artis Pabriks, e identifikoi raketën si “ruse” në Twitter, deklaratë që ai e përsëriti në CNN. Jana Černochová, ministrja e Mbrojtjes e Republikës Çeke, e quajti incidentin “provokim të panevojshëm" nga Rusia. Presidenti i Bullgarisë e përshkroi shpërthimin si "të papranueshëm”. Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, deklaroi se “shpërthimet e së martës në Poloni nënkuptojnë një fazë të re në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. NATO duhet të përgjigjet në përputhje me rrethanat”, dhe i bëri thirrje NATO-s të vendosë më shumë sisteme antiraketore në krahun lindor të NATO-s.

Përshtypja se Rusia e kishte goditur vërtet Poloninë u forcua nga Ministria e Jashtme ruse. Menjëherë pas raportimit fillestar amerikan mbi shpërthimin, rusët aplikuan formulën e tyre të zakonshme dhe pretenduan në provokimin perëndimor.

Për kontrast, përgjigjet perëndimore, sado të gabuara, ishin të drejta për palën e vetme përgjegjëse për sulmin me raketa. Siç theksoi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, “Ukraina ka të drejtë të mbrohet kundër luftës së paligjshme të Rusisë”.

Por më pas erdhi përçarja e papritur midis udhëheqësve të NATO-s dhe Ukrainës. “Nuk kam dyshim se nuk ishte raketa jonë”, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky, duke shtuar se Ukraina kishte prova dhe kërkonte qasje në hetim. Të befasuar, Polonia dhe aleatët e saj të NATO-s nuk e komentuan deklaratën e Zelenskkyt, duke pritur me sa duket koherencë më të madhe të mesazheve.

Ngurtësia e Zelenskyt mund të përforcojë gjithashtu përshtypjen tek disa liderë perëndimorë se autoritetet ukrainase po sillen në mënyrë arrogante ndërkohë që Evropa jo vetëm po paguan për armë dhe ndihma humanitare, por gjithashtu vuan nga inflacioni rekord, i cili në Poloni po i afrohet 20%. Për shembull, nëse Hungaria nën kryeministrin e saj prorus, Viktor Orbán, do të kishte qenë në pozicionin e Polonisë – duke shërbyer si kanali kryesor për armatimet, energjinë, ushqimin dhe furnizimet e tjera që rrjedhin në Ukrainë – Rusia pothuajse me siguri do të kishte mbizotëruar deri tani.

Pas breshërisë së fundit të raketave ruse, BE-ja duhet të forcojë paketën e nëntë të sanksioneve kundër Rusisë, të cilën Orbán e ka kundërshtuar në mënyrë të parashikueshme. Por shpërthimi në Poloni mund ta bëjë Hungarinë – aleatin më të ngushtë të Polonisë brenda BE-së – më të pajtueshme.

Një tjetër pasojë e dukshme duhet të jetë forcimi i mbrojtjes ajrore të NATO-s mbi krahun e saj lindor. Varshava, kryeqyteti polak, ka vetëm një sistem të epokës sovjetike, të ndërtuar në vitet 1960 dhe 1970. Polonia ka blerë tetë sisteme anti-raketë “Patriot” nga Shtetet e Bashkuara, por ato nuk do të mbërrijnë për një dekadë tjetër, dhe dy, ato që janë tashmë në vend nuk do të jenë gati për t'u përdorur së paku deri në vitin 2023.

Rrugët e transportit që bartin armët amerikane në Ukrainë dhe linja e transmetimit që lidh Ukrainën me sistemin energjetik të BE-së (e cila, me që ra fjala, shkon shumë afër vendit të shpërthimit të fundit) janë mjaft brenda rrezes së raketave ruse që bien në anën tjetër të kufirit lindor të NATO-s. Shpërthimi i fundit në Poloni ishte një aksident. Tjetra mund të mos jetë.

Zelensky e di këtë, kështu që pas dy ditësh tashmë ka filluar të thotë se nuk është plotësisht i sigurt për origjinën e raketës që ra në Poloni. Origjina mund të mos ketë qenë Rusia, por shpërthimi sigurisht e ka origjinën atje.

(Autori, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)